Përfundim

 

Dy çështje

 

Tashmë u bë e qartë se bashkësia islame, është në një mendje rreth rëndësisë dhe madhështisë së Ehli Bejtit (Paqja qoftë mbi ta!). Gjithashtu, nëpërmjet ajeteve kur’anore dhe haditheve profetike kuptuam se është detyra jonë të ndjekim Ehli Bejtin, t’i duam dhe t’i përkujtojmë ata. Këtë qasje na dhanë edhe librat e dijetarëve të Ehli Sunetit. Gjithashtu, në këtë kërkim, vumë re se shumë dijetarë të Ehli Sunetit, kishin dhe treguan respekt dhe dashuri të veçantë për pjesëtarët e Ehli Bejtit.

 

Pra, mund të themi se Ehli Bejti zë një vend të veçantë në bashkësinë islame. Ata luajtën një rol shumë të madh dhe të rëndësishëm në përhapjen dhe përfaqësimin e të drejtës, pra, asaj që solli i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij!). Këtu, vlen të ndalemi në dy çështje:

 

Çështja e parë

 

Në fund të këtij kërkimi, mund të themi me plot bindje se Ehli Bejti (Paqja qoftë mbi ta!) është një varg shumë i rëndësishëm njerëzish dhe dijetarësh, të cilët, me dituritë e tyre, ndriçuan brezat e kaluar e të ardhshëm. Sigurisht që në këtë çështje, i pari që duhet të përmendet është Prijësi i besimtarëve, Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!). Porta e qytetit të diturisë së të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij!). Trashëgimtari dhe mbartësi i asaj diturie. Pozicioni i Aliut, sidomos në çështjen e diturisë, ishte shumë i lartë edhe mes sahabëve të tjerë. Ibn Abasi transmeton se Omeri ka thënë: “Aliu është më i afti ndër ne për gjykim”. Ibn Mesudi, gjithashtu, ka thënë: “Jemi duke folur rreth njeriut më të aftë për të gjykuar në rrethin e Medines.” Ibn Musejebi transmeton se Omeri ka thënë: “I mbështetem Allahut prej një marrëveshjeje në të cilën nuk është dhënë mendimi i Aliut.” Ibn Abasi ka thënë: “Nëse ka një fetva të dhënë prej njeriut më të besueshëm ndër ne, Aliut, nuk është nevoja të shkojmë më tej. Çështjen e përfundojmë aty.” (Këto transmetime gjenden te Dhehebiu, “Tarihul Islam”, Vdekjet e viteve 11-40 Hixhri, f. 638. )

 

Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ishte bërë referencë për çdo çështje fetare apo jete. Ai ishte një gjykatës shumë i aftë. Said bin Musejeb, ka thënë: “Nuk kishte një të dytë mes sahabëve, të thotë ‘më pyesni mua’, përveç Aliut (Paqja qoftë mbi të!).” (Po aty, f.638)

 

Sahabët e tjerë e pyesnin shpesh Imam Aliun (Paqja qoftë mbi të!) për çështje të ndryshme. Ibn Ethijri, ka thënë: “Nëse do të përmendim pyetjet e sahabëve të tjerë, drejtuar Imam Aliut (Paqja qoftë mbi të!), do të na duheshin vëllime librash.” (“Usdul Gabeh”, 4/110.)

 

Pra, dituria e Imam Aliut (Paqja qoftë mbi të!) ishte e dukshme nga të gjithë. Mirëpo, në këto përmasa ishin edhe djemtë e tij. Edhe ata ishin në një gradë të lartë të diturisë.

Siç e vumë re, edhe në fjalët e transmetuara rreth tyre, ata kishin një nivel të lartë në dituri. Hasani dhe Husejni, kanë gjithashtu një pozitë të lartë mes myslimanëve, sidomos në çështjet e diturisë. Zejnul Abidijni ishte njeriu më i ditur në Medine, në fushën e jurisprudencës islame. Bakiri ishte, gjithashtu, njeriu më i ditur në shumë fusha të diturive islame.

 

Sadiku ishte prej dijetarëve më të mëdhenj, saqë edhe Ebu Hanifja, e deklaron se nuk ka parë njeri më të ditur se Sadiku. Gjithashtu, Ebu Hanifja ka transmetuar shumë çështje prej Imam Sadikut. Kështu ishin edhe Kadhimi, Rridai, Xhevadi, Hadi, Askeriu.

 

Të gjithë ishin prej dijetarëve të mëdhenj. Shumica e tyre ishin prej dijetarëve që jepnin gjykime fetare (fetva) në xhaminë e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij!). Ndërsa për sa i përket Mehdiut, ai është trashëgimtari i diturive dhe do të shfaqet në tokë, pasi ajo të mbulohet me padrejtësi dhe errësirë.

 

Dituria është thesari më i çmuar për një njeri dhe për një shoqëri. Mund të themi me plot bindje se Ehli Bejti, ishte ndër trashëgimtarët e diturive profetike, të cilat, falë tyre, u bënë të mundura të përcillen deri te ne, brez pas brezi. Sigurisht që disa dijetarë të Ehli Sunetit kanë transmetuar dituri të ndryshme, çështje, thënie prej Imamëve të Ehli Bejtit.  

 

Çështja e dytë

 

Një çështje që ia vlen të trajtohet, është prania e frymës së Ehli Bejtit, mes dijetarëve të Ehli Sunetit. Qasjet që kanë ata rreth disa çështjeve, siç mund të jetë dërgimi i salavateve për Ehli Bejtin, hadithi i ndjekjes së Kur’anit dhe Ehli Bejtit dhe vendi që kanë fjalët e dijetarëve të Ehli Bejtit mes tyre. Sigurisht që ka shumë dijetarë të ndryshëm të fushave të ndryshme, siç janë dijetarët e shkencës së hadithit, të cilët kanë transmetuar prej dijetarëve të Ehli Bejtit, por edhe këta të fundit kanë transmetuar prej tyre. Këto janë çështje që vlejnë të trajtohen në sensin e bashkëpunimit dhe të qenit një.

 

Përderisa i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij!) u përket të gjithë besimtarëve, po ashtu edhe fjalët e tij, u përkasin të gjithëve. Nuk ka sukses, veç asaj që mundëson Allahu!