Sureja Mearixh 

 

Tevili dhe tefsiri i ajeteve 1-3

 

“Një lutës e kërkoi dënimin e pashmangshëm për jobesimtarët. Atë dënim s'ka kush që mund ta ndalë. Ai dënim vjen nga Allahu, pronari i gradave të larta”

 

Imam Xhafer Sadiku ka thënë:

“Në vendin e quajtur Gadir Hum, Resulullahu (s.a.v.) e ngriti dorën e Imam Aliut dhe e shpalli atë si urdhërues e prijës të të gjithë besimtarëve. Mbasi që përfundoi dhënia e betimit, ata u kthyen në Medine dhe kur e dëgjoi këtë Haris bin Numan Fahrijji, erdhi te i Dërguari (s.a.v.) dhe tha: ‘O robi i Allahut! Neve na thirre që të mos i shoqërojmë shok Allahut dhe na e pranuam këtë. Pastaj, na thirre që të pranojmë si pejgamber të Allahut dhe ne e pranuam edhe këtë.

 

Pastaj, na ke thënë që ta falim namazin, të agjërojmë dhe të shkojmë në haxh dhe ne i zbatuam edhe këto. Sikur nuk po mjaftojnë të gjitha këto dhe tani ke thënë: Prijësi i kujt jam unë edhe Aliu është prijësi i tij. A është kjo prej teje apo nga Allahu?’ Resulullahu (s.a.v.) tha: ‘Çdo fjalë e ime është nga Allahu’.

 

Kur e dëgjoi këtë Harisi, u zemërua shumë dhe pasi që u qua në këmbë, tha: ‘O Allahu im! Nëse janë të vërteta fjalët e Muhamedit, na dërgo një argument nga qielli që për neve të bëhet dënim dhe dëshmi për ata që vijnë mbas neve! Por, nëse Muhamedi gënjen, atëherë lëshoje dënimin mbi të!’ Harisi hipi mbi deve dhe deveja e tij u qua në këmbë kur Allahu bëri që të bien gurë mbi të aq shumë sa që u rrëzua nga deveja në tokë i vdekur! Pastaj, zbriti ky ajet”.

 

Në një vend tjetër, Imam Xhafer Sadiku ka thënë:

“Ajetin duhet lexuar në këtë mënyrë: Një lutës e kërkoi dënimin e pashmangshëm për jobesimtarët. Atë dënim s'ka kush që mund ta ndalë për ata që e mohojnë velajetin e Aliut”

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 40

“Betohem në Zotin e lindjeve e të perëndimeve”

 

Imam Xhafer Sadiku ka thënë: 

“Lindjet janë të dërguarit ndërsa perëndimet janë të besueshmit e tyre!”

Gjegjësisht, lindja e diellit i ngjason ndriçimit të njerëzimit nga ana e pejgamberëve dhe largimi i të dërguarve nga kjo botë i përngjan perëndimit të diellit. Mbas këtij perëndimi vijnë imamët që pejgamberët i kanë lënë amanet ymmetit. Përmes këtyre imamëve ymmetet do të gjejnë strehim nga errësira.

 

Këtu përfundon sureja Mearixh. Falënderimi i takon Zotit të botëve. Paqja dhe përshëndetja e Tij qoftë mbi pejgamberin Muhamedin dhe Ehli Bejtin e tij.