Sureja Merjem 

 

Tevili dhe tefsiri i ajeteve 1 - 2

“Kaf, Ha, Ja, Ajn, Sad. 

Ky është përkujtim i mëshirës së Zotit tënd ndaj robit të vet Zekerijas”.

 

Sad bin Abdullahu, njëri prej sahabeve të Imam Hasan Askerit, rrëfen:

“I kisha dyzet pyetje të vështira, përgjigjet e të cilëve nuk i dija dhe vendosa që të shkojë në Surramenra, ku ndodhej urdhëruesi im, Ebu Muahmed Hasan (el Askeri) (a.s). Mbërrita para derës së tij dhe kërkova leje për të hyrë brenda. Kur hyra brenda dhe e pashë fytyrën e urdhëruesit tim Ebu Muhamedit, veten e pashë sikur me qenë brenda dritës së hënës së plotë. Ai ishte i ulur këmbëkryq në tokë dhe në këmbën e tij të djathtë ishte ulur një fëmijë që ndriçonte si Jupiteri. Pasi ia dhashë selamin urdhëruesit tim, ai u përgjigj butë dhe me dorë bëri shenjë që të ulem. Aty ishin prezent shumë shiitë të tij që e pyetnin Ebu Muhamedin në lidhje me fenë dhe udhëzimin e tyre. Ai u drejtua kah fëmija që ishte ulë në këmbën e tij dhe tha: “O djali im! Përgjigju këtij grupi të shiitëve dhe të shokëve”. Fëmija filloi që të përgjigjet në një mënyrë të bukur ndaj të gjitha pyetjeve të tyre, ende pa i parashtruar ata, dhe na befasoi të gjithë përmes dëshmive të tija të qarta. Mendjet tona u çuditën për diturinë e thellë të fëmijës dhe për lajmet që i merrte nga e padukshmja. 

Pastaj, Ebu Muhamedi m’u drejtua duke më pyetur: “Çfarë të solli ty këtu, o Sad?”. Unë iu përgjigja: “Mua më ka sjellë këtu dëshira për t’u takuar me Urdhëruesin tim”. Imami më tha: “Çka u bë me ato pyetje që dëshiroje të m’i parashtrosh?” Unë i thashë: “Janë duke pritur përgjigjet, o urdhëruesi im”. Imami bëri me shenjë kah djali i tij që ishte ulur në këmbën e tij dhe tha: “Mund ta pyesësh gëzimin e syve të mijë”. Unë fillova ta pyes dhe njëra prej pyetjeve ishte: “O djali i Resulullahut (s.a.v.)! Më trego për tevilin e shkronjave Kaf, Ha, Ja, Ajn, Sad”. Ai u përgjigj: “Këto shkronja janë prej botës së padukshme. Allahu i Madhëruar e informoi Zekerijan për këtë botë të padukshme. Më vonë, këtë lajm ia bëri të ditur edhe Muhamedit (s.a.v.). Kjo ka ndodhur kështu: Zekerija (a.s) kishte kërkuar nga Allahu i Madhëruar që t’i mësojë emrat e pesë dritave dhe Xhebraili (a.s) kishte zbritur dhe ia kishte mësuar emrat e atyre pesë dritave. Kur i përmendte emrat e Muhamedit, Aliut, Fatimes dhe Hasanit, Zekerijas i largohej i tërë pikëllimi e shqetësimi. Por, kur e përmendte emrin e Hysejnit, shqetësimi dhe pikëllimi ia shtrëngonte fytin dhe brendësia e tij ngushtohej. Një ditë, Zekerija tha: “O Zoti im! Pse më largohen të gjitha pikëllimet kur po i përmendi emrat e katër të parëve ndërsa, kur po e përmendi Hysejnin sytë po më lagen dhe gjoksi po më ngushtohet?” Allahu i Madhëruar iu përgjigj: Kaf, Ha, Ja, Ajn, Sad. Shkronja Kaf është për Kerbelanë, shkronja Ha do të thotë asgjësimi (Helak) i pasardhësve të Ehli Bejtit, shkronja Ja do të thotë Jezidi, shkronja Ajn do të thotë etja, mungesa e ujit (atash) dhe shkronja Sad do të thotë Sabër. Kur e dëgjoi këtë Zekerija, ai u mbyll në mesxhid për tre ditë dhe nuk e pranoi asnjërin brenda. Aty vajtonte dhe gjatë mbajtjes së zisë tha: “O Zoti im! A do ta pikëllosh më të lartin e krijesave (Muhamedin s.a.v.) me djalin e tij? O Zoti im! A do ta paraqesësh këtë fatkeqësi mbas ndërrimit jetë të të Dërguarit (s.a.v.)? O Zoti im! A do ta veshësh Aliun dhe Fatimen me petkun e kësaj fatkeqësie të madhe? O Zoti im! A do ta realizohet ky pikëllim dhe kjo dhimbje e madhe në rrethinën në të cilën ata jetojnë? O Zoti im! Më jep një fëmijë me të cilën do të gëzosh fytyrën time në këtë moshë. Bëre atë trashëgimtarin tim dhe unë të jem i kënaqur prej tij. Madje, gjendja e tij të jetë sikur gjendja e djalit të Muhamedit (s.a.v.), Hysejnit! Nëse më jep atë djalë, më sprovo me dashurinë e tij dhe pastaj më jep pikëllim dhe dhimbje të madhe përmes tij. Njëjtë, sikur që do të japësh Muhamedit (s.a.v.) për shkak të djalit të tij Hysejnit”. Allahu i Madhëruar ia dha atij Jahjan (a.s) dhe bashkë me të edhe dhimbjet e pikëllimet. Jahja (a.s) lindi mbas gjashtë muajve. Edhe Hysejni lindi gjashtëmuajsh! 

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 12

“...Ne i dhamë atij urtësi kur ishte fëmijë”

 

Imam Muhamed el-Bakiri ka thënë: 

“Betohem në Allah se sikur që i është dhënë urtësia Jahjas (a.s) kur ishte fëmijë, ashtu edhe Aliut (a.s) i është dhënë urtësia kur ishte fëmijë”.

Në një vend tjetër, Imami ka thënë: 

“Betohem në Allah se atë çka i ka dhënë Allahu pejgamberëve, të njëjtën ua ka dhënë edhe Imamëve. Allahu ka thënë për Jusufin (a.s): “Atij ia dhamë dituri dhe urtësi kur e arriti pjekurinë”. Ndërsa, për Jahjën (a.s) ka thënë: “Ne i dhamë atij urtësi kur ishte fëmijë”

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 50

“Dhe atyre ua dhamë një gjuhë të lartësuar të së vërtetës” 

 

Imam Hasan al-Askeri ka thënë: 

“Gjuha e lartësuar e të vërtetës është Urdhëruesi i Besimtarëve, Imam Aliu (a.s)”

Resulullahu (s.a.v.) ka thënë:

“Më i lartësuari prej të vërtetëve është Ali bin Ebi Talibi!”

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 58

“Këta ishin pejgamberët që Allahu ua dha begati, pasardhësit e Ademit, pasardhësit e atyre që i patëm bartur në anije bashkë me Nuhun, pasardhësit e Ibrahimit dhe Israilit, dhe prej atyre që i udhëzuam dhe i bëmë të zgjedhur. Kur u lexoheshin atyre ajetet e Rahmanit (Gjithëmëshirshmi), ata binin në sexhde dhe qanin”. 

 

Imam Musa Kazimi ka thënë: “Ne jemi pasardhësit e Ibrahimit, ne jemi ata që janë bartur bashkë me Nuhun dhe ne jemi të zgjedhurit e sinqertë të Allahut”.

Në një vend tjetër, Imami ka thënë: “Betohem në Allah se ata që janë udhëzuar dhe që janë të zgjedhur nga ana e Allahut janë shiitët tanë. Allahu ua ka dhënë udhëzimin atyre për t’u bashkuar në fenë tonë. Ata kanë jetuar sipas fesë sonë dhe kanë vdekur sipas fesë tonë. Allahu i ka përmendur ata përmes adhurimit dhe përuljes: Kur u lexoheshin atyre ajetet e Rahmanit (Gjithëmëshirshmi), ata binin në sexhde dhe qanin”. 

Këto janë cilësitë e shiitëve që janë hakiki shiitë. Është gabim që të tjerët t’i pranojmë si shiitë nëse nuk i plotësojnë këto kushte.

 

Tevili dhe tefsiri i ajeteve 85 dhe 86

“Ditën kur do t'i tubojmë të devotshmit te Rahmani (Gjithëmëshirshmi) si mysafirë të ftuar të Tij. Ndërsa të dënuarit do t’i  qojmë në Xhehenem të etshëm”.

 

Resulullahu (s.a.v.) ka thënë:

“O Ali! Në ditën e Kiametit do të paraqitet një grup i njerëzve si një dritë me ngjyrë të bardhë si bora. Ata do të kenë mbi vete rroba me ngjyrë të bardhë, si e bardha e kosit. Lidhëset e sandaleve të tyre prej ari do të jenë të zbukuruara me perla. Atyre do t’u jepen devetë prej dritës së bardhë me shalë të zbukuruara me rubin e xhevahira. Ata do të hipin mbi këto deve dhe do të vijnë përpara Rahmanit. Të tjerët do të jenë të zënë me dhënien e llogarisë dhe të frikësuar e të pikëlluar, ndërsa këta do të rinë të rehatshëm, duke ngrënë e duke pirë”. Imam Aliu pyeti: ”Kush do të jetë në atë grup, o Resulullah!” I Dërguari (s.a.v.) tha: “O Ali! Ky grup përbëhet prej shiitëve tuaj dhe ti je Imami i tyre! Kjo që po të them qëndron sipas fjalës së Allahut të Madhëruar: ‘Ditën kur do t’i tubojmë të devotshmit te Rahmani (Gjithëmëshirshmi) si mysafirë (mbi devetë e tyre) të ftuar të Tij. Ndërsa të dënuarit do t’i qojmë në Xhehenem të etshëm”. Këta të fundit janë armiqtë e tu, o Ali! këta do të futen në Xhehenem pa ua bërë llogarinë”.

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 96

“Nuk ka dyshim se ata që besuan dhe kryen vepra të mira, atyre i Gjithëmëshirshmi do t'u falë në zemrat e tyre një dashuri”.

 

Një ditë, Imam Aliu ishte ulur afër të Dërguarit (s.a.v.) dhe i Dërguari (s.a.v.) i tha atij: “O Ali, thuaj: O Allahu im, falja zemrave të besimtarëve një dashuri ndaj meje!” 

Imam Aliu e bëri këtë lutje dhe të Dërguarit (s.a.v.) i zbriti ky ajet: “Nuk ka dyshim se ata që besuan dhe bënë vepra të mira, atyre i Gjithëmëshirshmi do t'u falë në zemrat e tyre një dashuri”.

Imam Muhamed el-Bakiri ka thënë: “Me ata që besuan dhe bënë vepra të mira nënkuptohet ata që i besojnë Urdhëruesit të Besimtarëve, Aliut (a.s), dhe që mbas njohjes së tij i kryejnë vepra të mira”.

Abdullah bin Abbasi ka thënë: “Ky ajet ka zbritur për Imam Aliun (a.s); në zemrën e çdo besimtari duhet të ekzistojë dashuria ndaj Aliut”

Resulullahu (s.a.v.) ka thënë: 

“O Ali! Ty mund të dashurojë vetëm besimtari dhe të urrejë vetëm mynafiku”

Dashuria ndaj Imam Aliut është prej themeleve të Islamit dhe të imanit. Nëse nuk e ke këtë dashuri, të gjitha veprat e tua do të shkojnë huq. Kjo vlen vetëm për Imamët e Ehli Bejtit. I gjithë ymmeti duhet që të lidhet për dashurinë e tyre sipas pikëpamjes së imanit. 

Çka të themi për ata që vdesin pa pasur ndonjë informatë për Imamët e Ehli Bejtit?

 

Me ndihmën e Allahut, këtu po e përfundojmë suren Merjem. Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi zotërinë tonë Muhamedin dhe mbi Ehli Bejtin e tij të pastër. Falënderime të pafundme qofshin për Allahun që na ka mundësuar të dashurojmë e njohim Ehli Bejtin.