Sureja Zumer 

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 9

“Thuaj: A janë të barabartë ata që dinë dhe ata që nuk dinë? Po, vetëm të zotët e mendjes marrin mësim”

 

Imam Muhamed el-Bakiri ka thënë: “Ne jemi ata që dinë! Ata që nuk dinë janë armiqtë tanë! Të zotët e mendjes janë shiitët tanë!”

Imam Xhafer Sadiku ka thënë: “Të zotët e mendjes që marrin mësim janë shiitët tanë”

Resulullahu (s.a.v.) ka thënë: “Gjumi i atyre që janë të zotët e mendjes është më i virtytshëm sesa veprat e xhahilëve që i kryejnë gjatë natës”

 

Tevili dhe tefsiri i ajeteve 17-18

“Ndërkaq, ata që u larguan prej adhurimit të tagutit dhe iu drejtuan Allahut, ata kanë gëzim të madh. Ti përgëzoji pra robërit e Mi! Të cilët i dëgjojnë fjalët dhe pasojnë atë më të bukurën prej tyre. Të tillët janë ata që Allahu i udhëzoi në rrugën e drejtë dhe të tillët janë ata të zotët e mendjes”

 

Imam Muhamed el-Bakiri ka thënë: “Ata që u larguan prej adhurimit të tagutit janë shiitët tanë! Kush i nënshtrohet zullumqarëve dhe të padrejtëve, ai ka bërë adhurim ndaj tyre!”

Tagut janë ata që e kanë larguar kalifatin nga Ehli Bejti dhe atyre u janë nënshtruar zullumqarët dhe ngatërrestarët. Nënshtrimi ndaj tyre do të thotë adhurimi i tyre.

Imam Xhafer Sadiku ka thënë: “Ata që e pasojnë fjalën e Al-i Muhamedit janë ata që e pasojnë fjalën më të bukur! Këta persona i përcjellin të tjerëve fjalët që i dëgjojnë prej Al-i Muhamedit pa shtuar apo munguar ndonjë gjë”

 

Tevili dhe tefsiri i ajeteve 32-33

“E kush është më mëkatar se ai që e flet të pavërtetën ndaj Allahut dhe ai që e përgënjeshtron të vërtetën që i ka ardhur? A nuk është në Xhehenem vendqëndrimi për jobesimtarët? E ai që e solli të vërtetën dhe ai që e vërtetoi atë, të tillët janë ata të ruajturit”

 

Imam Aliu ka thënë: “E vërteta që u erdhi atyre është velajeti i Ehli Bejtit!” Gjegjësisht, e kanë përgënjeshtruar këtë.

Imam Musa el-Kazimi ka thënë: “E vërteta që u erdhi atyre është vasieti, të cilin e ka sjellë Resulullahu (s.a.v.) në lidhje me kalifatin e Urdhëruesit të Besimtarëve, Aliut”. Gjegjësisht, ata e kanë përgënjeshtruar vasietin e të Dërguarit (s.a.v.).

Imam Xhafer Sadiku ka thënë. “Ai që e solli të vërtetën është Resulullahu (s.a.v.), ndërsa ai që e vërtetoi atë është Urdhëruesi i Besimtarëve, Aliu (a.s)!”

Resulullahu (s.a.v.) ka thënë: 

“I pari që më ka vërtetuar dhe i pari që e ka falur namazin bashkë me mua është Aliu!”

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 45

“Kur përmendet vetëm Allahu, zemrat e atyre që nuk besojnë botën tjetër neveriten, e kur përmenden, përveç Atij, të tjerë, ata gëzohen”

 

E pyetën Imam Muhamed Bakirin në lidhje me ata që i takojnë mez-hebit murxhie dhe ai u përgjigj në këtë mënyrë:

“Faleni namazin bashkë me ata, shkoni në namazet e xhenazes së tyre dhe vizitoni të sëmurët e tyre. Por, kur të vdes ndonjëri prej tyre, mos kërkoni mëshirë e falje nga Allahu për të. Sepse, kur në prezencën e tyre përmendet Ehli Bejti, zemrat e tyre neveriten! Dhe, kur të përmendet ndonjëri prej kundërshtarëve tanë, fytyrat e tyre gëzohen!”

E pyetën Imam Xhafer Sadiku në lidhje me këtë ajet, dhe ai tha:

“Kur të flitet për njëshmërinë e Allahut dhe nënshtrimin ndaj Al-i Muhamedit, zemrat e atyre që nuk i besojnë botës së ardhshme ndjejnë neveri. Kur përmenden ata persona për të cilët nuk është dhënë urdhër për t’u nënshtruar (kundërshtarët e Ehli Bejtit), fytyrat e tyre gëzohen!”

Nuk është e drejtë as që të mendojmë se kjo nuk është e vërtetë. Lëreni ata që nuk i besojnë botës së ardhshme; shkoni sot në xhamitë tona dhe përmendni aty Ehli Bejtin. Do të shihni se pamja e fytyrave të xhematit do të ndryshojë menjëherë. Ne e kemi parë këtë shumë herë dhe i këshillojmë ata që nuk na besojnë që të shkojnë në xhami dhe ta provojnë këtë për të parë me sytë e tyre. Kur të përmenden kundërshtarët e Ehli Bejtit, në fytyrat e tyre vërehet një gëzim. Ne e kemi parë e dëgjuar këtë jo vetëm nëpër xhamia por edhe jashtë xhamisë, nëpër vendet e punës apo ndokund tjetër. Nuk duhet që të shqetësohet ndonjëri që ka iman kur të përmendet emri i Imam Aliut veçmas prej sahabeve tjerë. Kjo është në përputhje me hadithin e të Resulullahut (s.a.v.), në të cilën thotë: 

“O Ali! Ty të do vetëm besimtari dhe të urren vetëm mynafiku!” 

Urrejtja e Imam Aliut nuk e ka vetëm kuptimin e përgojimit të tij. Urrejtje do të konsiderohet edhe nëse ndonjëri nuk mund ta durojë përmendjen e emrit të Imam Aliut. Allahu është dëshmitar se kur të përmendet emri i Imam Aliut, pa i përmendur edhe sahabet tjerë, shumica e anëtarëve të xhematit nuk mund ta durojnë këtë! 

Resulullahu (s.a.v.) ka thënë: “Xhebraili më ka thënë: O Muhamed! Sikur të kishe parë njerëzit kur të qohen prej varrezave dhe ta pastrojnë dheun prej kokave të tyre. Njëri prej tyre do të thotë: ‘Nuk ka Zot përveç Allahut’ ndërsa tjetri që ka hequr dorë nga velajeti i Imam Aliut, do të thotë: ‘I mjeri unë, kam gabuar në anën e Allahut’”

Në një vend tjetër ka thënë: 

“O Ebu Zer! Ata që e mohojnë hakun dhe velajetin e Aliut, në ditën e Kiametit do të vijnë të verbër, të shurdhër dhe pa gjuhë! Kur t’i derdhet brenda tij errësira e asaj dite, ai do të thotë: Mjerë për mua për shkak të gabimeve që i kam bërë në anën e Allahut!”

Imam Ali Zejnel Abidini ka thënë: 

“Ana e Allahut është Aliu! Ai është dëshmia e Allahut mbi robërit e Tij! Në ditën e Kiametit do t’i jepen Aliut çelësat e Xhehenemit dhe ai do ta vendos aty atë që dëshiron ai dhe do ta nxjerrë nga aty atë që dëshiron ai! Sepse Resulullahu (s.a.v.) ka thënë: O Ali! Ai që të do ty, më ka dashur mua. Ai që të urren ty, më ka urryer mua. O Ali! Ti je vëllai im dhe unë jam vëllai yt. O Ali! Në ditën e Kiametit, flamuri i falënderimit do të jetë në dorën tënde dhe do të ecësh përpara ymmetit. Në të djathtën dhe të majtën tënde do të jenë vetëm ata që kanë leje!”

Imam Musa el-Kazimi ka thënë: “Ana e Allahut në të cilën është gabuar është Urdhëruesi i Besimtarëve, Aliu! Ne jemi zotëruesit e asaj pozita mbas tij! Kjo do të qëndroje te ne përderisa të paraqitet i fundi prej neve” Gjegjësisht, Mehdiu (a.s).

Urdhëruesi i Besimtarëve, Imam Aliu (a.s), ka thënë: 

“Unë jam udhëzuesi dhe ai që e ka arritur udhëzimin; unë jam babai i nevojtarëve dhe i jetimëve; unë jam burri i grave vejushe; unë  jam vendstrehimi i çdo të dobëti; unë jam vendi i sigurisë për çdonjërin që frikohet; unë jam lideri i besimtarëve në Xhenet; unë jam litari i sigurt i Allahut, unë jam dorëza që nuk di të këputet; unë jam fjala e devotshmërisë; unë jam syri me të cilën shikon Allahu; unë jam dora dhe gjuha e sinqertë e Allahut; unë jam ai për të cilën do të thuhet ‘I mjeri unë, kam gabuar në anën e Allahut’; unë jam dora e mëshirës dhe e faljes së Allahut që është zgjatur mbi robërit e Allahut; unë jam ajo që nëse më njeh mua dhe hakun tim ashtu si duhet, padyshim që do ta njeh edhe Zotin e tij. Sepse, unë jam i besueshmi i pejgamberit të Tij mbi sipërfaqen e Tokës dhe dëshmia mbi robërit e Tij. Këto atributet e mija i mohojnë vetëm ata që e kundërshtojnë Allahun dhe të dërguarin e Tij!”

Urdhëruesi i Besimtarëve, Imam Aliu ka thënë: 

“Unë jam dituria e Allahut; unë jam zemra e Allahut që qëndron mbi çdo gjë; unë jam gjuha e Allahut që flet, unë jam syri i Allahut, unë jam ana e Allahut; unë jam dora e Allahut!”

Në një vend tjetër, Imam Aliu ka thënë: 

“Unë jam ana e Allahut. Unë jam personi për të cilën do të pendohen njerëzit në ditën e Kiametit për shkak të gabimeve që i kanë bërë në lidhje me të drejtat e njerëzve”

Dhe, në një vend tjetër, Imam Aliu ka thënë: 

“Unë dhe Resulullahu (s.a.v.) bashkë me pasardhësit e mijë do të jemi te burimi i Kevtherit. Kush dëshiron që të bëhet bashkë me neve, le t’i përmbahet urdhrave tona dhe le të veprojë sipas veprimeve tona. Ne do t’i dëbojmë armiqtë prej burimit të Kevtherit dhe do t’u japim ujë vetëm miqve. Kush pi ujë njëherë nga ai burim, më kurrë nuk do të ndiejë etje. Brenda burimit janë dy lloje të ujërave; njëra është e njelmët dhe tjera e ëmbël. Shtyllat përreth burimit janë nga rubini. Përmendja e Ehli Bejtit është shërim për sëmundjet, vesveset, parehatitë dhe frikën! Dashuria ndaj neve do të thotë fitimi i kënaqësisë së Allahut. Ai që e zbaton urdhrin tonë dhe që e pason rrugën tonë, do të jetë bashkë me neve nën hijen e Fronit! Ata që e derdhin gjakun me qëllim të zbatimit të urdhrit tonë janë sikur ata që e derdhin gjakun e tyre në rrugën e Allahut! Kush ngurron për të na ndihmuar, në ditën e Kiametit do të tërhiqet zvarrë nga ana e Allahut deri në zjarr! Ne jemi ajo derë në të cilën do të arrijnë në ditën e Kiametit kur njerëzit do të jenë të shastisur dhe nuk do të dinë se cilën rrugë duhet ndjekur për të arritur te ajo derë. Ne jemi një derë e tillë e shpëtimit që ajo derë është dera e Islamit! Kush hyn brenda asaj dere do të shpëtojë dhe kush heq dorë prej asaj dere, do të shkatërrohet! 

Allahu i Madhëruar ka filluar dhe do të përfundojë përmes neve! Ato mëkate që i do Allahu, i falë përmes neve dhe të njëjtat i bën të qëndrueshme përmes neve. Shirat bien në tokë vetëm përmes neve! Sikur të kishit ditur ju (o shiitët tanë) se çfarë pozite ju pret juve në ditën e Kiametit për shkak të durimit që keni treguar kundrejt armiqve tanë, sytë tuaj do të lageshin nga gëzimi. Mbasi që të më humbni mua do të shihni padrejtësi e zullume të padurueshme si dhe rebelime kundër urdhrit të Allahut, sa që do ta dëshironi vdekjen në çdo moment. Mos u shpërndahuni kur ta përjetoni atë kohë dhe mbahuni fort për litarin e Allahut! Po ju lë vasiet juve durimin, namazin dhe takijen! Dijeni mirë se Allahu i Madhëruar nuk i do robërit e dobët e frikacak, prandaj mos e braktisni anën e drejtë dhe velajetin e të drejtëve, që është velajeti ynë. Sepse, do të shkatërrohet çdokush që na ndërron me ndonjërin tjetër dhe ata që na ndjekin do të arrijnë në vendin ku do të arrijmë ne. Padyshim që do ta arrijnë të vërtetën ata që na ndjekin neve dhe do ta arrijnë shkatërrimin ata që i ndjekin të tjerët përveç neve. Për ata që na duan është mëshira dhe rehatia e bollshme e Allahut dhe për ata që na urrejnë është dënimi e zemërimi i bollshëm i Allahut. Rruga jonë është e drejtë dhe në urdhrin tonë ka pjekuri. Banorët e Xhenetit do t’i shikojnë pozitat ku do të arrijnë shiitët tanë sikur që i shikojnë yjet shkëlqyese në qiell. Kurrë nuk do të devijojnë ata që na pasojnë dhe kurrë nuk do ta arrijnë udhëzimin ata që na braktisin. Kurrë nuk do të shpëtojnë ata që i ndihmojnë kundërshtarët tanë dhe ata që nuk i ndihmojnë ata që kanë treguar bindje ndaj neve. Mos na braktisni neve për hir të jetës e pasurisë së kësaj bote të kalueshme. Sepse, ata që na braktisin për hir të këtyre gjërave, kurrë nuk do t’i arrijnë ato. Atyre do t’u vijë rëndë ndarja nga kjo botë për shkak se na kanë braktisur neve për hir të saj. Në lidhje me këtë, Allahu i Madhëruar ka thënë: “Mjerë për mua për shkak të gabimeve që i kam bërë anës së Allahut. Me të vërtetë, unë jam tallur me këtë”. 

Kandili i besimtarëve është njohja e hakut tonë! Verbëria dhe errësira më e rëndë është kur një person nuk e sheh virtytin tonë dhe lufton kundër neve pa ndonjë arsye. E tëra që bëjmë ne është thirrja kah e vërteta ndërsa të tjerët bëjnë thirrje kah nxitja. Prandaj, kjo na bën që të kuptojmë se braktisja e jonë do të thotë hyrja në nxitje! Ne e kemi flamurin e të vërtetës dhe do të shpëtojnë vetëm ata që vijnë nën hijen e tij. Kanë shpëtuar me dituritë e tyre ata që nxitojnë për të ardhur aty. Ju (o shiitë) jeni prej atyre që e zhvilloni këtë botë. Allahu ju ka bërë mëkëmbës në këtë botë që t’i  shikojë veprat e juaja. Garoni për atë që Allahu këron prej juve. Juve u është ngarkuar dëshmia më e madhe, pasojeni atë: “Shpejtoni duke garuar në atë që fitoni falje prej Zotit tuaj dhe Xhenetin që gjerësia e tij është si gjerësia e qiellit e tokës, i përgatitur për ata që i besuan Allahut dhe të dërguarve të Tij. Ajo është dhunti e Allahut që ia jep kujt të dojë, e Allahu është dhurues i madh” (Hadid, 21). Dijeni mirë se ju mund ta fitoni këtë pozitë vetëm me devotshmëri! Nëse i merrni urdhrat e Allahut prej të tjerëve dhe jo prej atyre prej të cilëve ka urdhëruar Allahu (prej Ehli Bejtit), Ai do t’ju caktojë një shejtan që do të qëndrojë me ju tërë kohën. Si nuk e shihni se feja e juaj po dobësohet ndërsa ju nuk po e përfillni këtë fare! Allahu, që e ka përmendjen e lartësuar, ka thënë: 

“Dhe mos anoni kah ata që bënë zullum, e t’ju kapë dënimi me zjarr, dhe përveç Allahut nuk keni mbrojtës, e do të mbeteni të pandihmuar” (Hud, 113)

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 59

“Jo, ty të patën ardhur argumentet e Mia, e ti i përgënjeshtrove ato, u bëre kryeneç dhe ishe prej atyre që nuk besuan”

 

Ali bin Ibrahimi ka thënë në tefsirin e tij:

“Argumentet e Allahut janë Imamët e Ehli Bejtit!”

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 60

“Në ditën e kiametit do të shohësh me fytyrat e tyre të nxira ata që kanë gënjyer ndaj Allahut. A nuk është në Xhehenem vendi i arrogantëve?”

 

Imam Xhafer Sadiku ka thënë:

“Ata që do të kenë fytyrat e nxira, që kanë gënjyer ndaj Allahut, janë ata që nuk janë imam por që e kanë pretenduar pozitën e imamit për vete!” Njëri prej të pranishmëve e pyeti: “A do të vlejë ky gjykim edhe për ata që janë prej djemve të Aliut e të Fatimes, nëse ndonjëri prej tyre pretendon këtë pozitë?” Imami u përgjigj: “Po, edhe nëse është prej djemve të Aliut dhe e pretendon pozitën e imamit që nuk i takon, ai do të jetë në gjendjen e lartcekur!”

Në një vend tjetër, Imami ka thënë: “Ata që i flasin hadithet tona, në ditën e Kiametit do të merren në pyetje në lidhje me ato hadithe. Nëse i kanë marrë prej neve dhe e kanë folur të vërtetën, ata kanë folur të vërtetën ndaj Allahut dhe të dërguarit të Tij. Por, nëse kanë gënjyer, ata kanë gënjyer ndaj Allahut dhe ndaj të dërguarit të Tij. Sepse, kur ne Ehli Bejti tregojmë ndonjë hadith, ne nuk themi se na ka treguar filani, por hadithet tona fillojnë me: Allahu ka thënë ose Resulullahu (s.a.v.) ka thënë”

Shpjegim: Hadithet e Imamëve të Ehli Bejtit që përcillen te shiitët vijnë drejtpërsëdrejti përmes kanaleve të baballarëve të tyre që shkojnë deri te i Dërguari (s.a.v.). Ata e fillonin fjalën sikur me pas dëgjuar vetë prej të Dërguarit (s.a.v.). Ata nuk e fillonin fjalën sikur të tjerët, duke thënë se kemi dëgjuar prej filanit ose më ka informuar filani. Kjo veçori mjafton për t’u lidhur për Imamët e Ehli Bejtit për ata që kanë mendje të shëndoshë. Njëkohësisht, është dhënë një vërejtje e madhe për ata shiitë që i flasin të tjerëve ato gjëra që nuk i kanë dëgjuar prej Imamëve të Ehli Bejtit.

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 65

“Pasha Allahun, ty të është shpallur, e edhe atyre para teje: Nëse i bën shok Allahut, veprat tua janë të asgjësuara dhe ti do të jesh prej të humburve”

 

Imam Muhamed el-Bakiri ka thënë: 

“Kuptimi i ajetit është ky: O Muhamed! Nëse velajetin e Aliut e bën ortak me të tjerët, padyshim që veprat e tua janë të asgjësuara dhe do të jesh prej të humburve!”

Shpjegim: Do të jetë një gabim i madh nëse themi se me këtë ajet i është ndaluar të Dërguarit (s.a.v.) që t’i bëjë ortak Allahut sepse i Dërguari (s.a.v.) është një dritë që ka dalë nga esenca e tevhidit. Në esencën e asaj drite nuk mund të ketë asgjë tjetër përveç tevhidit. Në lidhje këtë, Imamët e Ehli Bejtit kanë thënë: Kur Resulullahu (s.a.v.) deshi ta bëjë emërimin e Imam Aliut si kalif të ymmetit, një sahabe me emrin Muaz bin Xhebel u afrua te i Dërguari (s.a.v.) dhe tha: ‘O Resulullah! Sikur të kishe bërë ortak Ebu Bekrin dhe Ymerin me velajetin e Aliut, atëherë thirrja jote do të kishte fituar më shumë vlerë!’ Kjo ishte arsyeja e zbritjes së këtij ajeti. Në të kundërtën, athua ka dyshuar vetë Allahu në atë se Resulullahu (s.a.v.), që është ndërmjetësues në këtë dhe në botën e ardhme, t’i përshkruajë ortak Atij? Estagfirullah! Ruana Zot! I Dërguari (s.a.v.) ynë është shumë larg dhe shumë i pastër prej gjërave të tilla. Ai ka ardhur nga familja e të dërguarve të pastër, që kanë ardhur njëri mbas tjetrit, duke u bazuar në tevhid. Në kuptimin e vërtetë, bërja ortak velajetit të Imam Aliut do të thotë bërja ortak Allahut, sepse velajeti i Imam Aliut është velajeti i Allahut. Kush i bën ortak atij (velajetit të Imam Aliut), i ka bërë ortak Allahut!

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 69

“Toka është ndriçuar me dritën e Zotit të vet, libri është vënë pranë dhe sillen pejgamberët e dëshmitarët. Në mes tyre kryhet gjykimi me drejtësi, e atyre nuk u bëhet padrejtësi”

 

Urdhëruesi i Besimtarëve, Imam Aliu ka thënë: “Në ditën e Kiametit, sipërfaqja e Tokës do të privohet nga drita e diellit dhe e hënës. Tërë toka do të ndriçohet përmes dritës së Imamëve! Allahu dhe engjëjt do t’i bëjnë thirrje njerëzve nga Froni për të dhënë llogari dhe do të vijnë të dërguarit dhe dëshmitarët. Dëshmitarët janë Imamët e Ehli Bejtit! Çdonjëri do të bëjë të ditur se i ka bërë thirrje njerëzve në kohën e tij dhe do të shpëtojnë ata që i janë përgjigjur asaj thirrjeje ndërsa do të shkojnë në Xhehenem ata që nuk i janë përgjigjur thirrjes. Me të vërtetë, atë ditë çdonjëri do ta gjejë vendin e merituar. 

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 73

“E ata që ishin të devotshëm ndaj Zotit të tyre, sillen në grupe te Xheneti. Kur arrijnë aty, dyert e tij i gjejnë të hapura dhe roja e tij u thotë atyre: Selamun alejkum, mirë se erdhët. Hyni në të, aty do të jeni përgjithmonë”

 

Imam Aliu ka thënë: “Ebu Bekri, Ymeri dhe Osmani e uzurpuan kalifatin që ishte haku i ynë, e siguruan jetesën përmes saj dhe u martuan. Ndërsa, ne i mbajtëm larg shiitët tanë prej papastërtive të tilla ashtu që lindjet e tyre të jenë të pastra dhe hallall”

Shpjegim: “Ata e kanë uzurpuar hakun e Imam Aliut dhe në këtë mënyrë e kanë siguruar jetesën në mënyrë të padrejtë. Njëra prej harameve të mëdha është sigurimi i jetesës përmes një malli të marrë në mënyrë të padrejtë. Si përfundim i kësaj, fëmijët që do të lindin, do të jenë të lindur në bazën e haramit. Fëmijët jashtëmartesor (haramzadet) nuk lindin vetëm prej prostitucionit. Mjafton që sigurimin e jetesës së tyre ta bëjnë përmes hakut të ndonjërit tjetër dhe që edhe vetë të bëhen harama. 

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 74

“E ata thanë: Falënderuar qoftë Allahu, i cili premtimin e Vet e bëri realitet ndaj nesh dhe na bëri që ta trashëgojmë sipërfaqen e tokës. Ne mund të vendosemi në xhenet aty ku duam! Sa shpërblim i mirë është i atyre që vepruan drejt”

 

Imam Xhafer Sadiku ka thënë: “Në ditën e kiametit do të vijë një grup i njerëzve, i hipur mbi deve me shalë nga drita, dhe do të thonë me zë të lartë: Falënderuar qoftë Allahu, i cili premtimin e Vet e bëri realitet ndaj nesh dhe na bëri që ta trashëgojmë sipërfaqen e tokës. Ne mund të vendosemi në xhenet aty ku duam! Të pranishmit do të thonë: ‘Këta janë të dërguarit’. Nga ana e Allahut të Madhëruar do të vijë një zë: ‘Këta janë të zgjedhurit e Mijë nga mesi i robërve dhe të cilëve ua kam falur epërsi ndaj robërve të Mijë; këta janë shiitët e Ali bin Ebi Talibit’. Të pranishmit do të thonë: ‘O Zoti ynë! Si e kanë arritur ata këtë pozitë?’ Do të vijë zëri nga ana e Allahut të Madhëruar: ‘Ata e kanë arritur këtë pozitë përmes këtyre tipareve: Unazat e tyre i mbajnë në dorën e djathtë, gjatë ditës i falin pesëdhjetë reqate të namazit, i ushqejnë nevojtarët, bëjnë sexhde vetëm në vendet e lejuara dhe e lexojnë me zë Bismilahin gjatë namazit!” 

Një ditë, Ebu Zeri ishte ulur bashkë me Resulullahun (s.a.v.) në shtëpinë e nënës sonë Ummu Seleme. Ishin duke biseduar dhe në ndërkohë mbërriti Imam Aliu. Kur e pa atë i Dërguari (s.a.v.), fytyra e tij ndriçoi dhe u vërejt gëzimi në fytyrën e tij. E përqafoi Aliun, e puthi në mes të dy syve dhe u kthye kah Ebu Zeri, duke thënë: ‘O Ebu Zer! A ke njohuri të mjaftueshme në lidhje me identitetin e vërtetë të Aliut?’ Ebu Zeri tha: ‘O Resulullah! Ky është vëllai yt, djali i axhës tënde, burri i Fatimes dhe babai i të rinjve të Xhenetit, Hasanit dhe Hysejnit!’ Resulullahu (s.a.v.) tha: ‘O Ebu Zer! Ky është shtiza e Allahut që rrezaton dritë dhe dera e madhe e Allahut! Kush dëshiron që të arrijë te Allahu, le të vijë në këtë derë! O Ebu Zer! Ky është i qëndrueshëm në drejtësinë e Allahut; ky largon prej gjërave që i ka ndaluar Allahu; ky e ndihmon fenë e Allahut dhe ky është dëshmia e Allahut mbi tërë ymmetin! O Ebu Zer! Në çdo shtyllë të Fronit të Allahut të Madhëruar qëndrojnë shtatëdhjetëmijë engjëj. Përveç që e madhërojnë e lartësojnë Allahun e Madhëruar, çdonjëri prej tyre lutet për Aliun dhe i mallkon armiqtë e tij. O Ebu Zer! Sikur të mos ishte Aliu, e vërteta dhe e pavërteta nuk do të ishin qartësuar. Sikur të mos ishte Aliu nuk do të dalloheshin besimtari prej jobesimtarit. Sikur të mos ishte Aliu, nuk do të adhurohej Allahu! Sepse, Aliu i bëri mysliman jobesimtarët duke i goditur kokat e tyre dhe në këtë mënyrë siguroi adhurimin e Allahut nga ana e tyre. Sikur të mos ishte kjo gjendje e Aliut, nuk do të ekzistonte gjykimi i shpërblimit dhe i ndëshkimit. Asgjë nuk mund ta fsheh Aliun nga Allahu dhe asnjë perde nuk mund ta mbajë larg atë nga Allahu! Sepse, perdja dhe ajo që e mban të fshehtë është vetë Aliu. 

“Për të praktikuar fenë e drejtë e për të mos u përçarë në të, Ai ju përcaktoi juve për fe atë që ia pat përcaktuar Nuhut. Ne ta shpallëm ty atë me çka e patëm porositur Ibrahimin, Musain dhe Isain. Për idhujtarët është rëndë kjo në çka ju i thirrni ata. Allahu zgjedh për vete atë që do dhe e udhëzon në të atë që i drejtohet Atij” (Shura, 13)

O Ebu Zer! Allahu e ka siguruar madhështinë e Tij në pushtetin e Tij dhe njëshmërinë e Tij në Unitetin e Tij. Veten e ka bërë të ditur vetëm robërve të Tij besnik dhe ua ka falë Xhenetin si vendbanim për ata. Allahu ka njoftuar me velajetin e Tij atë që ka dashur ta drejtojë kah udhëzimi i Tij dhe nuk ka mbetur pa e njohur Atë, ai që në zemrën e të cilit e ka fshehur këtë. O Ebu Zer! Aliu është flamuri i udhëzimit, vetë fjala e devotshmërisë, dorëza që nuk di të këputet, imami i miqve të mijë dhe drita e atyre që më nënshtrohen! Ai është fjala e nevojshme e të devotshmëve. Kush e do atë, do të bëhet besimtar dhe kush e urren atë, do të bëhet jobesimtar. Kush heq dorë nga velajeti i tij, ka devijuar dhe është bërë prej të humburve. Kush e mohon hakun e tij, padyshim që do të bëhet jobesimtar. O Ebu Zer! Ata që e mohojnë velajetin e Aliut në ditën e Kiametit do të vijnë të verbër dhe me gjuhë të zënë. Kur të hidhen në errësirat e kiametit, ata do të thonë: “Mjerë për ne për shkak të gabimeve që i kemi bërë anës së Allahut...” dhe në qafat e tyre do të kenë zinxhir me treqind hallka. Në çdo hallkë të zinxhirit do të jetë një shejtan, i cili do ta pështyjë në fytyrë dhe në errësirat e varrezës do ta tërheq zvarrë kah Xhehenemi”

Kur i dëgjoi këto fjalë Ebu Zeri, ai tha: “O Resulullah! Nëna dhe babai im u flijofshin për ty! Zemrën ma ke mbushë me gëzim e lumturi. Më trego më shumë, ashtu që gëzimi dhe lumturia të më shtohen”. Atëherë, i Dërguari (s.a.v.) vazhdoi: “O Ebu Zer! Kush isha duke shkuar në Miraxh, sapo mbërrita në qiellin e kësaj bote, engjëjt e thirrën ezanin dhe bënë thirrje për namaz. Atëherë, Xhebraili (a.s) më morri për dore, më qoi përpara engjëjve dhe tha: ‘O Muhamed! Falja namazin engjëjve, ata janë përmalluar për ty një kohë të gjatë’. Atëherë, unë kalova para engjëjve që përbënin shtatëdhjetë safe (rende). Gjerësia e çdo safi shtrihej prej lindjes deri në perëndim dhe numrin e tyre e dinte vetëm krijuesi i tyre. Kur përfundoi namazi dhe unë e fillova lartësimin e Allahut, engjëjt u afruan në grupe duke dhënë përshëndetje dhe duke thënë: ‘O Muhamed! Ne kemi një dëshirë, a mund ta plotësosh atë?’ Unë mendova se engjëjt do të kërkonin për të ndërmjetësuar për ata te Zoti i botëve sepse, Allahu më kishte caktuar si ndërmjetësues dhe shpërndarës i ujit për të gjithë pejgamberët te burimi i Kevtherit. I pyeta engjëjt: ‘O engjëjt e Zotit tim! Cila është dëshira e juaj?’ Engjëjt më thanë: ‘O i dërguari i Allahut! Kur të kthehesh në sipërfaqen e tokës, përcille selamin tonë Ali bin Ebi Talibit dhe thuaji se jemi mallëngjyer për të një kohë të gjatë!’ Unë i thashë atyre: ‘O engjëjt e Zotit tim! A na njihni neve sipas hakiki marifetit (njohjes së vërtetë)?’ Engjëjt u përgjigjën: 

‘O i dërguari i Allahut! Si të mos ju njohim juve? Ju jeni krijesat e para të Allahut. Ju jeni krijuar nga drita brenda dritës si hije të dritës. Juve ju ka krijuar nga lartësia e krenarisë së Tij, nga lartësia e pushtetit të Tij dhe nga drita e fytyrës së Tij fisnike. Juve ju ka dhënë vendqëndrime në pozitën e pushtetit të Tij pa i krijuar ende qiejt dhe tokën dhe duke qenë Froni mbi ujë. Ai i krijoi qiejt dhe tokën për gjashtë ditë, duke mos lëvizur nga vendi. Pastaj e ngriti Fronin e Tij në qiellin e shtatë dhe u ulë mbi të. Pastaj, i krijoi engjëjt prej dritave të ndryshme. Mbasi që na krijoi neve, erdhëm te ju dhe e pamë se si po e falënderoni, lartësoni, shenjtëroni e madhëroni Allahun. Ne u drejtuam kah Allahu me falënderimin, lartësimin, shenjtërimin e madhërimin tuaj dhe i bëmë lutje Allahut. Çkado që ka zbritur nga Allahu, ka zbritur juve dhe çkado që është lartësuar te Allahu, është lartësuar prej juve. Duke i ditur të gjitha këto, si është e mundur që të mos ju njohim juve? Dërgoja selamin tonë Aliut (a.s) dhe tregoi atij se jemi mallëngjyer shumë për të’

Pastaj, u lartësova në qiellin e dytë. Edhe aty më pritën engjëjt dhe kërkuan të njëjtën prej meje. Unë i thashë atyre: ‘O engjëjt e Zotit tim! A na njihni neve sipas hakiki marifetit?’ Engjëjt thanë: ‘O i dërguari i Allahut! Si të mos ju njohim juve? Ju jeni të zgjedhurit e Allahut. Ju jeni ruajtësit e thesarit të diturisë së Tij, dorëzat që nuk dinë të këputen dhe dëshmitë e Tij. Ju jeni Froni i Allahut dhe rregulla e diturisë. Kaimi (ai që qëndron në këmbë - Mehdiu a.s) i juaj është kaimi më i epërm. Folësi i juaj është folësi më i lartë. Allahu e ka filluar fenë e Tij me ju dhe do ta përfundojë përmes juve. Dërgoja selamin tonë Aliut (a.s) dhe tregoi atij se jemi mallëngjyer shumë për të’

Pastaj, u lartësova në qiellin e tretë. Edhe aty më pritën engjëjt dhe kërkuan të njëjtën prej meje. Unë i thashë atyre: ‘O engjëjt e Zotit tim! A na njihni neve sipas hakiki marifetit?’ Engjëjt thanë: ‘O i dërguari i Allahut! Si të mos ju njohim juve? Ju jeni dera e pozitës dhe dëshmia e ditës së llogaridhënies. Aliu është i gjalli që do të dalë nga toka në fundin e kohës dhe që do t’i ndajë gjykimet njëri nga tjetri. Ai është pronari i shkopit dhe ndarësi i Xhehenemit në ditën e Kiametit. Ai është anija shpëtuese që kush hip mbi të ka shpëtuar dhe kush e braktis atë, do të sillet rrotull brenda Xhehenemit. Çdo gjë u vendos në vendin e tij përmes juve dhe retë e gjetën vendin e tyre vetëm përmes dritës tuaj. Si të mos ju njohim juve? Dërgoja selamin tonë Aliut (a.s) dhe tregoi atij se jemi mallëngjyer shumë për të’

Pastaj, u lartësova në qiellin e katërt. Edhe aty më pritën engjëjt dhe kërkuan të njëjtën prej meje. Unë i thashë atyre: ‘O engjëjt e Zotit tim! A na njihni neve sipas hakiki marifetit?’ Engjëjt thanë: ‘O i dërguari i Allahut! Si të mos ju njohim juve? Ju jeni trungu gjenealogjik i pejgamberëve (shexhere-i nubuve), shtëpia e mëshirës, miniera e pejgamberëve dhe vendi i zbritjes dhe i lartësimit të engjëjve. Xhebraili zbret dhe ju sjellë shpallje nga ana e Zotit të Botëve. Dërgoja selamin tonë Aliut (a.s) dhe tregoi atij se jemi mallëngjyer shumë për të’

Pastaj, u lartësova në qiellin e pestë. Edhe aty më pritën engjëjt dhe kërkuan të njëjtën prej meje. Unë i thashë atyre: ‘O engjëjt e Zotit tim! A na njihni neve sipas hakiki marifetit?’ Engjëjt thanë: ‘O i dërguari i Allahut! Si të mos ju njohim juve? Kur ngrihemi te Froni gjatë mesditës dhe gjatë natës, në mes të fronit lexojmë një mbishkrim të tillë: Nuk ka Zot përveç Allahut. Muhamedi është i dërguari i Tij. Muhamedin e kam përforcuar përmes Ali bin Ebi Talibit. Aliu është i afërmi i Allahut dhe dituria e Tij në mesin e krijesave. Aliu i largon të këqijat e idhujtarëve dhe i shpërndan jobesimtarët. Kështu që, ne e kuptuam se Aliu është njëri prej të afërmve të Allahut. Dërgoja selamin tonë Aliut (a.s) dhe tregoi atij se jemi mallëngjyer shumë për të’

Pastaj, u lartësova në qiellin e gjashtë. Edhe aty më pritën engjëjt dhe kërkuan të njëjtën prej meje. Unë i thashë atyre: ‘O engjëjt e Zotit tim! A na njihni neve sipas hakiki marifetit?’ Engjëjt thanë: ‘O i dërguari i Allahut! Si të mos ju njohim juve? Allahu e krijoi Xhenetin e Firdevsit dhe para derës së tij ka vendosur një pemë. Në çdo fletë të asaj peme është shkruar me dritë: Nuk ka Zot përveç Allahut. Muhamedi është i dërguari i Tij. Ali bin Ebi Talibi është dorëza e sigurt e Allahut që nuk di të këputet, litari i fortë, syri me të cilin shikon krijesat e Tij dhe shpata me të cilën i godet jobesimtarët. Dërgoja selamin tonë Aliut (a.s) dhe tregoi atij se jemi mallëngjyer shumë për të’.

Pastaj, u lartësuam në qiellin e shtatë dhe engjëjt që më pritnin aty, më thanë: ‘Falënderimi i qoftë Allahut që e plotësoi premtimin e Tij’. Të gjithë u afruan afër meje dhe mbasi që kërkuan atë që kishin kërkuar engjëjt e mëhershëm, unë u thashë atyre: ‘O engjëjt e Zotit tim! Dëgjova që thatë Falënderimi i qoftë Allahut që e plotësoi premtimin e Tij. Cili është ai premtim? Engjëjt thanë: ‘O i Dërguari i Allahut! Kur Allahu ju ndriçoi juve, ju krijoi nga drita e krenarisë së lartësimit dhe të pushtetit të Tij dhe kur ju vendosi në pozitën e Tij të sundimit, Ai na e prezantoi velajetin tuaj dhe kërkoi prej neve që ta pranojmë. Ky pranim na okupoi aq shumë zemrat tona sa që iu ankuam Allahut në lidhje me mallëngjimin tënd. Ai na premtoi se do të shohim ty në qiell dhe ashtu sikur që na premtoi ti je tani në mesin tonë. Allahu të shpërbleftë ty më së miri. Pastaj, u ankuam Allahut në lidhje mallëngjimin tonë ndaj Ali bin Ebi Talibit dhe Allahu krijoi një engjëll në anën e djathtë të fronit në formën e Aliut dhe e vendosi aty. Ai vend është tillë që e dukshmja shihet nga e padukshmja dhe e padukshmja shihet nga e dukshmja. As nuk është i vendosur në tokë, as nuk është i varur për qiell. Pronari i Fronit i tha atij: Bëhu i qëndrueshëm përmes fuqisë Sime dhe ai u bë i qëndrueshëm. Ne e shuajmë mallëngjimin tonë duke ardhur në këtë vend dhe duke e shikuar këtë figurë”

Dëshirojmë që të përcjellim një rrëfim të ngjashëm me këtë, nga libri i një dijetari autentik synnit që ka jetuar në shekullin e pestë. Ahmed bin Muvaffak el-Hatib el-Huvarezmi në librin e tij “Menakib” ka përmendur një hadith të tillë:

“Resulullahu (s.a.v.) ishte duke biseduar me sahabet e tij kur njëri nga mesi i tyre u qua në këmbë dhe tha: ‘O Resulullah! Kur shkove në Miraxh, në ç’mënyrë ka folur Allahu me ty?’ Resulullahu (s.a.v.) tha: ‘Allahu i Madhëruar më ka folur me zërin e vëllait tim Aliut. Kur isha më së afërmi me Allahun, unë i thashë: O Allahu im! A je duke folur Ti me mua apo Aliu? Allahu i Madhëruar më tha: O Muhamed! Unë jam i tillë që nuk i ngjasoj asnjë gjësendi dhe nuk mund të krahasohem me gjësendet. Por, kur u afrove ti, Unë shikova në zemrën tënde dhe aty nuk pashë asgjë tjetër përveç dashurisë ndaj Aliut. Për të qenë e kënaqur zemra jote, unë të fola me zërin e Aliut!”

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 75

“E do t'i shohësh engjëjt të rreshtuar përreth Arshit, e madhërojnë me falënderim Zotin e vet. E në mes tyre kryhet gjykimi me drejtësi dhe thuhet: Falënderuar qoftë Allahu, Zoti i botëve!”

 

Resulullahu (s.a.v.) ka thënë: “Natën e Miraxhit e pashë Ali bin Ebi Talibin duke qëndruar përpara meje nën Arshin (Fronin) e Allahut. Ai ishte duke e lartësuar e falënderuar Allahun. E pyeta Xhebrailin: O Xhebrail! A ka ardhur para meje këtu Ali bin Ebi Talibi? Xhebraili më tha: Jo, por ne po të informojmë në lidhje me këtë, prandaj dëgjoje mirë: Allahu i Madhëruar e kishte lartësuar aq shumë Ali bin Ebi Talibin dhe bëri lutje për të aq shumë sa që engjëjt që e bartin Arshin u mallëngjyen për ta parë Aliun. Atëherë, Allahu e krijoi këtë engjëll në formën e Aliut dhe e vendosi nën Arsh. Kështu që, engjëjt që janë duke e bartur Arshin, e shikojnë fytyrën e këtij engjëlli dhe e shuajnë mallëngjimin. O Muhamed! Allahu i Madhëruar e ka falur të mbarë lartësimin dhe falënderimin e këtij engjëlli për shiitët e Ehli Bejtit tënd.

 

Lutja më e virtytshme dhe përshëndetja më e lartësuar qoftë për Muhamedin dhe Ehli Bejtin e tij nga ana e pronarit të Arshit. Këtu përfundon sureja Zumer.