Sureja Hadid

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 3

“Ai është i pari që s'ka fillim dhe i fundit që s'ka mbarim, i dukshmi dhe i padukshmi”

 

Xhabir bin Abdullah el-Ansariu, rrëfen: 

“Një ditë e pashë Ammarin në një rrugicë të Medinës. E pyeta se ku ndodhet pejgamberi dhe ai më tha: ‘Pejgamberi bashkë me sahabet ndodhej në mesxhid para pak kohe. E fali namazin e sabahut dhe erdhi drejt neve. Në atë moment filloi të lind dielli dhe mbërriti edhe Ali bin Ebi Talibi. Pejgamberi u qua në këmbë për ta përshëndetur Aliun dhe mbasi që e puthi në mes dy syve e ftoi që të ulet afër tij. Ata ishin afruar aq shumë njëri tjetrit sa që gjunjët e tyre e preknin njëri tjetrin. Pastaj, i Dërguari (s.a.v.) i tha Aliut: ‘O Ali! Qohu dhe foli diellit. Ai do të kthejë përgjigjen!’ Një grup prej atyre që ishin të ulur në mesxhid u quan në këmbë dhe thanë: ‘A është parë ndonjëherë që Aliu të flet me diellin?’ Të tjerët thanë: ‘Tërë kohën nuk është duke bërë asgjë tjetër veçse po e lartëson djalin e axhës së tij!’ Aliu doli jashtë dhe u drejtua diellit në këtë mënyrë: ‘O krijesa e Allahut! Si ke gdhirë sot?’ Atëherë, nga dielli erdhi një zë i tillë: ‘O vëllai i Resulullahut! Kam gdhirë mbarë! O i pari që s'ka fillim dhe i fundit që s'ka mbarim, i dukshmi dhe i padukshmi! Ti je i dijshëm për çdo send!’ Aliu u kthye në mesxhid dhe Resulullahu (s.a.v.) i tha: ‘A do ta tregosh për ndodhitë apo të tregoj unë?’ Aliu i tha: ‘Na trego ti. Më mirë është prej teje’. Resulullahu (s.a.v.) tha: ‘Kuptimi i fjalës ‘i pari’ buron prej asaj se ti je i pari që i ke besuar Allahut. Kuptimi i fjalës ‘i fundit’ është se ti je ai që të më varrosësh kur të ndërrojë jetë, sepse ti je më i afërmi im. Kuptimi i fjalës ‘i dukshmi’ është se të gjitha sekretet e mija janë të dukshme për ty. Dhe, kuptimi i fjalës ‘i padukshmi’ është se ti je pronari i të gjitha thellësive të diturive të mija. Kuptimi i fjalës ‘Ti je i dijshëm për çdo send’ është se ti i di të gjitha kuptimet e ajeteve që i ka shpallur Allahu i Madhëruar! Sikur të mos kisha pasur frikë se një grup nga ymmeti im të mos thotë ty atë që krishterët kanë thënë në lidhje me Isën, unë do të kisha thënë për ty disa fjalë sa që kur të kalosh afër ndonjërit prej tyre, ata do ta merrnin dheun që po e shkel dhe do ta konsideronin si mjet të shërimit!”

Sipas rrëfimeve që na vijnë nga Imamët e Ehli Bejtit dielli i kishte folur Imam Aliut gjatë kohës sa ishte në jetë i Dërguari (s.a.v.) si dhe mbas tij.

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 12

“Atë ditë do të shohësh besimtarët dhe besimtaret, që drita e tyre flakëron para tyre dhe në të djathtë të tyre; myzhde qoftë për ju sot; ju do të qëndroni përgjithmonë në xhenete, nën të cilat rrjedhin lumenjtë. Dhe, kjo është një fitore dhe një shpëtim i madh”

 

Imam Xhafer Sadiku ka thënë: “Një ditë Resulullahu (s.a.v.) e shikoi Ali bin Ebi Talibin me fytyrën e tij të bekuar dhe tha: ‘O babai i Hasanit! A do një myzhde prej meje?’ Aliu tha: ‘Po, o Resulullah’. Resulullahu (s.a.v.) tha: ‘Xhebraili (a.s) më ka sjellë nga Allahu i Madhëruar këtë lajm: Allahu ia ka dhënë shiitëve tuaj shtatë përparësi: shoqërimi i tyre gjatë momentit të vdekjes, miqësia ndaj tyre gjatë vetmisë mbas vdekjes, dhënia e një drite shkëlqyese gjatë errësirës, siguria në ditën më të frikshme, drejtësia gjatë dhënies së llogarisë, kalimi i urës së Siratit, hyrja në Xhenet para të gjithëve dhe shkëlqimi i dritës së tyre përpara dhe në të djathtën e tyre”.

 

Tevili dhe tefsiri i ajeteve 13-15

“Ditën kur hipokritët dhe hipokritet atyre që besuan u thonë: ‘Na pritni që të ndriçohemi prej dritës suaj!’ U thuhet: ‘Kthehuni prapa dhe kërkoni ndonjë dritë!’ Atëherë vihet ndërmjet tyre njëfarë muri që ka një derë, e brendia e tij është mëshirë, e nga ana e jashtme e tij është dënimi. Hipokritët e mbetur në errësirë i thërrasin ata (besimtarët): ‘A nuk kemi qenë edhe ne së bashku me ju!?’ Ata thonë: ‘Po, por ju shkuat mbas nxitjeve, ju prisnit kob të zi për besimtarët, ju dyshonit në çështjet e fesë dhe juve ju mashtruan shpresat e kota deri kur ju erdhi caktimi i Allahut (vdekja) dhe ashtu, përkitazi me Allahun, shejtani ju mashtroi. E sot prej jush nuk pranohet ndonjë kompensim e as prej atyre që nuk besuan, vendi juaj është zjarri. Ai është vendi i denjë për ju; sa përfundim i keq është ai”

 

Imam Muhamed el-Bakiri ka thënë: 

“Ky ajet ka zbritur në lidhje me neve, shiitët tanë dhe jobesimtarët. Kur të thirren njerëzit në një vend për të dhënë llogari në ditën e Kiametit, Allahu i Madhëruar do të formojë në atë vend një mur nga errësira. Muri do të ketë një derë. Brenda murit do të jetë drita, gjegjësisht mëshira, dhe në pjesën e jashtme do të jetë dënimi, gjegjësisht errësira. Armiqtë tanë do të mbesin jashtë atij muri, gjegjësisht në errësirë. Jobesimtarët, që janë armiqtë tanë dhe të shiitëve tanë, do të na thirrin në këtë mënyrë: ‘A nuk ishim bashkë me ju në dynja? A nuk e kishim një pejgamber, një namaz, një agjërim dhe një haxh?’ Atëherë, do të dërgohet një engjëll nga ana e Allahut, i cili do të thotë: ‘Po, ishin bashkë, por ju shkuat mbas nxitjeve tuaja, keni hequr dorë nga ajo që pejgamberi ju kishte dhënë urdhër që të mbaheni për të dhe keni pritur që të pësojnë shkatërrim besimtarët që kanë qenë të lidhur për ata. Njëkohësisht, keni dyshuar në lidhje me të vërtetën tonë dhe jeni marrë me punët që nuk mund të realizoheshin, dhe kështu jeni mashtruar përderisa ka mbërritur urdhri i Allahut’. 

E vërteta që përmendet këtu është paraqitja e sërishme e Ali bin Ebi Talibit dhe, bashkë me të, edhe të gjithë Imamëve tjerë të Ehli Bejtit. Të gjitha këto që i kanë arritur jobesimtarët janë pasojë e kërkesës së parashtruar nga ana e shejtanit ndaj tyre, i cili i ka mashtruar ata. Atë ditë, nuk do të mund të gjejnë asgjë te vetja e tyre si kompensim për të shpëtuar nga ndëshkimi i zjarrit. Vendqëndrimi i tyre është zjarri dhe ai vend është prej vendeve më të këqija!”

Resulullahu (s.a.v.) ka thënë: “Unë jam muri që do të vendoset atë ditë! Dera e murit është Aliu! Ata që duan të hynë brenda murit, mund të hynë nga dera!”

Atë derë duhet njohur gjatë jetës së kësaj bote. Athua si mund ta njohin atë derë në momentin e frikshëm të asaj dite?

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 19

“Ata që besuan Allahun dhe të dërguarin e Tij, ata janë të sinqertit dhe dëshmorët tek Zoti i tyre, ata kanë shpërblimin e vet”

 

Imam Muhamed el-Bakiri ka thënë shiitëve më të zgjedhur:

 “Betohem në Allah, se ata që e njohin urdhrin tonë sipas hakut dhe që presin të mbarë prej tij, janë sikur ata që luftojnë me shpatë bashkë me Mehdiun e Al-i Muhamedit! Betohem në Allah se të tillët janë sikur ata që kanë luftuar me shpatë bashkë me Resulullahun (s.a.v.). Betohem në Allah se ata janë sikur dëshmorët që kanë rënë me Resulullahun (s.a.v.)! Në lidhje me këtë ka zbritur një ajet !” Njëri prej të pranishmëve pyeti: “U flijoftë shpirti im për ty! Cili është ai ajet?” Imami i nderuar tha: “Ata që besuan Allahun dhe të dërguarin e Tij, ata janë të sinqertit dhe dëshmorët tek Zoti i tyre, ata kanë shpërblimin e vet”. Betohem në Allah se te Allahu jeni bërë prej të sinqertëve dhe dëshmorëve.

Njëri prej sahabeve të moshuar e pyeti Imam Xhafer Sadikun: “U flijoftë shpirti im për ty! Pleqëria më ka kapluar dhe jam duke e pritur vdekjen. Kam frikë se nuk do të mund të luftojë për ju nëse jepni një urdhër të tillë!” Imami i nderuar iu përgjigj: “O Ebu Hamza! A mendon se në rrugën tonë mund të biesh dëshmor vetëm nëse lufton në luftë?” Ebu Hamza iu përgjigj: “Po, u flijoftë shpirti im për ty!” Imami i nderuar i tha: “O Ebu Hamza! Betohem në Allah se, ai që na beson neve, që e dëshmon hadithin tonë dhe që e pret paraqitjen e urdhrit tonë, nën flamurin e Mehdiut, ai është sikur dëshmori që ka rënë nën flamurin e Resulullahut (s.a.v.)!”

Në një vend tjetër, Imami ka thënë njërit prej sahabeve të tij: “O Ebu Muhamed! Ata që vdesin nën urdhrin tonë janë dëshmor!” Ebu Muhamedi tha: “U flijoftë shpirti im për ty! Edhe nëse ai person vdes në shtratin e tij?” Imami i nderuar iu përgjigj: “Po, edhe nëse vdes në shtratin e tij, ai prapë do të jetë i gjallë brenda furnizimit të Allahut!”

Në një vend tjetër, Imami i nderuar ka thënë Malik el-Xhuhejnit, njërit prej sahabeve: “O Malik! A e pranon hyrjen në Xhenet me kushtin e faljes së namazit, dhënies së zeqatat, ruajtjes së gjuhës karshi njerëzve dhe ruajtjes së dorës prej mëkateve? O Malik! Çdo popull i kësaj bote, përveç juve, do ta mallkojë Imamin dhe ai Imam do t’i mallkojë ata. Vetëm ju dhe të tillët si ju që na keni pranuar si Imam nuk do të bëheni prej atyre. O Malik! Betohem në Allah se çdokush që vdes duke e pranuar urdhrin tonë është sikur dëshmori që ka rënë në rrugën e Allahut!”

Urdhëruesi i Besimtarëve, Imam Aliu, ka thënë: “Ata që vdesin prej shiitëve tanë janë të sinqertë dhe dëshmor! Sepse, ata e kanë dëshmuar urdhrin tonë, kanë dashur përmes neve dhe kanë urryer përmes neve! Qëllimi i këtyre të bërave është Allahu dhe i dërguari i Tij dhe vetëm atyre i kanë besuar. Në lidhje me këta shiitë, Allahu i Madhëruar ka thënë: “Ata që besuan Allahun dhe të dërguarin e Tij, ata janë të sinqertit dhe dëshmorët tek Zoti i tyre, ata kanë shpërblimin e vet”.

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 25

“Ne i dërguam të dërguarit Tanë me dëshmi të qarta dhe Ne zbritëm me ata librin dhe peshoren”

 

Imam Muhamed el-Bakiri ka thënë: 

“Ne, Ehli Bejti, jemi peshorja! Njerëzit mund të jenë të drejtë vetëm përmes neve”

Në një rrëfim tjetër, ka thënë: “Peshorja është Imami! Gjegjësisht, Imami i Ehli Bejtit”

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 28

“O ju që keni besuar, kini frikë Allahun dhe besoni të dërguarin e Tij, ashtu që Ai t’ju jap dy hise nga mëshira e Tij, t’ju dhurojë dritë që të ecni me të dhe t’ju gjykojë e mbulojë mëkatet tuaja. Allahu është Mbuluesi i mëkateve, Mëshiruesi”

 

E pyetën Resulullahun (s.a.v.) në lidhje me këtë ajet, dhe ai tha: 

“Dy hise nga mëshira e Allahut janë Hasani dhe Hysejni! Ndërsa, drita që Allahu do të dhurojë për të gjetur rrugën e drejtë është Aliu!”

Në një vend tjetër, ka thënë: 

“Drita është Imami i drejtë dhe hak, që ai është Ali bin Ebi Talibi!” Me dritë nënkuptohet Imami i drejtë dhe hak.

Njëri prej sahabeve, Ka’b bin Ijadi, filloi që të flas keq dhe të kritikojë Imam Aliun përpara Resulullahut (s.a.v.). Resulullahu (s.a.v.) e goditi lehtë gjoksin e sahabes me dorë dhe duke ia tërhequr vërejtjen, tha: “O Ka’b! Aliu i ka dy drita! E para është në qiell dhe e dyta mbi sipërfaqen e Tokës! Kush mbahet për dritën e tij, do të hyjë në Xhenet dhe kush e braktis atë dritë, do të hyjë në Xhehenem! Këto që i dëgjove, përhapi në mesin e njerëzve nga ana ime!”

Në një vend tjetër, ka thënë: 

“Allahu i Madhëruar ka krijuar shtatëdhjetë mijë engjëj nga drita e fytyrës së Aliut! Këta engjëj do të kërkojnë falje për Aliun dhe shiitët e tij deri në ditën e Kiametit”

 

Me ndihmën e Allahut, këtu përfundon sureja Hadid. Paqja dhe përshëndetja e Tij qoftë mbi pejgamberin Muhamedin dhe Ehli Bejtin e tij.