Sureja Nur 

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 14

“E sikur të mos ishte mëshira e Allahut dhe mirësia e Tij ndaj jush, në këtë dhe në botën tjetër...”

 

Imam Ali Riza ka thënë: “Mirësia e Allahut është Resulullahu (s.a.v.) ndërsa mëshira e Allahut është Urdhëruesi i Besimtarëve, Ali bin Ebi Talibi”.

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 35

“Allahu është drita e qiejve dhe e tokës. Shembulli i dritës së Tij i ngjason kandilit të vendosur brenda një zgavre të murit. Kandili gjendet brenda një qelqi. Qelqi është si një yll që ndriçon si perla. Ai ndizet prej vajit të një druri të bekuar, prej ullirit që nuk mund të quhet as i lindjes e as i perëndimit. Vaji i tij ndriçon pothuajse edhe pa e prekur zjarri. Dritë mbi dritë. Allahu udhëzon kah drita e Vet atë që do Ai. Allahu sjell shembuj për njerëzit. Allahu çdo gjë di shumë mirë”.

 

Urdhëruesi i Besimtarëve, Imam Aliu, ka thënë:

“Kandili është Muhamedi (s.a.v.). Unë jam drita që buron prej fitilit të kandilit. Qelqi është Hasani dhe Hysejni. Ylli ndriçues është Aliu, djali i Hysejnit. Druri i bekuar është Muhamed Bakiri, djali i Aliut. Ulliri është Xhaferi, djali i Muhamedit. Vendi i lindjes së diellit është Musa, djali i Xhaferit. Vendi i perëndimit të diellit është Ali er Rida, djali i Musës. Vaji ndriçues është Muhamed Xhevadi, djali i Aliut. Pa e prekur zjarri është Ali Hadiu, djali i Muhamedit. Drita mbi dritë është Hasan Askeri, djali i Aliut. Allahu udhëzon kah drita e Vet atë që do ai është Mehdiu, ai që qëndron në këmbë. Allahu sjell shembuj për njerëzit”.

Imam Ali er-Rida ka thënë:

“Allahu ka filluar me neve dhe përmes neve do të përfundojë. Përmes neve ju ushqen prej asaj që del nga toka. Prej respektit ndaj neve uji zbret për ju nga qielli. Allahu ju mbron nga fundosja në det dhe nga humbja mbi sipërfaqen e tokës përmes neve. Përmes neve, Allahu do t’ju sjellë dobi në këtë jetë, brenda varrit, në ditën e ringjalljes, në urën e Siratit, në peshore dhe në xhenet. Shembulli ynë në librin e Allahut është sikur shembulli i kandilit, dritës dhe qelqit”.

Në lidhje me këtë ajet janë përcjellë shumë rrëfime prej Imamëve të Ehli Bejtit. Të gjitha rrëfimet na tregojnë qartë se drita e Ehli Bejtit e ka burimin e vet prej dritës hyjnore. Të lumtë për ata që mbahen për këtë dritë dhe mjerë për ata që i braktisin ata.

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 40

“Ose janë si errësirat në detin e thellë. Atë e mbulon një valë. Mbi atë valë është një valë tjetër dhe mbi të është një re. Errësira njëra mbi tjetrën sa që nuk mund të shohë as ai që e zgjat dorën e vet. Atij të cilit Allahu nuk i jep dritë, ai nuk ka për të pasur dritë”

 

Imam Xhafer Sadiku ka thënë:

“Errësira në det dhe vala që e mbulon atë është i pari dhe i zoti i tij! Vala mbi valë janë ata që kanë luftuar kundër Urdhëruesi i Besimtarëve, Imam Aliut, në luftën e Xhemelit dhe Nehrivanit. Errësira njëra mbi tjetrën, mbi të cilën është një re, janë Emevitët. Ai që e zgjat dorën e vet është Urdhëruesi i Besimtarëve, Aliu, që do të thotë se, kur të flas kundërshtarëve me urtësi atë do ta pranojnë vetëm ata që e pranojnë Imametin dhe velajetin e tij! Kuptimi i Atij të cilit Allahu nuk i jep dritë, ai nuk ka për të pasur dritë është se nëse Allahu i Madhëruar nuk ia cakton njërit një imam në këtë botë, atij nuk do t’ia caktojë edhe një imam si ndihmës dhe shpëtues në ditën e kiametit!” 

Xhebraili (a.s) zbriti te Resulullahu (s.a.v.) dhe tha: “O Muhamed! A dëshiron që të përgëzojë me një gjë, me të cilën do të mund të kalosh përmbi Siratin?” Resulullahu (s.a.v.) tha: “Po, më përgëzo”. Xhebraili (a.s) tha: “Ti do ta kalosh Siratin me dritën e Allahut. Edhe Aliu do të kalojë me dritën tënde dhe drita jote është drita e Allahut. Ymmeti yt do ta kalojë Siratin me dritën e Aliut dhe drita e Aliut është drita jote. Atij të cilit Allahu nuk i jep dritë, ai nuk ka për të pasur dritë”

 

Tevili dhe tefsiri i ajeteve 48-51

“E kur thirren që ndërmjet tyre të gjykojë Allahu dhe i dërguari i Tij, një grup prej tyre nuk i përgjigjen asaj. Po nëse e drejta u takon atyre në atë gjykim, ata i shkojnë atij të bindur e me respekt. A kanë sëmundje në zemrat e tyre apo mos po dyshojnë, ose mos po frikësohen se Allahu dhe i dërguari i Tij do të gjykojnë padrejtë kundër tyre? Por jo, ata vetë janë zullumqarë. Kur thirren besimtarët për gjykim ndërmjet tyre te Allahu dhe te i dërguari i Tij, e vetmja fjalë e tyre është të thonë: ‘Dëgjuam dhe respektuam!’ Të tillët janë të shpëtuarit”.

 

Imam Muhamed el-Bakiri ka thënë:

“Osman bin Affani ia kishte shitur Urdhëruesit të Besimtarëve, Imam Aliut, një bahçe dhe kur u informuan për këtë shokët e tij, ata ia ndërruan mendjen dhe kërkuan që ta marrë mbrapa atë bahçe. Osmani shkoi te Imam Aliu dhe kërkoi që t’ia kthejë bahçen mbrapa. Imam Aliu tha: “Ti e ke blerë atë bahçe dhe ishe i kënaqur prej kësaj tregtie por tani dëshiron që ta kthesh mbrapa. Të shkojmë te Resulullahu (s.a.v.) dhe ta zgjedhim këtë çështje!”. Osmani tha: “Jo, ai është djali i xhaxhait tënd! Eja të shkojmë te Ebu Bekri dhe Ymeri që ta zgjedhim këtë çështje!” Imam Aliu tha: “Betohem në Allah se askush tjetër përveç Resulullahut (s.a.v.) nuk mund të gjykojë në mes neve. Ne nuk jemi të kënaqur me asnjërin tjetër përpos tij!” Atëherë, zbritën këto ajete të lartpërmendura.

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 55

“Atyre nga mesi juaj të cilët besuan dhe bënë vepra të mira, Allahu ua premtoi se do t'i bëjë zotërues në tokë ashtu si i pat bërë zotërues ata që ishin para tyre, do ta forcojë fenë të cilën Ai e pëlqeu për ta dhe në vend të frikës Ai do t'ju dhurojë siguri. Ata më adhurojnë Mua e nuk më shoqërojnë asgjë. E kush edhe pas kësaj mohon, të tillët janë ata më të prishurit”

 

Imam Xhafer Sadiku ka thënë: “Zotëruesin të cilën e ka zgjedhur Allahu është Urdhëruesi i Besimtarëve, Imam Aliu dhe imamët tjerë, pasardhësit e tij, që do të vijnë mbas tij. Përmes Mehdiut (a.s) do të vendoset feja të cilin Ai e pëlqeu dhe frikën do ta zëvendësojë me siguri!”

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 63

“...le të ruhen ata që kundërshtojnë rrugën e tij (të të dërguarit), mos po i zë ndonjë fatkeqësi apo mos po i godet dënimi i hidhët”.

 

Imam Xhafer Sadiku ka thënë: “Mos e flisni sekretin tonë me të kundërtën e dukjes sonë dhe mos e flisni dukjen tonë me të kundërtën e sekretit tonë. Ju flitni vetëm atë që  flasim ne dhe nëse heshtin diçka prej saj, edhe ju heshtni prej saj. A nuk e shihni se çka ka thënë Allahu për ata që dalin nga urdhri ynë: “Le të ruhen ata që kundërshtojnë rrugën e tij (të të dërguarit), mos po i zë ndonjë fatkeqësi apo mos po i godet dënimi i hidhët”.

Imam Muhamed el-Bakiri ka thënë: “Ky ajet ka zbritur në lidhje me qafirët nxitës që e kundërshtonin urdhrin e Resulullahut (s.a.v.). Ajo çka vlen për urdhrin e pejgamberit, e njëjta vlen edhe për urdhrin tonë. Edhe nënshtrimi ndaj neve është bërë obligim!”

Sekreti i Ehli Bejtit dallon shumë prej gjendjes së tyre në dukje si dhe dukja e tyre dallon prej sekretit të tyre. Këto të dyja duhet që të fliten me kushtin që ai person duhet të jetë i denjë për këtë. Nëse i tregohet personit që nuk i denjë për këtë, atëherë është bërë kundërshtimi i urdhrit të tyre.

 

Me ndihmën e Allahut po e përfundojmë suren Nur. Paqja dhe selami i Allahut qoftë mbi pejgamberin tonë, Muhamedin (s.a.v.), dhe mbi Ehli Bejtin e tij të pastër.