Sureja Tur 

 

Tevili dhe tefsiri i ajeteve 1-4

“Pasha Turin. Dhe librin e shkruar në rreshta. Në lëkurë të shtrirë. Pasha shtëpinë e riparuar”

 

Urdhëruesi i Besimtarëve, Imam Aliu, ka thënë: “Unë jam Turi, unë jam libri i shkruar në reshta, unë jam shtëpia e riparuar!”

Kohëve të fundit, janë shkruar disa libra me përmbajtje kritike në të cilët polemizohet për atë se si është e mundur që Allahu të betohet në diçka tjetër përveç Vetes. Qëllimi i atyre që e kanë nxitur këtë polemikë është përgënjeshtrimi i Kuranit. Ata që e bëjnë këtë thonë se e bëjnë gjoja me pretekstin e mbrojtjes së Kuranit. Është për keqardhje se të dy grupet janë duke u sjellë në mënyrë të njëanshme në çështjet e tyre. Ata që duan që ta tregojnë si të dobët Kuranin, bazohen vetëm në burimore ‘synnite’. Edhe ata që duan ta mbrojnë Kuranin, e bëjnë këtë duke u bazuar në burime ‘synnite’. Përfundimi është i qartë; mbasi që të dy grupet i afrohen pikëpamjes së Kuranit nga burimet e njëjta, atëherë mbrojtja do të jetë e dobët. Ndërsa, krahas kësaj, në librat që bazohen në Imamët e Ehli Bejtit pastrimi i Kuranit prej këtyre shpifjeve është shumë e thjeshtë. Nuk ka zgjidhje tjetër përveç kësaj. Por, fatkeqësisht, mbrojtjen e Kuranit Fisnik janë duke e marrë përsipër ata persona që as nuk mendojnë ta marrin parasysh madje edhe një pikëpamje të vetme nga Imamët e Ehli Bejtit. Sipas hadithit sahih, i Dërguari (s.a.v.) nuk e ka lënë amanet për së koti Kuranin dhe Ehli Bejtin e tij deri në ditën e Kiametit! Përkundër kësaj qartësie, autoritetet e Bashkësisë Islame nuk janë duka ia varë veshin fare këtij amaneti dhe kjo është bërë një shembull i madh për ata që nuk janë të autorizuar për ta bërë komentimin e Kuranit. Në bazë të librave të shumta, Imamët e Ehli Bejtit janë krijuar nga drita e pejgamberit tonë në ekzistencën esenciale. Drita e Allahut nuk mund të merret shembull e të krahasohet me asgjë. Por, ata që duan ta njohin Allahun, ata mund ta bëjnë këtë vetëm përmes atyre që janë krijuar prej dritës së Tij. 

Këtu ndërlidhja është e thellë dhe e ka kuptimin e thellë. Dhe, në emër të kësaj ndërlidhjeje që është fshehtësi, Allahu i Madhëruar është duke u betuar në këtë ajet. Ose, thënë shkurt, Ai është duke u betuar me Zatin (Esencën) dhe Nefsin e Tij. Njëjtë, sikur që ka thënë Mevlana Xhelaledin Rumiu: “I ngjitur për Zatin (Esencën) e Tij. Është bërë Ai!” Allahu i Madhëruar është betuar në shumë vende të Kuranit në Nefsin e Tij. Sa i përket përdorimit të këtyre betimeve përmes simboleve dhe jo në mënyrë të hapur, ne nuk mund të pranojmë se të gjithë njerëzit mund t’i kuptojnë njëjtë ato betime për shkak të gjerësisë jo të njëjtë të botëkuptimeve të tyre. Prandaj, nuk është e pranueshme që betimet e tilla të bëhen përmes emrave të hapura sepse, njerëzit e dobët do ta kuptojnë këtë se Allahu është duke u betuar përmes emrave tjerë jashtë Vetes së Tij dhe do ta shohin këtë si ortakëri (shirk). Këtu është bërë betimi në dritat që vijnë nga burimi i tevhidit. Edhe në vende tjera të Kuranit, Allahu i Madhëruar ka folur në mënyrë simbolike, si p.sh: ‘Pyeteni qytetin’ ose ‘Pyeteni karvanin’. Sigurisht, që këtu nuk bëhet fjalë për atë se duhet pyetur qytetin apo karvanin por, njerëzit. Njeriu duhet që ta lexojë Kuranin duke menduar për të dhe atë që nuk e kupton duhet që ta mësojë prej Imamëve të Ehli Bejtit, ashtu si na ka urdhëruar i Dërguari (s.a.v.). Nëse Allahu i Madhëruar është betuar në një qytet të sigurt në ndonjë vend të Kuranit atëherë sigurisht që është menduar për pronarin e atij qyteti, i cili është i dërguari ynë (s.a.v.). 

Si përfundim, nuk do të konsiderohet shirk (ortakëri) nëse Allahu i Madhëruar betohet me pejgamberin të cilin e ka krijuar nga drita e Zatit të Tij. Sepse, po të mos ishte i Dërguari (s.a.v.) dhe të dërguarit e mëhershëm, nuk do të njihej Allahu. Ne nuk themi se Allahu ka nevojë për ata. Përkundrazi, ne dëshirojmë që të themi se nevojën që e ka krijesa për Allahun mund ta plotësojë vetëm Ai. Sepse, nuk është e mundur që të shihet drita e Zatit të Allahut ose të kaplohet me mendje plotësisht. Pejgamberët janë përfaqësuesit e Allahut mbi sipërfaqen e Tokës. Ata që e dinë kuptimin e vërtetë të përfaqësuesit mund të kuptojnë atë që deshëm të shpjegojmë deri më tani. Dëshirojmë që të tregojnë një ngjarje historike ashtu që tema e jonë të bëhet më e qartë.

Imam Aliu ishte shumë afër fitores në luftën e Siffinit, ku ishte duke luftuar kundër Muavijes dhe ushtrisë së tij, kur Muavija kishte propozuar ushtarëve të ushtrisë së tij që të bëjnë një hile. Ai kishte dhënë urdhër ushtarëve që ta varin Kuranin mbi shtizat e tyre. Imam Aliu e kishte kuptuar se kjo është një hile dhe kishte thënë kështu: “Këta janë duke ju treguar Kuranin, por mbrapa saj nuk ka asgjë tjetër veçse një hile. Kurani që po tregojnë juve është memec ndërsa unë jam Kurani që flet! Mos keni frikë dhe goditni ata”. Sikur që mund të kuptojmë edhe nga kjo deklaratë, Imam Aliu e ka cilësuar veten si esenca e Kuranit Fisnik. Këtu është bërë e qartë dallimi në mes esenciales dhe asaj që shihet. Mbas një shpjegimi të tillë, dëshirojmë që të tërheqim vërejtjen se në Kuran ekzistojnë shumë ajete që na tregojnë se njerëzit do të kalojnë nëpër sprova të shumta. Athua cila është sprova me të cilën janë sprovuar njerëzit? Në njërën anë e kemi amanetin e qartë për të treguar bindje ndaj Ehli Bejtit dhe në anën tjetër është mundësia e lartësimit për ata që e pranojnë këtë. Zaten, kanë pësuar humbje ata që nuk i kanë pranuar Imamët e Ehli Bejtit si prijës të tyre. Por, athua kanë fituar të gjithë ata që janë kapur për Imamët e Ehli Bejtit? Jo, sepse i Dërguari (s.a.v.) dhe Imamët e Ehli Bejtit kanë thënë:

“Fshehtësia e Ehli Bejtit është më i vështiri prej më të vështirëve. Këtë fshehtësi mund ta bart vetëm një engjëll që është afër Allahut, një pejgamber të cilit i ka zbritur shpallja apo njëri, zemra e të cilit është sprovuar me iman”. 

Ky hadith është prezent në formën sahih në librat e atyre që kanë treguar bindje ndaj Imamëve të Ehli Bejtit. Nëse hyjmë në analizën e këtij hadithi, në mendjen tonë do të na lindin këto pyetje: Çka mundet me qenë fshehtësia e të Dërguarit tonë (s.a.v.)?  Si është e mundur që fshehtësinë e të Dërguarit (s.a.v.) dhe e Ehli Bejtit të tij të jetë pronë vetëm e një engjëlli që është i afërt me Allahun, një pejgamberi apo një njeriu, zemra e të cilit është i sprovuar me iman? Çka do të thotë sprovimi i zemrës me iman? Në përgjigjet e këtyre pyetjeve do të mund të gjejmë zgjidhjen e vërtetë të çështjes.

Përkundër të gjitha këtyre shpjegimeve, do të ishte gabim të mos e përfillim gjendjen politike gjatë përhapjes së Kuranit. Emevitët hynë në skenë me ardhjen e Osman bin Affanit në pozitën e kalifit dhe e shfaqën armiqësinë e tyre kundër Ehli Bejtit në çdo sferë të jetës. Abdullah bin Mesudi ishte njëri preje sahabeve që kishte mbledhur në një vend shkaqet e zbritjes së ajeteve të Kuranit. Kur Osmani deshi ta tubojë Kuranin në një libër të vetme (mus-haf), më së pari kishte kërkuar që të mblidhen Kuranët që gjendeshin në duart e sahabeve. Abdullah bin Mesudi ishte njëri prej atyre që e kundërshtoi këtë. Sipas disa historianëve, Osmani ia kishte marrë me forcë Kuranin nga dora e Abdullahut. Madje, Abdullahu ishte plagosur rëndë gjatë këtij incidenti sa që më vonë edhe vdes si pasojë e plagëve të marra. Athua pse insistonte kaq shumë Osmani për ta marrë Kuranin që gjendej në dorën e Abdullah bin Mesudit? Ata që e konsiderojnë Osmanin si njërin prej atyre që e ka fituar Xhenetin, e mbrojnë atë në këtë mënyrë: “Po, është dashur që të mblidhet Kurani në një libër të vetme dhe si pasojë e kësaj duhej që të shkatërroheshin të gjitha librat tjerë!” Kjo shprehje ishte bërë një mbështetje dhe një rrugë për ata që donin ta përgënjeshtronin Kuranin. Sepse, ata që e filluan këtë polemikë thanë se pse Kurani që gjendet në duart e sahabeve gjendet në forma të ndryshme? Dhe, në fund, ata e nxorën përfundimin që ishte tërësisht në kundërshtim me esencën e Kuranit. Abdullah bin Mesudi ia kishte shtuar Kuranit të vet edhe shkaqet e zbritjes së ajeteve dhe këtë e kishte bërë para vetë të Dërguarit (s.a.v.). Deklaratat e Abdullah bin Mesudit kanë zënë vend në tefsirin e dijetarit të shquar synnit, Sujutit. Edhe interpretuesit tjerë të Kuranit kanë bërë me shenjë kah mus-hafi i Ibn Mesudit. 

Dëshirojmë të japim disa shembuj nga ky mus-haf: 

Në lidhje me ajetin 67 të sures Maide, Abdullah bin Mesudi ka thënë: Këtë ajet ne e lexonim në këtë mënyrë para të Dërguarit (s.a.v.): “O ti i dërguar! Komunikoje atë që është urdhëruar prej Zotit tënd, në lidhje me velajetin e Aliut, e nëse nuk bën këtë, atëherë nuk e ke kryer misionin (risalat) e Tij”. Në një vend tjetër, Abdullah bin Mesudi ka thënë se ajetin e 25-të të sures Ahzab e lexonim përpara të Dërguarit (s.a.v.) në këtë mënyrë: “Allahu me Aliun u mjaftoi besimtarëve në luftë...” Në bazë të këtyre dy shembujve të marrë nga dijetarët synnit, mund të kuptojmë se ndjeshmëria e treguar ndaj Kuranit buron nga armiqësia kundër Ehli Bejtit. Në një kohë të tillë mund të shohim se sa është e rëndësishme emri. Le të mendojmë se sikur të na kishte bërë me dije Allahu për kalifatin dhe imametin e Imam Aliut duke e përmendur emrin e tij në Kuran, a do të mund të ndërronin diçka ata që e kanë kundërshtuar Imam Aliun apo a do të ndërrohej diçka me të bërat e tyre? Ne besojmë se nuk do të mund të ndërrojnë asgjë. Sigurisht se ai që nuk ia ka dhënë kurrfarë vlere amanetit të të Dërguarit (s.a.v.), ai nuk do të jepte kurrfarë vlere edhe fjalës së Allahut. Ata që dëshirojnë të lexojnë më shumë për mus-hafin e Abdullah bin Mesudit, mund t’i referohen librave burimor synnite, të cilët do t’i përmendim më poshtë:

 

1- Hafëz Ebu Nu’ajm el-Isfahani, viti i lindjes 334 H, në tefsirin e tij “Ma nuzila min-el Kur’an fi Ali alejhisselam”

2- Sujuti në tefsirin e tij “Durr-el Mensur”

3- Shevkani në tefsirin e tij “Feth-ul Kadir”

4- Hafëz Ibn Marduvejh, viti i lindjes 323 H, në tefsirin e tij “Tefsir”

5- Hafëz bin Asakir në librin e tij të haditheve “Tarih Madinatu Damashk”

6- Hafëz el-Haskani në tefsirin e tij “Shavahidu’t-Tenzil”

7- El-Kenxhi esh-Shafii në librin e tij “Kifajatu’t-Talib”

8- Shejh Sylejman el-Belhi el-Kanduzi  në librin e tij “Jenabi-ul Mevadde” 

Si dhe në shumë libra të tjerë.

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 21

“E ata që vetë besuan, e edhe pasardhësit e tyre ishin me besim, Ne atyre do t'ua shoqërojmë pasardhësit e tyre...”

 

Imam Xhafer Sadiku ka thënë: “Me ata që besuan nënkuptohet Resulullahu (s.a.v.) dhe Urdhëruesi i Besimtarëve, Aliu. Me pasardhësit nënkuptohen Imamët e Ehli Bejtit, që janë lënë si amanet ymmetit. Ata janë dëshmi për të gjithë ymmetin dhe të gjithëve u takon nënshtrimi ndaj tyre. Pra, nënshtrimi është i njëjtë për të gjithë ata”

Abdullahu, djali i Ymerit, një ditë i tha të pranishmëve: 

“Sipas virtytit, më së pari vjen Ebu Bekri, pastaj Ymeri dhe pastaj Osmani!” Njëri prej të pranishmëve tha: “Ku mbeti Aliu?” Abdullahu tha: “Aliu është prej Ehli Bejtit dhe asnjëri nuk mund të krahasohet me ata! Aliu është në shkallën e pejgamberit! Në lidhje me këtë, Allahu ka thënë: “E ata që vetë besuan, e edhe pasardhësit e tyre ishin me besim, Ne atyre do t'ua shoqërojmë pasardhësit e tyre...” Fatimja është prej pasardhësve të pejgamberit dhe është bashkë me të. Edhe Aliu është bashkë me Fatimen”

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 47

“Është e vërtetë se ata që bënë zullum, kanë një dënim tjetër përveç kësaj”

 

Imam Muhamed el-Bakiri ka thënë: “Ata që e kanë uzurpuar hakun e Al-i Muhamedit (s.a.v.) kanë një dënim tjetër përveç kësaj”

 

Këtu përfundon sureja Tur. Elhamdulillah ve sallallahu ala sejjidina Muhammed ve Ehl-i Bejt’ihi ve sellem.