Sureja Ta-Ha

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 1

“Ta – Ha.”

 

Imam Muhamed el-Bakiri ka thënë: “Me shkronjat Ta Ha nënkuptojmë se Resulullahu (s.a.v.) dhe Ehli Bejti i tij janë të pastruar prej të gjitha papastërtive” 

Tevili dhe tefsiri i ajeteve 25 - 35

“O Allah! Ma zgjero gjoksin tim! Dhe më lehtëso në këtë punë timen! Ma zgjidh nyjën e gjuhës sime që ta kuptojnë fjalën time! Më cakto një ndihmëtar nga familja ime. Harunin, vëllanë tim; që me të ma mbështetësh fuqinë time. Bëma shok atë në punën time, në mënyrë që të madhërojmë Ty më shumë dhe të përkujtojmë Ty shpesh. Vërtet, Ti je Ai që na sheh dhe na i di punët”.

 

Resulullahu (s.a.v.) ka thënë:

“O Allahu im! Sikur që e pranove lutjen e vëllait tim Musës, pranoje edhe lutjen time. O Allahu im! Zgjeroma gjoksin tim. Më lehtëso punën time. Më zgjidh nyjën nga gjuha që ta kuptojnë fjalën time! Më cakto një ndihmëtar nga familja ime. Aliun, vëllanë tim, që me të ma mbështetësh fuqinë time. Bëma shok atë në punën time, në mënyrë që të madhërojmë Ty më shumë dhe të përkujtojmë Ty shpesh. Vërtet, Ti je Ai që na sheh dhe na i di punët”.

Shpjegim: Musa (a.s) iu lut Zotit të tij dhe Ai ia pranoi lutjen. Si përfundim, vëllai i tij, Haruni (a.s), iu caktua si kalifi, veziri dhe ortaku i tij në pejgamberllëk. Sikur të kishte mbetur Haruni (a.s) mbas Musës (a.s), ai do të bëhej i pari i fesë së Beni Israilëve. Por, Haruni (a.s) kishte ndërruar jetë para Musës (a.s) kështu që situata ndryshoi. Musa (a.s) kishte lënë amanet Jusha bin Nunin (a.s) si të besueshmin e tij. Kështu që, vendi i të parit të fesë që do të qëndronte mbi ymmet do të ishte gjithmonë i plotë. I Dërguari (s.a.v.) na ka bërë me dije përmes hadithit sahih se pozita e Imam Aliut kundrejt tij ishte sikur pozita e Harunit (s.a.v.) kundrejt Musës (a.s). Haruni (a.s) ishte ulur në pozitën e kalifit të ymmetit edhe gjatë kohës sa ishte në jetë Musa (a.s). Kur shkoi Musa (a.s) te mali i Sinasë, në krye të ymmetit për dyzet ditë ishte vendosur Haruni (a.s). Atij nuk i është treguar bindja, edhe pse ishte i caktuar si kalifi i tyre, por në vend të tij, i është nënshtruar një personi me emrin Samirri. Njëjtë sikur që ymmeti i të Dërguarit (s.a.v.) iu nënshtrua Samirrit të tij dhe e braktisi kalifin e vërtetë, Imam Aliun! 

Selmani e kishte pyetur të Dërguarin (s.a.v.): “O Resulullah! Cili është amaneti yt për ymmetin mbas teje?” I Dërguari (s.a.v.) u përgjigj: “O Selman! Kush ishte më i dituri i Beni Israelit mbas Musës (a.s)?” Selmani iu përgjigj: “Më i dituri ishte Jusha bin Nuni”. I Dërguari (s.a.v.) tha: “Personi i cili do t’i zgjedhë mosmarrëveshjet e ymmetit është vëllai, i besueshmi dhe më i dituri i ymmetit, Ali bin Ebi Talibi”. Në shumë hadithe sahih, i Dërguari (s.a.v.) na ka treguar përmes shembujve se si ymmetet e mëhershme nuk kanë qenë në gjendje që t’i zgjedhin mosmarrëveshjet dhe janë bërë pre e nxitjeve të ndryshme. Më parë e përmendëm nxitjen në të cilën kishte rënë Beni Israili. Haruni (a.s) ishte kalifi i ymmetit, por ymmeti nuk i nënshtrohej atij por Samirrit. Sikur që Beni Israeli deshi që ta vras Harunin (a.s), ne mund të lexojmë qartë se menjëherë mbas ndërrimit jetë të të Dërguarit (s.a.v.) ymmeti përjetoi një padrejtësi. Pronari i drejtësisë, Ymeri (!), shkoi për ta djegur shtëpinë e Ehli Bejtit sepse nuk pranonin që t’ia japin betimin Ebu Bekrit. Ymmeti, që në atë kohë kishte rënë në nxitje, edhe sot e kësaj dite nuk ka mundur që të shpëtojë prej saj. Mos të mashtrohemi vetëm duke thënë sahabe dhe të pranojmë se çdo veprim i tij do jetë i drejtë. Në një hadith sahih, i Dërguari (s.a.v.) ka thënë sahabeve: “Unë do t’ju pres të gjithëve te burimi i Kevtherit. Do t’i shoh sahabet duke ardhur drejt meje dhe përnjëherë ata do të zmbrapsen. Unë do të them: O Zoti im! Këta janë sahabet e mijë. Por, do të dëgjohet një zë, duke më thënë: ‘Ti nuk e di se çka kanë punuar ata mbas teje’. Pastaj, do të shoh se si do të dërgohen në zjarrin e nxehtë të Xhehenemit! Atëherë, unë do të them: Larg qofshin prej meje ata që janë duke shkuar drejt zjarrit të Xhehenemit!”

Sigurisht që në mesin e sahabeve ka pasur edhe të tillë që e kanë zbatuar amanetin e të Dërguarit (s.a.v.), por ata kanë qenë pakicë. Sahabet si Selmani, Mikdadi, Ebu Zerri dhe Ammari kanë mbetur gjithmonë të lidhur për velajetin e zotërisë së Ehli Bejtit, Imam Aliut. Allahu qoftë i kënaqur me të gjithë ata. Për këtë arsye, Resulullahu (s.a.v.) ka thënë: “Allahu i Madhëruar më ka urdhëruar që t’i dashurojë katër persona!” Kur e pyetën se kush janë ata, ai (s.a.v.) u përgjigj: “Ata janë Aliu, Selmani, Ebu Zerri dhe Mikdadi”. Pejgamberit i ka ardhur urdhri që t’i dashurojë sahabet e tillë. Ai që nuk i do ata, kurrë nuk do të mund të bëhet mysliman. Po mirë, pse nuk përmenden sahabet e tillë në mesin e synnitëve? Pse nuk janë të varur emrat e tyre nëpër muret e xhamive, edhe pse janë sahabe të zgjedhura nga ana e Allahut? 

Duke u bazuar në hulumtimin dhe analizën që e kemi bërë deri më tani, ne kemi ardhur në këtë përfundim: Nuk është e mundur që të hasim përmendjen e emrave të Selmanit, Ebu Zerrit, dhe Mikdadit në ato vende ku tubohen vëllezërit tanë synnit. Sahabet e dashur të tyre janë ata sahabe që gjatë historisë kanë qenë të njohur si armiqtë e Ehli Bejtit. Sigurisht, që është shumë lehtë që të nxjerrim një përfundim prej kësaj. Në lidhje me çështjen e kalifatit Selmani, Ebu Zerri dhe Mikdadi kanë qëndruar gjithmonë pranë Ehli Bejtit. Për këtë arsye, ata janë të dobët para syve të synnitëve. Kjo është një e vërtetë historike.

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 54

“Vërtet, për të gjitha këto ka argumente për ata që kanë mendje të shëndoshë”

 

Imam Musa el-Kazimi ka thënë:

 “Ata që kanë mendje të shëndoshë janë Muhamedi dhe Ehli Bejti i tij”

Imam Xhafer Sadiku ka thënë:

“Betohem në Allah se ne jemi ata që kanë mendje të shëndosha! Ne jemi edhe kaimët (ata që qëndrojnë më këmbë) e Allahut mbi robërit e Allahut. Ne jemi thesari i fesë së Allahut, që e mbajnë të fshehtë atë dhe që e ruajnë prej armiqve. Ne e mbajmë të fshehtë fenë njëjtë sikur që Resulullahu (s.a.v.) e ka mbajtur të fshehtë dhe që kërkonte leje për të zbuluar ndonjë gjë të fshehtë! Ne veprojmë sipas rrugës së qartë të Resulullahut (s.a.v.). Këtë do ta vazhdojmë përderisa të kërkohet manifestimi i fesë së Allahut të Madhëruar përmes shpatës. Kur të vijë ajo kohë, ne do të godasim me shpatë njëjtë sikur që ka vepruar Resulullahu (s.a.v.) gjatë kohës kur bënte i thirrje njerëzve në fenë e Allahut!”

Shpjegim: Këtu bëhet fjalë për paraqitjen e Imam Mehdiut (a.s). Imam Mehdiu (a.s) do të paraqitet, u shkoftë kjo për shtati idhujtarëve apo jo, dhe kjo do të bëhet me lejen dhe ndihmën e Allahut. Dhe, në atë kohë feja e vërtetë do të triumfojë mbi fetë e pavërteta, dhe ato do t’i zhdukë me shpatën e tij. Nëse na pyetni: ‘A nuk është paraqitur feja e vërtetë?’, përgjigja e jonë është kjo: Padyshim që feja e vërtetë është feja islame, sepse feja e vërtetë te Allahu është Islami. Mbas të Dërguarit (s.a.v.), feja Islame ka pësuar shtrembërime të mëdha e të thella. Nëse kësaj ia shtojmë edhe qindra vite që kanë kaluar, atëherë do të kuptojmë se sa efektive është bërë ky shtrembërim. Edhe pse në Kuran mund të lexojmë se është ndaluar ndarja në grupe prapëseprapë bota islame është ndarë në qindra grupe. Sigurisht që nuk mund të themi se Islami i vërtetë është përhapur në tërë botën. Gjaku i një myslimani është i ndaluar për një mysliman tjetër, nëse nuk jepet ndonjë gjykim i duhur. Nëse shikojmë përreth neve, do të shohim se kjo nuk është kështu. Ato gjëra që duhet t’i bëjnë myslimanët janë duke i bërë ata që nuk janë mysliman, kështu që nuk është aspak e drejtë që të themi se Islami përfaqësohet nga ana e myslimanëve. Me paraqitjen e Mehdiut (a.s) do të zhduken të gjitha këto mospajtime dhe të gjithë myslimanët do ta shohin edhe një herë fytyrën e vërtetë të fesë islame. Në lidhje me paraqitjen dhe tiparet e Mehdiut (a.s) janë shkruar shumë libra autentik nga ana e dijetarëve. Kush është Mehdiu (a.s)? Përgjigja e kësaj pyetjeje mund të gjendet në librat e dijetarëve të çdo grupi. Mehdiu (a.s) është i fundi prej Imamëve të Ehli Bejtit. I Dërguari (s.a.v.) ka thënë: “Mehdiu është prej neve, Ehli Bejtit!” Në një hadith tjetër ka thënë: “Mehdiu është prej djemve të Fatimes!” Imamët e Ehli Bejtit kanë vazhduar prej pasardhësve të Imam Hysejnit, djalit të nënës sonë, Fatimes. Emri i vërtetë i Mehdiut (a.s) është Muhamed. Ndërsa, nofkat e tij janë: Hadi, Kaim, Mehdi, Sahib-uz Zaman dhe dëshmia e Allahut (huxhetullah). Çdo mysliman duhet të ketë njohuri për Mehdiun (a.s) dhe për jetën e tij. Kur të paraqitet, do të mund jetë vonë për të.

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 61

“...pa dyshim ai që shpif ndaj Allahut, ka pësuar humbje”

 

Resulullahu ka thënë:

“Allahu i Madhëruar ka një degë prej rubinit të kuq. Atë e ka krijuar me dorën e Tij të fuqisë dhe e shpërndau në tërë sipërfaqen e tokës. Pastaj, u betua në veten e Tij: Në këtë degë do të mund të hipin vetëm ata që e duan Muhamedin dhe Ehli Bejtin e tij!” Pejgamberi (s.a.v.) vazhdoi: “Ata që na mbajnë si miq, le të përgatiten për vendin e tij në Xhenet dhe ata që na mbajnë si armiq, le të përgatiten për vendin e tyre në Xhehenem”. Pastaj, bëri me shenjë kah vendi ku ndodhej Urdhëruesi i Besimtarëve, Aliu dhe tha: “Miqtë e tij janë miqtë e Allahut dhe armiqtë e tij janë armiqtë e Allahut! Kjo që sapo ju fola është një virtyt që është folur nga ana e Allahut përmes gjuhës së pejgamberit të Tij. Padyshim, ai që shpif ndaj Allahut, ka pësuar humbje”.

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 82

“Nuk ka dyshim se Unë e fal atë që është penduar, që ka besuar, që ka bërë vepra të mira dhe që pastaj hyn në rrugën e drejtë”

 

Imam Muhamed el-Bakiri ka thënë: “Ai që pastaj hyn në rrugën e drejtë është ai që hyn në velajetin tonë! Nëse një rob e kalon tërë jetën e tij në adhurim dhe vdes duke mos e pranuar velajetin tonë, Allahu do ta gjuajë të përmbysur me fytyrë në Xhehenem këtë person”,

Imami ka thënë: “Hyrja në rrugën e drejtë do të thotë hyrja nën velajetin e Urdhëruesi i Besimtarëve, Aliut (a.s)”.

Imam Xhafer Sadiku ka thënë: “Hyrja në rrugën e drejtë mbas pendimit, besimit dhe veprës së mirë do të thotë njohja e Imamëve të Ehli Bejtit, që do të thotë njohja e çdo Imami pasues që do të vijë mbas Imamit aktual”.

Sikur që na bëhet e qartë vetëm velajeti i Ehli Bejtit do të mundësojë pranimin e pendimit, imanit dhe të veprave të mira. Falja e namazeve si dhe e adhurimeve tjera nuk do të kenë asnjë vlerë nëse nuk njihet velajeti i Ehli Bejtit. Sepse, të gjitha këto vlera na i ka mësuar neve velajeti i Ehli Bejtit, të cilin e ka rekomanduar më së shumti i Dërguari (s.a.v). Sa është i rëndësishëm pejgamaberllëku për të Dërguarin (s.a.v.) aq është i rëndësishëm edhe velajeti i Ehli Bejtit. A është e mundur që të flasim për imanin apo për veprat e mira të ndonjërit që e mohon të Dërguarin (s.a.v.) tonë?

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 115

“Na kemi marrë premtimin edhe prej Ademit. Por, ai harroi dhe ne nuk gjetëm vendosmëri te ai”.

 

Imam Xhafer Sadiku ka thënë:

“Na kemi marrë premtimin edhe prej Ademit (në lidhje me Muhamedin, Aliun, Fatimen, Hasanin, Hysejnin dhe për Imamët që do të vijnë prej pasardhësve të Hysejnit). Por ai harroi dhe ne nuk gjetëm vendosmëri te ai”. Betohem në Allah që ky ajet i kishte zbritur Resulullahut (s.a.v.) në këtë mënyrë”.

 

Tevili dhe tefsiri i ajeteve 123 - 126

“Ai (Allahu) tha: “Zbritni prej aty që të gjithë, do të jeni armiq të njëri-tjetrit. Nga Unë do t’u vijë njëri që do t’ju udhëzoj dhe kush i përmbahet atij udhëzimi, ai nuk do të devijojë dhe nuk do të bëhet fatkeq.”. E kush ia kthen shpinën përkujtimit (ziqrit) Tim, do të ketë jetë të vështirë dhe në ditën e Kiametit do ta ringjall të verbër. Ai do të thotë: “Zoti im, përse më ringjalle të verbër, kur unë isha me sy?” Allahu do të thotë: “Ty të kishin ardhur argumentet Tona dhe ti i kishe harruar ato. Ashtu edhe sot je harruar ti”. 

 

Resulullahu (s.a.v.) ka thënë:

“O njerëz! Nënshtrohuni udhëzimit dhe rrugës së Allahut, që ai është udhëzimi im. Udhëzimi im është udhëzimi i Ali bin Ebi Talibit. Çdokush që i nënshtrohet udhëzimit të Aliut, përderisa është në jetë si dhe mbas ndërrimit të jetës së tij, do ta arrijë udhëzimin tim. Ata që e arrijnë udhëzimin tim, padyshim do ta arrijnë udhëzimin e Allahut. Ata që e arrijnë udhëzimin e Allahut, nuk do të devijojnë dhe nuk do të jenë fatkeq!”

Imam Muhamed el-Bakiri ka thënë: 

“Përkujtimi (ziqr) i Allahut është velajeti i Urdhëruesit të Besimtarëve, Imam Aliut (a.s). Kush ia kthen fytyrën atij, do të ketë jetë të vështirë dhe në ditën e Kiametit do të ringjallet i verbër. Ai nuk ka mundur që ta shohë e ta njohë velajetin e Aliun (a.s) për kohën sa ishte në këtë botë, prandaj do të ringjallet i verbër. Argumentet e Allahut janë Imamët e Ehli Bejtit. Ai që i harron ata, ai do të harrohet në ditën e Kiametit!”

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 132

“Mësoja namazin familjes!”

 

Resulullahu (s.a.v.). kalonte çdo mëngjes afër derës së vajzës së tij, Fatimes, dhe thoshte:

“Paqja, mëshira dhe bereqeti i Allahut qoftë mbi ju, o Ehli Bejti im! Ejani në namaz, Allahu ju mëshiroftë! Allahu dëshiron t’ju pastrojë derë në skaj dhe të largojë të gjitha papastërtitë prej juve”

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 135

“Thuaj: Secili është duke pritur, pra pritni edhe ju. Padyshim që së shpejti do ta kuptoni se kush ishin pronarët e rrugës së drejtë dhe se kush e ka arritur udhëzimin”.

 

Imam Muhamed el-Bakiri ka thënë: “Pronari i rrugës së drejtë është Urdhëruesi i Besimtarëve, Imam Aliu (a.s) ndërsa, ata që e kanë arritur udhëzim janë ata që i janë nënshtruar velajetit të Ehli Bejtit!”

Imam Xhafer Sadiku ka thënë: “Betohem në Allah se ne jemi rruga e drejtë dhe ata për të cilët janë urdhëruar që t’u nënshtrohen robërit. Por, Betohem në Allah, se përveç rrugës tonë nuk do të mund të gjeni ndonjë rrugë tjetër!”

 

Falënderimet e pafundme për Allahun që na ka treguar si rrugë të shpëtimit Imamët e Ehli Bejtit. Paqja dhe selami i Allahut qoftë mbi pejgamberin tonë Muhamedin (s.a.v.) që na ka udhëzuar në rrugën e drejtë, në rrugën e Imamëve të Ehli Bejtit. Këtu përfundon sureja Ta-Ha.