PJESA E NJËMBËDHJETË

MAMI I NJËMBËDHJETË I EHLI BEJTIT

El Askerij,Hasan ibn Ali

(Paqja qoftë mbi të)

 

Një përshkrim hyrës rreth Imam El Askerij, Hasan ibn Aliu (Paqja qoftë mbi të!)

 

Imam Hasan ibn Ali (Paqja qoftë mbi të!) ishte njeri me karakter, moral, edukatë, virtyte, ashtu siç ishin paraardhësit e tij, të cilët ishin edukuar të gjithë me edukatën profetike. Ai ishte një prej shtyllave kryesore të Ehli Bejtit. Ai (Paqja qoftë mbi të!) ishte si baballarët e tij të pastër i cili me dritën e tij ndriçonte ekzistencën dhe ishte burimi i pashtershëm dijesh. Ishte pasqyrë që reflektonte dritën muhamedane dhe ndriçonte errësirat me sjelljet e tij të larta. Këtu po paraqesim thënien e një prej armiqëve të Ehli Bejtit se çfarë thotë për Imam Hasan El Askerij (Paqja qoftë mbi të!). Ai është Ahmed ibn Abdullah ibn Khakan një prej drejtuesve të pushtetit abasit në atë kohë.

Kishte postin e mbledhjes se haraçave në Kum. Një ditë prej ditësh në kuvendin e tij u përmendën alevitët dhe medh’hebet e tyre. Ai ishte shumë i devijuar dhe armik i Ehli Bejtit (Paqja qoftë mbi të!). Për Imam Hasan El Askerij ka thënë: Nuk kam parë dhe nuk kam njohur alevit të ngjashëm me Hasaj ibn Ali El Askerij në udhëzimin e tij, në sjelljet e tij, në nderin e tij, në zgjuarsinë e tij, dhe madhështinë e tij te Ehli Bejti i tij dhe te i gjithë fisi Hashimit. (Shih transmetimin në “Usulul Kafij”, i Kulejnit, 1/578)

 

Ai është Hasan ibn Ali El Hadij ibn Muhamed El Xhevad ibn Ali Err Rrida ibn Musa El Kadhim ibn Xha'ferr Es Sadik ibn Muhamed El Bakir ibn Ali Zejnul Abidijn ibn Husejn Esh Shehijd ibn Ali ibn Ebu Talibi (Paqja qoftë mbi ta!). Imam Hasan ibn Ali (Paqja qoftë mbi të!) lindi në qytetin e Medines, ditën e xhuma, më datë 8 të muajit Rabiul Akhir, të vitit 232 Hixhri. (“El Irshad”, i Mufijd, 2/313; “I'lamul Uera”, i Et Tabersij, 2/131.)

Nëna e tij quhej Sulejle, apo Hudejthe dhe ishte ndër gratë më të ndershme dhe më fisnike të vendit. (“Ujunul Muxhizat”, 134.)

 

Ai ndryshe quhej: El Hadij, El Askeri dhe Siraxh. Po ashtu, ai, babi i tij dhe gjyshi i tij njiheshin edhe me emrin, Ibn Rrida dhe llagabi i tij ishte Ebu Muhamed Muhamed. (“I'lamul Uera”, i Et Tabersij, 2/131; “Mutalibus Suul fi menakibi ali Rresul”, Muhamed ibn Talha Esh-Shafi'ij, 2/148)

 

E filloi imamatin (udhëheqësinë) e tij në Samarra, pasi babai i tij ndërroi jetë në vitin 254 Hixhri. Udhëheqja e tij zgjati gjashtë vite. (“El Irshad”, i Mufijd, 2/313) Ndërsa bashkëkohësit e tij nga ana e drejtuesve abasit, ishin: El Mu'tez, El Muhtedij dhe El Mu'temed. (“Ialamu`l-Uerij”, Li`t-Tabersij, 2/131) Imami kaloi një pjesë të madhe të jetës së tij nëpër burgjet e zullumqarëve. (“Ialamu`l-Uerij”, Li`t-Tabersij, 2/140-141)

Ai u martirizua në kohën e udhëheqësit abasit, El Mu'temid, në ditën e tetë të muajit Rabiul Evvel, të vitit 260 Hixhri. (“Ialamu`l-Uerij”, Li`t-Tabersij, 2/131; “El Irshad li`l-Mufid”, 2/313.)

 

Imami u varros në shtëpinë e tij, në Samarra, në po të njëjtën shtëpi ku u varros edhe babai i tij (Paqja qoftë mbi ta!). (“El Irshad”, 2/313)

Imam Hasan bin Aliu(Paqja qoftë mbi të!) në fjalët e dijetarëve të Ehli Sunetit

 

1- Ebu Uthman Amr ibn Bahr El Xhahidh (ka vdekur në vitin 250 të Hixhrit) Ka thënë për Imam Hasan El Askerij: “Nuk ka fis tjetër mes kurejshëve si ky fis apo familje. Secili prej tyre ishte dijetar, i devotshëm, guximtar, i zgjuar. Prej tyre dolën udhëheqës dhe prijës. Ata ishin: Hasan El Askerij ibn Ali ibn Muhamed ibn Ali ibn Musa ibn Xha'ferr ibn Muhamed ibn Ali ibn Husejn ibn Ali (Paqja qoftë mbi ta!). Nuk ka një familje apo fis të dytë si ky, qoftë mes arabëve, qoftë mes jo arabëve.” (Raseilu`l-Xhahidh”, 106)

 

2- Shihabudijn Ebu Abdilah Jakut ibn Abdilah El Hameuij (ka vdekur në vitin 626 të Hixhrit) Kur flet për qytetin Asker Samarra thotë: “Ky vend i atribuohet El Mu'sam dhe në të kanë banuar të ndershëm si Ali ibn Muhamed ibn Ali ibn Musa ibn Xha'ferr ibn Muhamed ibn Ali ibn Husejn ibn Ali ibn Ebu Talibi (Allahu qoftë i kënaqur prej tyre!), i quajtur ndryshe, Eba Hasan El Hadij. Djali i tij Hasan ibn Ali lindi në Medine, ashtu si babai i tij dhe u shpërngul për në Samarra. Për këtë arsye u quajt Askerijen. Aliu ndërroi jetë në muajin Rexheb, në vitin 254, ndërsa Hasani ndërroi jetë në vitin 260 Hixhri. Të dy ata u varrosën në Samarra. Ka dëshmi të njohura edhe për djalin e tyre të Priturin (Imam Mehdiun).” (“Muxhemu`l-Buldan”, vëll.3, Pjesa 5-6, f.328. )

 

3- Muhamed ibn Talha Esh Shafi'ij (ka vdekur në vitin 652 të Hixhrit) Ka thënë për Imam Hasan El Askerij: “Dije se Allahu e ka veçuar atë me virtyte të larta, me dallueshmëri të madhe dhe e ka zbukuruar me to. Këto i ka bërë cilësi të tij të përhershme që nuk mund t'i zhdukë koha dhe nuk mund ta harrojnë gjuhët përmendjen e tyre të vazhdueshme. Muhamed Mehdiu është i lindur prej tij, është djali i tij dhe një pjesë e ndarë prej tij.” (“Mutalibu suul fi menakib ali Rresuli”, 2/148.)

 

4- Sibtu Ibn Xheuzij (ka vdekur në vitin 654 të Hixhrit) Ka thënë për imam Hasan El Askerij: “Ai ishte Hasan bin Ali ibn Muhamed ibn Ali ibn Musa Err Rrida ibn Xha'ferr ibn Muhamed ibn Ali ibn Husejn ibn Ali ibn Ebu Talibi. Ishte dijetar dhe shumë i besueshëm.” (“Tedhkiratul Khauvas”, f. 324)

 

5- Ibn Ebi Hadijd El Mu`tezilij (ka vdekur në vitin 655 të Hixhrit) Në fjalën e tij, citon atë që ka thënë Xhahidhi, të cilën e përmendëm pak më lart. Më pas shton se nuk i heq asgjë asaj që ka thënë Ebu Uthmani. Unë them po të njëjtën gjë që ai ka thënë. (“Sherhu Nehxhul Belagah”, 15/278 dhe 270)

 

6- Abdullah ibn Es'ad ibn Ali ibn Sulejman El Jafi'ij El Jemenij El Mekkij (ka vdekur në vtin 768 të Hixhrit) “Në të (pra, nëvitin 232 të Hixhrit) ndërroi jetë El Askerij Hasan ibn Ali ibn Muhamed ibn Ali ibn Musa Rrida ibn Xha'ferr Sadik ibn Muhamed El Bakir ibn Ali Zejnul Abidijn ibn Husejn ibn Ali ibn Ebu Talibi (Allahu qoftë i kënaqur prej tyre!). Ai është një prej dymbëdhjetë imamëve në besimin e imamijve. Ai është babai i Mehdiut të pritur.” (“Miratul Xhinan”, 2/81)

 

7- Ibn Sabbag El Malikij (ka vdekur në vitin 855 të Hixhrit) Ka thënë për Imam Hasan El Askerij: “Virtytet e zotërisë sonë, Ebu Muhamed Hasan El Askerij, janë argument se ai është fisnik i biri i fisnikut. Askush nuk dyshon në imamatin e tij. Ishte më i madhi i kohës së tij. Kishte bukuri në të folur dhe spikasje në vepra...” (“El Fusulul Muhimmeh”, f. 279.)

 

8- Nuruddijn Ali ibn Abdilah Es Semhudij (ka vdekur në vitin 911 të Hixhrit) Ka thënë për Imam Hasan El Askerij: “Përsa i përket djalit të tij (djalit të imam El Hadij), ai është personalitet i madh. Ai u burgos nga drejtuesi i shtetit të asaj kohe dhe gjatë kohës së burgosjes, u vunë re shumë qeramete të shpalosura prej Ebu Muhamed Hasan El Askerij.”

(“Xheuahirul Ikdejni fi Fadli Sherefejni”, f. 448.)

 

9- Ahmed ibn Fadl ibn Muhamed El Hadramij Bakthijr Esh Shafi'ij (ka vdekur në vitin 1047 të Hixhrit) Ka thënë për Imam Hasan El Askerij: “Ebu Muhamed Hasan, i sinqerti, ibn Ali El Askerij, ishte personalitet i madh dhe fisnik. Në kohën kur Mu'temed e burgosi, u vunë re shumë qeramete të demonstruara prej Imamit.” (“Kadatuna kejfe Narifuhum”, Sejjid El Mejlanij, 7/115; ”Uesiltul el Meali fi Addi Menakibi el Ali”, f. 426.)

 

10- Abdullah ibn Muhamed ibn Amir EshShebraui Esh Shafi'ij (ka vdekur në vitin 1171 të Hixhrit) Ka thënë për Imam Hasan El Askerij: “Imami i njëmbëdhjetë i Ehli Bejtit, ishte Hasan El Khalis , ose i quajtur ndryshe El Askerij. Ai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) lindi në qytetin e Medines, ditën e tetë të muajit Rabiul Evvel, në vitin 232 Hixhri. Ndërroi jetë (Allahu qoftë i kënaqur me të!) në ditën e xhuma, në vitin 260 dhe ishte 28 vjeç. Për atë mjaton fisnikëria që Imam Mehdiu i pritur, është prej fëmijëve të tij. Allahu ia ka mundësuar kësaj familjeje profetike të ketë një pozitë të lartë në shoqëri. Të jenë njerëz që udhërrëfejnë masat...” (“El It`haf bi hubbil Eshraf”, f. 178-179.)

 

11- Abbas ibn Nuruddjin El Mekkij (ka vdekur në vitin 1180 të Hixhrit) Ka thënë për Imam Hasan El Askerij: “Prejardhja e Ebu Muhamed, Imam Hasan El Askerij është më e njohur se sa hëna katërmbëdhjetë ditëshe. Ai dhe babai i tij njihen me emrin El Askerij. Përsa i përket virtyteve të tij ato nuk mund t'i përkufizojnë gjuhët.” (“Hajatu Imam Hasan El Askerij lil Kurashij”, f. 69; “Nuz`hetul Xhelijs”, 2/184)

 

12- Shejh Mu`min Esh Sheblanxhij (ka vdekur në vitin 1308 të Hixhrit) Ka thënë për Imam Hasan El Askerij: “Virtytet e tij (Allahu qoftë i kënaqur me të!) janë të shumta... Më pas, rreth vdekjes së tij ka thënë: Kur u përhap lajmi i vdekjes së tij u mbyllën tregjet dhe dyqanet. Fisi Hashimit, shkrimtarët, gjykatësit dhe njerëzit u tubuan në përcjelljen e xhenazesë së tij. Kushdo që e shihte atë ditë do ta ngjasonte me Ditën e Kijametit... Atë e varrosën në atë shtëpi ku ishte varrosur babai i tij. Ai lindi në qytetin e Medines, ditën e tetë të muajit Rabiul Evvel, në vitin 232 Hixhri. Ndërroi jetë në ditën e xhuma, në vitin 260 dhe ishte 28 vjeç. Atë e trashëgoi djali i tij Muhamedi.” (“Nuru Ebsar fi Menakibi Ali Bejti Muhtar”, 183-195.)

 

13- Jusuf En Nebhanij (ka vdekur në vitin 1350 të Hixhrit) Ka thënë për Imam Hasan El Askerij: “Hasan El Askerij është një prej Imamëve të mëdhenj të zotërinjve tanë të Ehli Bejtit (Allahu qoftë i kënaqur prej tyre!). Atë e ka përmendur edhe Esh Shebrauij në librin “El It'hafu bi Hubbil Eshrafi” duke u mjaftuar vetëm me biografinë e tij dhe nuk i ka përmendur qerametet e tij të cilat unë kamë parë me sytë e mi.” (“Xhamiu kerametil Eulijai”, 2/21-22)

 

14-Ali Xhelal El Husejnij (ka vdekur në vitin 1351 të Hixhrit) Ka thënë për Imam Hasan El Askerij: “Ebu Muhamed Hasan Ez Zekij, të cilit i thuhet edhe El Askerij, lindi në vitin 232 Hixhri. Në kohën e tij, ai njihej në virtyte, në fisnikëri, në asketizëm e në adhurim.” (“E’immetuna”, Muhamed Ali Dukhejl, 2/312-313.)

 

15- Sherijf Ali ibn Doktor Muhamed Abdullah Fikri El Husejnij El Kahirij (ka vdekur në vitin 1372 të Hixhrit) Ka thënë për Imam Hasan El Askerij: “Ai ishte Hasan ibn Ali El Hadij ibn Muhamed El Xhevad ibn Ali Err Rrida ibn Musa El Kadhim ibn Xha'ferr Es Sadik ibn Muhamed El Bakir ibn Ali Zejnul Abidijn ibn Husejn ibn Ali ibn Ebu Talibi (Allahu qoftë i kënaqur prej tyre!). Nëna e tij ishte ndër gratë më fisnike dhe më të ndershme të vendit. Ajo quhej Hadithe, mirëpo në disa transmetime, thuhet se quhej Seusen. Imami lindi në qytetin e Medines, ditën e tetë të muajit Rabiul Evvel, në vitin 232 Hixhri. Ndërroi jetë në ditën e xhuma, në vitin 260 Hixhri dhe ishte 28 vjeç. Kur u mor vesh për vdekjen e tij, të gjithë njerëzit e vendit, lanë punët e tyre dhe u grumbulluan për të falur namazin e xhenazes së Imamit.” (“Sherhu Ihkakul Hakk”, Sejjid El Mer'ashij, 29/60-61; “Ahsenul Kasas”, 4/304)

 

16-Khajruddijin Ez Zerkelij (ka vdekur në vitin 1396 të Hixhrit) Ka thënë për Imam Hasan El Askerij: “Hasan ibn Ali El Hadij ibn Muhamed El Xhevad El Husejni El Hashimi, Ebu Muhamed, ishte Imami i njëmbëdhjetë i Ehli Bejtit. Lindi në qytetin e Medines dhe më pas u shpërngul bashkë me babain e tij për në Samera të Irakut. Një vend që quhej El Askerij. Kështu, edhe ata të dy u quajtën Askeri. Imami ishte një njeri që ndoqi rrugën e paraardhësve të tij, sidomos në devotshmëri, dituri dhe fisnikëri. Ai vdiq në Samera. Kur u përhap lajmi për vdekjen e tij, kishte aq shumë njerëz të mërzitur, saqë ajo ditë ngjasonte me një ditë të fundit të kësaj bote. Të gjithë lanë punët e tyre dhe vrapuan për të falur namazin e xhenazes së Imamit. Ai u varros pranë babait, pra, në shtëpinë e tij.”

(“El Ilam”, 2/200.)

 

17- Muhamed ibn Abdulgafar El Hashimi El Hanefij

Ka thënë për Imam Hasan El Askerij: “Ai kishte shumë ndjekës. Fama e tij u përhap kudo. Shumë njerëz e konsideronin atë si udhërrëfyes. Kjo gjë ngjalli një smirë të keqe te mbreti abasi, saqë e shtyu atë ta vrasë Imamin.” (“Sherhu Ihkakul Hakk”, Sejjid Mer'ashij, 12/475; “E’immetul Huda”, f. 138.)

 

18-Muhamed Ebu Huda Efendi

Ka thënë për Imam Hasan El Askerij: “Dijetarët myslimanë, në Perëndim e në Lindje, e dinë shumë mirë se njerëzit më të pastër, udhërrëfyesit e njerëzimit, do të vijnë nga brezi i të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij!). Ata do të jenë Imamët e njerëzve. Do të vijnë njëri pas tjetrit, deri në ditët tona. Të gjithë ata do të jenë njerëz të lartë shpirtërisht, të devotshëm. Ata janë: Hasani, Husejni, Bakiri, Kadhimi, Sadiku, Xhevadi, Hadiu, Takiu, Nakiu dhe Askeriu.”

(“Sherhu Ihkakul Hak”, Sejjid Mer'ashij, 19/621; “Daui Esh Shems”, 1/119)

 

19-Arif Ahmed Abdulgani

Ka thënë për Imam Hasan El Askerij: “Ai ishte prej të devotshmëve. Prej dijetarëve të thelluar në dituri. Ai është babai i Imamit të dymbëdhjetë të Ehli Bejtit, i cili është Mehdiu i pritur tek imamitët.” (“El Xheuheru Esh Shefaf fi ensebi sedetil Eshrafi”, 1/160-161.)

 

20- Junus Ahmed Es Semirai

Ka thënë për Imam Hasan El Askerij: “ElAsekriu e ka prejardhjen nga Askeri. Një vend në Samera. Këtë prejardhje kishin edhe disa imamë të tjerë, të cilët ishin: Ebu Hasan Ali El Hadij ibn Muhamed Xhevad El Askerij, Hasan El Askerij dhe Ebul Kasim Muhamed ibn Hasan El Askeri. Ky i fundit është Mehdiu i pritur.” (“Samera fi edeb El Karnu Thalith El Hixhrij”, f.46)

 

Edhe pse fjalët për Imamin janë të shumta, ne do të mjaftohemi me këto shkrime, në këtë pjesë.