Sureja Hashr

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 7

“Preja e luftës nga banorët e vendeve të pushtuara, që Allahu ia dha pejgamberit, i takon Allahut, të dërguarit të afërmve, jetimëve, të varfërve dhe ata që kanë mbetur në rrugë”

 

Imam Muhamed el-Bakiri ka thënë: “Ky ajet ka zbritur posaçërisht për neve. Ajo çka është përmendur për Allahun dhe pejgamberin e Tij, e njëjta vlen edhe për neve. Ne jemi të afërmit, jetimët dhe të varfrit. Ne jemi edhe ata që kanë mbetur në rrugë, sepse vetëm përmes neve bëhet e qartë rruga e Allahut! Dhe, të gjitha urdhrat janë prej neve!”

Urdhëruesi i Besimtarëve, Imam Aliu, ka thënë: “Ne jemi të afërmit që i përmend këtu Allahu dhe që i ka përmendur bashkë me nefsin e Tij dhe të pejgamberit të Tij! Allahu i Madhëruar na ka mbajtur neve larg prej sadakasë, sepse ajo është papastërtia në duart e njerëzve! Në vend të sadakasë, në këtë ajet Ai e ka përcaktuar pjesën tonë dhe me këtë e ka fisnikëruar pejgamberin dhe neve, kështu që na ka mbajtur larg prej papastërtisë së njerëzve!”

Sadakaja është cilësuar nga ana e të Dërguarit (s.a.v.) si papastërtia në dorën e njeriut. Për të shpëtuar nga kjo papastërti, çdo besimtar duhet që ta japë sadakanë dhe të shpëtojë dorën prej papastërtisë. Vetëm nëse veprohet në këtë mënyrë, pjesa e mbetur e parave do të jetë e pastër dhe hallall. Sikur që kanë thënë Imamët e Ehli Bejtit, sikur të kishin dhënë të pasurit sadakatë e tyre, të varfrit nuk do të rebeloheshin, por do të duronin.

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 7

“Atë çka ju jep Pejgamberi, merreni dhe atë çka ju ndalon, përmbahuni. Dhe, kini frikë Allahun, se Allahu është ndëshkues i ashpër”

 

Urdhëruesi i Besimtarëve, Imam Aliu ka thënë: “Pranoni atë që ju ka dhënë pejgamberi në lidhje me hakun e Ehli Bejtit dhe përmbajuni prej të bërave kundër tyre, dhe dijeni që jeni të urdhëruar për një gjë të tillë. Allahu është ndëshkuesi i ashpër ndaj atyre që i bëjnë zullum Al-i Muhamedit”

Resulullahu (s.a.v.) ka thënë sahabeve: “O njerëz! A keni parë ndonjë rob që të kalojë përpara Zotërisë së tij? O njerëz! Dijeni mirë se velajeti i Aliut është bërë obligim për ju nga ana e Allahut. Këtë më ka njoftuar Xhebraili (a.s) nga ana e Zotit të botëve! O njerëz! Vërtetësia e këtyre fjalëve që sapo ju thashë dëshmohet përmes këtyre fjalëve të Allahut: “Atë çka ju jep Pejgamberi, merreni dhe atë çka ju ndalon, përmbahuni. Dhe, kini frikë Allahun, se Allahu është ndëshkues i ashpër” O Njerëz! Dijeni mirë se në njërën anë është Xheneti dhe në tjetrin është Xhehenemi! Në anën e djathtë qëndron Aliu dhe në të majtën Shejtani! Nëse e pasoni Shejtanin, ai ju nxjerrë nga rruga e drejtë dhe ju qon brenda Xhehenemit. Nëse e pasoni Ali bin Ebi Talibin, ai ju qon në rrugën e drejtë dhe nëse i nënshtroheni atij, do t’ju qojë në Xhenet!”

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 20

“Nuk janë të barabartë ata të xhenetit dhe ata të xhehenemit. Banuesit e xhenetit janë ata fatbardhë që ia kanë arritur qëllimit”

 

Resulullahu (s.a.v.) ka thënë: “Banorët e Xhenetit janë ata që mbas meje pranojnë që t’ia dorëzojnë Aliut urdhrin e velajetit (kalifatin)! Banorët e Xhehenemit janë ata që mbas meje e kanë mohuar velajetin e Aliut dhe që nuk e kanë mbajtur betimin që ma kanë dhënë”

Resulullahu (s.a.v.) i ka thënë nënës sonë, Umme Selemes: “O Ummu Seleme! Banorët e Xhehenemit janë ata që e kanë urryer Aliun dhe pasardhësit e tij dhe që i kanë poshtëruar ata! Ndërsa, ata që kanë shpëtuar dhe që janë të epërm, janë shiitët e Aliut!”

Në një vend tjetër, i Dërguari (s.a.v.) ka thënë: “Banorët e Xhenetit janë që mbas meje i nënshtrohen Aliut nën urdhrin e kalifatit dhe të tillët do të jenë bashkë me të. Ndërsa, banorët e Xhehenemit janë ata që mbas meje nuk e kanë mbajtur fjalën e dhënë dhe që e kanë kundërshtuar Aliun! Dijeni mirë se Aliu është një pjesë e imja! Kush lufton kundër tij, ka luftuar kundër meje! O Ali! Lufta jote është lufta ime dhe paqja jote është paqja ime! O Ali! Ti je lidhja e diturisë në mes meje dhe ymmetit tim”

 

Këtu përfundon sureja Hashr. Falënderimi i takon Zotit të botëve. Paqja dhe përshëndetja e Tij qoftë mbi pejgamberin Muhamedin dhe Ehli Bejtin e tij.