Sureja Hixhr 

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 41

“Ai tha: “Kjo është rruga Ime e drejtë”. 

 

Një ditë, Ymer bin Hattabi e pyeti Resulullahun (s.a.v.): “Për Ali bin Ebi Talibin gjithmonë ke thënë: Pozita e Aliut afër meje është sikur pozita e Harunit afër Musës, por Haruni përmendet në Kuran ndërsa Aliu nuk përmendet në asnjë vend”. I Dërguari (s.a.v.) tha: “O beduin i sertë! A nuk e ke dëgjuar fjalën e Allahut, ku thotë: “Ky Aliu është rruga ime e drejtë?

Imam Xhafer Sadiku ka thënë: “Betohem në Allah se rruga e drejtë është Aliu. Mizani (peshorja) dhe sirati (rruga e drejtë) është Aliu!”

Imam Muhamed el-Bakiri ka thënë: “Rruga të cilën ka urdhëruar Allahu është rruga e drejtë, Urdhëruesi i Besimtarëve, Ali bin Ebi Talibi”.

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 42

“Është e sigurt se ti nuk ke kurrfarë ndikimi ndaj robërve të Mijë, përveç atyre të humburve që vijnë pas teje”.

 

Në këtë ajet i është drejtuar shejtanit të mallkuar. 

Imam Xhafer Sadiku ka thënë: “Kur Allahu i Madhëruar i ka përmendur shiitët në Kuran, Ai ka thënë: Shejtani nuk do të ketë kurrfarë ndikimi ndaj tyre! Betohem në Allah se personat për të cilët bëhet fjalë në këtë ajet janë Imamët e Ehli Bejtit dhe shiitët”.

Ndikimi i shejtanit ka qenë gjithmonë mbi ata që nuk e kanë pranuar velajetin e Imamëve të Ehli Bejtit dhe kështu do të vazhdojë deri në ditën e Kiametit. Ehli Bejti është vendi i sigurisë së këtij ymmeti. Ata që strehohen në kalanë e tyre janë sikur ata që janë strehuar në kalanë e Allahut.

 

Tevili dhe tefsiri i ajeteve 45-47

“E ata, të cilët janë ruajtur janë në Xhenete dhe në mes burimeve. Hyni në to, të shpëtuar e të siguruar. Ne kemi hequr prej zemrave të tyre çfarëdo urrejtje. Ata do të qëndrojnë në mbështetëse përballë njëri tjetrit, të vëllazëruar ”. 

 

Imam Aliu e kishte pyetur të dërguarin, Muhamedin (s.a.v.): “O Resulullah! Kush është më i dashur për ty? Unë apo vajza jote Fatimja?” Resulullahu (s.a.v.) u përgjigj: “Fatimja është më e dashur për mua por ti je më i lartësuar se ajo. Sikur jam duke të parë ty afër burimit të Kevtherit duke i larguar mynafikët prej burimit të ujit. Përreth Kevtherit ka gota të shumtë, numri i të cilëve është sa numri i yjeve që shihen në qiellin e kësaj bote. Ti, Hasani, Hysejni dhe Hamza do të qëndroni të mbështetur në Xhenete përballë njëri tjetrit si vëllezër. Ti dhe ithtarët e tu do të jeni bashkë me mua. Ne kemi hequr prej zemrave të tyre çfarëdo urrejtje. Ata do të qëndrojnë në mbështetëse përballë njëri tjetrit, të vëllazëruar ”.

I Dërguari (s.a.v.) ka thënë: “Ti je vëllai im në dynja dhe në ahiret. Pozita jote pranë pozitës sime është sikur pozita e Harunit pranë pozitës së Musës, vetëm që mbas meje më nuk do të ketë pejgamber. Ti do të jesh bashkë me mua në pallatin tim në Xhenet bashkë me vajzën time Fatimen. Ata do të qëndrojnë në mbështetëse përballë njëri tjetrit, të vëllazëruar ”.

Imam Xhafer Sadiku ka thënë: 

“Çdo gjë e ka esencën e vet. Ne jemi esenca e djemve të Ademit dhe mbas neve vijnë ithtarët (shiitët) tanë. Sa të afërm janë ithtarët tanë Fronit të Allahut dhe gjërave të bukura që i ka falur Allahu në ditën e Kiametit. Betohem në Allah se sikur të mos u vinte rëndë njerëzve, engjëjt do të jepnin përshëndetje ithtarëve tanë. Betohem në Allah se për çdo shkronjë të Kuranit që ithtarët tanë do të lexojnë brenda namazit do të fitojë njëqind të mira. Për çdo shkronjë të Kuranit që do ta lexojë gjatë uljes do të fitojnë pesëdhjetë të mira dhe për çdo shkronjë të Kuranit që do të lexojë jashtë namazit do të fitojë dhjetë të mira. Ithtarët tanë që heshtin do të fitojnë më shumë shpërblime sesa ata që e lexojnë tërë Kuranin dhe që na kundërshtojnë neve. Për ithtarët tanë, Allahu i Madhëruar ka thënë: Ne kemi hequr prej zemrave të tyre çfarëdo urrejtje. Ata do të qëndrojnë në mbështetëse përballë njëri tjetrit”. Ithtarët tanë i kanë katër sy: Dy në kokë dhe dy në zemër. Të gjithë njerëzit i kanë katër sy por, Allahu i Madhëruar ia ka hapur sytë e ithtarëve tanë dhe të tjerët i ka verbëruar”.

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 72

“Pasha jetën tënde, s'ka dyshim se ata ishin të humbur në dehjen e tyre”. 

 

Sylejman al-Ameshi rrëfen: 

“Kisha shkuar për haxh në Meke. Para se të mbërrija te Bejtullahu e pashë një grua të verbër duke e bërë këtë lutje: ‘O Allah! Për hakun e Muhamedit dhe të Ehli Bejtit kthema shikimin tim’. U habita me lutjen e kësaj gruaje dhe i thashë asaj: ‘Çfarë haku kanë Muhamedi dhe Ehli Bejti i tij? Haku i Allahut është mbi ata’. Gruaja më tha: ‘O burrë ahmak! Betohem në Allah që pa u lutur për hakun e tyre Allahu nuk do të jetë i kënaqur. Sikur të mos kishin ata ndonjë hak, Allahu nuk do të betohej me pejgamberin e Tij’. E pyeta: ‘Në cilin vend është betuar?’. Ajo më tha: ‘Me këtë ajet: Pasha jetën tënde’. U largova nga gruaja dhe e vazhdova rrugën. Mbasi që e kisha kryer haxhin, duke u kthyer e pashë atë grua në vendin e njëjtë. A afrova dhe e pashë se shikimi i saj ishte kthyer. Gruaja bërtiste me zë të lartë: ‘O njerëz! Dashuroni Aliun, sepse dashuria e tij do t’ju shpëtojë nga xhehenemi!’ Ia dhashë përshëndetjen dhe e pyeta: ‘A ishe ti ajo që u lut për shikimin e syve përmes hakut të Muhamedit dhe të Ehli Bejtit të tij’. Gruaja tha: ‘Po, unë jam ajo’. I thashë: ‘Më trego se si u bë kjo’. Ajo filloi që të tregojë se si e kishte fituar shikimin mbrapa: ‘Sapo u largove ti prej meje, m’u afrua një burrë dhe më tha: ‘Sikur të kishe parë Muhamedin dhe Ehli Bejtin e tij, a do t’i kishe njohur ata?’ Unë iu përgjigja: ‘Jo, por do t’i kisha njohur përmes argumenteve që na kanë ardhur neve’. Duke biseduar me këtë burrë, u afrua edhe një burrë tjetër dhe e pyeti të parin: ‘Për çka je duke biseduar me këtë grua?’. Burri i parë i tha të dytit: ‘Kjo grua është duke kërkuar nga Zoti i saj që t’ia kthejë mbrapa shikimin për hakun e Muhamedit dhe të Ehli Bejtit të tij. Sikur të kishe kërkuar edhe ti këtë’. Burri i dytë e kërkoi këtë nga Zoti i tij dhe i preki sytë e mijë me dorën e tij. Mbas kësaj, sytë e mijë filluan që të shohin dhe i pyeta ata që qëndronin përpara meje: ‘Kush jeni ju’. Burri i parë tha: ‘Unë jam Muhamedi dhe ky është Aliu. Allahu të ka kthyer shikimin. Tani ulu në këtë vend dhe thuaju njerëzve që janë duke u kthyer nga haxhi: Dashuria ndaj Aliut do t’i shpëtojë ata nga zjarri”.

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 75

“Në këtë vërtet ka argumente për ata që mund të shohin”. 

 

Imam Muhamed el-Bakiri ka thënë: Ata që mund të shohin janë Imamët e Ehli Bejtit. Në lidhje me këtë, Resulullahu (s.a.v.) ka thënë: “Ruajuni nga feraseti (shikimi) i besimtarit, sepse ai shikon me dritën e Allahut”.

Një ditë Imam Aliu ishte i zënë me çështjet e njerëzve kur para tij erdhi një grua që ankohej prej burrit të saj. Mbasi që e dëgjoi atë grua dhe burrin e tij, ai gjykoi në dobi të burrit. Gruaja u zemërua nga ky gjykim dhe tha: “Betohem në Allah se vendimin që e ke dhënë nuk është i drejtë. Ti nuk je duke gjykuar në mënyrë të paanshme në mesin e njerëzve dhe nuk ka kënaqësi të Allahut në vendimet që je duke i dhënë!” Imam Aliu e shikoi për një çast atë grua dhe tha: “Ke gënjyer o grua e shëmtuar dhe o grua që menstruacioni yt nuk të vjen nga vendi nga i cili vjen menstruacioni i grave!” Sapo e dëgjoi këtë, gruaja filloi që të ikë dhe duke u larguar tha: “Mjerë për mua! Fshehtësinë time e ke treguar publikisht, o djali i Ebu Talibit!” Këtë e dëgjoi njëri prej armiqve të Imam Aliut me emrin Amr bin Haris dhe shkoi mbrapa asaj gruaje. Kur e arriti atë, tha: “Së pari ke folur disa fjalë për Imam Aliun, disa fjalë që më gëzuan mua, por pastaj u largove!” Gruaja tha: “Betohem në Allah se Aliu më tregoi një gjë të drejtë që edhe burri im nuk është ende i informuar për këtë prej se jemi martuar”. Amri u nda prej kësaj gruaje dhe u kthye te Imami, duke i thënë: “O Urdhëruesi i Besimtarëve! Nuk e kemi ditur se ti qenke parashikues!” Urdhëruesi i Besimtarëve tha: “Mjerë për gjendjen tënde! Ajo që pashë nuk ishte parashikim. Allahu i ka krijuar shpirtrat njëmijë vjet para trupave. Në mes të dy syve ka shkruar besimtar ose jobesimtar si dhe më të voglin fatkeqësi që do t’i godas ata. Në lidhje me këtë, Allahu i Madhëruar ka thënë në Kuran: “Në këtë vërtet ka argumente për ata që mund të shohin”. Resulullahu (s.a.v.) ka mundur të shohë në kohën e tij. Unë dhe Imamët që do të vijnë mbas meje mund të shohim. Kur u afrua ajo grua, unë e shikova dhe kuptova se çka kishte ndodhur në realitet”.

Urdhëruesi i Besimtarëve, Imam Aliu, e kishte parë me dritën e Allahut gjendjen e fshehtë të gruas.

Imam Xhafer Sadiku kishte shkuar në haxh bashkë me sahabet e tij. Rrugës duke shkuar, Imami kishte hipur mbi një kodër dhe duke i shikuar njerëzit që shkonin për në haxh, tha: “Jam duke parë më shumë kërkues (duke bërë lutje) sesa haxhinj”. Njëri prej sahabeve e pyeti: “O djali i Resulullahut! A do të pranohen lutjet e tyre”. Imami iu përgjigj: “Turp për ty! Allahu nuk e fal idhujtarinë! Ata që nuk e pranojnë velajetin e Aliut janë sikur ata që i adhurojnë idhujt”. Ai sahabe tha: “Shpirti im u flijoftë për ty, a i njihni ata që ju duan dhe ata që ju urrejnë vetëm duke i shikuar ata?” Imami iu përgjigj: “Turp për ty! Çdo rob kur të lind, në mes të dy syve të tij shkruan besimtar ose qafir. Në lidhje me këtë Allahu ka thënë: “Në këtë vërtet ka argumente për ata që mund të shohin”. Ne e njohim mikun apo armikun tonë vetëm duke i shikuar ata”.

Një person e kishte pyetur Imam Xhafer Sadikun: “O djali i Resulullahut! Kam një pyetje për të pyetur”. Imami i tha: “Sikur të kisha dashur, unë do të isha përgjigjur ty pa më parashtruar pyetjen. Por, nëse do mund të më pyesësh”. Ai person tha: “O djali i Resulullahut! Si mund të dish diçka që është në brendësinë time?”. Imami tha: “Përmes ferasetit që na është dhënë neve. A nuk ke dëgjuar se Allahu i Madhëruar ka thënë: “Në këtë vërtet ka argumente për ata që mund të shohin”. Si dhe, i Dërguari (s.a.v.) që ka thënë: “Ruajuni nga feraseti i besimtarëve, sepse ai shikon me dritën e Allahut”. Ai person tha: “O djali i Resulullahut! Më trego për atë se çka kam dashur me të pyetur”. Imami tha: “Pyetja jote ishte kjo: Pse Ali bin Ebi Talibi nuk ka mundur ta bartë Resulullahun (s.a.v.) mbi supet e tij kur deshi t’i thyej idhujt mbi Qabe”. Me të vërtetë kjo ishte pyetja e atij personi.

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 87

“Ne të kemi dhënë ty shtatë që përsëriten dhe këtë Kuran të madhëruar”.

 

Imam Muhamed el-Bakiri ka thënë: Ne jemi ato shtatë ajete që u janë dhënë pejgamberit. Ne jemi fytyra e Allahut. Ne sillemi në mesin tuaj. Ata që na njohin e dinë kush jemi ne dhe do ta shohin përpara atë që është e qartë, ndërsa ata që nuk na njohin do ta shohin përpara Xhehenemin”.

Në një vend tjetër, Imami ka thënë:

“Shtatë që përsëriten jemi ne, Imamët e Ehli Bejtit, që imameti përsëritet te ne prej djalit tim te djali i tij. Ndërsa Kurani i Madhëruar është Ali bin Ebi Talibi”.

 

Me ndihmën e Allahut po e përfundojmë suren Hixhr.