Sureja Ankebut

 

Tevili dhe tefsiri i ajeteve 2 - 3

“A menduan njerëzit të thonë: Ne kemi besuar, e të mos vihen në sprovë? Ne i sprovuam ata që ishin para tyre, ashtu që Allahu gjithqysh do t'i dallojë ata që e thanë të vërtetën e do t'i dallojë edhe gënjeshtarët”

 

Resulullahu (s.a.v.) ndodhej në xhami dhe e thirri Imam Aliun afër tij, e tha: 

“O Ali! Natën e kaluar isha i shtrirë në këtë vend që je duke e parë tani. E kisha pyetur Zotin Tim në lidhje me disa çështje dhe Ai ma dha përgjigjen. Çkado që kërkova për vete, kërkova edhe për ty. Zoti im e pranoi këtë por kur kërkova nga Ai që mbas meje i tërë ymmeti im të vijë mbrapa teje, nuk e pranoi këtë dhe tha: “A menduan njerëzit të thonë: Ne kemi besuar, e të mos vihen në sprovë? Ne i sprovuam ata që ishin para tyre, ashtu që Allahu gjithqysh do t'i dallojë ata që e thanë të vërtetën e do t'i dallojë edhe gënjeshtarët”

Shpjegim: Allahu i Madhëruar ia kishte urdhëruar të Dërguarit (s.a.v.) që ta bëjë të njohur kalifin që do të kalojë në krye të ymmetit dhe i Dërguari (s.a.v.) e kishte zbatuar këtë urdhër. Ai ua kishte bërë me dije ymmetit në shumë vende se kush do të bëhet kalifi dhe imami i ymmetit mbas tij. I Dërguari (s.a.v.) kishte kërkuar nga Allahu që ymmeti i tij t’i përmbahet këtij urdhri por Ai kishte thënë se do t’i sprovojë ata sikur ymmetet e mëhershëm. Këtu na del në pah vlera e vullnetit të lirë të njeriut. Njeriu duhet që të besojë vetëm përmes dëshirës dhe kënaqësisë së vërtetë. Shembulli i kësaj për ymmetin është dhënë në çështjen e kalifatit. Ymmeti ka vënë në pah identitetin e vet të vërtetë dhe është ndarë gënjeshtari prej atij që e flet të vërtetën. Kush deshi, besoi dhe kush deshi, e meritoi zjarrin e Xhehenemit.

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 18 

“...e të dërguarit nuk i takon tjetër pos komunikimi i kuptueshëm”

 

Resulullahu (s.a.v.) ka thënë: “O njerëz! Mos e abuzoni Aliun dhe mos ia keni zilinë! Mbas meje, ai është urdhëruesi i çdonjërit që ka iman, qofshin ata meshkuj apo femra. Dashuroni atë me po atë dashuri që keni pasur ndaj meje dhe respektojeni atë njëjtë sikur që më keni respektuar mua! Nënshtrohuni atij me nënshtrimin ndaj Allahut dhe të dërguarit të Tij! Bëjeni atë udhëzuesin tuaj ashtu që të mund t’ju udhëzojë kah e vërteta dhe që të sigurojë arritjen e suksesit! Ai është dëshmia që do t’ju drejtojë kah Allahu mbas meje. Me këtë, ju komunikova për gjendjen e Aliut dhe kuptojeni më këtë se “të dërguarit nuk i takon tjetër pos komunikimi i kuptueshëm”

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 43 

“Këta janë shembuj që Ne ua sjellim njerëzve, po këta nuk i kupton kush pos dijetarëve”

 

Imam Muhamed el-Bakiri ka thënë: Ne jemi dijetarët, gjegjësisht Al-i Muhamedi (s.a.v.)” 

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 45 

“...me të vërtet namazi largon nga paturpësitë dhe të këqijat, e me të vërtetë përkujtimi (ziqr) i Allahut është më i madhi...”

 

Imam Muhamed el-Bakirin e pyeti njëri prej sahabeve të tij, me emrin Sad: “O babai i Xhaferit! A flet Kurani?” Imami buzëqeshi dhe tha: “Mëshira e Allahut qoftë mbi shiitët e dobët, ata janë prej atyre që i dorëzohen Allahut. Po, o Sad. Edhe namazi flet dhe duke e marrë formën e një njeriu, urdhëron dhe ndalon!” Kur e dëgjoi këtë Sadi, ngjyra e fytyrës së tij u ndryshua dhe tha: “Kjo është një gjë aq e rëndë sa që do të përmbahem për t’i treguar njerëzve!” Imami tha: “A ka ndonjë njeri tjetër përveç shiitëve tanë? Kush nuk e di hakun e namazit ashtu si duhet, e ka mohuar hakun tonë! O Sad! A dëshiron që ta dëgjosh fjalën e Kuranit në lidhje me këtë?” Sadi tha: “Po, o Imam”. Atëherë, Imami tha: “namazi largon nga paturpësitë dhe të këqijat”. Pra, namazi, që është përkujtimi më i madh i Allahut, është ajo fjalë që ndalon. Paturpësia dhe e keqja janë emrat e personave të caktuar ndërsa ne jemi përkujtimi më i madh i Allahut”.

Shpjegim: Sikur që ka thënë Imami i nderuar, namazi që përmendet në këtë ajet mundet me qenë simboli i një personi të caktuar por edhe emri simbolik i njërit që namazi i largon prej tij gjërat e turpshme e të ndaluara. Në këtë kuptim, do të jetë gabim që të themi se namazi i njërit të cilën e kryen duke lexuar ajete e lutje do ta largojë atë prej paturpësive dhe të këqijave. Sepse, ekzistojnë shumë njerëz që e falin vazhdimisht namazin por që janë brenda të gjitha paturpësive dhe të këqijave. Namazi mund të njihet e të falet drejt vetëm përmes Ehli Bejtit të të Dërguarit (s.a.v.). Paturpësia dhe të këqijat është nënshtrimi dhe pasimi i atyre që e kanë braktisur rrugën e tyre dhe që i kanë të drejtat e tyre. Shembulli i imanit në formën më të mirë është parë te Imam Aliu. Abdullah bin Abbasi ka thënë: “Në Kuran është përmendur në shumë vende O ju që keni besuar. Këto ajete janë përmendur më së shumti në lidhje me të nderuarin e respektuarin Aliun”. Shembujt e paturpësisë dhe të këqijave janë ata që e kanë mohuar e uzurpuar kalifatin e Imam Aliut.

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 47 

...atij i besojnë ata, të cilëve Ne u kemi dhënë librin...”

 

Imam Muhamed el-Bakiri ka thënë:

“Atyre që u është dhënë libri jemi ne, Al-i Muhamedi (s.a.v.)”

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 49 

“Por jo, ai është plot argumente të qarta në zemrat e atyre që u është dhënë dituria”

 

Njëri e kishte pyetur Imam Muhamed el-Bakirin: “A jeni ju ata të cilëve u është dhënë dituria?” Imami iu përgjigj: “Kush tjetër mundet me qenë përveç neve, ne jemi ata që janë thelluar në dituri!”

Imam Xhafer Sadiku ka thënë: “Atyre që u është dhënë dituria jemi ne, Imamët që vijnë nga Al-i Muhamedi”

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 69 

“...nuk ka dyshim se Allahu është në krahun e bamirësve”

 

Imam Aliu ka thënë: “Unë jam bamirësi”

 

Falënderimi qoftë mbi Allahun, Zotin e botëve. Paqja dhe përshëndetja më e lartësuar qoftë mbi habibin dhe nurin e Tij, Muhamedin (s.a.v.) dhe mbi Ehli Bejtin e tij. Këtu përfundon sureja Ankebut.