Çështja e beda-së

(Risi, epërsi në mirësi, rishfaqja (shën. i përkth.).

 

Thënë shkurt, sipas Shiizmit beda-ja ka të bëjë me ndërrimin e paracaktimit dhe caktimit përmes dëshirës hyjnore. Allahu ka thënë:

"Allahu shlyen (nga ajo evidencë) çka të dojë, edhe forcon çka të dojë. Vetëm tek Ai është baza e librit (Levhi Mahfudhi)" (Rad, 39).

 

Për shkak të paditurisë, disa prej tyre e interpretojnë gabimisht këtë çështje duke thënë se beda-ja ekziston te

njerëzit dhe se ajo ka të bëjë me ndërrimin e pikëpamjes në lidhje me ndonjë punë, duke vepruar me të kundërtën e asaj se si kemi tentuar të veprojmë, ose me fjalë tjera të bërit pishman. Disa prej Ehli Sunnetit thonë se Shiitet i besojnë beda-së në këtë mënyrë dhe thonë se atribuimi i beda-së ndaj Allahut është një injorancë dhe mangësi.

 

Ndërsa, nuk është e drejtë të thuash se beda-ja e ka kuptimin e njëjtë edhe për njeriun edhe për Allahun.

Ata që thonë se Shiitët i besojnë një gjëje të tillë, ata janë duke bërë shpifje. Fjalët e Shiitëve janë të qarta dhe të hapura, si ato të mëhershme ashtu edhe ato të tanishme.

Një prej dijetarëve të mëdhenj Shiitë, Shejh Muhammed Muzafferi, në librin e tij "Akaid-ul Imamijje" (Besimi Shiitë) shkruan:

“Përshkrimi i kuptimit të beda-së ndaj Allahut në këtë mënyrë nuk është i drejtë. Kjo është një padituri e mangësi dhe është i pamundur një përshkrim i tillë.

Shiitët nuk pranojnë një gjë të tille” Hz Imam Xhafer Sadiku (a.s.) ka thënë:

“Çdokush që mendon se është shfaqur një gjendje e re për shkak se Allahu është penduar për ndonjë gjë dhe

e ka ndërruar gjendjen, ai person për ne do të llogaritet si jobesimtar".

 

Në një vend tjetër ka thënë:

"Unë distancohem prej atij që thotë se është shfaqur diçka e re për Allahun, që dje nuk kishte dijeni për të”,

Prandaj, besimi Shiit për beda-në bazohet në ajetin e 39-të të sures Rad:

"Allahu shlyen (nga ajo evidencë) çka të dojë, edhe forcon çka të dojë. Vetëm tek Ai është baza e librit (Levhi Mahfudhi)"

 

Kjo është një çështje të cilës i besojnë edhe Ehli Sunneti edhe Shiitet. Siç shihet, nuk është me vend vërejtja e Ehli Sunnetit në lidhje me këtë çështje të besimit Shiit, sepse edhe Ehli Sunneti e di se Allahu mund t'i ndërrojë gjykimet, afatet dhe furnizimin. Pra, ata e ndajnë mendimin e përbashkët. Në një rrëfim, të cilin e kanë regjistruar Ibni

Merduje dhe Ibni Asakiri, thuhet:

"Hz Aliu (a.s.) e pyeti Hz Resulullahun në lidhje me kuptimin e ajetit “Allahu shlyen çka të dojë...” dhe Hz Resulullahu (s.a.a.) iu përgjigj: 'Do ta ndriçojë edhe syrin tënd edhe të Ummetit që do të vijnë mbas meje, duke e bërë interpretimin e këtij ajeti: Dhënia e sadakasë, mirësjellja ndaj prindërve dhe kryerja e veprave të mira do ta zgjasë jetën e njeriut, do ta zëvendësojë mjerimin me lumturinë dhe do ta ruajë njeriun prej fatkeqësive".

 

Në një hadith tjetër të Hz Resulullahut (s.a.a.), të cilin e transmetojnë Ibni Munziri, Ibni Ebi Hatemi dhe Bejhaki prej Kajs Ibni Ubadit në librin “Esh-Shab”.thuhet:

“Në natën e dhjetë të muajve të ndaluar, çështja është në dorën e Allahut. Në natën e dhjetë të muajit Rexheb, Allahu shlyen çka të dojë dhe përforcon çka të dojë”.

 

Abd Ibni Hamidi, Ibni Xheriri dhe Ibni Munziti transmetojnë një rrëfim, sipas të cilit Ymer ibni Hatabi duke u sjellë rreth Qabesë, kishte thënë:

“O Allah, nëse ke shkruar ndonjë mëkat apo mjerim, shlyeje atë, sepse, Ti shlyen çka të duash dhe forcon çka të duash; Libri Amë është te Ti dhe bëre që vendimi Yt të jetë lumturi dhe falje për mua".

 

Edhe në një hadith tjetër, të cilin e ka regjistruar Buhariu dhe që është në lidhje me Miraxhin është vërtetuar besimi i beda-së përmes një tregimi për Musën (a.s.):

“Mua më janë bërë obligim pesëdhjetë kohë të namazit. Duke u kthyer, më pyeti Musa 'Çka ke bërë?'.

I thashë se, më janë bërë obligim pesëdhjetë kohë të namazit. Musa më tha: 'Unë e njoh popullin më mirë se ti. Sa shumë u mundova për Beni Israilin. Populli yt nuk mund ta durojë; shko dhe kërko prej Zotit lehtësim për këtë obligim'. Unë u ktheva dhe kërkova lehtësim për këtë dhe Allahu i zbriti kohët e namazit në dyzet.

Pastaj, e bëmë bisedën e njëjtë me Musën dhe unë prapë u ktheva te Zoti. Tani e kishte zbritur në tridhjetë numrin e kohëve të namazit.

 

Në mënyrë të njëjtë kohët e namazit zbritën në njëzet. Pastaj erdha te Musa dhe ai më bëri pyetjen e njëjtë. Këtë herë Allahu e zbriti në pesë kohë të namazit. Ai më tha që të kthehem prapë, por unë e përshëndeta. Pastaj, dëgjova një zë: "Unë e solla vendimin dhe sigurova lehtësi për robërit e mi dhe do ta shpërblejë dhjetëfish një të mirë." 

(Sahihi Buhari, v. 4, f.250, "Bab-ul Miraxh": Sahihi Muslim.v.1, f.101 te pjesa "Bërja obligim i namazeve gjatë shkuarjes së

Resulullahut në Miraxh")

 

Në një hadith tjetër, të cilin e transmeton Buhariu, duke i shpjeguar kthimet e Hz Resulullahut (s.a.a.) përderisa kohët e namazit zbritën në pesë, vazhdon në këtë mënyrë:

"Hz Musa i tha Hz Resulullahut (s.a.a.) se Ummeti nuk mund të durojë as pesë të namazit dhe kthehu edhe një herë dhe kërko lehtësim. Hz Resulullahu (s.a.a.) iu përgjigj: “Më vjen turp të kthehem edhe një herë." 

(Sahihi Buhari, v.4, 1.250, "Bab-ul Miraxh"; Sahihi Muslim.v.1, f.101 te pjesa "Bërja obligim i namazeve gjatë shkuarjes së

Resulullahut në Miraxh")

 

Thënë shkurt, besimi i beda-së është diçka që përputhet me kuptimin Islam dhe me shpirtin e Kuranit. Allahu në Kuran thotë:

"Allahu nuk e ndërron gjendjen e një populli përderisa ata ta ndryshojnë veten e tyre” (Rad, 11).

 

Në të vërtetë, sikur të mos kishin besuar Shiitët dhe Sunnit-ët se Allahu ndërron fatin, çfarë dobie do të kishim prej namazeve dhe duave të tepërta? Po ashtu, të gjithë besojmë se Allahu i ka ndërruar ligjet sipas Pejgambereve dhe ka shpallur të pavlefshme sheriatet e Pejgambereve të mëhershëm. Madje, besojmë se edhe në sheriatin e Hz Resullahut (s.a.a.) kemi pasur raste të tilla të anulimit të vendimeve. Sipas kësaj, besimi në beda nuk do të thotë largimi nga feja apo pabesim.

 

Në lidhje me këtë, as Sunnit-ët nuk kanë të drejtë t'i akuzojnë Shiitët, as Shiitët nuk kanë të drejtë t'i akuzojnë Sunnit-ët. Unë, shpeshherë i kam thënë Sunnit-ëve se edhe ata i besojnë beda-së, duke u bazuar në hadith-in e miraxh- it të Hz Resulullahut (s.a.a.), por disa prej tyre më kanë thënë se ky hadith nuk e vërteton besimin e beda-së.

 

Kur e përmendja se në hadith-in e cekur përdoret fjala beda, atëherë ata detyroheshin të heshtnin.

Në një hadith që e transmeton Buhariu prej Ebu Hurejres, Hz Resulullahu (s.a.a.) thotë:

“Allahu i sprovoi tre persona të Beni Israilëve:i pari kishte sëmundjen e lëpozës, i dyti ishte tullac dhe i treti ishte i verbër, dhe kjo u bë beda për Allahun. Në lidhje me këtë dërgoi një engjëll, që e pyeti së pari personin e sëmurë prej lëpozës: 'Cila është dëshira jote?', ai u përgjigj: "Një ngjyrë e bukur dhe një lëkurë e bukur, sepse, populli po ndien neveritje ndaj meje'.

Engjëlli e preku atë dhe ky fitoi ngjyrën dhe lëkurën e bukur, duke ia larguar papastërtitë e mëhershme.

Pastaj, e pyeti: 'Çka kishe dashur të zotërosh', ky u përgjigj: 'Më së shumti kam dëshirë të zotëroj një deve'. Atij ia dha një deve që ishte gati për të pjellë. Pastaj e pyeti tullacin: 'Cila është dëshira jote?' Ky u përgjigj: “Kisha dashur të kam flokë të bukura dhe të pastrohem nga papastërtitë, sepse, populli po ndien neveritje ndaj meje', engjëlli ia largoi edhe këtij papastërtitë dhe i dha flokë të bukura. Pastaj, pyeti për mallin më të dashur që kishte pasur dëshirë të zotërojë, ky u përgjigj se ka dëshirë të zotërojë një lopë. Edhe këtij ia plotësoi dëshirën dhe i dha një lopë barrsë.

Pastaj shkoi te i verbëri dhe e pyeti: Cila është dëshira jote?', ky u përgjigj: 'Dëshira ime më e madhe është të më kthehen sytë'. Engjëlli ia plotësoi edhe këtij dëshirën dhe atij iu hapën sytë. Kur e pyeti për mallin e kësaj bote, ai tha se kishte pasur dëshirë të zotërojë dele.

Edhe këtij ia dha një dele barrsë.Mbas një kohe u shtuan bagëtitë e tyre dhe çdonjëri prej tyre u bë pronar i një kopeje. Atëherë erdhi engjëlli dhe kërkoi prej tyre që ta kthejnë mallin që e zotëronin. Tullaci dhe ai që ishte i sëmurë prej lëpozës e refuzuan këtë dhe Allahu i ktheu ata në gjendjen e mëparshme. Ndërsa, i verbëri ia dha tërë mallin që zotëronte. Allahu ia shtoi kopenë dhe nuk ia mori shikimin." (Sahihi Buhari, v.2, f.259)

 

Këtu është e përshtatshme që të përmendim ajetin e 11-të të sures Huxhurat:

"O ju që besuat, nuk bën të tallet një popull me një popull tjetër, meqë të përqeshurit mund të jenë më të mirë nga ata të cilët përqeshin dikë tjetër, e as gratë me gratë e tjera, sepse mund të ndodhë që gratë e tjera të jenë më të mira se ato që përqeshin (duke e nënçmuar njëri-tjetrin) dhe mos etiketoni njëri-tjetrin me llagape. Pas besimit është keq të përhapet llagapi i keq. Ata që nuk pendohen, janë mizorë”.

 

Nëse i lëmë anash emocionet dhe fanatizmin dhe duke e pranuar sundimin e mendjes dhe të drejtësisë, ua uroj që ta mësojnë parimin e Kuranit që ka të bëjë me respektimin e drejtësisë. Në këtë drejtim, Allahu i urdhëron Hz Resulullahut (s.a.a.) që t'i thotë armikut kokëfortë:

"Ose ne ose ju jemi në rrugë të drejtë, apo në një humbje të dukshme!”

Allahu po i thotë Hz Resulullahut (s.a.a.) që t'i respektojë edhe jobesimtarët dhe me qëllim të mësimit të drejtësisë, i thotë Hz Resulullahut (s.a.a.) që të zbresë në nivelin e njëjtë me jobesimtarët që të mund të debatojë në nivelin e tyre, dhe nëse e flasin të vërtetën, atëherë le të kërkojë dëshmi prej tyre. Shumë njerëz janë larguar prej kësaj edukate të lartë.