Sureja Jusuf

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 38

“Unë e ndoqa fenë e prindërve të mijë; Ibrahimit, Is'hakut dhe Jakubit”

 

Mbasi që u godit Imam Aliu dhe ishte shtrirë i plagosur, Imam Hasani hipi në mimber dhe mbasi që e falënderoi Allahun, tha:

“Këtë natë është goditur njëri që asnjëri para tij nuk ka mundur që ta kalojë në dituri dhe asnjëri mbas tij nuk mund ta arrijë atë me vepra! Ata që më njohin, e dinë se kush jam unë, ndërsa ata që nuk më njohin, le ta dinë se unë jam djali i Muhamedit (s.a.v.)! Ashtu sikur që ka thënë Jusufi: “Unë e ndoqa fenë e prindërve të mijë; Ibrahimit, Is'hakut dhe Jakubit”, ashtu po ju them edhe unë. Sepse, kur në Kuran shkruan gjysh, me të nënkuptohet babai. Unë jam djali i atij që është Beshir (përgëzues); unë jam djali i atij që të frikëson me dënimin e Allahut; unë jam djali i atij që bën thirrje, me lejen e Allahut; unë jam djali i kandilit që shpërndan dritë; unë jam djali i atij që është dërguar si mëshirë; unë jam prej atij Ehli Bejti që Allahu i ka larguar të gjitha papastërtitë; ne jemi prej atij Ehli Bejti që Xhebraili (a.s) zbriste te na dhe prej neve ngrihej në qiell; ne jemi prej atij Ehli Bejti që dashurinë dhe nënshtrimin ndaj neve ju ka bërë obligim, duke thënë: Thuaj: “Unë nuk kërkoj prej jush ndonjë shpërblim për thirrjen time, prej juve kërkoj vetëm respektin dhe dashurinë për të afërmit e mijë. Kush bën ndonjë vepër të mirë e të bukur, Ne ia shumëfishojmë të mirat” (Shura, 23). Dijeni që vepra e mirë dhe e bukur është hyrja në velajetin tonë të Ehli Bejtit dhe dashuria ndaj neve”.

Nipat e të Dërguarit (s.a.v.), Imam Hasani dhe Imam Hysejni, zotëronin virtyte të veçanta. Kjo për arsye se i Dërguari (s.a.v.) sillej me ata sikur të ishin fëmijët e tij. I Dërguari (s.a.v.) ka thënë shumë herë se pasardhësit e tij do të vazhdojnë prej tyre. Kjo është fshehtësia e Imamëve të Ehli Bejtit, që janë shembulli i sjelljes dhe moralit. Esenca e tyre është burimi i urtësisë dhe i profecisë. Imam Hasani po e njofton veten si djali i të Dërguarit (s.a.v.) në këtë fjalim. Njëjtë sikur Hz Isa (a.s) që lidhet me të dërguarit tjerë përmes nënës së tij.

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 76

“Ne e lartësojmë atë që duam dhe mbi çdo dijetar ka një dijetar më të dijshëm”.

 

Një ditë, Resulullahu (s.a.v.) ndodhej në shtëpinë e Ummu Selems dhe Xhebraili (a.s) zbriti e tha: “Engjëjt janë duke polemizuar në lidhje me një çështje në katin e katërt të qiellit. Mosmarrëveshja e tyre zgjati aq shumë sa që Allahu ua shpalli atyre: ‘Polemika e juaj zgjati shumë. Zgjidheni këtë çështje përmes njërit prej djemve të Ademit!’. Engjëjt thanë: ‘Ne pajtohemi që të na gjykojë njëri prej ymmetit të Muhamedit (s.a.v.)’. Allahu ua shpalli atyre: Me cilin prej ymmetit të Muhamedit jeni të kënaqur?’. Engjëjt thanë: ‘Ne jemi të kënaqur me Ali bin Ebi Talibin’. Për këtë arsye, Allahu e zbriti një engjëll nga qielli në tepihun e të Dërguarit (s.a.v.). I Dërguari (s.a.v.) e thirri Aliun dhe e uli mbi tepih, ia futi në gojë pështymën e tij të bekuar dhe tha: ‘O Ali! Allahu të forcoftë zemrën dhe të faltë dëshminë në mes dy syve!’ Pastaj, engjëlli u lartësua bashkë me të në qiell. Mbas një kohe, ai engjëll u kthye mbrapa dhe i tha Resulullahut (s.a.v.): ‘O Muhamed! Allahu të përshëndet dhe të thotë: “Ne e lartësojmë atë që duam dhe mbi çdo dijetar ka një dijetar më të dijshëm”.

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 106

“Dhe shumica e tyre nuk e besojnë Allahun, vetëm se duke i shoqëruar me zota të tjerë”.

 

Njëri prej sahabeve të mëdhenj, Ebu Zerri, rrëfen: “Një ditë ishim duke shëtitur me të Dërguarin (s.a.v.) në periferinë e Medines dhe ai na tha: ‘Betohem në Atë, në dorën e të cilit është jeta ime, njëri prej juve do të luftojë për tevilin e Kuranit njëjtë sikur që kam luftuar unë për zbritjen e tij. Kur të luftojë ai për tevilin e Kuranit, kundër tij do të luftojnë ata që do të dëshmojnë se nuk Zot tjetër përveç Allahut. Në lidhje me këta është thënë: “Dhe shumica e tyre nuk e besojnë Allahun, vetëm se duke i shoqëruar me zota të tjerë”. Vrasja e tyre do të vijë aq rëndë njerëzve, sa që do të kundërshtojnë për t’u nënshtruar të afërmit të Allahut (Imam Aliut). Njëjtë, sikur që Musa (a.s) nuk ishte i kënaqur me veprimet e Hëzërit (a.s), edhe ata nuk do të jenë të kënaqur me veprimet e Aliut. Por, Allahu kishte treguar kënaqësi për veprimet e Hëzërit (a.s), njëjtë sikur që po tregon kënaqësi për veprimet e Aliut”.

 Shpjegim: “Edhe sot e kësaj dite, synnitët, që e përfaqësojnë shumicën e myslimanëve , nuk janë duke e kuptuar se luftërat e Imam Aliut e përfaqësonin anën e drejtë. Ata nuk dëshirojnë t’i shohin si qafirë ata që nga pamja e jashtme dukeshin si mysliman, sepse numri i tyre ishte i madh. Nuk është e mjaftueshme vetëm shqiptimi i fjalës së tevhidit nga ana e tyre për ta shprehur imanin e tyre. Këtë e dinin Allahu dhe i dërguari i Tij dhe për këtë arsye ata kanë bërë të ditur se lufta që do të zhvillohet brenda ymmetit do të jetë në mes të vërtetës dhe të pavërtetës. Sikur që i Dërguari (s.a.v.) ka thënë se e vërteta do të jetë gjithnjë në anën e Imam Aliut ashtu edhe Musës (a.s) i ka ardhur rëndë e vërteta dhe urtësia e treguar nga e Hëzërit (a.s). Se ky ymmet do të kalojë nëpër sprova të vështira, prapë na ka bërë të ditur i Dërguari (s.a.v.). Njëra prej sprovave më të vështira ishte Imam Aliu dhe ata që kanë luftuar kundër tij. Në njërën anë është e vërteta ndërsa në anën tjetër është e pavërteta. Nuk është e mundur që të mbahen e dashurohen të dy anët njëjtë. Këtu imani do ta tregojë veten në mënyrë të zhveshur. Më nuk ka nevojë që të mendojmë aq shumë se shenja e imanit është dashuria ndaj Imam Aliut, sepse kjo është bërë më se e qartë.

 

Tevili dhe tefsiri i ajetit 108

“Thuaj: Kjo është rruga ime. Ju bëjë thirrje te Allahu përmes mendjemprehtësisë; unë dhe ata që më pasojnë e mbajmë larg prej të metave Allahun”

 

Resulullahu (s.a.v.) ka thënë: “Ata që më pasojnë janë Ehli Bejti im. Çdonjëri prej tyre do të bëjë thirrje në atë që kam bërë thirrje unë”

Imam Muhamed Bakiri ka thënë: “Nëse ky ajet nuk ka zbritur për hakun e Urdhëruesit të Besimtarëve, Aliut, mos u realizoftë ndërmjetësimi i gjyshit tim (Resulullahut). Me ata që më pasojnë në ajet nënkuptohet Urdhëruesi i Besimtarëve, Aliu”.

Pronarët e kësaj thirrjeje padyshim që janë Imamët e Ehli Bejtit. Këtë na e ka vërtetuar i Dërguari (s.a.v.) në një hadith sahih: ‘Mbas meje kalifët janë dymbëdhjetë dhe të gjithë janë prej Kurejshëve!’ Dijetarët e synnitëve, si Ibn Kethiri e të ngjashëm, janë munduar që kalifatin ta përshtatin rrjedhës së historisë. Ata i kanë përfshirë në këto dymbëdhjetë persona ata që i kanë dashur vetë, qofshin ata qafirë apo mëkatar, si p.sh Jezidi dhe Mervani. E vërteta është e qartë sikur dielli. Imamët e Ehli Bejtit janë dymbëdhjetë dhe të gjithë janë prej Kurejshëve. Premtimi i Allahut është se Imameti nuk do të arrijë te zullumqarët. Jezidi, Mervani e të ngjashëm janë zullumqar dhe të pamëshirshëm. Këta nuk janë të denjë për Imam dhe si dëshmi e kësaj mjafton që ta përmendim errësirën në të cilën ka rënë ymmetit.

 

Me ndihmën e Allahut, kjo sure përfundon këtu. Paqja dhe përshëndetja e Allahut qoftë mbi Muhamedin dhe Ehli Bejtin e tij të pastër.