Argumentet dhe mësimet e nxjerra nga hadithi Thekalejnit

Argumenti i parë: Hadithi argumenton domosdoshmërinë e Prijësisë (Imamatit) së Ehli Bejtit dhe ndjekjen e tyre

 

Ky është një argument shumë i qartë dhe i kuptueshëm për këdo që ka sy të lexojë dhe nuk ka nevojë për sqarime. Fjalët e përdorura në hadithi janë shumë të qarta për çështjen e udhëheqësisë (Imamatit) së Ehli Bejtit. Shihe frazën që thotë: “Unë ju kam lënë juve dy udhëheqës.” Kjo tregon qartë se familja e Profetit Muhamed (Ehli Bejtit), është zëvendëse e Profetit Muhamed (Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij!) dhe udhëheqëse e umetit.

 

Gjithashtu, shih edhe këtë frazë: “Po ju lë juve diçka, që, nëse kapeni fort pas tyre, nuk do të humbni asnjëherë…” Kështu që ky hadith dhe shumë të tjerë, të cilët i përmendëm më lart, dëshmojnë dhe u tregojnë njerëzve se kapja pas Librit të Allahut dhe familjes së Profetit Muhamed (Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij!), është diçka që i mban ata në Rrugën e Drejtë dhe nuk i lejon të devijojnë e të shkatërrohen. Kapja pas tyre është shpëtim nga humbja. Kapja pas tyre çon në udhëzimin e vërtetë. 

 

Këtë argumentim e japin edhe shumë dijetarë të Ehli Sunetit:

 Mulla Ali El Kariju shprehet kështu: “Kuptimi i thënies ‘kapuni pas tyre’, është për dashurinë për familjen e Profetit Muhamed (Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij!), për ruajtjen e shenjtërisë së tyre, për të vepruarit sipas thënieve të tyre dhe për t’u besuar thënieve të tyre.”

(“Mirkatul Mefatih”, 9/3974, K. “Menakibu Ehle Bejt”, Pjesa e dytë, shtëpia botuese “Fikr”)

 

 Menauiu, për frazën “deri sa të mbërrini te burimi”, thotë, se këtu bëhet fjalë për Burimin e Keutherit, i cili ndodhet në Botën Tjetër. Ndërsa për frazën “unë ju kam lënë ju”, thotë se kjo është një thënie e qartë se ato të dyja janë si binjakë, të cilët i ka lënë pas dhe ka porositur umetin e tij që të sillen sa më mirë me to dhe të kapen pas atyre të dyjave.”

(“Fejdul Kadir Sherhi Xhamii Sagir”, 3/20, shtëpia botuese “El Kutubul Ilmijje”)

 

Një mendimtar dhe dijetar i nderuar bashkëkohor suni, i quajtur Hasan Sakkaf, ka thënë: “Qëllimi me kapjen pas Ehli Bejtit dhe ndjekjen e tyre nënkupton: Dashurinë për ata, mbrojtjen e shenjtërisë së tyre, edukimin nëpërmjet mësimeve dhe moralit të tyre, të udhëzuarit me udhëzimin e tyre dhe me jetëshkrimin e tyre, zbatimin e thënieve të tyre, mbështetjen në mendimin, fjalën dhe ixhtihadin e tyre dhe në dhënien përparësi atyre ndaj të tjerëve.”

(“Sahihu sherhil Akideti Tahauije”, 653, shtëpia botuese “Imamu Neueuij”, Jordani)

 

Ajo që e përfocon më shumë argumentimin e këtij hadithi për Imamatin e Ehli Bejtit është se në disa rrugë të sakta transmetimi ky hadith është i shoqëruar me kontekstin e përbashkët të hadithit të njohur të Gadijrit: “Për atë që unë jam udhëheqës i tij edhe Aliu është udhëheqësi i tij.” Ky shoqërim argumenton qartë se qëllimi i të dy haditheve është për një çështje të përbashkët, e cila është udhëheqësia e Ehli Bejtit pas të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij!), duke filluar me Ali ibn Ebu Talibin (Paqja qoftë mbi të!).

 

Gjithashtu, edhe fjala “thekalejn”, që përmendet në hadith, tregon qartë për Imamatin (udhëheqësinë) e Ehli Bejtit. Kjo duket fare qartë për ata që i lexojnë me vëmendje fjalët e dijetarëve të Ehli Sunetit lidhur me këtë çështje:

 

Ibn Ethiri, në librin e tij “En Nihaje”, thotë: “I ka quajtur ‘Thekalejn’ –‘dy të rëndat’, sepse ndjekja e tyre dhe të vepruarit sipas tyre janë të rënda. Thuhet se për çdo gjë e rrezikshme dhe e shtrenjtë, është e rëndë. I ka quajtur ‘Thekalejn’ për të treguar madhështinë e vlerës së atyre të dyjave.”

(“En Nihajetu fi Garibil Hadithi”, 1/216, “El Mektebetul Islamijje”)

 

Në librin e tij “Sherhu Sahihul Muslim”, Imam Neveuiu thotë: “Dijetarët kanë thënë: Janë quajtur ‘Thekalejn’ – ‘dy të rëndat’, për shkak të madhështisë dhe të pozitës së lartë që kanë. Thuhet se janë quajtur kështu për shkak të rëndësisë së të punuarit sipas tyre.”

(“Sahih Muslim bi Sherhi Neueuij”, 15/180, shtëpia botuese “El Kitabul Arabij”)

 

Të njëjtën gjë si Neveuiu thotë edhe Xhelaluddin Sujuti.

(“Ed Dibaxhu ala Muslim”, 5/390, shtëpia botuese “Ibn Affan”, Arabia Saudite)

 

Zamahsheriu thotë: “Eth thiklu quhet malli i mbartur mbi kafshë. Xhindët dhe njerëzit janë quajtur Thekalejn sepse, ata janë banorët e tokës dhe duket sikur ata e rëndojnë tokën. Kështu që, edhe i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij!), Librin e Allahut dhe familjen e tij e ka ngjasuar, me rëndesat që janë mbi tokë, që janë njerëzit dhe xhindët, sepse feja bazohet te këto të dyja dhe vazhdon me ndjekjen dhe zbatimin e këtyre të dyjave.”

(“El Fejku fi garibil Hadith”, 1/150, shtëpia botuese “Kutubul Ilmije”)

 

Pas gjithë këtyre shpjegimeve, arrijmë në përfundimin se fjala kyçe “thekalejn” nënkupton rëndësinë dhe peshën që ka familja e Profetit Muhamed (Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij!). Tregon domosdoshmërinë për të ndjekur rrugën e saj, për të formuar një jetë të lumtur në të dyja botët. Vallë, a dyshojnë poseduesit e arsyes në argumentimin e hadithit Thekalejn për Imamatin e Ehli Bejtit dhe në domosdoshmërinë e ndjekjes së tyre?!

 

Argumenti i dytë: Hadithi argumenton pagabueshmërinë e Ehli Bejtit

(Paqja qoftë mbi ta!) 

 

Shpjegimi i këtij argumenti me dy sqarime:

Sqarimi i parë: I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij!), na urdhëron për kapje të përgjithshme pas Ehli Bejtit. Prandaj, duhet që të gjitha veprat dhe fjalët e tyre të jenë në përputhje me Sheriatin e shenjtë me qëllim që kapja pas tyre të jetë shpëtuese prej humbjes. Përndryshe, nëse ata do të gabonin, Profeti nuk do të na urdhëronte që të kapeshim pas tyre dhe t'i pasonim ata. Për këtë flet edhe eruditi Aliju El Karij në librin “El Mirkatu” ku thotë: Urdhëri i tij i përgjithshëm (pra, pa kukshte e kritere në kapjen pas tyre) tregon se kush është 

prej pasardhësve (itretu) të tij (të Dërguarit të Allahut) në realititet udhëzimi dhe jetëshkrimi i tij duhet të jetë në përputhje me Sheriatin dhe me tarikatin.”

(“Mirkatul Mefatih Sherhu Mishkatil Mesabih”, 9/3974, kreu “Menakib Ehlu Bejt”, Pjesa e dytë, shtëpia botuese “Fikr”. “Lisanul Arab”, 11/88, shtëpia botuese “Ihjau Turath”)

 

Sqarimi i dytë: I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij!), e përmend familjen e tij të shoqëruar me Librin e Shenjtë, Kur’anin Famëlartë dhe ka sqaruar se ato të dy kurrë nuk do të ndahen nga njëri-tjetri. Kur’ani është i mbrojtur nga gabimet dhe ai është Libri unik dhe udhërrëfyesi më i mirë. Në të nuk ka asnjë gjë të keqe dhe të rreme. Ai është Libri më i saktë. Ai që është me Kur'anin dhe kurrë nuk ndahet prej tij, duhet të jetë i pamëkatë dhe kurrë të mos e kundërshtojë Sheriatin. Përndryshe, ai do të jetë i ndarë nga Kur'ani. Këtë e përforcon Hakimi, në librin e tij “El Mustedrek”, bashkë me Dhehebiun, të cilët transmetojnë se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij!), ka thënë: “Aliu është me Kur’anin dhe Kur’ani është me Aliun. Ata nuk ndahen nga njëri-tjetri, deri kur të vijnë te unë te Burimi i Keutherit.”

(“El Mustedrek ala Sahihejn”, Dhehebij, 3/124, shtëpia botuese “Marifet”)

 

 

Argumenti i tretë:

Hadithi argumentonpraninë e një prej prijësave (imamëve) nga Ehli Bejti

(Paqja qoftë mbi ta!),

në çdo kohë

 

 

Këtë e tregon fjala e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij!), ku thotë: “Kurrë nuk do të ndahen derisa ata të mbërrijnë te unë te Burimi i Keutherit.” Mosndarja do të thotë se në çdo kohë do të ekzistojë një përfaqësues i Ehli Bejtit dhe njerëzit duhet ta ndjekin atë, ashtu siç është Kur’ani i pranishëm në të gjitha kohët, deri në Ditën e Kijametit. Për këtë, ka edhe mendime të dijetarëve të Ehli Sunetit:

 

Semhudiu, thotë: “Kjo fjali e Profetit Muhamed (Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij!) tregon në çdo kohë do të ekzistojë një përfaqësues i familjes së pastër profetike që e meriton ndjekjen deri në fund të kësaj bote, ashtu siç është prani e Librit të Shenjtë (Kur'ani). Ekzistenca e tyre, tregon edhe vazhdueshmërinë e ekzistencës së njerëzimit. Për këtë, ata janë amanet i banorëve të tokës, siç do të vijë më poshtë. Nëse ata ikin, ikin edhe banorët e tokës.”

(“Xheuehirul Akdejn”, 244, shtëpia botuese “El Kutubul Ilmijeh”)

 

E njëjta gjë transmetohet edhe nga El Menneuij.

(“Fejdul Kadir Sherhi Xhamiu Sagir”, 3/19, shtëpia botuese “El Kutubul Ilmije”)

 

Ibn Haxher Hejtemi ka thënë: “Në hadithet që nxisin për të ndjekur Ehli Bejtin ka tregues të mosndërprerjes së ndjekjes së tyre, deri në fundin e botës, siç vazhdon ekzistenca dhe ndikimi i Kur’anit. Për këtë, ata janë amanet i banorëve të tokës, siç do të vijë. Për këtë dëshmon lajmi: Për çdo brez të ymmetit tim, do të jetë një përfaqësues nga Ehli Bejti im.”

(“Es Suaikul Muharraka”, 232, shtëpia botuese “El Kutubul Ilmijeh”)

 

Këtu u shtrohet pyetja vëllezërve të Ehli Sunetit: Kush është imami i myslimanëve nga Ehli Bejti i Profetit, i cili duhet ndjekur në këtë kohë? Madje, kush janë imamët e Ehli Bejtit, që nga vdekja e Profetit, e deri në ditët e sotme, sepse në çdo kohë duhet të jetë i pranishëm një person meritues nga Ehli Bejti që të ndiqet e të pasohet?

 

Shi’itët Imamij e kanë përgjigjen e qartë, e cila është: Imamët nga Ehli Bejti janë dymbëdhjetë. I pari i tyre është Ali ibn Ebi Talib. Më pas, djali i tij Hasani. Më pas djali tjetër i tij, Hysejni. Më pas djali i Hysejnit, Aliu. Më pas, djali i Aliut, Muhamed Bakir. Më pas djali i Muhamed Bakirit, Xhaferr Sadiku. Më pas, djali i Xhaferr Sadikut, Musa Kadhimi. Më pas, djali i Musa Kadhimit, Ali err Rrida. Më pas, djali i Ali err Rrida, Muhamed Xheuadi. Më pas, djali i Muhamed Xheuadit, Ali El Hadij. Më pas, djali i Ali El Hadij, Hasan El Askerij. Më pas, djali i Hasan El Askerij, Mehdiu i pritur, i premtuar, i fshehur. Ai është edhe imami i kohës.

 

Kjo është përgjigjja jonë.

“...Thuaju: ‘Sillni argumentin tuaj nëse jeni të vërtetë.’

 

 Në Hadithin e Thekalejnit ka argumente të tjerë, siç është argumenti se Ehli Bejti janë më të diturit se të tjerët dhe këta të fundit janë urdhëruar që të ndjekin Ehli Bejtin dhe nuk janë urdhëruar që të ndjekin askënd tjetër. Një tjetër argument që përmban Hadithi i Thekalejnit është se Ehli Bejti janë më lart se tjerët në virtyte. Megjithatë, ne nuk do të ndalemi më në këtë çështje, pasi e kemi cekur më sipër dhe është sqaruar më së miri. Kush ka dëshirë, të thellohet në përmbajtjen e Hadithit Thekalejn, le të shfletojë librin “Khulasatu Abakatil Enuar”, në pjesën e dytë, i autorit, Ali el Mijlanij.

 

Përpara se ta mbyllim këtë temë, dua të përkufizoj shkurtimisht se çfarë kuptimi ka fjala el itretu, për të cilët jemi të urdhëruar në hadithin fisnik që t’i ndjekim? Kush janë Ehli Bejti, për të cilët jemi urdhëruar t'i ndjekim?

 

Në shpjegimet e mësipërme, pamë që në Hadithin e Thekalejnit gjejmë argumente të shumta. Prej atyre argumenteve janë se Ehli Bejti janë zëvendësit e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij!) dhe imamët pas tij. Ai që i ndjek ata ka shpëtuar nga humbja. Një argument tjetër është se Ehli Bejti janë të pagabueshëm. Argumenti tjetër është superioriteti i tyre mbi të tjerët. Nuk mund të thuhet se çdokush që është prej gjenezës së të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij!), është prej Ehli Bejtit, pasi jo të gjithë kanë veçoritë e pjesëtarëve të familjes së tij dhe jo të gjithë janë të pastër e të mbrojtur nga gjynahet dhe nga gabimet.

 

 Gjithashtu, nuk mund të thuhet se gratë janë prej familjes së Profetit Muhamed (Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij!), pasi mos qënia e tyre të pagabuara është e provuar gjatë jetës, siç ishte rasti i zonjës Aishe, e cila luftoi Aliun. Si mund të jetë ajo pjesë e Ehli Bejtit, ndërkohë që luftoi Aliun, i cili pa asnjë dyshim, ai është prej pjesëtarëve të familjes profetike?! Madje, ai është zotëria e Ehli Bejtit. Vallë, a ka urdhëruar Profeti që të ndiqet edhe luftuesi edhe i luftuari?!

 

E njëjta gjë thuhet edhe për sahabët. Si mund të jenë ata pjesë e familjes profetike dhe të ndiqen për të gjetur të vërtetën, ndërkohë që disa prej tyre e kundërshtuan Profetin Muhamed (Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij!), nuk e dëgjuan në Luftën e Uhudit, apo u bënë pjesë e luftës kundër Aliut. Përveç kësaj, sahabët kishin mosmarrëveshje të shumta me njëri-tjetrin. E si mund të jetë ndjekja e tyre shpëtuese nga humbja?! Kështu që një pjesë e madhe e sahabëve, nuk mund të jenë pjesë e familjes së Profetit Muhamed (Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij!).

 

Kur thuhet Ehli Bejt, duhet të vijnë në mendje një grup i caktuar në të cilët gjenden cilësi të posaçme, që i ka sqaruar vetë i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij!). Prej atyre janë:

 

 1- I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij!), ka bërë të qartë se pasuesit e familjes së tij, janë dymbëdhjetë zëvendës (prijësa). Ky hadith transmetohet në librin e Bukhariut, të Muslimit, të Ahmed bin Hanbelit dhe të disa të tjerëve, të cilët do t’i cekim më poshtë, pas Hadithit Thekalejn. Ky hadith është sqarues i Hadithit Thekalejn dhe përcakton me numër atë që përmendet në Hadithin Thekalejn, i cili e bën të domosdoshëm kapjen fort pas dy gjërave më të mëdha, që janë Libri i Allahut dhe familja e tij. Ndërsa në hadithin e dymbëdhjetë prijësave, i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij!) përcakton se numri i prijësave që duhen pasuar nga familja e tij janë dymbëdhjetë prijësa (imamë). Ky përcaktim i numrit sqaron më së miri se termi Ehli Bejt nuk është i përgjithshëm.

 

2- Ajo që u përmend më parë në ajetin e purifikimit (ajetu tat'hir) se Profeti Muhamed (Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij!), e caktoi qëllimin e fjalës Ehli Bejt me atë që  ishin të pranishëm në kohën e tij, të cilët ishin As'bu Kisa (Pjestarët e mbulesës) që ishin: Aliu, Fatimja, Hasani dhe Hysejni.

 

3- Kur i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij!) doli të lutej për mallkim (el mubaheletu) kundër të krishterëve, tha: “O Allahu im! Këta janë familja ime, Ehli Bejti im.”

 

Ka edhe shumë veçori të tjera si këto, të cilat disa i përmendëm gjatë kërkimit të deritanishëm. Të tjerat do t’i përmendim më poshtë. 

 

Këto sqarime të të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij!), përcaktojnë se kush quhet Ehli Bejt, të cilët duhen ndjekur dhe duhet kapur pas tyre. Për këtë shohim se edhe dijetari i nderuar dhe i shquar i Ehli Sunetit, El Meneuij, në tefsirin e tij, rreth kuptimit të fjalës “Ehli Bejti” dhe “itreti”, thotë: “Ata janë pjestarët që Profeti Muhamed (Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij!) i mbuloi me pelerinën e tij, të cilët Allahu i Madhëruar i pastroi ata nga çdo papastërti.”

(“Fejdul Kadir Sherhul Xhamiu es Sagir”, 3/19, shtëpia botuese “Kutubul Ilmijje”)

 

Kështu që, i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij!), në hadithe të tjera, e sqaroi mirë numrin e pasardhësve që duhet kapur pas tyre dhe duhen pasuar pas tij. Ata janë dymbëdhjetë. Disa prej tyre i sqaroi në kohën e tij. Në këtë mënyrë Hadithi i Thekalejnit vërteton veçantinë e atyre njerëzve të caktuar të cilëve Allahu u ka dhënë atyre pozitë të  lartë ndër të gjithë njerëzit në çdo kohë dhe në krye të tyre të të pastërve qëndron prijësi i besimtarëve, imam Ali ibn Ebi Talib (Paqja qoftë mbi të!). Gjithashtu, edhe disa dijetarë të Ehli Sunetit, janë të mendimit se Aliu është më merituesi për t'u ndjekur.

 

Semhudiu thotë: “Ai që e meriton më shumë të ndiqet nga pasuesit e Ehli Bejtit, është imami i tyre, i dituri i tyre Imam Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të!), për shkak të diturisë së tij, të devotshmërisë, të zgjuarsisë, të vigjilencës, të urtësisë dhe të shumë e shumë cilësive të mira që ka pasur.”

(“Xheuehirul Ikdejn”, 245, shtëpia botuese “Kutubul Ilmijje”)

 

Ibn Haxher Hejtemi El Mekij, thotë:

“Më merituesi për t’u ndjekur, është imami i tyre, i dituri i tyre, Ali ibn ebu Talibi (Allahu iu fisnikëroftë fytyrën!), sepse ai kishte jo vetëm dituri të madhe, perceptim dhe zgjuarsi të thellë, por edhe përpikëri në punë.”

(“Es Suaikul Muhrakah”, 232, shtëpia botuese “Kutubul Ilmijje”)

 

Them: Falënderimi i takon Allahut, që na bëri të mundur të jemi ndjekës të një njeriu të tillë, si Ali bin ebu Talib (Paqja qoftë mbi të!).

 

Kemi përfunduar me shpjegimin e Hadithit të Thekalejnit. Këtu po themi se hadithi i ardhur që thotë: Librin e Allahut dhe sunetin tim, në vend të shprehjes: Librin e Allahut dhe pasardhësit e mi (itretij), është hadith i vendosur dhe i rremë.

 

Eruditi Hasan Es Sekkaf, një prej dijetarëve bashkëkohorë të Ehli Sunetit thotë: Përsa i përket hadithit: Kam lënë te ju, nëse kapeni pas atyre të dyjave nuk do të jeni të humbur pas meje, Librin e Allahut dhe sunetin tim, ky është hadith i shpikur, siç e kam sqaruar në librin tim “Sahijh sifetu salati en Nebij”, faqe 289. Aty kam përmendur të gjitha rrugët e transmetimit të tij. Atë e shpikën nasibijtë dhe armiqtë e Familjes së Profetit me qëllim që të largojnë umetin nga ndjekja e Ehli Bejtit dhe për të zhdukur gjurmët e tyre. Ata shpikën hadithe të rremë për njerëzit që t'i drejtonin ata ashtu siç dëshironin!!! Prandaj, kini kujdes nga kjo!

(“Sahijh Sherh El Akijdetu Et Tahauijeh”, 178, botim i “Darul imam En Neueuij”, Jordani)

 

Edhe sikur të themi se hadithi: Librin e Allahut dhe sunetin tim, është i saktë, nuk gjendet kundërshti mes këtij hadithi dhe hadithit: Librin e Allahut dhe Ehli Bejtin tim, sepse prej sunetit të Profetit është edhe thënia: Unë po ju lë juve dy të rënda: Librin e Allahut dhe pasardhësit e mi (el itretu). Kështu që hadithi: Dhe sunetin tim, është tregues për obligueshmerinë e zbatimit të hadithit: Dhe Pasardhësit e mi.