Sureja Saf

 

Tevili dhe tefsiri i ajeteve 8-9

“Ata duan që ta shuajnë dritën e Allahut duke e fryrë me gojët e tyre, por Allahu do ta plotësojë e përforcojë dritën e vet. Kjo do të ndodhë padyshim, e pëlqefshin apo mos e pëlqefshin këtë jobesimtarët”

 

Resulullahu (s.a.v.) ka thënë: “Allahu i Madhëruar i shikoi të gjithë njerëzit mbi sipërfaqen e tokës dhe më zgjodhi mua. Pastaj, shikoi edhe një herë dhe e zgjodhi Aliun si vëllanë, vezirin, vasiun (të besueshmin), trashëgimtarin, kalifin e ymmetit tim dhe të afërmin (veliu) e të gjithë besimtarëve mbas meje. Kush e pranon Aliun si urdhërues e prijës padyshim që e ka pranuar Allahun si urdhërues e prijës të tij. Kush bëhet armiku i Aliut, padyshim edhe Allahu do të bëhet armiku i tij. Kush ndjen dashuri ndaj Aliut, padyshim që edhe Allahu do të ndjejë dashuri për atë person dhe kush ndjen urrejtje ndaj Aliut, padyshim që edhe Allahu do të ndjejë urrejtje ndaj atij personi! Betohem në Allah se Aliun e do vetëm besimtari dhe e urren vetëm jobesimtari!” Pastaj, i Dërguari (s.a.v) vazhdoi duke e lexuar këtë ajet: “Ata duan që ta shuajnë dritën e Allahut duke e fryrë me gojët e tyre, por Allahu do ta plotësojë e përforcojë dritën e vet. Kjo do të ndodhë padyshim, e pëlqefshin apo mos e pëlqefshin këtë jobesimtarët”. O njerëz! Ju që jeni të pranishëm përcillni këto fjalë atyre që nuk janë të pranishëm! O njerëz! Përveç meje dhe vëllait tim Aliut, Allahu i Madhëruar ka zgjedhur edhe njëmbëdhjetë Imam që do të vijnë njëri mbas tjetrit. Kur të ndërrojë jetë njëri, mbas tij do të vijë imami tjetër. Njëjtë, sikur një yll që humbet mbi sipërfaqen e tokës dhe në vend të tij lind një tjetër. Këta imam janë udhëzues të rrugës së drejtë! Assesi nuk do të mund t’i shkaktojë ndonjë dëm armiqësia ndaj tyre si dhe mundi i juaj për t’i poshtëruar ata. Ata janë dëshmitë e Allahut mbi sipërfaqen e Tokës dhe ata janë dëshmitarët e Allahut mbi njerëzit. Kush i nënshtrohet atyre, i është nënshtruar Allahut, dhe kush i kundërshton ata, padyshim e ka kundërshtuar Allahun. Ata janë përherë bashkë me Kuranin. Përderisa të arrijë Kurani deri te burimi i Kevtherit, nuk do të ndahet kurrë prej tyre”.

Imam Ali er-Rida ka thënë: “Drita që përmendet në këtë ajet, është velajeti i Urdhëruesit të Besimtarëve, Aliut! Këtë velajet dëshirojnë që ta shuajnë (mohojnë) përmes gojëve të tyre. Por, Allahu i Madhëruar do ta plotësojë e përforcojë dritën e imametit. Feja e vërtetë është velajeti i lënë si amanet. Feja e vërtetë do të plotësohet me paraqitjen e Mehdiut (a.s). Madje, velajeti i Aliut do të paraqitet mbi të gjitha fetë, e pëlqefshin apo jo jobesimtarët”

Po, velajeti i vërtetë i Imam Aliut dhe feja e vërtetë do të njihet me paraqitjen e Mehdiut (a.s). Në atë kohë, asnjë jobesimtar nuk do të mund të ndikojë apo parandalojë këtë. Ata që dëshirojnë që ta shuajnë dritën e Allahut do të shohin ndëshkimin e tyre që e kanë merituar. Fenë e vërtetë do ta sheh e dëgjojë tërë bota.

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 10

“O ju që keni besuar, a dëshironi t'ju tregoj për një tregti të bujshme që ju shpëton prej një dënimi të dhembshëm?”

 

Urdhëruesi i Besimtarëve, Imam Aliu, ka thënë: 

“Unë jam tregtia e bujshme që ju shpëton prej dënimit të dhembshëm”

Gjegjësisht, velajeti dhe dashuria ndaj Imamit të nderuar. Kjo është një tregti e madhe për ata që besojnë.

 

Këtu përfundon sureja Saf. Falënderimi i takon Zotit të botëve. Paqja dhe përshëndetja e Tij qoftë mbi pejgamberin Muhamedin dhe mbi Ehli Bejtin e tij.