Ajeti i pastrimit

 

 

Ajeti i pastrimit (āje et-tat’hīr) është një nga provat tekstuale për papërlyeshmërinë e Ehl ul-Bejtit, i cili ua dëshmon pastërtinë e plotë dhe pozitën unike: Allahu dëshiron të largojë të gjithë ndytësinë (e mëkateve) nga ju, o Ehl ul-Bejt, dhe t’ju pastrojë me një pastrim të skajshëm. (33:33).

 

      Fjala rixhs në këtë ajet, e përkthyer si ‘ndytësi’, në gjuhën arabe ka kuptimin e papastërtisë, qoftë të jashtme apo të brendshme, ku kjo e fundit është sinonim i mëkatit. Fjala rixhs është përdorur në Kur’an me të dyja kuptimet. Papastërtia e jashtme është ajo që nënkuptohet në ajetin: Cofëtira, gjaku i derdhur dhe mishi i derrit - janë të gjitha ndytësi. (6:145). Përkundrazi, është papastërtia e brendshme ajo që nënkuptohet në ajetin:

 

E sa u përket atyre që kanë sëmundje në zemrat e tyre, ajo (zbritja e sures) ndytësisë së tyre u shton ndytësi dhe ata vdesin si jobesimtarë. (9:125).

 

 

 

       Në ajetin ku flitet për heqjen e ndytësisë dhe papastërtisë nga Ehl ul-Bejti, fjala rixhs s’mund të interpretohet si referim ndaj papastërtisë së jashtme, pasi tërë muslimanëve u kërkohet t’i heqin papastërtitë trupore si obligim fetar; kjo pra, s’është diçka që vlen ekskluzivisht për Ehl-i Bejtin, ndërkohë që ajeti e tregon qartë dhënien e një merite të veçantë atyre nga Allahu. Për më tepër, shmangia e ndytësisë dhe papastërtisë nuk numërohet si virtyt që sipas Kur’anit karakterizon një grup të veçantë njerëzish. Për pasojë, që ajeti të jetë i kuptueshëm, fjala rixhs duhet të merret në kuptimin e ndotjes së brendshme të shpirtit.

 

 

 

       Dëshira dhe qëllimi i Allahut për ta larguar tërë ndytësinë nga Ehl ul-Bejti është në suazën e tërë skemës së krijimit, në atë që Allahu dëshiroi që, brenda rendit të Tij, pjesëtarët e asaj Shtëpie të jenë të çliruar nga çdo papapastërti dhe të stolisur me papërlyerje. Po t’ia referonim dëshirën e Allahut çështjeve të ligjit dhe dispozitave të tij, kuptimi do të ishte se në sferën ligjore ata nuk do të kryenin shkelje apo ta përlyenin veten. Është e qartë se një kuptim i tillë do të ishte i papranueshëm, sepse shmangia e mëkatit dhe heqja e të papastrës është një obligim fetar universal, imponimi i të cilit nuk i jep nder apo status të posaçëm askujt. Ai mesiguri nuk do ta bënte Profetin (s) t’i përvishej veprimit të paprecedent të mbledhjes së anëtarëve të Ehl ul-Bjetit të tij pas dyerve të mbyllura, e t’u hidhte atyre një mbulojë (kisa’) përsipër.

 

 

 

      Shpallja e ‘ajetit të pastrimit’ fitoi vëmendje të madhe në kohën e Profetit (s) mes shokëve të tij, dhe grupi i përzgjedhur të cilëve u drejtohej ky ajet dhe shenjtëria e pastërtia e të cilëve u bë diçka e pranuar nga të gjithë, u bënë të njohur si ‘njerëzit e mbulojës’ (ehl ul-kisa’). Saherë që anëtarët e Ehl ul-Bejtit e shihnin të nevojshme ta theksonin rangun e tyre të veçantë shpirtëror, ata i referoheshin me krenari këtij ajeti.

 

Për shembull, Imam ‘Alīu iu referua atij gjatë rastit të Fedekut, apo konsultimit për zgjedhjen e khalīfit, pas vdekjes së ‘Umerit. Prijësi i Besimtarëve shtroi këtë argument:

 

 

 

“A është shpallur për ndonjërin prej jush ajeti i pastrimit?” Kur ata thanë ‘jo’, ai vazhdoi: “Anëtarët e Ehl ul-Bejtit janë të mbuluar me virtyte të shumta, sepse Kur’ani thotë: {Allahu dëshiron ta largojë tërë ndytësinë e mëkateve nga ju, o Ehl ul-Bejt, dhe t’ju pastrojë deri në skaj}. Allahu pra e ka larguar nga ne tërë ndytësinë, të jashtme e të brendshme, dhe na ka fiksuar në rrugën e së vërtetës dhe së drejtës.” (Gājet ul-Merām, f. 295)

 

 

 

       Po i referohemi ngjarjeve të shpalljes së ‘ajetit të pastrimit’ nga disa prej burimeve më autentike të dijetarëve sunni.   

 

       

 

       Sejjid Ebū Bekr Shihabuddīn el-Shāfi‘ī transmeton në veprën e tij Kitāb Rushfet us-Sa’di min Bahr ul-Fadā’il Benī Nebī el-Hadī (Dārul-Ilmije, Egjipt, 1303 H) Kr. I, f. 14-19, nga Tirmidhīu, Hākimi, Ibn Xherīri, Ibn Mundhīri, Ibn Mardawejhi, Bejhekīu, Ibn Ebī Hātimi, Taberānīu, Ahmedi, Ibn Kethīri, Muslimi, Ibn Ebī Shejbe e Samhudīu, se ky ajet u shpall për pesë personat nën pelerinë: të Dërguarin e Allahut (s), Hazreti Fātimenë, Imam ‘Alīun, Imam Hasanin e Imam Huseinin.

 

 

 

      Shumë transmetues kanë regjistruar ngjarjen e harrīre-s*. Mes tyre, Imam Tha‘lebīu në Tefsīr, Imam Ahmedi në Musned dhe Ibn Athīri në Xhāmi ul-Usūl, duke cituar nga Sahīh-u i Tirmidhīut (shih më poshtë) dhe i Muslimit, transmetojnë nga gruaja e Profetit (s), Ummi Seleme se:

 

 

 

“I Dërguari i Allahut (s) ishte në shtëpinë time kur Fātimeja i solli një pjatë harrīre. Në atë çast ai ishte ulur në verandën e tij ku zakonisht flinte. Ai kishte një pelerinë Khajberi nën këmbë. Unë po falesha në dhomën time. Profeti (s) i tha Fātimesë të thërriste burrin e djemtë e saj. Pas pak, ‘Alīu, Hasani dhe Huseini erdhën brenda dhe hëngrën harrīren. Xhibra’īli erdhi e i shpalli Profetit ajetin: Allahu dëshiron të largojë të gjithë ndytësinë (e mëkateve) nga ju, O Ehl ul-Bejt, e t’ju pastrojë me një pastrim të skajshëm (33:33). Atëherë, i Dërguari i Allahut (s) i mbuloi të gjithë me pelerinën e tij, ngriti duart nga qielli, dhe tha: ‘O Allah, këta janë Ehl ul-Bejti im. Largoje çdo papastërti nga ata, e pastroji me një pastrim të përkryer.’ Ummi Seleme thotë se ajo lëvizi përpara e deshi të hynte nën pelerinë duke thënë: ‘O i Dërguari i Allahut, a të vij dhe unë?’ Profeti (s) u përgjigj: ‘Jo, qëndro në vendin tënd, ti je në të mirë’.”

 

 

 

       Fakhr ed-Dīn Rāzīu shton në Tefsīr ul-Kebīr, se Profeti (s) tha:

 

 

 

“Ju janë hequr të gjitha mëkatet” e “Ju janë dhënë mbulojet e bekimeve.”

 

 

 

       Hazreti ‘Āisheja thotë:

 

“Një mëngjes, i Dërguari i Allahut (s) doli nga shtëpia e tij i mbuluar me një mbulojë (kisa’) leshi të zi. Pas pak hyri Hasani, dhe Profeti e futi nën mbulojë. Pastaj erdhi Huseini i cili u fut aty. Më pas erdhi Fātimeja dhe ai e mori edhe atë nën mbulojë. Pastaj erdhi ‘Alīu dhe u fut nën mbulojë, dhe atë çast i Dërguari (s) recitoi: Allahu dëshiron që të largojë të gjithë ndytësinë (e mëkateve) nga ju, o Ehl ul-Bejt, dhe t’ju pastrojë me një pastrim të plotë”.

 

 

 

Kjo përcillet në Sahīh Muslim: Kitāb Fadā’il us-Sahābeh, vëll. VII, f. 130, nr. 4450; Musned Ahmed: Baki Musned el-Ensār, nr. 24132; Sahīh ul-Tirmidhī: Kitāb el-Adab, nr 2738; Sunen Ebū Dā‘ūd: Kitāb el-Libas, nr. 3513; Tefsīr ul-Keshshāf i Zemakhsherīut vëll. I, f. 370 (ajeti 3:61); Tefsīr Durr ul-Menthūr i Sujūtīut, vëll. V, f. 198; Jenābī ul-Muwedde e el-Kundūzī Hanefīut, Kreu LV, f. 174 (bot. Stambollit); Mustedrek us-Sahīhejn e Hākimit, vëll. III, f. 159; et-Tāxh el-Xhāmi’ li’l-Usūl e Prof. Mensūr ‘Alī Nassīfit, vëll. III, f. 333...etj. 

 

    

 

      ‘Umer ibn Ebū Seleme, djali i umm ul-mu’minīn Ummi Selemes, thotë:

 

 

 

“Ajeti i pastrimit u shpall në shtëpinë e Ummi Selemes. I Dërguari i Allahut (s) thirri Fātimenë, Hasanin, Huseinin, dhe ‘Alīu ishte pas tij. Pastaj ai i mbuloi ata me një pelerinë (kisa’) dhe tha: “O Allah! Këta janë Ehl ul-Bejti im, prandaj largoje ndytësinë e mëkatit prej tyre e pastroji ata!” Atë çast, Ummi Selemja pyeti: “O i Dërguari i Allahut! A jam unë mes tyre?” Ai (s) u përgjigj: “Ti je në vendin tënd dhe je në të mirë.”

 

 

 

Ky hadīth transmetohet në Sahīh-un e Tirmidhīut (red. nga Ibn Arabī el-Mālikī, bot. Egjiptit), Kitāb et-Tefsīr, vëll. II, f. 200, nr. 3129, Kitāb el-Menākib, vëll. II, f. 308, nr 3719; Xhāmi ul-Usūl e Ibn ul-Athīrit, vëll. I, f. 101; Rijād un-Nedire e Muhibb et-Taberīut, vëll. II, f. 188. Në hadīthin 3806 tek Sahīh Tirmidhī, Kitāb el-Menākib, vëll. II, f. 309, kjo citohet drejtpërdrejt nga Ummi Seleme. Ajo pohon se Profeti (s) mbuloi Hasanin, Huseinin, ‘Alīun dhe Fātimenë me pelerinën e tij dhe tha:

 

 

 

“O Zot! Këta janë Ehl ul-Bejti im dhe të zgjedhurit e mi. Largoje mëkatin prej tyre dhe pastroji ata!” Umm Seleme thotë: “E pyeta Profetin: ‘A jam unë mes atyre?’ Ai u përgjigj: ‘Ti je në të mirë’.”

 

 

 

Tirmidhīu komenton:

 

“Ky hadīth është sahīh dhe i mirëdokumentuar; ai është më i miri që citohet në këtë kontekst.”

 

 

 

       Pastaj, Tirmidhīu citon Enes bin Mālikun, që thotë se i Dërguari i Allahut (s) për gjashtë muaj me rradhë kalonte pranë derës së Fātimesë çdo herë që ngrihej për të falur sabahun dhe thonte,:

 

 

 

“Është koha e namazit, o Ehl ul-Bejt! {Allahu padyshim dëshiron ta largojë tërë papastërtinë nga ju, O Ehl ul-Bejt, e t’ju pastrojë me një pastrim të skajshëm.”

 

 

 

Këtë e transmeton edhe Taberānīu në Xhāmi’ ul-‘Usūl, vëll. IX, f. 156, Hākimi në el-Mustedrek, vëll. III, f. 158; Dhehebīu në Telkhīs, vëll. II, f. 150; Imam Ahmedi në Musned, vëll. III, f. 285; Ibn Kethīri në Tefsīr, vëll. III, f. 495 dhe el-Bidāje we’n-Nihāje, vëll. IV, f. 438; Taberīu në Tefsīr, vëll. XXII, f. 6; Sujūtīu në Durr ul-Menthūr, vëll. V, f. 199; el-Muttekī el-Hindī në Kenz ul-Ummāl, vëll. VII, f. 102; Ibn es-Sebāghu në Fusūl ul-Muhimme, f. 8; Ibn ul-‘Athīri në Usd ul-Ghābeh, vëll. V, f. 521; el-Kundūzī el-Hanefī në Jenābī ul-Muwedde, Kreu LV, f. 174 (bot. Stambollit); el-Hasakānī në Shewahīd ut-Tenzīl, vëll. II, f. 32; el-Hejthemī në Mexhma’ uz-Zewā’id, vëll. IX, f. 168 dhe Baladhūrīu në Ansāb ul-Ashrāf, vëll. II, f. 104. 

 

 

 

       Gjithashtu, Sujūtīu në Tefsīr Durr ul-Menthūr, transmeton nga Ebū Sa‘īd el-Khudrīu se kur u zbrit ajeti {Dhe urdhëroje familjen tënde të falë namaz} (20:132), Profeti (s) për tetë muaj me rradhë, shkonte tek dera e ‘Alīut në kohën e faljes dhe thonte:

 

 

 

“Është koha për namaz, Allahu ju mëshiroftë! {Allahu ka për qëllim të largojë tërë ndytësinë e mëkateve nga ju, o Ehl ul-Bejt, dhe t’ju pastrojë me një pastrim të skajshëm}.” (Shih dhe Tefsīr-in e Fakhr ed-Dīn Rāzīut)

 

 

 

       Në komentimin e ajetit 33:33, Sujūtīu shkruan:

 

 

 

“Ibn Xherīri, Hākimi e Ibn Mardawejhi transmetojnë se Sa‘di tha:

 

‘Shpallja [e ajetit 33:33] zbriti mbi të Dërguarin e Allahut (s). Atëherë, ai solli ‘Alīun, Fātimenë dhe dy djemtë e saj nën pelerinën e tij. Pastaj, ai tha: O Allah! Këta janë familja ime dhe Ehl ul-Bejti im!”

 

 

 

       Përkthyesi i Kur’anit në gjuhën shqipe, H. Sherif Ahmeti e ka kaluar në heshtje komentin e kësaj pjese të ajetit 33:33, duke mos e përmendur as se kush janë familja e Pejgamberit, por ai s’e ka fshehur të vërtetën në sqarimin e shkurtër të ajetit 3:61, në faqen 89. Në paragrafin e tretë të shënimit, gjatë përshkrimit të ngjarjes së Mubāhile-s, ai pohon: 

 

 

 

“Pejgamberi u tha dhe doli me familjen e vet; me Huseinin ngryk, Hasanin përdore, Fatimen pas tij dhe Aliu pas.”

 

 

 

Falënderimi i takon Allahut, Zotit të Botëve. 

 

 

 

       Tahāwīu transmeton në Mushkil el-Athār, vëll. I, f. 336:

 

 

 

“Umm Seleme thotë: ‘Kur u shpall ajeti fisnik, në shtëpi nuk ndodhej askush përveç Xhibra’īlit, të Dërguarit të Allahut (s), Fātimesë, Hasanit, Huseinit dhe ‘Alīut. Unë e pyeta: “O i Dërguari i Allahut, a jam unë nga Ehl ul-Bejti?” Ai u përgjigj: “Vërtet, ti ke vepra të mira tek Zoti.” Sa do të doja të kishte thënë ‘po’. Ajo do të kishte qenë për mua më e çmuar se gjithçka mbi të cilën ndriçon dielli.”

 

 

 

Tahāwīu përmend 11 hadīthe me të njëjtin kuptim, të cituara nga Umm Seleme me zinxhirë të ndryshëm transmetimi. Ai po ashtu citon dy hadīthe me këtë formë: “Çdo mëngjes, i Dërguari i Allahut vinte tek dera e Fātimesë dhe thërriste ‘Es-selāmun aleikum, o Ehl ul-Bejt. Allahu ka për qëllim të largojë ndytësinë e mëkateve nga ju’.” Pastaj, ai shton:

 

 

 

“Gjithashtu, ajo që transmetohet në lidhje me këtë tregon se ajeti i pastrimit është për nder të tyre.” (Shih f. 332-339)

 

 

 

       Ahmedi transmeton nga Shedded ibn Ebū Ammāri:

 

 

 

“Shkova tek Wāthile ibn el-Aska’i me disa të tjerë. Ata përmendën ‘Alīun. Kur u ngritën për të ikur, ai më tha: “A të të përmend diçka që e pashë ta bënte i Dërguari i Allahut (s)?” Unë i thashë, “Sigurisht!” Ndaj, ai tha: “Iu afrova Fātimesë për ta pyetur atë për ‘Alīun. Ajo tha: ‘Drejtoju të Dërguarit të Allahut.’ Prandaj, e prita atë (s). Më në fund, i Dërguari i Allahut (s) erdhi me ‘Alīun, Hasanin dhe Huseinin; këta kishin kapur secili njërën dorë të tij. Kur arriti, ai e uli ‘Alīun dhe Fātimenë para vetes, kurse Hasanin e Huseinin mbi kofshë. Pastaj ai hodhi pelerinën e tij mbi ta, dhe recitoi ajetin: {Allahu ka për qëllim që të largojë çdo papastërti nga ju, o Ehl ul-Bejt, dhe t’ju pastrojë me një pastrim të përkryer}, dhe tha: “O Allah! Këta janë Ehl ul-Bejti im! Dhe Ehl ul-Bejti im gëzon më shumë të drejta.” (Musned, vëll. IV, f. 107)   

 

 

 

       Në Tefsīr-in e tij të njohur të Kur’anit, ed-Durr ul-Menthūr, në zbërthimin e këtij ajeti, Xhelāl ed-Dīn es-Sujūtīu transmeton nga Ibn ‘Abbāsi:

 

 

 

“Për nëntë muaj rresht e vura re të Dërguarin e Allahut (s) të vinte tek dera e ‘Alīut pesë herë në ditë, në kohët e namazit, dhe të thërriste: ‘Paqja qoftë me ju, o Ehl ul-Bejt, dhe bekimet e mëshira e Allahut! {Allahu dëshiron të largojë nga ju ndytësinë e mëkateve, o Ehl ul-Bejt, dhe t’ju pastrojë me një pastrim të përkryer}; është koha e namazit, Allahu ju bekoftë!’ ”

 

 

 

(Po ashtu: Ahmedi në Musned, vëll. I, f. 330; Nesā‘īu në Khasā’is ‘Alī, f. 11; Muhibb et-Taberīu në Rijād un-Nedire, vëll. II, f. 269; Hejthemīu në Mexhmā’ uz-Zewā’id, vëll. IX, f. 119, 207, el-Genxhī el-Shāfi’ī në Kifājet et-Tālib, Kreu 100, f. 232, ku jepen 6 hadīthe të sakta).

 

 

 

       Ebū’l-Hamrā’i, një tjetër sahab i Profetit (s), transmeton se:

 

 

 

“Për tetë muaj me rradhë në Medine, i Dërguari i Allahut (s) shkonte tek dera e ‘Alīut për çdo namaz të sabahut. Ai i vendoste duart në secilën anë të derës dhe thërriste: ‘Es-Salāt! Es-Salāt! Allahu dëshiron që të largojë gjithë ndytësinë prej jush, o Ehl ul-Bejt, dhe t’ju pastrojë me një pastrim të përkryer’.”

 

 

 

(Sujūtīu në Durr ul-Menthūr, vëll. V, f. 198; Ibn ul-Athīri në Usd ul-Ghābeh, vëll. V, f. 174; Hejthemīu në Mexhma’ uz-Zewā’id, vëll. IX, f. 169, ku autori përcjell një hadīth të ngjashëm edhe nga Ebū Barzah.)   

 

 

 

      Vini re me kujdes, lexues të çmuar, se Profeti (s) i nderuar e ka veçuar hazreti Ummi Selemen - gruan e tij, nga Ehl ul-Bejti. Këtë e dëshmojnë edhe hadīthet e hazreti Āishes, Umer ibn Selemes, Ibn ‘Abbāsit, Enes ibn Mālikut.. etj, cituar më lart. Transmetohet në Sahīh Muslim e Xhāmi ul-Usūl, se Hasan ibn Samrāi pyeti Zejd ibn Arkamin:

 

 

 

“Kush janë Ehl ul-Bejti? A janë gratë e Profetit (s) mes tyre?” Ai u përgjigj, “Jo! Gruaja jeton me të shoqin për ca kohë, pastaj ai e divorcon atë dhe ajo kthehet tek i ati dhe fisi i saj.”

 

 

 

(Sahīh Muslim: Kitāb Fadā’il Sahābeh, vëll. VII, f. 124, nr 4425). Gjithashtu, nëse kjo pjesë e ajetit do t’u drejtohej grave të Profetit (s), do të ishte përdorur veta e dytë e shumësit në gjininë femërore, e jo veta e dytë e shumësit në gjininë mashkullore (‘ankunne në vend të ‘ankum, dhe jutahhirekunne në vend të jutahhirakum).   

 

  

 

       Në disa raste, Profeti (s) ua shpjegoi muslimanëve kuptimin e këtij ajeti kur ua tërhoqi vëmendjen për rëndësinë e tij. Ebū Sa‘īd el-Khudrīu transmeton hadīthin e të Dërguarit të Allahut (s):

 

 

 

“Ky ajet është shpallur për pesë persona: mua, ‘Alīun, Fātimenë, Hasanin dhe Huseinin; Allahu dëshiron që të largojë ndytësinë e mëkateve nga ju, o Ehl ul-Bejt, dhe t’ju pastrojë me një pastrim të përkryer.”

 

 

 

(Ibn Xherīri, Ibn Ebū Hatimi dhe Taberānīu. Po ashtu, Imam Tha‘lebīu në Tefsīr, Ibn Merdewejhi, dhe Bejhekīu në Sunen, nga Ummi Seleme.)

 

 

 

       Taberānīu citon në Mu‘xhem ul-Kebīr Imam Hasanin, duke thënë:

 

 

 

“Jini korrektë ndaj çështjeve tona; neve jemi sundimtarët tuaj... ne jemi po ai Ehl ul-Bejt për të cilët Allahu ka thënë: Allahu dëshiron të largojë nga ju tërë ndytësinë e mëkateve, o Ehl ul-Bejt, e t’ju pastrojë me një pastrim të skajshëm.”

 

 

 

(vëll. III, f. 93, bot. 2-të, Maktabe Ibn Tejmijje). Hejthemīu e citon në Mexhma’ uz-Zewā’id nga Taberānīu dhe pohon: “Transmetuesit e këtij hadīthi janë të besuar.” (vëll. IX, f. 172) Ai përfshihet edhe në shumë libra të tjerë, si Shewahīd ut-Tenzīl nga Hasakānī, vëll. II, f. 32 (bot. 1-rë, 1411 H.), Ibn Kethīri në Tefsīr, vëll. III, f. 495 (Dār ul-Ma’rife, 1412), Ibn ‘Asākiri në Tarīkh Dimeshk, vëll. XIII, f. 270 (Dār ul-Fikr, 1415)...    

 

 

 

      Së fundi, po citojmë hadīthin relevant të Profetit të përcjellë nga Ibn ‘Abbāsi: 

 

 

 

     “Allahu Fuqiplotë i ndau njerëzit në dy grupe, dhe më vendosi tek më të mirët. Ai tha: {Sa u përket atyre të djathtëve ... ata janë nën drunjë pemësh pa gjemba!} (56:27-8), e {Të majtit janë në nxehtësinë e zjarrit dhe ujin përvëlues!} (56:42) Unë jam prej të djathtëve e jam vërtet më i miri ndër ta.

 

 

 

      Pastaj Allahu i ndau njerëzit në tre grupe, e më vendosi prapë tek më të pastrit prej tyre. Ai tha: {E ata të djathtit, kush janë ata të djathtit? Po të majtit, kush janë të majtit? Ndërsa të përparmit janë në ballë} (56:8-11). Dhe unë jam më i miri i atyre që janë në ballë. 

 

 

 

      Pastaj Allahu i ndau njerëzit në popuj dhe fise, e më vendosi mua tek më të mirët. Ai tha: O njerëz, vërtet Ne ju krijuam prej një mashkulli e një femre, dhe ju bëmë popuj e fise që të njiheni me njëri tjetrin, dhe më i miri ndër ju tek Allahu është ai që është më i përzotshëm (49:13). Dhe unë jam më i përzotshmi e më i miri ndër njerëz, e megjithatë nuk krekosem për këtë.

 

 

 

       Pastaj Allahu i ndau njerëzit në të afërm dhe familje e më vendosi mua në më të virtytshmen e të gjitha familjeve, sepse Ai tha: Allahu dëshiron të heqë të gjithë ndytësinë e mëkateve nga ju, o Ehl ul-Bejt, dhe t’ju pastrojë me një pastrim të skajshëm (33:33). Unë dhe Ehl ul-Bejti im atëherë, jemi të pastruar nga të tëra ndytësitë dhe të mbrojtur nga mëkatet.”

 

 

 

(Sujūtī, ed-Durr ul-Menthūr, vëll. V, f. 199) 

 

 

                                                wa‘Llāhu a‘lem