Sureja Enam

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 28

“Jo, (nuk është ashtu) po atyre u doli në shesh ajo që e mbanin fshehtë më parë. Edhe sikur të ktheheshin ata, do të ishin kthyer te ajo që ishte e ndaluar për ata, e s'ka dyshim, ata janë gënjeshtarë”.

 

Njëri prej sahabeve të mëdhenj, Xhabir bin Abdullah el-Ansari, rrëfen: “Një ditë e pashë Urdhëruesin e Besimtarëve, Aliun, duke dalë jashtë Kufes. Shkova mbas tij dhe e ndoqa për të parë se ku ishte duke shkuar. Ai shkoi deri te varrezat e hebrenjve dhe u ndal në mes të varrezës. Aty thirri me zë të lartë: ‘O Hebrenj, o hebrenj!’. Prej thellësisë së varreve u dëgjua një zë: ‘Urdhëroni, jemi të gatshëm që t’i bindemi urdhrit tënd!’. Urdhëruesi i Besimtarëve, Aliu tha: ‘Çfarë është dënimi që jeni duke e vuajtur?’ Hebrenjtë thanë: ‘Ne, që e kemi kundërshtuar Harunin, dhe ata që të kanë kundërshtuar ty, do të vuajmë dënimin deri në ditën e Kiametit’. Atëherë, Urdhëruesi i Besimtarëve, Aliu, bërtiti aq shumë sa që më erdhi sikur qiejt lëvizën nga vendi dhe unë u rrëzova në tokë prej madhështisë që kisha parë, dhe e humba veten. Kur erdha në vete, Urdhëruesi i Besimtarëve, Aliu, ishte ulur mbi një fron nga rubini i kuq, në kokë kishte një kurorë prej xhevahireve me ngjyrë të gjelbër e të verdhë. Fytyra e tij ndriçonte si hëna, dhe unë i thashë atij: ‘O Zotëria ime! Kjo që pashë tek ju ishte një fuqi shumë e madhe’. Urdhëruesi i Besimtarëve, Aliu, tha: ‘O Xhabir! Fuqia e sundimit tanë është më e madhe sesa fuqia e sundimit të Sylejmanit, të birit të Davudit’. Pastaj, u kthyem në Kufe dhe hynë në xhami. Duke hyrë në xhami, dëgjova Urdhëruesin e Besimtarëve duke thënë: ‘Betohem në Allah se nuk do ta bëjë këtë! Betohem në Allah që kjo dëshirë e juaj nuk do të realizohet asnjëherë’. E pyeta: ‘O zotëria ime! Me kënd jeni duke biseduar, sepse unë nuk po e shoh ndonjërin që të bisedojë me ju?’ Ai tha: ‘O Xhabir! M’u tregua një pjesë e Xhehenemit dhe aty e pashë të parin dhe të dytin . Ata ishin duke e vuajtur dënimin brenda një tabuti prej zjarri. Ata m’u drejtuan: ‘O babai i Hasanit! O Urdhëruesi i Besimtarëve!  Na kthe edhe njëherë në dynja, që të mund të pranojmë virtytin dhe velajetin tënd’. Por, unë u thashë atyre: ‘Betohem në Allah që kjo dëshirë e juaj nuk do të realizohet asnjëherë’. Pastaj, Urdhëruesi i Besimtarëve e lexoi këtë ajet: Edhe sikur të ktheheshin ata, do të ishin kthyer te ajo që ishte e ndaluar për ata, e s'ka dyshim, ata janë gënjeshtarë”. Pastaj, më tha: ‘O Xhabir! Çdokush që e kundërshton trashëgimtarin e pejgamberit do të thirret i verbër për të dhënë llogari në ditën e Kiametit’”

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 82

“Ata që besuan dhe që nuk e ngatërruan imanin me zullum, atyre u takon të jenë të sigurt dhe ata janë në rrugë të udhëzuar”

 

Imam Xhafer Sadiku ka thënë: “Me të vërtetë, besimtarë janë ata që e kanë pranuar atë që e ka sjellë i Dërguari (s.a.v.) në lidhje me velajetin e Aliut. Të tillë nuk e përziejnë velajetin e Aliut me velajetin e të parit dhe të dytit; kjo do të thotë ngatërrimi i imanit me zullum”

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 89

“Ata ishin që u patëm dhënë librin, urtësinë dhe profetësinë. Nëse këta (ymmeti), nuk i njohin dhe nuk i besojnë ata, Ne i kemi mbështetur ata me një popull që nuk e refuzon atë”.

 

Imam Muhamed el-Bakiri ka thënë: “Nëse ymmeti nuk e beson atë që e ka sjellë i Dërguari (s.a.v.), Allahu ka siguruar se Ehli Bejti i pastër dhe pasardhësit e tyre do t’i thërrasin ata në rrugë të drejtë. Të gjitha ato që i ka sjellë i Dërguari (s.a.v.), do ta vazhdojnë dijetarët e Ehli Bejtit në mënyrë të sinqertë e të drejtë”.

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 97

“Ai është që krijoi yjet për ju që me ta të orientoheni në errësira kur jeni në tokë ose në det. Vërtet Ne i shpjeguam argumentet tona për një popull që di të mendojë”

 

Urdhëruesi i Besimtarëve, Aliu, ka thënë:

“Ehli Bejti i Muhamedit (s.a.v.) janë sikur yjet, kur të shuhet njëri, lind tjetri”

I Dërguari (s.a.v.) ka thënë: “Yjet janë shpëtim për ata që lundrojnë në det, në mënyrë që të mos humben e të përmbysen. Ehli Bejti im është shpëtimi i nevojshëm për ymmetin tim, në mënyrë që t’i evitojnë kundërshtimet. Nëse ndonjë fis arab e kundërshton Ehli Bejtin tim, padyshim ai fis është prej grupit të shejtanit”.

Ne nuk kemi asgjë për të shtuar mbas këtyre shprehjeve mjaft domethënëse. Imamët e Ehli Bejtit janë rruga më e madhe e shpëtimit që ymmeti të mos bie në kundërshtime. Ata që devijojnë nga kjo rrugë janë bërë nga grupi i shejtanit. Nëse e marrim parasysh se shejtani është prej armiqve të njeriut, atëherë do të kuptojmë se pse pjesëtarët e këtij ymmeti janë armiq të njëri tjetrit.

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 122

“Vallë, a është i njëjtë ai që ishte i vdekur kurse Ne e ngjallëm dhe i dhamë dritë, me të cilën ecën mes njerëzve, si ai që ka mbetur në errësira dhe nuk mund të shpëtojë nga ajo? Ja, kështu jobesimtarëve u është dukur e bukur ajo që veprojnë”.

 

Imam Muhamed el-Bakiri ka thënë: “Me të vdekur nënkuptohet ai nuk e njeh hak Imamin. A mundet me qenë i njëjtë ai që e njeh dhe që nuk e njeh hak Imamin? Hak Imami është Ali bin Ebu Talibi. Ata që nuk na njohin neve janë ata që kanë mbetur nëpër errësira e nuk mund të dalin prej tyre”.

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 149

“Thuaj: Allahu ka dëshminë (huxhxhet) më të plotë dhe sikur të donte Ai, do t'ju vinte në rrugë të drejtë të gjithëve”.

 

Imam Xhafer Sadiku ka thënë:

“Ne jemi dëshmia (huxhxheti) më e madhe dhe më e përkryer në mes tokës dhe qiellit”.

Padyshim që Imamët janë ata për të cilët do të pyeten njerëzit. Asnjë njeri nuk do të mund të sjellë ndonjë dëshmi përpara Allahut sepse Allahu na ka njoftuar për dëshminë e Tij përmes pejgamberit të Tij, i cili na ka lënë amanet që të lidhemi për ata. Për këtë arsye, i Dërguari (s.a.v.) ka thënë: “Çdokush do të pyetet për velajetin e Aliut duke e kaluar urën e Siratit”. Pra, dëshmitë e Allahut mbi njerëzit munden me qenë vetëm ata për të cilët do të pyetet njeriu. Nëse njeriu e bën për vete ndonjë dëshmi për të cilën nuk do të pyetet, kjo do të thotë se nuk ka marrë asgjë prej fesë, sepse feja bëhet e qartë vetëm përmes dëshmive të paraqitura nga ana e Allahut.

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 153

“Dhe se kjo është rruga Ime e drejtë. Pasojeni atë menjëherë. Mos ndiqni rrugë të tjera, e t'ju ndajnë nga rruga e Tij. Këto janë urdhrat e Tij për ju, ashtu që të ruheni”

 

Imam Muhamed el-Bakiri ka thënë: “Ne jemi rruga e Allahut! Çdokush që devijon nga kjo rrugë, padyshim do të devijojë në pabesim”

Imam Xhafer Sadiku ka thënë: “Betohem në Allah se rruga e drejtë që duhet pasuar është Aliu! Ai është Sirati (udha) dhe Mizani (peshorja)”

Imam Muhamed el-Bakiri ka thënë: “rruga Ime e drejtë e ka kuptimin e velajetit të Aliut dhe njëmbëdhjetë Imamëve tjerë. Pasojeni atë do të thotë do të thotë pasojeni Ali ibn Ebi Talibin. Mos ndiqni rrugë të tjera do të thotë mos iu nënshtrohuni velajetit të të parit dhe të dytit sepse ata ju ndajnë nga rruge e Tij dhe nga Aliu”.

Një ditë i Dërguari (s.a.v.) ishte ulur bashkë me sahabet dhe duke bërë me shenjë kah shtëpia e Aliut tha: “Kjo është rruga ime e drejtë, pasojeni atë”. Allahu ua ka falë njerëzve një Imam të tillë që shpjegon rrugën e drejtë të Tij, duke mos rënë aspak në dyshim. Është larg prej mendjes dhe prej logjikës që ta pranojmë rrugën e drejtë në formën e librit. Sigurisht që Kurani është rruga e drejtë por nëse nuk janë të drejtë ata që e shpjegojnë këtë rrugë, atëherë si do të veprojmë? Mbasi që çdokush nuk do të mund të zgjedhë se çka është e drejtë dhe çka nuk është e drejtë atëherë këtë do të duhet ta bëjë vetëm personi i zgjedhur nga ana e Allahut. Sepse, padyshim që ai person do të tregojë të drejtën. A munden me qenë të barabartë personi të cilin e zgjedh Allahu dhe të cilin e zgjedhin njerëzit? Sikur që Allahu e ka zgjedhur robin të cilit do t’ia shpallë Kuranin ashtu edhe e ka zgjedhur personin që mbas tij do ta ruajë ymmetin nga devijimi.

Si është e mundur që të kuptohet Kurani njëjtë nga ana e atyre që janë të përsosur dhe që nuk janë të përsosur? Si mund të shpjegojë njeriu të tjerëve atë që vetë nuk e di se a është e drejtë apo jo? Për këtë arsye, Allahu ka thënë: “Kjo është rruga ime e drejtë” duke na bërë me dije se rruga e drejtë është e gatshme dhe se mund të shihet e dihet. Të besohet se vetëm librat janë rruga e drejtë, do të thotë përsëritja e gabimeve të ymmeteve të mëhershëm. Ata nuk i kanë njohur librat që kanë ardhur mbas tyre. Vetëm atëherë kur ka ardhur ndonjë pejgamber dhe e ka shpjeguar atë libër, ata kanë besuar më lehtë. Mbas pejgamberëve, me këtë detyrë janë ngarkuar trashëgimtarët e tyre. Çdo ymmet i pejgamberit kishte një trashëgimtar që ka mundur t’i drejtojë çështjet e fesë. Këtë e kanë pasur ymmetet e mëhershme dhe të njëjtën e ka edhe ymmeti i ynë.

Por, ata që mashtrohen me lojërat e shejtanit nuk dëshirojnë që ta kuptojnë këtë ende. Nuk ka të dërguar që nuk ka lënë ndonjë trashëgimtar. Ata që e mbrojnë të kundërtën e kësaj nuk kanë asnjë dëshmi në librin e Allahut si dhe asnjë hadith që e mbështet këtë. Sigurisht që një rrugë e drejtë që flet është shumë më e rëndësishme sesa rruga që hesht. Imami është ai që flet ndërsa libri është ai që hesht. Sikur të kishin vepruar ashtu si ka lënë vasiet Isa (a.s) dhe të ishte ndjekur rruga e tij, a do të ishte e mundur shtrembërimi i Biblës? Sikur të kishin ekzistuar Imamët që flasin dhe ta kishin mbrojtur Biblën që nuk flet deri në kohën e të Dërguarit (s.a.v.), a do të kishte ndryshuar Bibla? Në Evropë ekziston një thënie e shquar: “Letra duron çdo gjë”. Pra, çkado që të shkruash në letër, ajo do ta mbajë atë. E njëjta nuk vlen për Imamin. Atë nuk mund ta ndryshojë askush sipas mendjes së tij. Ai është personi i zgjedhur i Allahut. Nuk ka asnjë fuqi që mund ta ndryshojë dëshirën e Allahut.

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 158

“A mos janë duke pritur tjetër ata veçse t'ju vijnë engjëjt, të vijë Zoti yt ose të vijnë disa nga argumentet (ajetet) e Zotit tënd? Atë ditë kur të vijnë argumentet e Zotit tënd, asnjë njeriu nuk i vlen besimi i Tij nëse nuk ka besuar më parë ose nuk ka bërë në besimin e tij kurrfarë të mire. Thuaj: Pritni, edhe ne jemi duke pritur!”

 

Imam Xhafer Sadiku ka thënë: “Argumentet (ajetet) janë Imamët e Ehli Bejtit! Argumenti që është duke u pritur është Mehdiu (a.s). Nëse ndonjëri nuk e ka besuar Mehdiun (a.s) para paraqitjes së tij, besimi i tij nuk do të ketë dobi kur të paraqitet Mehdiu me shpatë. Edhe nëse ai person i ka besuar paraardhësve të Mehdiut, besimi i tij nuk do të ketë kurrfarë dobie”.

Sigurisht që nuk do të ketë kurrfarë dobie besimi i atyre që kanë besuar në momentin e fundit dhe që nuk e kanë besuar Imam Mehdiun (a.s) deri në paraqitjen e tij. Nuk duhet që të harrojmë se ai është Imami i fundit prej Imamëve të Ehli Bejtit. Ai do të paraqitet bashkë me Isën (a.s) në fundin e kohës dhe do t’i bëjë thirrje njerëzve kah imani. Me të vërtetë, ata që i besojnë atij, para paraqitjes së tij, do t’i besojnë atij edhe mbas paraqitjes. Ata që nuk janë duke i besuar tani, nuk do të kenë kurrfarë dobie prej besimit të tyre mbasi që të paraqitet me shpatën e tij.

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 159

“Vërtet ata që e përçanë fenë e tyre dhe u ndanë në grupe. Ti nuk ke kurrfarë lidhjeje me ata. Çështja e tyre është vetëm te Allahu. Ai do t'i njoftojë ata me atë që punuan”

 

Imam Xhafer Sadiku ka thënë: “Ata që e përçanë fenë e tyre dhe u ndanë në grupe janë ata që e kanë braktisur Urdhëruesin e Besimtarëve, Aliun”.

Imam Aliu ka thënë: “Betohem në Allah se ky popull e ka braktisur fenë e tij”.

Mbas të Dërguarit (s.a.v.), populli nuk i mbeti besnik premtimit që ia kishte dhënë atij dhe duke u ndarë në grupe ata e përçanë fenë e tyre. Në këtë kuptim, feja është Urdhëruesi i Besimtarëve, Aliu, dhe shumica e ymmetit e braktisi Imam Aliun mbas ndërrimit jetë të të Dërguarit (s.a.v.). Feja njihet vetëm përmes Imamit. Një fe pa Imam është sikur një njeri pa kokë. Edhe Imameti nuk është për çdokënd. I Dërguari (s.a.v.) ka thënë në një hadith sahih: “Kalifët (imamët) mbas meje janë dymbëdhjetë dhe të gjithë janë prej Kurejshëve”. Ata që përmenden në këtë hadith nuk janë askush tjetër veçse dymbëdhjetë Imamët e Ehli Bejtit.

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 160

“Kush vjen me një mirësi, ai shpërblehet dhjetëfish. Kush vjen me një të keqe, ai ndëshkohet vetëm për të. Atyre nuk u bëhet e padrejtë”.

 

Imam Xhafer Sadiku ka thënë: “Mirësia është ruajtja e hadithit tonë të fshehtë prej atij që nuk është i denjë për të. E keqja është përhapja e fshehtësisë sonë”.

Në një rrëfim tjetër Imami ka thënë: “Përmes velajetit tonë do të jepet dhjetëfishi atyre që bëjnë mirësi. Kush vjen me një të keqe prej të tjerëve, ai do të ndëshkohet vetëm për të”.

Në një rrëfim tjetër thuhet: “Mirësia është velajeti dhe dashuria jonë. E keqja është armiqësia dhe urrejtja kundër neve”.

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 161

“Thuaj: Vërtet Zoti im më udhëzoi në rrugë të drejtë, që është fe e drejtë, fe e Ibrahimit. Ibrahimi nuk ishte asnjëherë idhujtar!”

 

Imam Muhamed Bakiri ka thënë: “Askush, përveç neve dhe shiitëve tanë, nuk i takojnë fesë së drejtë të Ibrahimit”.

Imam Hysejni ka thënë: Ne dhe shiitët tanë jemi prej fesë së Ibrahimit. Të tjerët janë larg prej kësaj feje”.

 

Me ndihmën e Allahut po e përfundojmë suren e Enamit.