Sureja Maide

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 3

“...Sot përsosa për ju fenë tuaj, plotësova ndaj jush dhuntinë Time, zgjodha për ju Islamin fe dhe jam i kënaqur...”

 

Imam Muhamed Bakiri ka thënë: “Përsosja e fesë është bërë me komunikimin e velajetit të Urdhëruesit të Besimtarëve, Aliut”.

Në një vend tjetër, Imami ka thënë: “Obligimi (farz) më i fundit të cilin e ka zbritur Allahu, ishte velajeti i Urdhëruesit të Besimtarëve, Aliut”.

Këtu dëshirojmë që të ndalemi pak te mënyra se si është realizuar velajeti i Imam Aliut sipas historisë islame. I Dërguari (s.a.v.) ishte nisur në haxhin lamtumirës për ta mësuar ymmetin se si duhet që të kryhet haxhi. Në këtë haxh ishin bashkangjitur një turmë e madhe e njerëzve. Sipas disa historianëve, aty ishin mbledhur rreth njëqind e njëzetmijë njerëz. Ndërsa, numri më i vogël i njerëzve që përmenden nga ana e historianëve është tetëdhjetë mijë. Mbasi që e përfundoi haxhin, i Dërguari (s.a.v.) u nis me këtë turmë prej Mekës për në Medine. Para se të mbërrijë në Medine, ata u ndalën në një liqen me emrin Gadir Hum te krahina e Xhuhfes. Aty erdhi Xhebraili (a.s) dhe tha: “O ti i dërguar! Komunikoje atë që është urdhëruar prej Zotit tënd, e nëse nuk bën këtë, atëherë nuk e ke kryer misionin (risalat) e Tij” (Maide, 67). I Dërguari (s.a.v.) nuk u përmbajt prej asaj që të komunikojë atë që është urdhëruar por ai e dinte shumë mirë se një grup i madh prej atyre që qëndronin afër anonin ende kah koha e injorancës dhe kishte frikë që mos po e përgënjeshtrojnë atë do të thotë. I Dërguari (s.a.v.) ia bëri me dije Xhebrailit (a.s) për mbrojtje nga sherri i këtyre njerëzve dhe Allahu i Madhëruar ia shpalli: “Allahu do të mbrojë ty prej njerëzve” (Maide, 67). Mbas kësaj, i Dërguari (s.a.v.) u ndal te liqeni i Gadir Humit dhe kërkoi që t’i afrohen ata që janë përpara dhe mbrapa tij. Përderisa u afruan, ai kërkoi që të ngrihet një mimber për të nën hijen e pemëve që ndodheshin aty. Kur u mblodhën të gjithë, ai kërkoi që të thirret ezani i drekës dhe e fali namazin e drekës në atë nxehtësi përvëluese. Menjëherë mbas namazi hipi në mimber bashkë me Urdhëruesi i Besimtarëve, Aliun. Aty e filloi fjalimin historik në një mënyrë të tillë që të mund ta dëgjojnë e ta shohin të gjithë. Mbasi që e falënderoi Allahun e Madhëruar në një mënyrë më të përsosur e më të denjë, ai vazhdoi: “O Njerëz! Së shpejti do t’i përgjigjem ftesës së Zotit tim dhe do të ndahem nga mesi i juaj. Të gjitha obligimet (farz) e Allahut ju kam mësuar ashtu si jam urdhëruar, përveç njërit prej tyre. Çka keni për të thënë në lidhje me këtë?”. Turma e madhe që ishte mbledhur, thanë: “E ke zbatuar urdhrin e Allahut, ne jemi dëshmitar për këtë”. Pastaj, i Dërguari (s.a.v.) vazhdoi: “O njerëz! Në mesin tuaj po ju lë dy gjëra të rënda dhe me vlerë shumë të madhe. I madhi prej tyre është Libri i Allahut, Kurani, dhe i vogli është Ehli Bejti im. Nëse kapeni për këta të dy, kurrë nuk do të dilni nga rruga e drejtë. Këta të dy nuk do të ndahen kurrë njëri prej tjetrit deri sa të takohen me mua në Ditën e Kiametit te burimi i Kevtherit. Po ju përkujtoj që nga tani për dënimin e Allahut në lidhje me sjelljen tuaj ndaj Ehli Bejtit tim”. Të drejtën e Ehli Bejtit e përsëriti tri herë. Pastaj, e ngriti dorën e Imam Aliut aq lartë sa që u shiheshin të dyve sqetullat e tyre, dhe sipas disa historianëve e ngriti aq lartë sa këmbët e Aliut arritën deri te niveli i gjunjëve të të Dërguarit (s.a.v.). Mbasi që ishin në një pozitë që të gjithë mund t’i shihnin e t’i dëgjonin ata, i Dërguari (s.a.v.) tha: “O Njerëz! Allahu është urdhëruesi im dhe unë urdhëruesi i të gjithë besimtarëve. Urdhëruesi i kujt jam unë edhe ky Ali, të cilin jeni duke e parë këtu, është urdhëruesi i tij”. Pastaj, e lëshoi dorën e Imam Aliut dhe i ngriti duart kah qielli duke thënë: “O Allah! Ndihmoje atë që e ndihmon velajetin e Aliut! Bëhu armik i atij armiku që e mohon velajetin e Aliut! Bëri fitues ata që i ndihmojnë fitores së tij; poshtëroji ata që dëshirojnë ta poshtërojnë atë dhe dashuroji ata që e dashurojnë atë”. Mbas këtij fjalimi, erdhi Xhebraili (a.s) dhe e bëri këtë shpallje: “Sot përsosa për ju fenë tuaj, plotësova ndaj jush dhuntinë Time, zgjodha për ju Islamin fe dhe jam i kënaqur”. I Dërguari (s.a.v.) u gëzua shumë për këtë shpallje dhe tha: “Thoni Allahu Ekber për përsosjen e fesë, plotësimin e dhuntisë dhe velajetin e vëllait tim Aliut”

Sipas një rrëfimi që vjen nga Abdullah bin Abbasi, i Dërguari (s.a.v.) ka thënë në ditën e Gadir Humit:

“O njerëz! A e din ndonjë fjalë më të besueshme sesa të Allahut? Allahu më ka urdhëruar që Aliu të bëhet për njerëzit pika e diturisë, kalifi, imami, i besueshmi im dhe ta emërojë si vëlla e vezir për vete. O njerëz! Mbas meje, Aliu do të jetë dera e udhëzimit dhe thirrësi për te Zoti im. Ai është referenca e besimtarëve. Duke qenë i tillë, a mund të ekzistoj një njeri më i mirë që i bën thirrje njerëzve për rrugë të drejtë. O njerëz! Aliu është prej meje dhe bashkëshorti i vajzës sime të dashur. Urdhri i tij është urdhri im dhe ndalesa e tij është ndalesa ime. O njerëz! Nënshtrohuni atij dhe qëndroni larg prej kundërshtimit të tij. Sepse bindja ndaj tij është bindja ndaj meje dhe kundërshtimi ndaj tij është kundërshtimi ndaj meje. O njerëz! Aliu është Sadikku (i besueshmi), Faruku (që e ndan të vërtetën nga e vërteta), muhadithi (që i di kuptimet e haditheve), Haruni, Jusha, Asifi dhe Shemuni i këtij ymmeti. Ai është dera e shpëtimit, anija shpëtuese, Taluti dhe Dhulkarnejni i këtij ymmeti. O njerëz! Aliu është ashpërsia e gjithësisë, dëshmia (huxhet) më e madhe, argumenti (ajeti) më i madh, imami i banorëve të kësaj bote dhe një dorëz e sigurt! O njerëz! Aliu është bashkë me të vërtetën dhe e vërteta është bashkë me gjuhën e tij. O njerëz! Ai është ndarësi i Xhehenemit, aty nuk do të hynë kurrë miqtë e tij dhe nuk do të shpëtojnë prej tij kurrë armiqtë e tij. Aliu është ndarësi i Xhenetit, aty nuk do hyjnë kurrë armiqtë e tij dhe miqtë e tij nuk do të ndahen prej tij! O sahabet e mijë! Juve ju kam këshilluar por ju nuk i pëlqeni këshilluesit...”

Rrëfime të tilla sahih mund të gjenden në shumë libra burimor. Prej të gjitha këtyre rrëfimeve mund të kuptojmë se i Dërguari (s.a.v.) e kishte emëruar Imam Aliun si Imam dhe kalif të tij në ditën e Gadir Humit dhe këtë e kishte lënë si vasiet. Ymmetit ia kishte lënë vasiet që të lidhen për këtë vasiet. Menjëherë mbas fjalimit të të Dërguarit (s.a.v.) i është dhënë betimi Imam Aliut. Të parët që e dhanë betimin ishin Ebu Bekri dhe Ymeri. Një fjalë e shquar e Ymerit thotë: “O djali i Ebu Talibit! Sot je bërë urdhëruesi (mevla) im dhe i të gjithë besimtarëve. Qoftë i uruar për ty!”. Këtë fjalë të Ymerit e ka përcjellë mu në këtë mënyrë edhe imami mez-hebit hanbelit, Ahmed bin Hanbeli në ‘Musned’-in e tij dhe shumë dijetar tjerë synnit. Hadithi i Gadirit është përcjellë prej 120 sahabeve. Ky hadith është përmendur në shumë libra ‘sahih’ dhe nga ana e dijetarëve synnit është përmbledhë edhe në libra të veçantë. Njëri prej tyre është historiani i famshëm Muhamed bin Xherir TABERI. Burimi kryesor i mosmarrëveshjeve përbrenda ymmetit është mosdhënia e vlerës së duhur ndaj këtij hadithi. Ashtu si është lutur i Dërguari (s.a.v.), armiqësia e Allahut ka zbritur mbi myslimanët për shkak të mohimit të velajetit të Imam Aliut. Sepse, Ai është bërë armik i armiqve të Aliut. Çka mund të pres një popull që është bërë armiku i Allahut? Si mund të gjejë shpëtim një popull kur i ka miqësuar armiqtë e Allahut? Kush ishin bërë armiq të Imam Aliut? Kush ishin bërë miq të Imam Aliut? Athua ishin miqtë e tij ata që luftuan kundër tij? Apo, miq ishin ata që ishin rreshtuar në rreshtat e tij për të luftuar kundër armikut? Ata që duan ta shohin mallkimin e Allahut, le ta shikojnë gjendjen e tanishme të myslimanëve dhe padyshim që do ta shohin atë. Pasuritë më të mëdha botërore gjenden në shtetet islame por ata nuk kanë asnjë rol të rëndësishëm në politikën botërore. Athua, ku gjendet shkaku i kësaj? Myslimanët e kanë kusht dashurinë për njëri tjetrin; cili mysliman e plotëson këtë kusht? Kush janë shikuesit në një kohë kur myslimanët vriten? Kush i nxiti myslimanët që ta luftojnë njëri tjetrin? Përgjigjet e këtyre pyetjeve mund t’i analizojmë përmes mendjes së shëndoshë dhe do të kuptojmë se ku është mallkimi i Allahut. Nëse presim që të bie gurë nga qielli, koha e tij ka ardhur dhe ka kaluar dhe këtë as nuk jemi duke e vërejtur. Ne jemi të mendimit se mallkimi i sotëm nuk ka të bëjë me asgjë përveç se me varshmërinë ekonomike. Duke zotëruar gjithë atë pasuri, myslimanët është dashur që të jenë të zotët e ekonomisë por të zotët janë jomyslimanët. Ne besojmë se drejtësia dhe ndershmëria vijnë nga feja por kur nuk po i shohim këto tipare te myslimanët atëherë ne po kuptojmë se ata janë larg nga feja. Po si është puna e atyre që i falin namazet dhe i zbatojnë obligimet? Ku është drejtësia e tyre? Drejtësia dhe nderi i njeriut vërehen te rrethina e tij. Kjo na është mësuar vetëm përmes edukimit të Ehli Bejtit. Zotëruesi i fesë është ai që tregohet i ndershëm ndaj rrethinës. Ky person është përgjegjës përpara Allahut për detyrën e tij. Njëri prej shkaqeve më të mëdha të prapambetjes së myslimanëve është se fenë nuk e kanë mësuar nga Ehli Bejti i tij, të cilin e ka lënë si vasiet i Dërguari (s.a.v.). Kjo na është e qartë prej ajeteve dhe haditheve. Nëse e pyet ndonjërin pjesëtar të ymmetit të të Dërguarit (s.a.v.) në lidhje me hadithin e Gadir Humit, ne jemi të sigurt se 90% e njerëzve, e ndoshta edhe më shumë, nuk do të mund ta japin përgjigjen e saktë. Atëherë, duhet që të pranojmë se lutja të cilën e ka bërë i Dërguari (s.a.v.) në ditën e Gadir Humit nuk është pranuar ose ky popull është zënë nga mallkimi i asaj lutjeje. Mbasi që lutja e të Dërguarit (s.a.v.) është pranuar, atëherë vijmë në përfundim se ky popull është përballur me atë mallkim.

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 5

“...E kush e mohon besimin, veprat e tij do të shkojnë huq dhe ai në botën tjetër është prej të shkatërruarve”.

 

Imam Muhamed Bakiri ka thënë: Kuptimi i brendshëm i këtij ajeti është ky: “Kush e mohon velajetin e Aliut, veprat e tija do të shkojnë huq dhe imani është vetë Aliu”

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 15

“...Juve ju erdhi nga Allahu dritë dhe libër i qartë”.

 

Sipas një rrëfimi që vjen nga Imamët e Ehli Bejtit, kuptimi i ajetit është ky: “Drita që vjen nga Allahu është i Dërguari (s.a.v.), Urdhëruesi i Besimtarëve, Aliu dhe Imamët tjerë të Ehli Bejtit”. Se kjo është e vërtetë, këtë na e vërteton hadithi i të Dërguarit (s.a.v.): “Para se ta fillojë krijimin Allahu i Madhëruar, drita ime dhe e Aliut e lavdëronin Allahun”.

Në një rrëfim tjetër, i Dërguari (s.a.v.) thotë: “Drita ime dhe e Aliut është një”.

 

Tevili dhe tefsiri i ajeteve 55 dhe 56

“Miku (i afërmi) i juaj është vetëm Allahu, është i dërguari i Tij dhe ata që besuan e që falin namazin dhe japin zeqatin duke bërë ruku. E kush ka për mik Allahun, të dërguarin e Tij dhe ata që besuan, s'ka dyshim se ana e Allahut është ngadhënjyese”.

 

Imam Muhamed Bakiri ka thënë: “Një i varfër ishte duke kaluar afër xhamisë së Resulullahut (s.a.v.) dhe aty ishin duke e falur namazin. Resulullahu i tha të varfrit: ‘A nuk të dha askush lëmoshë ty?’ I varfri tha: ‘Po, njëri ishte në ruku dhe duke kaluar afër tij më bëri me shenjë që ta marrë si lëmoshë unazën që e kishte në gishtin e dorës’. Duke e treguar këtë, i varfri bëri me gisht kah Ali bin Ebi Talibi. Menjëherë mbas këtij rasti, zbriti ky ajet: “Miku (i afërmi) i juaj është vetëm Allahu, është i dërguari i Tij dhe ata që besuan e që falin namazin dhe japin zeqatin duke bërë ruku.

Në një rrëfim tjetër thuhet: Abdullah bin Abbasi ishte ulur afër burimit të Zemzemit dhe iu drejtua atyre përreth tij: “Resulullahu ka thënë...”. Sapo filloi të flas, njëri ia ndërpreu fjalën duke thënë: “Resulullahu ka thënë...”. Abdullah bin Abbasi e pyeti atë person: “Po të pyes për hir të Allahut. Kush je ti?”. Ai e hoqi mbulesën e fytyrës dhe tha: “O njerëz! Ata që më njohin, e dinë kush jam unë, ndërsa ata që nuk më njohin, unë jam Xhundeb bin Xhunadat-ul Bedri Ebu Zer el Gaffari! Kam dëgjuar me veshët e mijë nga Resulullahu (s.a.v.), dhe sikur t’ju kisha treguar pa e dëgjuar nga Resulullahu, mos dëgjofshin më asgjë këta dy veshët e mijë. Atë që ka thënë, e kam parë me sytë e mijë, që sikur t’ju kisha treguar pa e parë vetë me këta dy sy, mos shifshin më asgjë këta dy sy. Resulullahu ka thënë: ‘Aliu është lideri i të pastërve dhe katili i atyre që devijojnë në pabesim. Kush i ndihmon atij për të korrë fitore, sigurisht që do të jetë prej atyre që korrin fitore dhe kush e poshtëron atë sigurisht që vetë do të poshtërohet!’ Ebu Zerri vazhdoi: ‘Një ditë isha duke falur namazin e drekës bashkë me të Dërguarin (s.a.v.) dhe në atë moment erdhi një i varfër dhe kërkoi lëmoshë. Mbasi që askush nuk ia kishte dhënë asgjë, ai i ngriti duart kah qielli dhe tha: O Allah! Bëhu dëshmitar se kërkova lëmoshë te xhamia e të Dërguarit (s.a.v.) dhe askush më dha asgjë! Në atë moment, Aliu gjendej në ruku dhe ia bëri me shenjë të varfrit për unazën në gishtin e dorën së djathtë, duke ia bëri me dije që ta marrë atë. I varfri u afrua dhe e morri atë unazë. I Dërguari (s.a.v.) ishte në dijeni për ngjarjen. Sapo e përfundoi namazin, Resulullahu (s.a.v.) e ngriti kokën kah qielli dhe tha: ‘O Allah! Vëllai im Musa kishte kërkuar prej Teje: O Allah! Ma zgjero gjoksin tim! Dhe më lehtëso në këtë punë timen! Ma zgjidh nyjën e gjuhës sime që ta kuptojnë fjalën time! Më cakto një ndihmëtar nga familja ime. Harunin, vëllanë tim; që me të të ma forcosh fuqinë time. Bëma shok atë në punën time, në mënyrë që të madhërojmë Ty më shumë dhe të përkujtojmë Ty shpesh. Vërtet, Ti je Ai që na sheh dhe na i di punët. Ai (Allahu) tha: “O Musa, t'u dha ajo që kërkove! (Taha, 25-36). O Allah! Edhe unë jam i dërguari yt dhe i zgjedhuri yt. O Allah!  Ma zgjero gjoksin tim! Dhe më lehtëso në këtë punë timen! Më cakto një ndihmëtar nga familja ime. Aliun, vëllanë tim; që me të të ma forcosh fuqinë time!”. Ebu Zerri vazhdoi në këtë mënyrë: ‘Betohem në Allah se ende pa e përfunduar fjalën i Dërguari (s.a.v.), Xhebraili (a.s) zbriti dhe tha: ‘O Muhamed! Të uroj për atë dhunti që të ka zbritur në lidhje me vëllanë tënd Aliun’. Resulullahu pyeti: ‘Cila është ajo dhunti, o Xhebrail?’ Xhebraili (a.s) tha: ‘Allahu ka urdhëruar ymmetin tënd që ta dashurojë Aliun deri në ditën e Kiametit, dhe ka thënë: ‘Miku (i afërmi) i juaj është vetëm Aliu...

Në një rrëfim tjetër, Imam Muhamed Bakiri ka thënë: “Një grup i hebrenjve që i besonin të Dërguarit (s.a.v.), erdhën te ai dhe e pyetën: O Pejgamberi i Allahut! Musa (a.s) kishte lënë amanet që mbas tij në krye të ymmetit të kalojë Jusha bin Nuni (a.s). Kënd po e lë ti amanet?’ atëherë zbriti ky ajet: ‘Miku (i afërmi) i juaj është vetëm Allahu...’ Resulullahu (s.a.v.) tha: ‘Qohuni dhe të shkojmë së bashku në xhami’. Kur mbërritën te xhamia, Resulullahu e vërejti një të varfër që ishte duke dalë nga xhamia. Resulullahu (s.a.v.) e pyeti atë: ‘A të ka dhënë ndonjëri ndonjë gjë nga xhamia?’. I varfri tha: ‘Po, ma kanë dhënë një unazë’. Resulullahu (s.a.v.) pyeti: ‘Në cilin pozitë ishte ai që ta dha ty unazën?’. I varfri tha: ‘Unazën ma dha në pozitën e rukusë’. Kur e dëgjoi këtë Resulullahu (s.a.v.), e thirri tekbirin dhe të gjithë që ishin në xhami e thirrën tekbirin. Resulullahu (s.a.v.) u tha të pranishmëve: ‘Mbas meje, Aliu do të jetë veliu i juaj’. Të pranishmit thanë: ‘Jemi të kënaqur që të pranojmë Allahun Zot, fe Islamin, Muhamedin të dërguar dhe Ali bin Ebi Talibin veli’. Atëherë, Allahu i Madhëruar e zbriti këtë ajet: E kush ka për mik Allahun, të dërguarin e Tij dhe ata që besuan, s'ka dyshim se ana e Allahut është ngadhënjyese’

Urdhëruesi i Besimtarëve, Imam Aliu ka thënë:

“’Çdokush që e do Allahun, e ka dashur të Dërguarin. Ai që e ka dashur të Dërguarin, na ka dashur neve. Ai që na ka dashur neve, i ka dashur edhe ithtarët (shiitët) tanë. I Dërguari (s.a.v.), ne dhe ithtarët jemi krijuar prej krijimi të njëjtë dhe jemi në Xhenet. Ne nuk i duam ata që na urrejnë dhe nuk i urrejmë ata që na duan. Dëshmi për këtë është ky ajet: ‘Miku (i afërmi) i juaj është vetëm Allahu është i dërguari i Tij dhe ata që besuan...’

Shpjegim: Këtu i kemi paraqitur para lexuesve tevilet dhe tefsiret e këtij ajeti sipas mënyrës synnite. Kuptimi i vërtetë i këtij ajeti dhe sipas të së vërtetës të atyre që i dinë detajet e gjuhës arabe është ky: “Urdhëruesit e juaj janë vetëm e vetëm Allahu dhe pejgamberi dhe besimtarët, e falin namazin dhe e duke bërë ruku e japin zeqatin”. Në ajet përmenden ata që e falin namazin dhe këta janë ata që e japin zeqatin duke e bërë rukunë. Sado që ajeti përmend shumicën, në të vërtetë kemi të bëjmë me një person. Sipas librave më burimor synnit, ky person është Imam Aliu. Sikur të kishte kuptimin e mikut ose të afërmit, kjo do të ishte kufizuar vetëm për tre persona pra, Allahun, Pejgamberin dhe Hz Aliun, dhe do të ishte në kundërshtim me ajetet e tjera të Kuranit. Sepse, Allahu i madhëruar thotë: “Besimtarët dhe besimtaret janë të afërmit dhe ndihmëtarët e njëri tjetrit...” (Tevbe, 71). Në këtë rast, nuk do të ishte e drejtë që vetëm Allahu, Pejgamberi dhe Hz Aliu të jenë të afërmit dhe miqtë e besimtarëve. Çdo besimtar është miku dhe i afërmi i besimtarit tjetër. Zaten, kuptimi i fjalës veli që përmendet në këtë ajet në gjuhën arabe, e ka kuptimin e mikut, ndihmëtarit apo zotëruesit. Allahu i Madhëruar në fillim të ajetit e përdor shprehjen Innema që kuptimi i saj është ky: Vetëm dhe vetëm, pra veliu i juaj është vetëm dhe vetëm Allahu, Pejgamberi dhe besimtarët... Sikur që e cekëm edhe më lart, duke u mbështetur në të gjitha librat burimor me besimtarët nënkuptojmë Imam Aliun dhe kjo është më se e sigurt. Këtu dëshirojmë t’ju përkujtojmë një hadith të Resulullahut (s.a.v.): “Mbas meje, Aliu është veliu i juaj!”. Po, Hz Aliu është veliu i ymmetit mbas të Dërguarit (s.a.v.). Por, sikur të ishte Hz Aliu miku, i afërmi apo ndihmëtari i ymmetit dhe i Dërguari (s.a.v.) të kishte lënë Hz Aliun këtë vasiet ymmetit të tij, atëherë kjo nuk do të kishte kuptim sepse besimtarët zaten janë miq dhe ndihmëtar të njëri tjetrit. Pejgamberi e ka ditur se Hz Aliu është i afërmi dhe ndihmëtari i të gjithë besimtarëve dhe një gjë e tillë, pra njoftimin e Hz Aliut si të afërmin dhe ndihmëtarin e ymmetit, nuk mund t’ia përshkruajmë mendjes së lartësuar të të Dërguarit (s.a.v.). Në hadithin e të Dërguarit (s.a.v.) është përdorur shprehja ‘mbas meje’ dhe këtu është përcaktuar mirë kuptimi i shprehjes veli. Mbas kësaj, të devijuarit nuk do të kenë ndihmëtar. E vërteta është thënë, është komunikuar dhe është lënë vasiet. Kush do, beson dhe kush do, përgatitet për zjarrin e Xhehenemit.

Cili është qëllimi i këtyre shpjegimeve? I dërguari ynë Muhamedi (s.a.v.), ka lënë vasiet që mbas tij Hz Aliu të jetë zotëruesi i urdhrit mbi ymmetin e tij, ndërsa shumica e ymmetit nuk u janë nënshtruar këtij vasieti, e kanë braktisur udhëheqësin e tyre dhe ia kanë dhënë betimin të tjerëve. Edhe sot e kësaj dite nuk vërehet ndonjë iniciativë nga shumica për përmirësimin e këtij gabimi. Qëllimi i ynë është që të japim një kontribut në zgjimin e shumicës. Këtu, askush nuk do të dëmtohet. Çdo gjë është e qartë dhe e hapur. Neve na takon vetëm që të vërtetës t’i themi e vërteta.

Dëshmitë për zbritjen e ajetit të lartpërmendur në lidhje me Hz Aliun i kemi marrë nga librat burimor synnit. Ato libra janë:

Fahreddin Razi në tefsirin “Mefatih-el Gajb” ose “Tesir-ul Kebir”

Zamahsheri në tefsirin “El-Keshshaf”

Ibn-i Xherir et-Tabari në tefsirin “Xhami-ul Bejan”

Ebu Ishak Ahmed es-Sa’alabi në tefsirin “El Keshfu vel-Bejan”

Sujuti në tefsirin “Dur-rel Mensur”

Vahidi në tefsirin “Eshabi-Nuzul”

Tabarani në librin “Evsat”

Ebu Nu’ajmi në librin e hadithit “Hiljet-ul Evlija”

Ibn Marduvejhi në librin “Hadis”

Hatib el-Bagdadi në librin e hadithit “El-Muttafik”

Abdurrezzaku në librin “Hadis”

Abd bin Hamidi në librin “Hadis”

Ebu Shejhi në librin “Hadis”

Ibn Haxher el-Askalani në librin “Hadis”

Ne mund të vazhdojmë me përmendjen e librave tjerë por do të mjaftohemi me kaq, sepse nuk do të ketë kurrfarë dobie për ata që nuk mjaftohen me kaq.

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 67

“O ti i dërguar! Komunikoje atë që është urdhëruar prej Zotit tënd, e nëse nuk bën këtë, atëherë nuk e ke kryer misionin (risalat) e Tij”). Allahu të mbron ty prej njerëzve. Padyshim, që Allahu nuk e udhëzon grupin e jobesimtarëve”.

 

Ky ajet ka zbritur para ajetit 3 të sures Maide dhe këtë e kemi përmendur te shkaqet e zbritjes së Kuranit. Për këtë kemi folur më gjerë edhe më herët te shkaqet e zbritjes dhe tani dëshirojmë që t’ua prezantojmë lexuesve rrëfimet ‘sahih’ në lidhje me këtë.

Sikur që kanë regjistruar librat e historisë, Resulullahu (s.a.v.) kishte shkuar në haxhin lamtumirës me dhjetëra mijëra haxhi.  Mbasi që i tregoi sahabeve në Meke se si duhet kryer haxhin, ai u nis për në Medine. Kur u afrua te liqeni i Gadir Humit të krahinës së Xhuhfes, Xhebraili zbriti me këtë ajet për herë të tretë: “O ti i dërguar! Komunikoje atë që është urdhëruar prej Zotit tënd, e nëse nuk bën këtë, atëherë nuk e ke kryer misionin (risalat) e Tij”). Allahu të mbron ty prej njerëzve. Padyshim, që Allahu nuk e udhëzon grupin e jobesimtarëve”. Edhe pse Xhebraili (a.s) kishte ardhur me këtë komunikim edhe më herët, Resulullahu (s.a.v.) përmbahej nga kjo sepse e dinte që shumica e sahabeve janë të lidhur për kohën e injorancës dhe se do ta mohojnë atë komunikim. Ai shqetësohej se mos po i thonë sahabet që Aliun po e bën të epërm ndaj neve dhe se po e mban anën e tij. Në zbritjen e fundit Xhebraili (a.s) i tha Resulullahut se Allahu do ta mbrojë atë prej nxitjeve dhe pabesive të atyre që kanë sëmundje në zemrat e tyre dhe nga sherret e njerëzve. Mbas kësaj, kur arritën te Gadir Humi, Resulullahu (s.a.v.) së pari e fali namazin e drekës nën nxehtësinë përvëluese të drekës dhe kishte kërkuar që të ngrihet një mimber në atë vend. Mbas namazit e mori për dore Imam Aliun, hipi në mimber dhe e filloi fjalimin në këtë mënyrë: “O Njerëz! Padyshim që do të ndahem së shpejti prej juve. Unë jam një shërbyes, edhe ju jeni shërbyes, a e kam zbatuar detyrën në tërësi?”. Të gjithë thanë me zë të lartë: “Po, ne dëshmojmë se e ke zbatuar detyrën dhe e ke komunikuar në tërësi”. Atëherë, Resulullahu (s.a.v.) tha: “O njerëz! Po ju në mesin tuaj dy gjëra me vlerë shumë të madhe. E para është libri i Allahut dhe e dyta është Ehli Bejti im. Nëse i mbaheni këtyre dy gjërave, kurrë nuk do të ndaheni nga rruga e drejtë dhe ato nuk do të ndahen njëra prej tjetrës deri në  ditën e Kiametit. Dëshiroj t’ju përkujtoj për dënimin e Allahut në lidhje me sjelljen tuaj ndaj Ehli Bejtit tim! Dëshiroj t’ju përkujtoj për dënimin e Allahut në lidhje me sjelljen tuaj ndaj Ehli Bejtit tim! Dëshiroj t’ju përkujtoj për dënimin e Allahut në lidhje me sjelljen tuaj ndaj Ehli Bejtit tim!

‘O njerëz! A nuk e dini se unë më i afërm për besimtarët sesa vetë nefsi i tyre?’ të pranishmit me zë të lartë thanë: ‘O Resulullah! E dimë që nefsi yt ka përparësi ndaj nefsit tonë’. Atëherë, Resulullahu e ngriti dorën e Imam Aliut që qëndronte afër, sa që sipas disa rrëfimeve këmbët e tij u ngritën nga toka. Të dyve u janë parë sqetullat e tyre dhe këmbët e Hz Aliut ishin ngritur deri te niveli i gjunjëve të Resulullahut (s.a.v.). Pastaj, i Dërguari (s.a.v.) vazhdoi: ‘O njerëz! Më i afërmi i nefsit i të cilit jam unë edhe Aliu është më i afërm sesa nefsi i tij!’. Mbasi që e lëshoi në tokë Imam Aliun, i ngriti duart kah qielli dhe tha: ‘O Allahu im! Çdokush që e pranon velajetin e Aliun dhe e do atë, edhe Ti pranoje dhe duaje atë. O Allah! Çdokush që i bëhet ndihmëtar Aliut, ndihmoje edhe Ti atë; çdokush që bëhet armiku i tij, bëhu edhe Ti armiku i tij; çdokush që e poshtëron Aliun, poshtëroje edhe Ti atë dhe kudo që të shkojë Aliu, të vërtetën mos e ndajë prej tij’. Pastaj, i Dërguari (s.a.v.) përsëriti tri herë: ‘O Njerëz! A ju kam komunikuar?’. Të gjithë thanë njëzëri: ‘Po, ke komunikuar, o Resulullah!’ I Dërguari (s.a.v.) tha: ‘Ja rab! Bëhu dëshmitar!’. I pari që ia uroi Imam Aliut ishte Ymer bin Hattabi dhe Ebu Bekir bin Kuhafe. Ymeri tha: ‘Urime për ty! Urime për ty o djali i Ebu Talibit! Sot je bërë udhëheqësi (mevla) i im dhe i tërë besimtarëve!’ Sipas disa rrëfimeve, ceremonia e dhënies së betimit kishte zgjatur tre ditë. Së pari meshkujt dhe pastaj femrat ia dhanë betimin një nga një. Menjëherë mbas zbritjes së këtij ajeti dhe komunikimit të velajetit të Imam Aliut, zbriti ajeti 3 i sures Maide: “Sot përsosa për ju fenë tuaj, plotësova ndaj jush dhuntinë Time, zgjodha për ju Islamin fe dhe jam i kënaqur”.  Atëherë, i Dërguari (s.a.v.) tha: ‘Falënderimi i qoftë Allahut për përsosjen e fesë, plotësimin e dhuntisë dhe për velajetin e vëllait tim Aliut”.

Së pari do t’i përmendim disa dijetar synnit që i kanë përmendur në librat e tyre se këto dy ajete kanë zbritur në ditën e Gadir Humit në lidhje me Imam Aliun:

1- Hafëz Ebu Xhafer Muhammed bin Xherir et-Taberi

2- Hafëz ibn Ebu Hatim el-Hanzalijju er-Razi

3- Hafëz Ebu Abdullah el-Muhamili

4- Hafëz Ebu Bekir el-Farisi esh-Shirazi

5- Hafëz ibn Marduvejh

6- Hafëz Ebu Is-hak es-Sa’alabi en-Nishaburi

7- Hafëz Ebu Nu’ajm el-Isfahani

8- Hafëz Ebu’l Hasan el-Vahidi en-Nishaburi

9- Hafëz Ebu Said es-Sixhistani

10- Hafëz el-Hakim el-Haskani Ebu’l Kasem

11- Hafëz Ebu Kasem ibn Asakir esh-Shafii

12- Ebu’l Feth en-Natanzi

13- Ebu Abdullah Fahreddin er-Razi

14- Hafëz Izzuddin er-Ras’anijju el-Hanbeli

15- Shejh’ul Islam Ebu Ishak el-Hamvejni

16- Sejjid Ali el-Hamdani

17- Nureddin ibn Sabbag el-Maliki el-Mekki

18- Xhelaluddin es-Sujuti esh-Shafii

19- Sejjid Xhemaluddin esh-Shirazi

20- Sejjid Shihabuddin el-Alusi

21- Kadi esh-Shevkani

22- Ebu Muzaffar Sibt ibn exh-Xhevzi el-Hanefi

Këto libra që i përmendëm janë vetëm librat që na qartësojnë se ajetet kanë të bëjnë me këtë çështje. Hadithin e Gadir Humit e përcjellin më shumë se njëqind njerëz dhe prej tyre 110 janë sahabe. Edhe një herë dëshiroj që të përkujtoj se për Gadir Humin janë shkruar shumë libra edhe nga ana e dijetarëve synnit. Përkundër tërë kësaj qartësie, disa dijetar fjalën ‘Mevla’ mundohen që ta shpjegojnë si ‘mik’ dhe është për keqardhje që edhe sot e kësaj dite vazhdon një gjë e tillë. Së pari, nëse fjalën mevla e shpjegojmë si mik, për çdo zotërues të mendjes do të jetë e qartë se ngjarja nuk i përshtatet rrethanës në të cilën është realizuar. Sepse, nuk i përshtatet as mendjes, as moralit (ahlak) të lartë të të Dërguarit (s.a.v.) që në një nxehtësi përvëluese t’i tregojë dhjetëra mijëra njerëzve që Hz Aliu është miku i tij. Se besimtarët janë miq të njëri tjetrit, këtë na e ka treguar qartë edhe Kurani. Prandaj, nuk mund ta përmbajë asnjë mendje se i Dërguari (s.a.v.) ua ka prezantuar atyre njerëzve vetëm këtë miqësi të veçantë. Sepse, me këtë vetëm se është munduar ajo turmë e njerëzve. Por, sigurisht që është me vend të themi se është bërë shpjegimi i një çështjeje hyjnore si çështja e velajetit, pa marrë parasysh se sa është koha e nxehtë. Që të mund të qëndrojë në këmbë një ymmet, ai ka nevojë të vazhdueshme për një udhëheqës. Ne nuk dyshojmë në atë se kjo është përmbushur nga ana e Allahut dhe të dërguarit të Tij. Në shumë vende të Kuranit, Allahu i Madhëruar na ka bërë me dije se shumica e tyre nuk besojnë dhe shumë prej tyre besojnë vetëm në dukje, dhe assesi nuk mund të mendohet që i Dërguari (s.a.v.) ta lë krye në vete ymmetin e tij. Sepse, nëse e marrim parasysh se sa mynafik ka pasur në mesin e tyre, sigurisht që dhënia e mundësisë së zgjedhjes një grupi të tillë, do t’u shkonte për shtati vetëm mynafikëve. Ne e mbajmë të pastër Allahun dhe të dërguarin e Tij prej një gjëje të tillë (dhënies së zgjedhjes një grupi të tillë). Në mesin e sahabeve, atë ditë ndodhej edhe poeti i shquar Hassan bin Sibti, i cili kërkoi leje nga i Dërguari (s.a.v.) dhe e lexoi një varg të sajuar aty për aty:

“Në vendin e quajtur Hum, atë ditë u foli atyre i dërguari

O Ali, qohu, si imam dhe udhëzues mbas meje je i emëruari”

Është sahih se këtë varg e ka lexuar Hasan bin Sabiti në vendin e Gadir Humit. Librat synnite që e përcjellin këtë varg janë këta:

1- Hafëz Harkushi Ebu Sa’d në librin “Sheraf-ul Mustafa”

2- Hafëz ibn Marduvejh el-Isfahani në librin “Hadis”

3- Hafëz Ebu Abdullah el-Merzabani Muhammed bin Umran el-Horasani në librin “Markat esh-Shi’ru”

4- Hafëz Ebu Nu’ajm el-Isfahani në librin “Ma nuzila minel-Kur’an fi Ali”

5- Hafëz Ebu Sa’id es-Sixhistani në librin “El-Velajatu”

6- Ahtab Hutba-i Huvarezmi el-Maliki në librin “El-Manakib”

7- Hafëz Ebu’l Fet-h en-Natanzi në librin “Hasais”

8- Ebu Muzaffar Sibt ibn Xhevzi el-Hanefi në librin “Tezkire”

9- Sadr el-Huffaz el-Kenxhi esh-Shafii në librin “Kifajat-ul Talib”

10- Shejh’ul Islam Sadruddin el-Hammeviji

11- Hafëz Xhemaluddin Muhammed bin Jusuf ez-Zarendi Shemsuddin el-Hanefi në librin “Nazmu durer es-Samtajn”

12- Hafëz Xhelaluddin es-Sujuti në librin “El Izdihar…”

13- Shejh Taxhuddin ibn Mektum el-Hanefi në librin “Tezkire”.

Sikur që na bëhet e qartë edhe nga vargu i Hasan bin Sabitit, i Dërguari (s.a.v.) kishte lënë vasiet Imam Aliun në ditën e Gadir Humit si Imam dhe udhëzues. Sıkur që kemi thënë edhe më herët, këtë ngjarje e kanë përcjellë 110 sahabe, 84 tabiin dhe 360 mbledhës të haditheve. Qartësia dhe njohja e gjerë e hadithit mjafton që të na bëjë me dije për rëndësinë e tij. Si dhe, kjo na mjafton për të dëshmuar se betimi i bërë atë ditë nuk e kishte kuptimin e emërimit të Imam Aliut si mik. Në asnjë vend të historisë nuk është e mundur që të shohim se betimin është bërë në bazën e miqësisë. Këtu dëshirojmë që të shpjegojmë pak më shumë për kuptimin e betimit (bejat). Bejati është një ceremoni ku me dhënien apo puthjen e dorës së një personi të caktuar simbolizohet hyrja nën e urdhrin e tij apo pranohet nënshtrimi ndaj tij. Me dhënien e bejatit ndaj atij personi pranohet se ai është zotëruesi i urdhrit ndaj tij. Në rastin e lartpërmendur, bejati i dhënë e ka kuptimin e dhënies së zotimit për pranimin e sovranitetit të atij personi, të cilën zotim e ndjek çdo person. Zaten, këtë bejat e ka ndjekur vetë i Dërguari (s.a.v.). Historiani i njohur me famë botërore Ebu Xhafer Muhamed bin Xherir et-TABERI në librin e tij “El-Vilajetu”, duke e shpjeguar bejatin e dhënë ndaj Imam Aliut në ditën e Gadir Humit thotë se për shkak të kohëzgjatjes së dhënies së bejatit nga ana e të pranishmëve, namazi i drekës dhe i iqindisë (asr) është falur në kohën e njëjtë me namazin e akshamit dhe të jacisë (isha).  Në krye të sahabeve që kanë nxituar për të qenë të parët në dhënien e bejatit ishin Ebu Bekri, Ymeri, Osmani, Talha dhe Zybejri. Pastaj, muhaxhirët, ensarët dhe të gjitha gratë. Padyshim, që është larg mendjes dhe shumë larg prej realitetit historik që këtë ngjarje ta paraqesim vetëm si një njoftim për njerëzit nga ana e të Dërguarit (s.a.v.) se Imam Aliu është bërë miku i tij. Nëse është kështu, atëherë vetvetiu na parashtrohet pyetja se si është e mundur që ymmeti nuk ka mbetur besnik ndaj këtij bejati? Përgjigjen në këtë pyetje dëshirojmë që ta japim përmes Kuranit dhe haditheve. Allahu i Madhëruar ka thënë: “A menduan njerëzit të thonë: Ne kemi besuar, e të mos vihen në sprovë?” (Ankebut, 2). Në një vend tjetër ka thënë: “Ruajuni nga nxitja (fitne), që nuk i godet vetëm ata që kanë bërë zullum prej mesit tuaj” (Enfal, 25). Nga ky ajet kuptojmë se nxitja nuk është një sëmundje që i përfshin vetëm zullumqarët por njëkohësisht mund t’i përfshijë edhe besimtarët. Në një vend tjetër thotë: “Çdo krijesë do ta shijojë vdekjen. Ne ju sprovojmë me vështirësi e kënaqësi, dhe në fund ju ktheheni te Ne” (Enbija, 35). Sikur që mund të kuptojmë edhe nga ky ajet, njerëzit do të sprovohen me të mirat dhe të këqijat. Vasieti i të Dërguarit (s.a.v.) është njëri prej sprovave më të mëdha të këtij ymmeti. Në një vend tjetër Allahu thotë: “Kjo është vetëm sprovë e jotja, që me të e bën të humbur atë që do dhe e vë në rrugë të drejtë atë që do” (Araf, 155). Ajete të tilla mund t’i përmendim ende dhe ka shumë ajete që na bëjnë me dije për devijimin e ymmeteve të mëhershme mbasi që ishin udhëzuar më parë. Mund të parashtrohet pyetja: si mund të mendohet një gjë e tillë që Ebu Bekri dhe Ymeri, që në dukje ishin shumë të afërt me të Dërguarin (s.a.v.), të mos e mbajnë fjalën e dhënë? Përgjigja e kësaj pyetjeje është në Kuran. Allahu i Madhëruar na ka dhënë shembuj për popuj të mëhershëm: “Ne u kemi shpallë juve argumente të qarta dhe shembuj nga ata që ishin para jush, e edhe këshillë për të devotshmit” (Nur, 34). Në një vend tjetër thotë: “Dhe i bëmë ata shembull e përvojë për ymmetet tjerë” (Zuhruf, 56). Lexuesve të nderuar ua kemi prezantuar një shembull për ymmetet e mëhershëm dhe dëshirojmë t’ua bëjmë me dije për ngjashmërinë e mosmarrëveshjeve në mes ymmeteve të mëhershme dhe të këtij ymmeti. Kur shkoi Musa (a.s) në malin e Sinasë për t’u takuar me Allahun, e kishte lënë Harunin (a.s) si kalif të tij. Këtë ngjarje e ka shpjeguar Kurani në këtë mënyrë: “Po ty o Musa: ‘Ç'të nguti ty para popullit tënd?’ Ai u përgjigj: ‘Ja, ata janë duke ardhur mbrapa meje, e unë u nguta te ti, o Zoti im, që të jesh i kënaqur ndaj meje!’ (Allahu) tha: ‘Ne e sprovuam popullin tënd pas teje, dhe ata i hodhi në humbje Samiriji!’ Musai u kthye te populli i vet i hidhëruar e i pikëlluar dhe tha: ‘O populli im, a nuk u premtoi juve Zoti juaj premtim të mirë, a mos u bë kohë e gjatë e ju e harruat premtimin, ose dëshiruat t'ju godasë hidhërimi nga Zoti juaj, andaj e thyet besën që ma keni dhënë?’ Ata thanë: ‘Ne nuk e thyem besën tënde me dëshirën tonë, por ne ishim ngarkuar me barrë të rënda nga stolitë e popullit e i hodhëm ato (në zjarr), e ashtu i hodhi edhe Samirija” (Ta-Ha, 83-87). Përmes këtyre ajeteve ne dëshirojmë që të themi këtë: Populli i Musës (a.s) kishte mbetur vetëm 40 ditë pa Musën (a.s) në mesin e tyre dhe në vendin e tij ishte caktuar vëllai i tij Haruni (a.s) si kalif, por ymmeti i tij u mashtrua mbas mynafikut Samirrit, i cili e kishte treguar veten si mysliman. Ymmeti i Musës (a.s) filloi që ta adhurojë një idhuj duke pasur në mesin e tyre një pejgamber dhe e braktisi fenë. A nuk e bëri gabimin e njëjtë edhe ymmeti i të Dërguarit (s.a.v.) tonë? I Dërguari (s.a.v.) kishte thënë se pozita e Imam Aliut ndaj tij është sikur pozita e Harunit (a.s) ndaj Musës (a.s). I Dërguari (s.a.v.) kishte marrë bejat prej të gjithë sahabeve për Imametin dhe kalifatin e Imam Aliut në ditën e Gadir Humit. Përkundër gjithë këtyre paralajmërimeve, çka ndodhi në histori? I Dërguari (s.a.v.) e kishte dërguar Ebu Bekrin, Ymerin, Osmanin dhe Ebu Ubejde bin Xherahin nën komandën e Usames në një luftë, por ata kthehen në Medine dhe e përvetësojnë kalifatin e të Dërguarit (s.a.v.) menjëherë mbas largimit të tij nga kjo botë. Nuk do të hymë në detaje këtu por sipas dëshmive që na paraqet historia, Ebu Bekri dhe Ymeri është dashur të ishin te kampi i ushtrisë së Usames dhe jo në Medine. Pra, ndodhë e kundërta, në kundërshtim me urdhrin e të Dërguarit (s.a.v.), ata kthehen në Medine dhe e pengojnë marrjen e kalifatin nga i zoti i tij. Imam Aliu dhe i gjithë Ehli Bejti nuk e pranojnë kalifatin e Ebu Bekrit. Ata nuk ia kanë dhënë betimin Ebu Bekrit përderisa ishte në jetë Hz Fatimja, për të cilën i Dërguari (s.a.v.) ka thënë: “Vajza ime Fatimja është një pjesë prej meje, kush e hidhëron atë, më ka hidhëruar mua” si dhe “O Fatime! Allahu tregon kënaqësi për kënaqësinë tënde dhe zemërim për zemërimin tënd”. Ky është një hadith sahih. Përkundër gjithë këtyre të vërtetave, kalifati i Ebu Bekrit është pranuar sikur me qenë legjitim dhe ne këtë po ua lëmë gjykimit të ndërgjegjes dhe drejtësisë së lexuesve. Tani është koha që t’i njohim Samirrët e këtij ymmeti dhe të heqim dorë prej idhujve që i kanë krijuar Samirrët. Sigurisht që Allahu i Madhëruar nuk dëshiron prej neve që gabimet e ymmeteve të mëhershme jo vetëm t’i lexojmë si tregime e të gjejmë ngushëllim në to. Ato tregime e shembuj i ka përmendur Allahu i Madhëruar që ne të mendojmë për to. Këtë çështje e ka shtjelluar Gazali në librin e tij “Sirr-ul Alemejn” dhe do ta citojmë këtu duke ua lënë arsyes së lexuesve analizën e saj. Gazali thotë: “Kur u dëgjua për bejatin e të Dërguarit (s.a.v.) në Ditën e Gadir Humit, ata (Ebu Bekri, Ymeri dhe ortakët e tyre) u dhanë mbas dashurisë së valëvitjes së flamurëve dhe vrapimit të kuajve, dhe e harruan fjalën që e kishin dhënë”. Në një hadith të të Dërguarit (s.a.v.) është përshkruar shumë mirë gjendja e ymmetit: “Ju do të kaloni rrugën e ymmeteve të mëhershme! A menduat se nuk do të veproni veprat e tyre dhe nuk do të bëni gabimet e tyre?” Hadithe të tilla mund të gjenden në Sahihin e Buhariut dhe të Muslimit. Për ata që kanë njohuri, këto që po i tregojmë nuk janë asgjë e re. Ndërsa, ata që nuk kanë njohuri, do ta shijojnë dënimin në ditën e Kiametit për shkak të paditurisë të tyre dhe do të kërkojnë llogari prej tyre që nuk i kanë ndriçuar mendjet. Allahu na i ndriçoftë mendjet tona.

 

 Me ndihmën e Allahut po e përfundojmë tefsirin dhe tevilin e sures Maide.