Sureja Nahl

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 1

“Erdhi urdhri i Allahut. Mos kërkoni shpejtimin e tij!”

 

Imam Xhafer Sadiku ka thënë: 

“Ne, Ehli Bejti, jemi urdhri i Allahut. Ky urdhër është kiameti i Mehdiut, i cili është prej neve. Allahu ka urdhëruar që të mos kërkoni shpejtimin e tij”.

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 16

“Vuri edhe shenja të tjera, edhe yjet; ata e gjejnë rrugën përmes tyre”.

 

Imam Xhafer Sadiku ka thënë: “Shenjat jemi ne, Imamët e Ehli Bejtit. Ndërsa, yjet janë Resulullahu (s.a.v.) dhe Urdhëruesi i Besimtarëve, Imam Aliu”.

Në një rrëfim tjetër, Imami ka thënë: “Resulullahu (s.a.v.) është ylli. Shenjat është i besueshmi i pejgamberit, që ata e gjejnë rrugën përmes tij”.

Resulullahu (s.a.v.) ka thënë: “Allahu i ka dhënë yjet si siguri për banorët e qiellit. Ndërsa, Ehli Bejtin e ka falur si siguri për njerëzit mbi sipërfaqen e tokës”.

Po, i Dërguari (s.a.v.) ia ka lënë amanet ymmetit të tij kalanë e Ehli Bejtit si vend të sigurt për njerëzit. Sigurisht që nuk ka mbrojtje për ata që mbesin jashtë kalasë, sepse personat e tillë mund t’i arrijë çdokush dhe shejtani është duke i ndjekur ata.

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 24

“Kur atyre u thuhet: ‘Çka ju shpalli Zoti juaj?’, ata thonë: ‘Përralla të popujve të mëhershëm!’ 

 

Kur Xhebraili (a.s) e zbriti këtë ajet, ai e lexoi në këtë mënyrë:

“Kur u thuhet atyre: ‘Çka ju shpalli Zoti i juaj në lidhje me hakun e Imam Aliut?’ ata thonë: ‘Përralla të popujve të mëhershëm’. Sikur që e kanë mohuar atë që i ka zbritur Beni Israilëve, ashtu edhe tani janë duke mohuar atë që është shpallur nga Zoti në lidhje me hakun e Imam Aliut”.

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 27

“E ata që ishin të zotët e dijes, do të thonë: “Vërtet, sot turpi dhe e keqja i përfshiu jobesimtarët”. 

 

Ali bin Ibrahimi në tefsirin e tij ka shkruar:

“Të zotët e dijes janë Imamët e Ehli Bejtit. Ata do të thonë armiqve të tyre: “Vërtet, sot turpi dhe e keqja i përfshiu jobesimtarët”. 

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 32

“Ata janë, të cilëve engjëjt do t’ua marrin shpirtin në mënyrë të bukur, duke u thënë: ‘Selamun alejkum’, hyni në xhenet, si shpërblim për atë që keni vepruar. 

 

Imam Zejnel Abidini i ka thënë djalit të tij Zejdit:

“Ata, të cilëve engjëjt do t’ua marrin shpirtrat e tyre në mënyrë të bukur, do të thirren në ditën e Kiametit. Kur të thirren, fytyrat e tyre do të jenë të bardha dhe do t’u thuhet atyre: ‘Kush jeni ju?’. Ata do të përgjigjen: ‘Ne jemi ata që e kanë dashur Urdhëruesin e Besimtarëve, Imam Aliun’. Atëherë, do t’u thuhet atyre: ‘Me çka e keni dashur Imam Aliun?’. Ata do të përgjigjen: ‘O Zoti ynë! E kemi dashur me nënshtrimin ndaj Teje dhe ndaj pejgamberit Tënd që e kemi pasur’. Atyre do t’u thuhet: ‘E keni thënë të vërtetën, hyni bashkë me të në Xhenet!”.

 

Tevili dhe tefsiri i ajeteve 38-40

“Ata u betuan në Allahun, me betimin e tyre të fortë: ‘Allahu nuk e ringjall atë që vdes!’ Jo, nuk është ashtu. Ky është premtim i Tij i prerë, por shumica e njerëzve nuk e dinë. I ringjall për t'ua sqaruar atyre atë për çka përçaheshin dhe, për t'ua bërë me dije atyre që nuk besuan se me të vërtetë ishin gënjeshtarë. Ne kur dëshirojmë një send vetëm i themi atij: ‘Bëhu!’, dhe ai menjëherë bëhet”. 

 

Njëri prej sahabeve e pyeti Imam Xhafer Sadikun në lidhje me këto ajete. Imami tha:

“Çka thua ti në lidhje me këto ajete?’. Ai iu përgjigj: ‘Idhujtarët iu betuan fortë Resulullahut (s.a.v.) se Allahu nuk e ringjall atë që ka vdekur’. Imami tha: ‘Allahu e shkatërroftë atë që e pranon këtë shpjegim! Pyeti ata që thonë kështu: A betohen idhujtarët me Allahun apo me Latin e Uzatin?’ Ai u përgjigj: “U flijoftë shpirti im për ty! Më trego të vërtetën e asaj që ka ndodhur”. Imami tha: 

‘Kur të paraqitet Mehdiu i ynë, Allahu do të dërgoj bashkë me të edhe një grup të shiitëve që këllëfët e shpatave do të jenë të vendosura në supet e tyre. Kjo gjendje do të jetë e qartë për shiitët tanë që do të jenë në jetë dhe ata do të thonë: ‘I vdekuri filan filani që ka vdekur dhe që gjendet në filan varrë është ringjallur dhe është dërguar bashkë me Mehdiun (a.s)’. Kur të dëgjojë këtë grupi i armiqve, do të na thotë: “O grupi i shiitëve! Sa gënjeshtarë që jeni! A është ky ai pushtet për të cilën keni gënjyer? Betohem në Allah se këta as nuk janë kthyer në jetë, as nuk do të kthehet në jetë ndonjëri prej tyre deri në ditën e Kiametit!’ Allahu i Madhëruar tregon për këta në këtë mënyrë: ‘Ata u betuan në Allahun, me betimin e tyre të fortë: ‘Allahu nuk e ringjall atë që vdes!’... Për t’i përgënjeshtruar ata, Allahu ka thënë: Jo, nuk është ashtu. Ky është premtim i Tij i prerë, por shumica e njerëzve nuk e dinë. Ata që nuk e dinë janë armiqtë e Ehli Bejtit.

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 43

 “Nëse nuk dini, pyetni të parët e përkujtimit (ziqr)”.  

 

Resulullahu (s.a.v.) ka thënë: “Unë jam përkujtimi (ziqri) ndërsa, të parët e përkujtimit janë Imamët e Ehli Bejtit”.

Imam Muhamed el-Bakiri ka thënë: “Ne, familja e Muhamedit (Al-i Muhamed) jemi të parët e përkujtimit”.

Imamit i kishin thënë: “Disa pretendojnë se të parët e përkujtimit janë Hebrenjtë dhe Krishterët, çka thoni për këtë?”. Imami u përgjigj: “Nëse do të ishte ashtu, atëherë ata po ju  bëjnë thirrje juve kah feja e hebrenjve dhe e krishterëve. Por, e vërteta është që ne jemi ata për të cilët është dhënë urdhër që të pyesin!”.

Sigurisht që myslimanët kanë nevojë që të pyesin ose të këshillohen me ndonjërin për çështjet e paqarta apo që nuk ua dinë zgjidhjet. Nëse myslimanët i pyesin hebrenjtë dhe krishterët dhe e marrën të vërtetën prej tyre, atëherë më e drejtë do të ishte që ta pranojmë fenë e tyre. Përndryshe, i Dërguari (s.a.v.) ka lënë amanet Ehli Bejtin e tij të pastër që ymmeti i tij të mund të strehohet dhe të këshillohet në çdo kohë. I Dërguari (s.a.v.) ka thënë: “O Ali! Ti do të zgjedhësh mosmarrëveshjet e ymmetit mbas meje”. Dhe, në një vend tjetër, ka thënë: “Padyshim që ata që e kundërshtojnë Ehli Bejtin janë prej grupit të shejtanit”. Nga pikëpamja e diturisë, irfanit, ahlakut dhe edebit nuk mund të gjendet asnjëri brenda dhe jashtë ymmetit që është i barabartë me Ehli Bejtin, mbas të Dërguarit (s.a.v.). Përkundër kësaj qartësie, nuk mund të kuptojmë se si këta dijetarë synnit nuk janë duke i marrë prej tyre dituritë por prej Katades, Myxhahidit, Ikrimes, Shabiut, Hasan Basriut, e të tjerëve. Sepse, qëndrimi i tyre është në kundërshtim me Kuranin dhe Hadithin.

 

Tevili dhe tefsiri i ajeteve 68-69

“Zoti yt i shpalli bletës: “Ndërto shtëpi nëpër male, nëpër drunj dhe nëpër shtëpiza që ata ndërtojnë...Nga barqet e tyre del lëng, ngjyra e të cilit është e ndryshme dhe në të cilin ka shërim për njerëz”.

 

Resulullahu ka thënë: 

“Aliu është bleta mbretëreshë e Beni Hashimit dhe i tërë besimtarëve!”.

Në një vend tjetër ka thënë: “Aliu është urdhëruesi i bletëve. Bletët janë Imamët e Ehli Bejtit, kështu Aliu është urdhëruesi i tyre”.

Imam Xhafer Sadiku ka thënë: “Allahu nuk i shpalli bletëve, por neve. Ne jemi bletët dhe ata që e mbajnë në këmbë urdhrin e Allahut mbi sipërfaqen e tokës. Malet janë shiitët tanë dhe drunjtë janë gratë besimtare”.

Allahu i Madhëruar ka marrë bletët si shembull të Imamëve të Ehli Bejtit. Sikur që del nga barqet e tyre mjalti që është shërim për njerëzit, edhe prej zemrave të Imamëve të Ehli Bejtit dalin dituria, irfani dhe urtësia për njerëzit. Kjo dituri e tyre ka shumë ngjyra njëjtë sikur që mjalti ka shumë ngjyra. Shërimi që e përmban mjalti është i ngjashëm me diturinë e Ehli Bejtit që është shërim për injorancën, verbërinë e zemrës dhe mashtrimin. Shiitët e Ehli Bejt janë krahasuar me malet sepse malet e sigurojnë baraspeshën e sipërfaqes së tokës. Njëkohësisht, pozita e lartë e shiitëve është krahasuar me lartësitë e maleve. Krahasimi i grave besimtare me drunjtë është bërë sepse kur ujiten drunjtë, degët e tyre lulëzojnë. Kur të bashkohen gruaja dhe burri besimtar, përmes ujitjes do të lulëzojnë fëmijët e tyre.

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 76

“Allahu sjell shembull me dy njerëz, njëri prej atyre dyve është memec që nuk ka aftësi për asgjë dhe vetë ai është barrë për kujdestarin e tij; kudo që ta dërgojë, ai nuk sjell ndonjë dobi. A është ai i barabartë me atë që udhëzon për drejtësi e edhe vetë është në rrugën e drejtë?”

 

Imam Muhamed el-Bakiri ka thënë: “Ai që është në rrugën e drejtë dhe që udhëzon me drejtësi është Urdhëruesi i Besimtarëve, Ali bin Ebi Talibi”. Memeci që përmendet në ajet, padyshim që është e kundërta e Imam Aliut”.

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 83

“Ata i njohin begatitë e Allahut dhe i injorojnë, e shumica e tyre janë jobesimtarë”

 

Imam Muhamed el-Bakiri ka thënë: “Resulullahu (s.a.v.) e kishte njoftuar çdonjërin me velajetin e Aliut dhe urdhëroi që të mbahen për të. Por, mbasi që ndërroi jetë i Dërguari (s.a.v.), ata e injoruan velajetin e Aliut”.

Imam Ali Zejnel Abidini ka thënë: “Begatia e Allahut është velajeti i Aliut. Më parë e njohën velajetin e tij dhe pastaj e injoruan”.

Këtu dëshirojmë që të qartësojmë edhe një herë se pozita e velajetit që përmendet këtu ka të bëjë me pozitën e kalifatit. Duhet që të vijë turp atyre që mundohen t’ua shpjegojnë myslimanëve se duhet treguar respekt e kënaqësi për ata që e kanë uzurpuar kalifatin. Imamët e Ehli Bejtit nuk i kanë aprovuar kurrë ata që e kanë uzurpuar vendin e Imam Aliut dhe kurrë nuk kanë qenë të kënaqur prej tyre. Për këtë arsye, Imamët e Ehli Bejtit nuk kanë qenë të popullarizuar në botën synnite, sepse në të kundërtën, vlera e diturisë së Ebu Hanifes nuk do të kishte asnjë vlerë pranë tyre. Arsyeja dihet.

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 84

“E ditën kur prej secilit ymmet sjellim nga një dëshmitar...”

 

Imam Xhafer Sadiku ka thënë: “Çdo kohë dhe çdo ymmet ka një Imam që është dëshmitar. Çdo ymmet do të ringjallet me Imamin e tij për të dhënë llogari”.

Në një vend tjetër, Imami ka thënë: 

“Në ditën e Kiametit, çdo ymmet do të ketë një Imam si dëshmitar”.

Askush të mos dyshojë në atë se ata imam do të jenë Imamët e Ehli Bejtit.

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 88

“Atyre që nuk besuan dhe penguan nga rruga e Allahut, u shtojmë dënim mbi dënim për shkak se bënin ngatërresa”.

 

Në tefsirin e Ali bin Ibrahimit shkruan: “Për ata që, mbas të Dërguarit (s.a.v.), kanë mohuar dhe që kanë bërë ngatërresa e intriga kundrejt Urdhëruesit të Besimtarëve, Aliut, do t’u shtohet dënimi mbi dënimin”.

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 89

“Atë ditë, kur nga secili popull do të sjellim dëshmitar kundër tyre, e ty të sjellim dëshmitarë për ata”. 

 

Në tefsirin e Ali bin Ibrahimit shkruan: “Resulullahu (s.a.v.) do të jetë dëshmitari i Imamëve të Ehli Bejtit dhe Imamët e Ehli Bejtit do të jenë dëshmitar për njerëzit”.

Resulullahu ka thënë: 

“O Ali! Unë dhe ti jemi dëshmia Allahut për këtë ymmet”

Hadithi është duke e vërtetuar tefsirin e ajetit të mëparshëm.

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 90

“Allahu urdhëron drejtësi, bamirësi, ndihmë të afërmve, e ndalon nga imoraliteti, nga e neveritura dhe dhuna. Ju këshillon ashtu që të merrni mësim”. 

 

Imam Muhamed el-Bakiri ka thënë: “Drejtësia është dëshmia se nuk ka Zot tjetër përveç Allahut. Bamirësia është velajeti i Urdhëruesit të Besimtarëve, Imam Aliut (a.s). Imoraliteti, neveria dhe dhuna që është ndaluar janë i pari, i dyti dhe i treti.

Në një vend tjetër, Imami ka thënë: “Drejtësia është dëshmia se ekzistojnë sinqeriteti dhe Muhamedi (s.a.v.). Bamirësia është velajeti i Urdhëruesi i Besimtarëve, Imam Aliut, dhe të Imamëve që vijnë prej pasardhësve të tij. Imoraliteti, neveria dhe dhuna e ndaluar janë uzurpuesit e të drejtave të Imamëve, vrasësit dhe ata që i kanë marrë të drejtat prej duarve të tyre”

Nëse e analizojmë rrëfimin e parë dhe të dytë, do të mund të kuptojmë se kush janë i pari, i dyti dhe i treti.

Në një vend tjetër, Imami ka thënë: “Drejtësia është Muhamedi (s.a.v.). Bamirësia është Ali bin Ebi Talibi (a.s) dhe të afërmit janë Fatimja dhe fëmijët e tij”.

 

Tevili dhe tefsiri i ajeteve 91-94

“Meqë keni premtuar, pra zbatojeni betimin e dhënë ndaj Allahut, e mos i prishni betimet pasi që i keni vërtetuar ato sepse, Allahun e keni bërë garantuesin tuaj. Vërtet, Allahu e di se çka punoni. Mos u bëni si ajo grua që e prish tjerrin e saj pasi ta ketë dredhur fort. Betimet tuaja po i bëni mjete mashtrimi në mes juve, për shkak se një ymmet është më i madh se tjetri. Allahu vetëm ju sprovon me këtë. Në ditën e gjykimit Ai gjithsesi do t'ua sqarojë atë gjë rreth të cilës kundërshtoheshit. Sikur të dëshironte Allahu, do t'ju bënte një ymmet. Por, Ai e lë të humbur atë që do, dhe e udhëzon atë që do. Patjetër që do të përgjigjeni për atë që vepruat. Mos i përdorni betimet tuaja për dredhi mes jush. Sepse, mund të rrëshqitni mbasi që të vendosni këmbët në një vend të sigurt. Ju mund ta shijoni të keqen për shkak se penguat nga rruga e Allahut. Ju do të keni dënim të madh”. 

 

Imam Xhafer Sadiku ka thënë: 

Resulullahu (s.a.v.) kishte dhënë urdhër që të jepet betimi Imam Aliut si Urdhëruesi i Besimtarëve. Ai u drejtua kah Ebu Bekri dhe tha: ‘Jepja betimin Aliut si Urdhëruesi i Besimtarëve!” Ebu Bekri tha: ‘A është ky urdhër nga Allahu apo nga pejgamberi?’ Resulullahu (s.a.v.) tha: ‘Nga Allahu dhe nga pejgamberi i Tij’. Pastaj, Resulullahu (s.a.v.) ia dha urdhrin e njëjtë edhe Ymerit dhe ai tha: A është ky urdhër nga Allahu apo nga pejgamberi?’ Resulullahu (s.a.v.) tha: ‘Nga Allahu dhe nga pejgamberi i Tij’. Pastaj, Resulullahu (s.a.v.) i tha Mikdadit: ‘Jepja betimin Aliut si Urdhëruesi i Besimtarëve’. Mikdadi pa hezituar fare u ngrit në këmbë dhe ia dha betimin. Pastaj, të njëjtën i tha edhe Ebu Zerrit dhe pa hezituar fare ai u ngrit në këmbë dhe e përshëndeti Imam Aliun si Urdhëruesi i Besimtarëve dhe ia dha betimin. Duke u larguar prej atij vendi Ymeri dhe Ebu Bekri i thanë njëri tjetrit: “Betohem në Allah se këtë që na e ke kërkuar nuk do t’ia japim kurrë Aliut!” Atëherë, Allahu i Madhëruar e shpalli këtë ajet: “Meqë keni premtuar, pra zbatojeni betimin e dhënë ndaj Allahut, e mos i prishni betimet (duke i folur ato fjalë) pasi që i keni vërtetuar ato sepse, Allahun e keni bërë garantuesin tuaj. Vërtet, Allahu e di se çka punoni. Mos u bëni si ajo grua që e prish tjerrin e saj pasi ta ketë dredhur fort. Betimet tuaja po i bëni mjete mashtrimi në mes juve sepse një shoqëri e një Imami është më e pastër dhe më i dëlirë sesa imamët e juaj”. Kur Imami e lexoi në këtë mënyrë ajetin e mësipërm, njëri prej sahabeve me emrin Zejd që ishte prezent aty tha: ‘Ne e lexojmë këtë ajet në këtë mënyrë: për shkak se një ymmet është më i madh se tjetri..” Imami tha: ‘Turp për ty o Zejd! Si mundet me qenë më i madh kur Allahu në vazhdimin e ajetit thotë: Allahu vetëm ju sprovon me këtë. Pra, ju sprovon me Aliun dhe: Në ditën e gjykimit Ai gjithsesi do t'ua sqarojë atë gjë rreth të cilës kundërshtoheshit. Sikur të dëshironte Allahu, do t'ju bënte një ymmet. Por, Ai e lë të humbur atë që do, dhe e udhëzon atë që do. Patjetër që do të përgjigjeni për atë që vepruat. Mos i përdorni betimet tuaja për dredhi mes jush. Sepse, (mbasi që ia keni dhënë betimin Aliut si Urdhëruesi i Besimtarëve) mund të rrëshqitni mbasi që të vendosni këmbët në një vend të sigurt (dhe pastaj të mbani fjalën e dhënë). Ju mund ta shijoni të keqen për shkak se penguat nga rruga e Allahut (rruga e Imam Aliut). Ju do të keni dënim të madh”.

Në një rrëfim tjetër thotë: 

“...ajo grua që e prish tjerrin e saj pasi ta ketë dredhur fort”  është Ajsha. Ajo e prishi imanin e saj mbasi që e kishte përforcuar.

Shpjegim: Përkundër të gjitha amaneteve të pejgamberit tonë, ajo luftoi kundër Imam Aliut duke qenë në krye të një turme të madhe të njerëzve. Imam Xhafer Sadiku këtë e cilëson si prishje të imanit.  Disa xhahilë mendojnë se kjo është një shpifje nga e atyre që janë të dashuruar te Ehli Bejti. Shenja e besimtarit është dashuria e tij ndaj Imam Aliut dhe këtë na e ka treguar i Dërguari (s.a.v.) në një hadith sahih. I Dërguari (s.a.v.) ka thënë: “Kush hyn në polemikë apo në luftë në lidhje me çështjen e kalifatit të Aliut, padyshim është bërë jobesimtar!” Ky hadith është përmendur edhe në disa libra të autorëve synnit. Këtu dëshirojmë që t’i përmendim edhe disa hadithe tjera që janë të pranuara si sahih nga ana e dijetarëve synnit dhe që do ta vërtetojnë këtë hadith të mësipërm. Pejgamberi (s.a.v.) ka thënë: “Mbas meje, Aliu është veliu juaj”. Qofshin ata sahabe apo jo, të gjithë duhet që t’i nënshtrohen velajetit të Imam Aliut. Mbasi që na është bërë e qartë kjo gjendje, sigurisht që lufta kundër Imam Aliut do të na jep përfundimin e prishjes së imanit. Këtë hadith e transmetojnë edhe shumë dijetarë synnit dhe emrat e disave të tyre janë: 

 

Tirmiziu, autori i Sahih-ut; 

Imami i mez-hebit hanbelit, imam Ahmed bin Hanbeli, në librin e tij “Musned”

Hakim en-Nishaburi në librin “Mustedrik”, 

Ebu Davud et-Tajalasi në librin “Müsned”, 

Ebu Nu’ajm el-Isfahani në librin “Hiljet-ul Evlija”, 

Autori i Sahih-ut Nesei në librin “Hasais”, 

Tabarani në librin “Evsat”, 

Hatib el-Bagdadi në librin “Tarih Bagdad”, 

Ibn Asakir në librin “Tarih Damashk”, 

Ibn-i Haxher në librin “El Isabe” 

 

Dëshirojmë që t’i përmendim emrat e disa librave burimor të autorëve synnit të cilët i përcjellin hadithet, që sipas kuptimit janë të ngjashëm me njëri tjetrin, dhe ku thuhet se Imam Aliu është caktuar nga ana e Pejgamberit (s.a.v.) tonë si imam dhe kalif mbas tij: Hakim en-Nishaburi, Tabarani, Ebu Ja’la, Bezzari, Ahmed bin Hanbeli, Ibn-i Haxheri, Dejlemi, Ibn Xherir et-Taberi, Ibn Is-haku, Ibn Ebi Hatimi, Ibn Marduvejhi, Ebu Nu’ajmi, Bejhaki, Hadib el-Bagdadi, Bagavi, Muttaki el-Hindi, Hejsemi, Muhib et-Tabari, Devlabi, si dhe në shumë libra tjerë të dijetarëve synnit.

Pejgamberi ynë, Muhamedi (s.a.v.) ka thënë: “Në mesin tuaj, Ehli Bejti im është sikur anija e Nuhut (a.s). Ka shpëtuar ai që hip në të dhe është fundosur ai që e kundërshton atë”. Të luftosh kundër të parit të Ehli Bejtit, Imam Aliut, do të thotë ta kundërshtosh anijen e Nuhut (a.s). A nuk e shpjegon Kurani mjaft qartë gjendjen e atyre që nuk kanë hipur në anijen e Nuhut (a.s)? A nuk janë shkatërruar dhe a nuk e kanë meritua Xhehenemin ata? Edhe ata që kanë luftuar kundër Imam Aliut, kushdo qofshin ata, kanë dalë nga imani dhe e kanë merituar Xhehenemin. Këtë nuk po e themi ne. Allahu i Madhëruar ka dashur kështu dhe pejgamberi e ka lënë amanet këtë. Ai nuk ka treguar ndonjë rrugë tjetër të shpëtimit përveç që ka lënë amanet anijen e Ehli Bejtit. Ne e dimë shumë mirë se, edhe sot e kësaj dite shumica e ymmetit janë duke kërkuar rrugë tjera të shpëtimit, sikur që ata të mëparshmit që kanë menduar se do të shpëtojnë nga fundosja nëse ikin në ndonjë mal apo hipin mbi ndonjë pemë. Por, realiteti është i tillë që edhe gruaja dhe djali i Nuhut (a.s) nuk i kishin besuar atij. Edhe pse ishin kaq të afërm me pejgamberin, nuk u ndihmoi atyre që të shpëtojnë. Mbrojtja e nënës tonë Ajshe, me arsyetimin se ishte shumë i afërm me pejgamberin, është e ngjashme me mbrojtjen e gruas së Nuhus (a.s). Disa prej dijetarëve synnit që e përmendin hadithin në librat e tyre janë: Ahmed bin Hanbeli, Hakim Nishaburi, Ibn Xherir et-Tabari, Bezzari, Tabarani, Ebu Nuajmi, Hatib el-Bagdadi, Sujuti, Ibn Ebi Shejbe, Ebu Sehl el-Kuttani, Ibn Marduvejhi, Ibn Suri, Ebu Is-hak es-Sa’alabi, Munavi, Muttaki el-Hindi, Hejsemi, Muhib et-Tabari…

Pejgamberi ka thënë: “Ali bin Ebi Talibi është sikur dera e hittas (shpëtimit). Kush hyn brenda asaj dere, do të bëhet besimtar dhe kush del jashtë saj, do të bëhet jobesimtar”. Njëri prej dijetarëve të respektuar synnit, Munavi, në librin e tij ‘Fajd-ul Kadir’ ka shkruar në lidhje me shpjegimin e këtij hadithi: 

“Sikur që Allahu i Madhëruar ka urdhëruar Beni Israilëve që të hyjnë kah dera e hittas të përulur e modest dhe që kjo do të bëhet arsyeja për faljen e tyre, ashtu edhe për këtë ymmet ka bërë dashurinë nda j Aliut shkakun e faljes së tyre, hyrjen në Xhenet dhe shpëtimin prej zjarrit të Xhehenemit dhe gjetjen e rrugës së drejtë, duke shkuar mbas rrugës në të cilës është duke shkuar ai. Dhe, dalja prej asaj dere do të thotë kundërshtimi i Aliut!”. 

Sikur që shkruar qartë edhe Munaviu, kundërshtimi i Imam Aliut do të thotë dalja nga rruga e drejtë. Atëherë, është shumë normale edhe prishja e imanit si rrjedhojë e kësaj. Disa prej dijetarëve synnit që e përmendin këtë hadith janë: Darakutni, Ibni Haxher el-Hejtemi, Munaviu, Tabarani, Muttaki el-Hindi, Hejsemi…

Tani dëshirojmë që t’i përmendim disa hadithe autentike që e mbështesin pohimin se kundërshtimi i Imam Aliut do të thotë padyshim kundërshtimi i të Dërguarit (s.a.v.). I Dërguari (s.a.v.) ka thënë:

“Aliu është zotëria e arabëve!”

“Aliu është zotëria e besimtarëve, urdhëruesi i besimtarëve, imami i të devotshmëve, lideri i atyre me duar e këmbë të pastra, i sinqerti më i madh dhe Faruku (ai që e ndan të vërtetën prej të pavërtetës) i këtij ymmeti dhe bleta mbretëreshë e fesë!”.

“Aliu është bashkë me të vërtetën dhe e vërteta është bashkë me Aliun.”

“Aliu është bashkë me Kuranin dhe Kurani është bashkë me Aliun.”

“Dashuria ndaj Aliut është prej shenjave të imanit dhe urrejtja ndaj Aliut është prej shenjave të dyfytyrësisë”.

“Ai që ia shkakton dhimbje Aliut, padyshim më ka shkaktuar dhimbje mua”.

“Ai që e ka braktisur Aliun padyshim më ka braktisur mua”.

“Ai që e armiqëson Aliun padyshim e ka armiqësuar Allahun”.

“O Ali! Mbas meje, ti do të qartësosh çështjet për të cilët ymmeti do të bie në mosmarrëveshje”.

“Ai që lufton kundër Aliut ka luftuar kundër meje. Ai që lufton kundër meje, ka luftuar kundër Allahut”.

Në shumicën e haditheve që janë në shkallën e sahihut, në të cilët i Dërguari (s.a.v.) i drejtohet ymmetit, kërkohet që të tregojmë nënshtrim ndaj Imam Aliut. Ymmeti nuk ka asnjë alternativë tjetër në këtë rast veçse të tregojë nënshtrim ndaj Imam Aliut. Këtu nuk është e drejtë as që të bëhet tevili. Tërë ymmeti, pa marrë parasysh kush është ai, duhet domosdo që t’i nënshtrohet Imam Aliut. Nëse i shikojmë luftërat që janë zhvilluar gjatë historisë islame kundër Imam Aliut, pa marrë parasysh shkakun, dhe nëse e krahasojmë me gjykimin e hadithit sahih, a mund të përfundojmë se kanë pasur të drejtë ata që kanë luftuar kundër tij? Ne mund të themi se çdokush që ka luftuar kundër Imam Aliut, padyshim e ka kundërshtuar të Dërguarin (s.a.v.) dhe kështu ka dalë edhe nga imani. Kjo fjalë nuk është një fjalë e pabesimit, kjo është një këshillë më e vlefshme për ata që dëshirojnë që të kuptojnë.

 

Me ndihmën e Allahut po e përfundojmë suren Nahl. Falënderimet e pafundme qofshin për Allahun. Paqja dhe selami i Allahut qoftë mbi Resulin Muhamed dhe mbi Ehli Bejtin e tij të pastër. Kënaqësia e Allahut qoftë edhe mbi ata që i nënshtrohen rrugës së tyre drejtë.