NË TRYEZËN E KUR'ANIT DHE SUNNETIT

Ehli Bejti - Burim i dijeve islame



 

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

 

Falënderimet i takojnë Zotit të botëve. Paqja dhe bekimet qofshin mbi Profetin Muhamed, mbi familjen e tij të pastër dhe mbi shokët e tij të zgjedhur. Ne myslimanët grindemi për çështje të brendshme, ndërkohë që armiqtë e Islamit na kanë përçarë nga jashtë në atë mënyrë sa ne nuk e ndiejmë.

 

Ne jemi dobësuar për të mbrojtur vendet tona dhe armiqtë na kanë sunduar. Allahu i Madhëruar thotë:

 

“Bindjuni Allahut dhe të Dërguarit të Tij dhe mos u grindni ndërmjet jush, sepse do të humbni guximin e do t‟ju lërë fuqia. Bëhuni të durueshëm, se Allahu, me të vërtetë, është me të durueshmit.”

(Sure “En Enfal”, ajeti 46.)

 

Sot, në këto ditë dhe në çdo kohë, ne duhet të kthehemi te Libri (Kur‟ani) dhe Suneti, fjalët, veprat dhe miratimet e Profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) për mosmarrëveshjet që kemi dhe të bashkojmë fjalën tonë rreth këtyre dy burimeve, ashtu siç thotë Allahu i Madhëruar:

 

“…Nëse nuk pajtoheni në ndonjë gjë, drejtojuni Allahut dhe të Dërguarit…”

(Sure “En-Nisa”, ajeti 5)

 

Në këtë seri hulumtimesh do të bazohemi te Libri dhe Suneti, për të nxjerrë prej tyre çështjet që janë të papajtueshme për ne. Le të jenë këto hulumtime, me lejen e Allahut Fuqiplotë, faktorë të bashkimit të fjalës sonë.

 

Shpresojmë që dijetarët të bashkohen me ne në këtë fushë dhe së bashku të përpiqemi të shkulim rrënjët e mosmarrëveshjeve e të mospajtimeve. Le të mbjellim në vend të tyre farën e dashurisë, të mirëkuptimit dhe të unitetit. Vërtet, Allahu është Mbarësuesi dhe Atij i mbështetemi për gjithçka.

 

 

Roli i Profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) nuk ka qenë i kufizuar vetëm me udhëheqjen e myslimanëve dhe me drejtimin e tyre në çështjet politike e shoqërore, por ai ka patur edhe rol referues shkencor, ideologjik e kulturor.

 

Ai (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) mbulonte të gjitha nevojat ideologjike, juridike e morale të myslimanëve. Ai ka qenë këshilluesi i myslimanëve në të gjitha çështjet shkencore me të cilat përballeshin. Tek Profeti myslimanët gjenin përgjigje, duke u bazuar në tekstin e shpallur, Kur‟anin, që ua lexonte dhe ua mësonte atyre, ose në hadithet që ua transmetonte. Çdo gjë që ai thoshte ishte shpallje e shpallur, siç ka ardhur në Kur‟anin fisnik:

 

"Ai nuk flet sipas qejfit të vet, por ajo (që thotë) është vetëm shpallje e Zotit, që i vjen atij. Atë ia ka mësuar atij një (melek) shumë i fuqishëm (Xhebraili)." (“En Nexhm”, 3-5)

 

 I Dërguari fisnik (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), e dinte se nevoja shkencore e myslimanëve ishte një nevojë e përhershme dhe e pandërprerë. Ai e dinte mirë se myslimanët do të kishin nevojë pas tij për udhëzues të besueshëm. Filizat e rinj të Islamit, pa një përfaqësues të ditur e të besueshëm, nuk do të ishin të qëndrueshëm e as nuk do të kishin mundësinë e shtrirjes së rrënjëve të tyre në të gjitha anët e botës.

 

Për këtë çështje, i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), zgjodhi Ehli Bejtin e tij dhe i paraqiti të pastër tek myslimanët me cilësinë e tyre si këshillues shkencorë të ditur e të besueshëm. Ky burim do të qëndrojë përderisa qëndron Libri i Zotit, Kur'ani i shenjtë, në mënyrë që të përmbushen nevojat e myslimanëve.

 

I Dërguari fisnik (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi  familjen e tij!) e përforcoi këtë çështje me këshillimin dhe porositjen e myslimanëve disa herë, siç është vërtetuar në librat e Shiitëve dhe të Ehli Synetit. Ndër më të rëndësishmit e atyre haditheve, është hadithi i njohur si hadithi i "dy të rëndësishmeve" (hadithu thekalejn). Ky hadith është i transmetuar në mënyrë të pashkëputur (teuatur) tek myslimanët. Ai është transmetuar me shumë fraza dhe me metoda të ndryshme. Më poshtë po citojmë disa prej tyre:

 

Transmeton Myslimi në Sahihun e tij nga Zejd ibn Erkam i cili ka thënë: I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), një ditë prej ditësh, mbajti një ligjeratë për ne në një vend që quhet Khum, ndërmjet Mekës dhe Medines. Ai falënderoi Allahun, e lavdëroi Atë, këshilloi e porositi njerëzit dhe pastaj tha:

 

“E pas kësaj... O ju njerëz! Vërtet, edhe unë jam njeri. Dalëngadalë po më afrohet koha që të më vijë i dërguari i Zotit tim (meleku i vdekjes), e unë do t'i përgjigjem. Unë po ju lë juve dy gjëra të rëndësishme: I pari i tyre është Libri i Allahut, në të cilin ka udhëzim e dritë, kështu që merreni Librin e Allahut dhe kapuni fort pas tij.” Pastaj tha: “Dhe Ehli Bejtin tim! Ju kujtoftë Allahu në Ehli Bejtin tim, ju përmendtë Allahu në Ehli Bejtin tim, ju përmendtë Allahu në Ehli Bejtin tim.” (Sahijh Myslim, 4: 1873)

 

Po ashtu, El Hakim En Nijsaburij transmeton nga Zejd Bin Erkam thënien e tij: Në momentin që u kthye i Dërguari i Allahut prej Haxhit të Lamtumirës dhe mbërriti në Gadijr Khum, urdhëroi të ngrihet një çadër e madhe dhe ne e bëmë. Pastaj tha:

 

“Sikur po më vjen thirrja për largimin nga kjo jetë dhe më duhet t'i përgjigjem. Vërtet, unë ju kam lënë juve dy gjëra të rëndësishme. Njëra prej tyre është më e madhe sesa tjetra: Libri i Allahut të Lartësuar dhe gjeneza ime. Kështu që të jeni të vëmendshëm se si do të më kundërshtoni mua në këto të dyja. Vërtet, të dyja nuk ndahen kurrë, derisa të kthehen tek unë në Haud (burimi Keuther).” Pastaj tha: “Vërtet, Allahu i Lartësuar dhe i Lavdishëm është Udhëheqësi im dhe unë jam udhëheqësi i çdo besimtari.” Më pas kapi dorën e Aliut (Paqja qoftë mbi të!) dhe tha: “Për atë, që kam qenë udhëheqësi i tij, atëherë ky, Aliu, është udhëheqësi i tij. O Allah! Duaje atë që e do Aliun dhe bëhu armik me atë që është armik i tij.”

(El Mustedrek alas Sahijhejn, 3:109)

 

Ahmed Bin Jahja El Beladhirij na ka transmetuar nga Zejd ibn Erkam thënien e  tij: Ishim me Profetin (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) në Haxhin e Lamtumirës. Kur ndodheshim në Gadijr Khum, urdhëroi të ngrihet një çadër e madhe dhe ashtu bëmë. Pastaj u ngrit e tha:

 

“Sikur po më vjen thirrja për largimin nga kjo jetë dhe më duhet t'i përgjigjem. Vërtet, Allahu i Lartësuar dhe i Lavdishëm është Udhëheqësi im dhe unë jam udhëheqësi i çdo besimtari. Unë po ju lë juve dy gjëra të rëndësishme, e nëse kapeni fort me to, nuk do të humbisni: Librin e Allahut dhe gjenezën (familjen) time. Vërtet, ato të dyja nuk ndahen kurrë, derisa të kthehen tek unë në Haud.”

Pastaj, mori dorën e Aliut dhe tha: “Për atë, për të cilin kam qenë udhëheqësi i tij, atëherë ky, Aliu, është udhëheqësi i tij. O Allah! Duaje atë që e do Aliun dhe bëhu armik me atë që është armik i tij.”  

 

Ebu Tufejl ka thënë: I thashë Zejdit:

"Ti e ke dëgjuar këtë prej të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!)? Nuk ka mbetur askush në çadër, që nuk e ka parë me sytë e tij dhe që nuk e ka dëgjuar me veshët e tij këtë."

(Ensabul Eshraf, 2: 110)

 

 Transmeton Ibn Ethijr nga Zejd ibn Erkam thënien e tij: I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë:

 

“Vërtet, unë po ju lë juve ato, që nëse kapeni fort me to, nuk keni për të humbur. Njëra prej tyre është më e madhe sesa tjetra: Librin e Allahut - litari i zgjatur nga qielli në tokë dhe gjenezën time - Ehli Bejtin tim. Vërtet, ato të dyja nuk ndahen kurrë, derisa të kthehen tek unë në Haud (burimi Keuther). Prandaj, hapni sytë se si do të më kundërshtoni mua në këto të dyja.” (Usdul Gabe, 2: 12)

 

Ali ibn Ebu Bekër El Hejthemij transmeton nga Zejd ibn Thabit thënien e tij: I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë:

 

“Vërtet, unë po ju lë juve dy pasues: Librin e Allahut të Lavdishëm e të Lartësuar, litari që shtrihet ndërmjet qiellit dhe tokës dhe rrethin tim të ngushtë, Ehli Bejtin tim. Vërtet, këto të dyja nuk ndahen, deri sa të kthehen tek unë në Haud (burimi Keuther).” (Mexhmauz Zeuaid, 9: 162)

 

Gjithashtu, El Hejthemij e transmeton këtë kuptim me fraza të tjera nga Ebu Hurejra, nga Ali ibn Ebu Talib, nga Ebu Said ElKhuderij, nga Zejd ibn Erkam dhe nga Hudhejfe ibn Usejd El Gaffarij.

 

Ahmed ibn Ali El Khatijb El Bagdadij nga Hudhejfe ibn Usejd transmeton thënien e tij: I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë:

 

“O njerëz, vërtet unë do shkëputem prej jush. Ju do të ktheheni tek unë tek Haudi. Unë do t‟ju pyes juve, ndërkohë që do të vini tek unë për dy gjërat e rëndësishme, kështu që të jeni të vëmendshëm se si do të më kundërshtoni mua në këto të dyja. E rënda më e madhe është Libri i Allahut. Një anë e tij është në dorën e Allahut, ana tjetër është në dorën tuaj. Kështu që kapuni fort me të dhe mos humbisni e mos ndryshoni.”

(Tarijkhul Bagdad, 8: 442.)

 

Transmeton Imam Ahmed ibn Hanbeli nga Ebu Saidi thënien e tij: I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë:

 

“Vërtet, unë ju lashë juve atë, të cilën, nëse kapeni pas saj, nuk keni për të humbur pas meje: Dy gjëra të rëndësishme. Njëra prej tyre është më e madhe sesa tjetra: Librin e Allahut, litari i zgjatur prej qiellit e deri në Tokë dhe (gjenezën) rrethin tim të ngushtë, Ehli Bejtin tim. Vërtet, këto të dyja nuk ndahen, derisa të kthehen tek unë në Haud (burimi Keuther).”

(Musned Ahmed, 3: 59)

 

Në përgjithësi themi se hadithi i dy gjërave të rëndësishme (hadithi thekalejn) është transmetuar nga i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) me fraza të shumta e me mënyra të ndryshme nëpërmjet një numri sahabësh të mëdhenj si: Zejd ibn Erkam, Ebu Dherr El Gaffarij, Ebu Said El Khuderij, Ali ibn Ebu Talib, Zejd ibn Thabit, Hudhejfe ibn El Jemani, Ibn Abbas, Selman El Farisij, Ebu Hurejra, Xhabir ibn Abdullah, Hudhejfe ibn Usejd El Gaffarij, Xhebijr ibn Mut‟im, El Hasan ibn Ali, Fatime Zahra, Ummu Hani bint Ebi Talib, Ummu Seleme, Ebu Rafi‟ Meula (shërbyesi i të Dërguarit të Allahut) etj.

 

Është një hadith i njohur, në të cilin thuhet se Prijësi i besimtarëve, Ali ibn Ebu Talib (Paqja qoftë mbi të!) e falënderoi Allahun, e lavdëroi Atë e më pas tha:

 

“I përgjërohem duke iu betuar në Allahun, të ngrihet në këmbë ai që ka qenë dëshmitar ditën e Gadijr Khumit.” Kushdo që çohej, thoshte: “E vërtetoj.” ose “Jam lajmëruar.”- “ Të çohet e të thotë se e ka dëgjuar me veshët e tij dhe e ka përvetësuar me zemrën e tij.” Pastaj u ngritën shtatëmbëdhjetë burra. Prej tyre: Khazijme ibn Thabit, Sehl ibn Sa‟ad, Udej ibn Hatim, Ukbe ibn Amir, Ebu Ejjub El Ensarij, Ebu Saijd El Khuderij, Ebu Sherijkh El Khuzaij, Ebu Kudame El Ensarij, Ebu Ja‟la El Ensarij dhe Ebu Hejthem ibn Et Tejhan. (Jenabijul Meuedeh, 41)

 

Ahmed ibn Haxher El Hejthemij përmend se janë më shumë se njëzet sahabë (shokë) prej sahabëve të Dërguarit të Allahut, të cilët e kanë transmetuar hadithin edy gjërave të rëndësishme (hadijthu thekalejn) (Es Savaik El Muhrika, 150)

 

Es Sejid Hashim El Bahranij ka transmetuar në librin e tij Gajetul Meram tridhjetë e nëntë transmetime prej librave të Ehli Synetit dhe tetëdhjetë e dy transmetime prej librave të Shiitëve rreth hadithit të dy gjërave të rëndësishme.

(Gajetul Meram, 211-234)

 

Pra, hadithi Thekalejn gjendet te burimet e Shiitëve dhe në librat e Ehli Synetit. Prej  tyre përmendim:

 

- Sahijh Myslim, vëll. 4, f. 1874.

- Musned Imam Ahmed, vëll. 3, f. 17, 26, 59 dhe vëll. 4, f. 366, 371, dhe vëll.. 5, f. 181 dhe 189.

- Mustedrek El Hakim, vëll. 3, f. 109, 110, 126 dhe 148.

- Usdul Gabe, vëll. 2, f. 12.

- Mexhmau Zeuaid, vëll. 9, f. 162.

- Tarijkh Bagdad, vëll. 8, f. 442.

- Es Sijretu Nebeuije, Ebu El Fida, vëll. 4, f. 416.

- Ensabul Eshraf, vëll. 2, f. 110.

- Tefsijrul Kebijr, vëll. 8, f. 163.

- El Fusul el Muhime, Ibn Sabbag, f. 22.

- Menakibul Khavarizmij, f. 93.

- Jenabijul Meuede, f. 31, 32, 33, 34, 35, 39, 40, 42, 44, 45. Is‟afu Ragibijn, botuar në referencën e Nurul Ebsar, f. 110.

- Tedhkiretul Khauas, f. 322.

- Dhekhairul Ukba, f. 16.

- Nudhum Dururu Simtejn, f. 231-233.

- Es Sijretul Halebije, vëll. 3, f. 308.

- Muntekhab Kenzul Ummal, botuar në referencën e Musnedit të Ahmedit, vëll. 1, f. 96, 101, vëll. 2, f. 390 dhe vëll. 5, f. 95

- Nesijmu Rijad, vëll. 3, f. 410.

- Sherhu Shifa, botuar në referencën e Nesijmu Rijad, vëll. 3, f. 410, etj.

 

Me këtë që u tha më lart, mund të nxjerrim tre tematika shumë të rëndësishme:

 

Tematika e parë:

 

Ehli Bejti (Paqja qoftë mbi ta!) është këshillues shkencor e fetar si Kur‟ani. Ai njihet sepse është burimi shkencor bazë dhe argumenti legjitim që duhet ndjekur. Thëniet dhe veprat e tyre janë të sakta dhe në to nuk ka as dyshim e as mëdyshje. Kushdo që i ndjek thëniet dhe veprat e tyre nuk humbet kurrë.

 

Tematika e dytë:

 

Ehli Bejti (Paqja qoftë mbi ta!) do të qëndrojë përherë, ashtu siç do të qëndrojë  Kur‟ani në mesin e njerëzve deri në Ditën e Ringjalljes.

 

Tematika tretë:

 

Kur‟ani dhe Ehli Bejti (Paqja qoftë mbi ta!) nuk ndahen dhe nuk shkëputen kurrë prej njëri-tjetrit. Nuk është e mundur për asnjë mysliman ta anashkalojë Ehli Bejtin e të thotë: “Na mjafton Libri i Allahut!” Gjithashtu, asnjë mysliman nuk mund të thotë se prania e Ehli Bejtit na mjafton dhe se nuk kemi nevojë për Kur‟anin.

 

Ahmed ibn Haxher El Hejthemij thotë: I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) e quajti Kur‟anin dhe Itren (familjen dhe të afërmit) dy gjëra të rëndësishme, sepse fjala "el thakl" përdoret për diçka me shumë vlerë, e cila  ruhet dhe mbrohet shumë mirë.

 

Vërtet, Kur‟ani dhe itretu janë të tilla (shumë të çmuara), sepse që të dyja janë minierë dijesh, sekretesh, urtësish dhe rregullash të Sheriatit. Ky është shkaku, për të cilin i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) i nxit njerëzit në ndjekjen dhe kapjen fort me këto të dyja. (Es Savaik El Muhrika, 151)

 

Atëherë, është detyra jonë që të shohim se kush janë Ehli Bejti dhe gjeneza “el itretu”? Vërtet, termi Ehlul Bejt përdoret për personat që banojnë në një shtëpi të përbashkët dhe që janë nën kujdesin e kryetarit të familjes.

 

A mund të themi për Ehli Bejtin e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) se ka kuptimin e personave që banojnë në shtëpinë e tij dhe që janë nën kujdesin e tij?

 

Duke parë domosdoshmërinë e përshtatjes mes dispozitës e tematikës, një supozim i tillë është i largët, sepse përmendja e Ehli Bejtit në këto hadithe ka ardhur me cilësinë e tij si burim shkencor e fetar, që nuk mund të krahasohet.

 

Në ndjekjen e tyre nuk ka as gabim e as humbje. Për këtë, para së gjithave, ata duhet të jenë njohës të dispozitave ligjore të fesë dhe së dyti, të kenë imunitet e ruatje kundrejt gabimit dhe gjynahit.

 

Ky imunitet dhe kjo ruajtje nuk gjendej tek të gjithë anëtarët e familjes së Profetit. Prandaj, është e domosdoshme se qëllimi me Ehli Bejtin është për individë të veçantë e të përcaktuar.

 

Për këtë shkak, në fund të hadithit të dy të çmuarave të përmendur nga Zejd Bin Erkam, thuhet:

U pyet Zejd ibn Erkam: “Kush janë Ehli Bejti? A synohet me të gratë e Profetit?” Zejdi u përgjigj duke thënë: “Jo, pasha Allahun. Sepse bashkëshortja mund të jetojë me burrin një periudhë kohe e pas saj divorcohet prej tij dhe kthehet tek shtëpia e babait të saj dhe e të afërmve të saj. E si mund të jenë prej Ehli Bejtit? Përkundrazi, Ehli Bejti i Profetit janë fëmijët e tij, të cilëve u është ndaluar lëmosha (sadakaja).”

(Sahijhu Myslim, 4: 1874)

 

Në lidhje me këtë, Ahmed ibn Haxher, gjithashtu, shkruan: “Vërtet, ata për të cilët ka ardhur porosia për ndjekjen e tyre, duhet të jenë të ditur për Librin e Allahut dhe për synetin e Profetit të Tij, sepse persona të tillë nuk ndahen prej Librit të Allahut. Për këtë, ata kanë përparësi mbi të gjithë dijetarët, sepse Allahu i Lartësuar i pastroi ata nga ndytësitë e gjynaheve.” (Es Savaik El Muhrika, 151.)

 

Për këtë arsye, në përmbajtjen (hashijetin) e disa prej haditheve të dy të çmuarave (thekalejn) ka ardhur:

“Mos i paraprini këtyre të dyjave se do të shkatërroheni. Mos i neglizhoni këto të dyja, se do të shkatërroheni. As mos i mësoni ata (Ehli Bejtin), sepse ata janë më të ditur se ju.”

(El Mustedrek, 3: 146.)

 

Gjithashtu, edhe i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) e ka paraqitur të pastër Ehli Bejtin (Paqja qoftë mbi ta!).

 

Prej shembujve të kësaj: Transmetohet nga Umu Selemeh, e cila ka thënë:

“Në shtëpinë time zbriti: „O Familje e Profetit! Në të vërtetë, Allahu do që ta largojë prej jush papastërtinë…‟” Pastaj tha: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ftoi Aliun, Fatimenë, Hasanin dhe Hysejnin e tha: „Këta janë Ehli Bejti im.‟”

(8 El Mustedrek, 3: 146.)

 

Është transmetuar nga Umer ibn Ebu Selma, Rebijbun Nebij, i cili ka thënë:

Ky ajet “O Familje e Profetit! Në të vërtetë, Allahu do që ta largojë prej jush papastërtinë dhe t‟ju pastrojë plotësisht.” i ka zbritur Profetit në shtëpinë e Umu Selemes. Profeti (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ftoi Fatimenë, Hasanin dhe Hysejnin dhe i mbështolli ata me mbulesë dhe Aliu ishte pas kurrizit të tij. Pastaj tha: “Këta janë Ehli Bejti im. Largoje prej tyre papastërtinë dhe pastroji ata plotësisht.” Umu Seleme tha: “Po unë, a jam me ta, o i Dërguari i Allahut?” Profeti i tha: “Ti je në vendin tënd, je në mirësi.”

(Usdul Gabe, 12)

 

 Amir ibn Sa‟ad transmeton nga babai i tij, i cili ka thënë: “Kur zbriti ky ajet:

„…Ejani t‟i thërrasim bijtë tanë dhe bijtë tuaj, gratë tona dhe gratë tuaja, veten tonë dhe ju vetë…‟, i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ftoi Aliun, Fatimenë, Hasanin dhe Hysejnin (Paqja e Allahu qoftë mbi ta!) dhe tha: „O Allah! Këta janë Ehli Bejti im.‟"

(El Mustedrek, 3: 150)

 

Është transetuar nga Aishja, e cila ka thënë:

 

“Doli Profeti (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) një ditë në mëngjes dhe kishte veshur një kapotë me fije të zeza. Ndërkohë, erdhi Hasani, biri i Aliut dhe e futi atë brenda, pastaj erdhi Hysejni dhe e futi bashkë me të, pastaj erdhi Fatimeja dhe e futi atë, pastaj erdhi Aliu dhe e futi edhe atë. Pastaj tha:

„O Familje e Profetit! Në të vërtetë, Allahu do që ta largojë prej jush papastërtinë dhe t‟ju pastrojë plotësisht.‟”

(Sahijhu Myslim, 4: 1883)

 

Nga këto hadithe, arrijmë në përfundimin se Ehli Bejti janë individë të caktuar: Ali ibn Ebu Talib, Fatimeja, Hasani dhe Hysejni (Paqja qoftë mbi ta!), të cilët i përcaktoi i Dërguari fisnik me këtë emërtim. Këta individë janë përmendur për rolin e tyre me disa individë të tjerë, si besnikë të Ehli Bejtit, me cilësinë e tyre imamë të myslimanëve dhe udhëzues. Këta janë përmendur në librat e haditheve tek shiitët. Në shtesë të kësaj, vetë i Dërguari fisnik (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka sqaruar në jetën e tij numrin e tyre, disa tipare dalluese të tyre, madje edhe emrat e tyre, siç përmenden në librat e haditheve tek shiitët. Për shembull:

 

Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë:

 

“Ju bëj thirrje me emrin e Allahut! A e dini se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) mbajti një ligjeratë dhe nuk mbajti më tjetër pas kësaj, e në të cilën ka thënë:

 

„O njerëz! Vërtet, unë po ju lë juve Librin e Allahut dhe gjenezën time, Ehli Bejtin tim. Kështu që kapuni fort me këto të dyja e nuk do të humbisni asnjëherë, sepse i Buti, i Mirinformuari më lajmëroi mua dhe më premtoi se ato të dyja nuk do të ndahen, derisa të kthehen tek unë në Haud (burimi Keuther).‟

 

Ndërkohë, u ngrit Umer ibn Khattab, i cili dukej i zemëruar e nervoz, e tha:

 

„O i Dërguari i Allahut! Të tërë janë Ehli Bejti yt?‟ Tha: „Jo, por këshilltarët e mi prej tyre, ministri im dhe zëvendësi im tek ymeti im, udhëheqësi i çdo besimtari pas meje, ai është i pari i tyre. Pastaj nipi im Hasani, pastaj nipi im Hysejni, pastaj nëntë prej djemve të Hysejnit, një pas një, derisa të kthehen tek unë në haud. Ata janë dëshmorët e Allahut në tokën e Tij, argumentet e Tij për krijesat e Tij, depozituesit e diturisë së Tij dhe minierat e urtësisë së Tij. Kush u bindet atyre, i është bindur Allahut dhe kush i kundërshton ata, ka kundërshtuar Allahun.‟ Ndërkohë, të gjithë thanë: „Dëshmojmë se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) e ka thënë këtë.”

(Xhamiu Ehadijthu Shijah, 1: 49)

 

Ibrahim ibn Muhamed El Xhuejnij transmeton nga Abdullah ibn Abbas thënien e tij:

Kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) të thotë: “Unë, Aliu, Hasani, Hysejni dhe nëntë prej bijve të Hysejnit jemi të pastruar dhe të pagabueshëm.” (Faraidus Simtejn, 2: 133.)

 

Deri tani studimi ynë ka qenë rreth hadithit të dy të çmuarave (thekalejn). Ka edhe hadithe të tjerë të ngjashëm me këtë hadith në përmbajtje, pra që flasin për Ehli Bejtin (Paqja qoftë mbi ta!). Këtu po tregojmë disa prej tyre: Është transmetuar nga ibn Abbasi, i cili ka thënë se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ka thënë:

 

“Shembulli i Ehli Bejtit tim është si shembulli i anijes së Nuhut: Kush hipën në të, shpëton dhe kush e kundërshton, mbytet.”

(Mexhmau Zeuaid, 9: 68.)

 

Ky hadith është transmetuar, gjithashtu, me zinxhirë të tjerë transmetimi nga Ebu Said El Khuderij, Abdullah ibn Zubejr, Ebu Dherr El Gaffarij, nga Profeti.

(Menakibul Khavarizmij, 199)

 

Në këtë hadith, Profeti i Islamit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), gjithashtu, e paraqet të pastër Ehli Bejtin me cilësinë e tij këshillues në dije.

 

Ai i përkrah dhe i mbështet thëniet dhe veprat e tyre, me cilësinë e tyre argument për myslimanët. Nga hadithi përfitohet se është detyrë e myslimanëve që të ndjekin Ehli Bejtin (Paqja qoftë mbi ta!) dhe të veprojnë sipas mësimeve të tyre, në mënyrë që të mos shkojnë në rrugë të shtrembër e të humbin. Nëse myslimanët do të largohen prej Ehli Bejtit, atëherë patjetër do të shkojnë në humbje e në shkatërrim. Kjo çështje ndryshon nga prijësia (imameti) e Ehli Bejtit dhe dashuria. Bazuar në këto hadithe, është detyrë e myslimanëve që t‟i mbështeten Ehli Bejtit në mësimin dhe kuptimin e rregullave fetare, edhe nëse nuk e pranojnë imametin (prijësinë) e tyre.

 

 

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) nuk e ka marrë vendimin e caktimit të imam Aliut pa u parapërgatitur për të. Përkundrazi, ai e ka ndjerë domosdoshmërinë e një veprimi të tillë.

 

Për këtë, ai përgatiti premisa në mënyrë të përshkallëzuar. I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) e ka ditur shumë mirë se qëndrueshmëria e Islamit dhe përhapja e tij ka nevojë për një burim të fortë, që t‟i ruajë të gjitha dispozitat, ligjet dhe njohuritë fetare nga çdo gabim e paqartësi. Kështu, myslimanëve u bëhet i  mundur kthimi në këtë burim në rast nevoje. I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) e dinte se myslimanët, në të tilla situata të vështira e kritike, në fillim të Islamit nuk e kishin përgatitjen e mjaftueshme që t‟i mësonin të gjitha ligjet, dispozitat dhe njohuritë fetare në mënyrë të plotë ose që të përpiqeshin për mësimin e tyre.

 

Ishte e domosdoshme që dispozitat e Zotit të ruheshin në një vend të sigurt e besnik. Për këtë qëllim, i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) zgjodhi Ali ibn Ebu Talibin. Ai vendosi dalëngadalë në kompetencat e tij dijet fetare. Kjo çështje ishte e ngarkuar prej vetë Allahut të Lartësuar.

 

Transmetohet nga Ali ibn Ebu Talibi, i cili ka thënë:

 

“Mua më përqafoi i Dërguari i Allahut e më tha: „Vërtet, Allahu më ka urdhëruar mua që të të afroj e mos të të largoj, të dëgjosh e të perceptosh dhe me të drejtën e Allahut, të dëgjosh e të perceptosh.‟” Ndërkohë, zbriti ky ajet: “Dhe i përceptojnë ato veshët përceptues.”

(Menakibul Khavarizmi, 199)

 

Transmetohet se ibn Abbasi ka thënë: Kur zbriti ajeti: “Dhe i përceptojnë ato veshët përceptues”, Profeti (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) tha:

 

„Iu luta Zotit tim të Lavdishëm e të Lartësuar që ato veshë t‟i bënte veshët e Aliut.‟ Aliu (Paqja qoftë mbi të!) tha: „Çdo gjë që e kam dëgjuar nga i Dërguari i Allahut, e kam përvetësuar në mendje, e kam perceptuar dhe kurrë nuk e kam harruar atë që kam dëgjuar.‟”

(Menakibul Khavarizmij, 199)

 

Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të) ka thënë:

 

“Ju i dini, pa dyshim, lidhjet e mia të ngushta në gjak dhe raportet e mia të veçanta me të Dërguarin e Allahut. Ai më mori përsipër që kur isha ende fëmijë. E kishte zakon të më shtrëngonte në kraharor... Ai nuk ka gjetur asnjëherë gënjeshtër në të folurit tim, as dobësi në ndonjë punë timen. Që kur u nda nga gjiri i nënës, Zoti i vuri pranë një melek të madh, e ky e ushqente ditë e natë me tiparet e një karakteri të lartë e të një sjelljeje të mirë, ndërsa unë e ndiqja prapa si manari që ndjek gjurmët e së ëmës.

Çdo ditë do më rrefente si një flamur ndonjë nga vetitë e tij të larta e do më tregonte si ta bëja timen. E kishte zakon të shkonte çdo vit i vetmuar në kodrën e Hiras, ku vetëm unë mund ta shikoja. Ato ditë Islami s‟ekzistonte ende në asnjë familje, veç atij të Profetit të Zotit e Hatixhes. Kurse unë kam qenë i treti pas atyre të dyve. Isha mësuar ta shikoja e ta kundroja ndriçimin gjatë zbritjes së Mesazhit Hyjnor dhe të merrja frymë nga aroma e profetësisë.

Kur zbriti Zbulesa tek Profeti i Zotit, dëgjova ofshamën e Shejtanit. E pyeta: „O Profet i Zotit, ç'është kjo ofshamë?‟ Ai m‟u përgjigj: „Ky është Shejtani që i ka humbur të gjitha shpresat për të qenë i adhuruar. O Ali, ti shikon çdo gjë që shoh unë dhe dëgjon çdo gjë që dëgjoj unë, ndonëse nuk je profet. Por ti je ndihmës i tij dhe je në rrugën e virtytit, e për këtë s‟ka dyshim.‟"

(Nehxhul Belaga, ligjërata 192 (El Kasiatu))

 

I është thënë Aliut (Paqja qoftë mbi të!):

 

“Pse ti di më shumë hadithe prej as‟habëve të të Dërguarit të Allahut? Tha: “Nëse e pyesja atë, më lajmëronte dhe nëse heshtja, fillonte të më fliste.”

(Tabakat ibn Sa‟ad, 2: 338, Ensabul Eshraf, 2: 98)

 

Në një hadith, Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë:

 

“Hyja tek i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) çdo ditë e ai më lejonte mua. Shkoja me të kudo që shkonte. As‟habët e Muhamedit e dinin se ai nuk e bënte këtë me asnjë njeri tjetër, përveçse me mua… Kur hyja tek ai, i nxirrte gratë e tij dhe nuk mbetej tek ai askush tjetër, përveç meje. Kur vinte tek unë në shtëpinë time, nuk ngrihej prej meje Fatimeja dhe asnjëri prej dy djemve të mi. Nëse e pyesja, më përgjigjej. Nëse heshtja, bisedonte me mua.

Çdo ajet që i zbriste të Dërguarit të Allahut, ma lexonte mua dhe unë e shkruaja atë me shkrimin tim. Më mësoi mua kuptimin dhe komentimin e tyre, abroguesin dhe të abroguarin, ato me kuptim të qartë dhe të tërthortë, të përgjithshmet dhe të veçantat e tyre. E luste Allahun që të më jepte mua kuptimin dhe ngulitje e tyre në mendje. Që kur iu lut Allahut, nuk harrova asnjë ajet prej Librit të Allahut dhe asnjë dituri që kumtonte e që e shkruaja.

Çdo gjë që ia mësoi Allahu atij prej të lejuarës e të ndaluarës, urdhrit e ndalesës, që ka qenë apo që do të jetë, bindjes apo mosbindjes, veçse ma ka mësuar atë, e kam ngulitur në mendje dhe nuk kam harruar asnjë germë. Pastaj e vendosi dorën e tij mbi gjoksin tim dhe e luti Allahun për mua që ta mbushte zemrën time me dituri, kuptim, mençuri e dritë. Unë i thashë: „O i Dërguari i Allahut, ti je babai dhe nëna ime, qëkur e lute Allahun për mua, për atë që e lute, nuk kam harruar asgjë dhe nuk më ka shpëtuar asgjë pa e shkruar. Vallë, a frikësohesh nga harresa ime në të

ardhmen?‟ Ai më tha: „Jo, nuk i frikësohem as harresës e as paditurisë tënde.‟” (El-Kafij, 1: 64)

 

Gjithashtu, Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë:

 

“Pasha Allahun. Nuk ka zbritur asnjë ajet, që të mos e kem ditur se për çfarë ka zbritur dhe për cilin ka zbritur. Vërtet, Zoti im më ka dhuruar zemër logjikuese dhe gjuhë artikuluese.”

(Et-Tabakat El-Kubra, 2: 348)

 

Prej këtyre haditheve nxjerrim si përfundim se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka treguar një kujdes të veçantë në mësimin dhe edukimin e Ali ibn Ebu Talibit (Paqja qoftë mbi të!) e për këtë arsye, e afroi pranë tij. Çdo gjë që i vinte atij prej Allahut, nëpërmjet Shpalljes, e vendoste nën kompetencat e Aliut. Profeti i kërkoi Allahut të Lavdishëm e të  Lartësuar që ta bënte Aliun ngulitës të të gjitha dijeve dhe që të mos harronte asgjë prej tyre. Allahu ia pranoi atij kërkesën. Kjo është arsyeja që imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) nuk harroi asgjë.

 

 

Si rezultat i dhuntisë vetjake të imam Aliut (Paqja qoftë mbi të!), i përkujdesjes së të Dërguarit të Allahut dhe i mbarësisë së Zotit, ai u bë qyteti i diturisë. Këtë çështje e ka dëshmuar dhe e ka përforcuar i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) në shumë raste. Ndër to përmendim thënien e Profetit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!):

 

“Vërtet, dija të përgëzon ty, o  babai i Hasanit. Ti e ke përvetësuar të gjithë diturinë.” (Dhekhairul Ukba, 78)

.

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë:

 

“Unë jam qyteti i diturisë dhe Aliu është porta e tij. Ai që dëshiron diturinë, le të vijë nga porta e saj.”

(Menakibul Khavarizmij, 40. Mustedrek El Hakim, 3: 127)

 

Dhe:

 

“O Ali. Unë jam qyteti i diturisë dhe ti je porta e tij. Gënjen ai që pretendon se ka arritur në qytet, me përjashtim të atij që ka hyrë nga porta.” (Jenabijul Mevedeh, 82)

 

Dhe:

“Unë jam shtëpia e urtësisë dhe Aliu është porta e saj.”

(I njëjti burim, 81)

 

Selman El Farisij transmeton nga Profeti (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) se ai ka thënë: “Më i dituri prej ymetit tim pas meje është Ali ibn Ebu Talib.”

(Feraidu Simtijn, 1: 94)

 

Është transmetuar nga Abdullahu, i cili ka thënë:

 

“Isha tek Profeti (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Atë e pyetën për Aliun (Paqja qoftë mbi të!). Ai iu përgjigj: „Urtësia është ndarë në dhjetë pjesë. Nëntë pjesë iu dhanë Aliut, ndërsa njerëzve, një pjesë e vetme.‟” (Ibid)

 

Është transmetuar nga Enes ibn Malik, i cili ka thënë:

 

“Vërtet, Profeti (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) i ka thënë Aliut: „Ti do t‟i sqarosh ymetit tim pas meje atë, për të cilën janë në mosmarrëveshje.‟”

(El Mustedrek, 3: 122)

 

Është transmetuar nga Ebu Said El Khuderij, i cili ka thënë:

 

“I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: „Vërtet, më i drejti në gjykim në ymetin tim është Ali ibn Ebu Talib.‟”

(Menakibul Khavarizmij, 309)

 

 

Ali ibn Ebu Talibi ka qenë i pagabueshëm dhe nuk harronte. Për ngulitjen në kujtesë të haditheve, nuk kishte nevojë që t‟i shkruante ato. Ai ka qenë i ngarkuar nga ana e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) që të shkruante gjithçka që dëgjonte prej tij në një libër të veçantë, në mënyrë që të qëndronte për të tjerët pas tij. Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë:

 

„O Ali! Shkruaj çfarë të diktoj  ty.‟ I thashë:

„O i Dërguari i Allahut! A ke frikë nga harresa ime?‟ Tha: „Jo. Unë i jam lutur Allahut të Lavdishëm e të Lartësuar që të të bëjë ty kujtues, por shkruaj për pjesëtarët e tu, imamët prej bijve të tu.‟”

(Jenabijul Mevede, 22)

 

Gjithashtu, Ali ibn Ebu Talibi (Paqja qoftë mbi të!), me urdhër nga i Dërguari i Allahut i ka shkruar dijet në një libër të veçantë. Këto janë të njëjtët libra që u mbërritën të gjithë imamëve. Ata transmetonin prej tyre dhe nganjëherë i përmendnin ato me thëniet e tyre: Në librin e Aliut, në Sahijfen, në El Xhamiah. Për shembull: Transmetohet nga Muhamed ibn El Hakem, nga Ebu Hasani (Aliu) (Paqja qoftë mbi të!), i cili ka thënë:

 

“Vërtet, janë shkatërruar ata që kanë qenë përpara jush me analogjinë (kijas).Vërtet, Allahu i Madhëruar dhe i Lartësuar nuk ia ka marrë shpirtin Profetit të Tij derisa e plotësoi për të gjithë fenë e Tij, me të lejuarën e të ndaluarën e saj. Në jetën e tij ju solli gjithçka që ju nevojitet dhe të kërkoni ndihmë tek ai dhe tek Ehli Bejti i tij pas vdekjes së tij. Vërtet, ai është një Mus‟haf tek Ehli Bejti i tij.”

(Basairud Derexhat, 147)

 

Adhafijr Es Sajferij ka thënë:

 

“Isha me El Hakem ibn Ujejne tek Ebu Xhaferi (Paqja qoftë mbi të!) dhe filloi ta pyeste. Ebu Xhaferi e nderonte dhe e respektonte atë. Ata nuk u morën vesh për diçka dhe Ebu Xhaferi i tha: „O biri im, ngrihu dhe nxirre librin madhështor.‟ E hapi atë dhe filloi të shikonte, derisa e gjeti çështjen. Ebu Xhaferi i tha: „Ky është dorëshkrimi i Aliut, të cilin ia diktoi i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të!).‟ Pastaj u kthye nga Hakemi dhe i tha: „O babai i Muhamedit! Ti, Selemeh dhe Ebu Mikdam shkoni nga të doni, majtas e djathtas. Pasha Allahun, nuk do të gjeni dituri më të vërtetë sesa ajo që ndodhte tek ata njerëz që u ka zbritur Xhebraili.‟”

(Xhamiul Ehadijth Esh Shijah, 1: 9)

 

E pyeti Zurarah Ebu Abdullahun (Paqja qoftë mbi të), për faljen mbi lëkurën e dhelprave, të lepujve, të ketrave dhe prej pushit të dendur të kafshëve të ndryshme. Ndërkohë, nxori një libër dhe pretendoi se është diktimi të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) dhe tha:

 

“Vërtet, namazi mbi lëkurën e çdo gjëje që është e ndaluar të hahet, namazi në pushin e tij, në qimet e tij, në lëkurën e tij, në urinën e tij, në pisllëkun e tij dhe në çdo gjë që është e fëlliqur prej tij, është i pasaktë dhe ky namaz nuk i pranohet.” (Ibid)

 

Biker ibn Kerb Es Sajrefij ka thënë:

 

“Kam dëgjuar Eba Abdullahun (Paqja qoftë mbi të!) të thotë: „Vërtet, ajo që kemi ne është mospasja nevojë për njerëzit. Ata kanë nevojë për ne. Vërtet, tek ne ekziston një libër me diktimin e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) e me dorëshkrimin e Aliut. Një Sahijfe, ku në të ka të gjithë të lejuarën e të gjithë të ndaluarën.‟” (Ibid)

 

Hadithe të tilla janë të shumta në librat e shiitëve. Siç e vutë re, është e mundur që prej haditheve të përmendura, të arrijmë në përfundimin se Ehli Bejti dhe pasardhësit e Profetit kanë pasur libra dhe Sahifet e diktuara prej të Dërguarit të Allahut dhe me dorëshkrimin e Aliut (Paqja qoftë mbi të!). Të gjitha nevojat për dijet dhe fenë kanë qenë të shkruara tek këto libra.

Ehli Bejti përfitonte prej tyre dhe kanë argumentuar me to në raste të domosdoshme. I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) dhe Imamët (Paqja qoftë mbi ta!) tregonin një kujdes të veçantë e të plotë në përgatitjen dhe në ruajtjen e këtyre librave, me ngarkim hyjnor dhe me një plan të parapërgatitur. Me këtë ata realizonin dy qëllime të mëdha:

 

Qëllimi i parë:

 

Ruajtja e diturive fetare dhe mbajtja e tyre larg ndodhive, në mënyrë që të qëndronin përherë të ruajtura për myslimanët tek imamët e Ehli Bejtit (Paqja  qoftë mbi ta!) në formën e librave të shkruar dhe me cilësinë e tyre si burimi islam më i rëndësishëm. Këtë burim islam e diktoi i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) dhe e shkroi Aliu (Paqja qoftë mbi të!), që ata t‟i përmbaheshin atij në rast nevoje.

 

Qëllimi i dytë:

 

Drejtimi i syve të myslimanëve drejt Ehli Bejtit, të cilët janë udhëheqësit më të mirë fetarë e ruajtës të dijeve profetike është sepse ata kanë libra gjithpërfshirës e të rëndësishëm që nuk janë tek të tjerët. Në këtë mënyrë, myslimanët duhet të mësojnë prej tyre dispozitat e Sheriatit, ligjet e tij, dituritë e fesë dhe njohuritë e saj; të përfitojnë nga  dijet e tyre, duke qenë se ato janë të besueshme dhe nuk ka dyshim në to. Me anë të kësaj metode, i Dërguari fisnik përgatiti rrugën për përforcimin e Ehli Bejtit (Paqja qoftë mbi ta!) dhe të qënit e tyre pikë referimi.

 

 

Imamët e Ehli Bejtit, pra, Aliu dhe njëmbëdhjetë imamët pas tij, transmetonin hadithet e tyre nga Profeti më fisnik (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) drejtpërsëdrejti ose tërthorazi. Pra, të gjitha ato hadithe që ia mësoi i Dërguari i Allahut Ali ibn Ebu Talibit, imam Aliu ia mësoi imam Hasanit. Ky ia mësoi imam Hysejnit. Këtë metodë kanë ndjekur të gjithë imamët njëri pas tjetrit. Çdo imam transmetonte hadithet   prej babai të tij, derisa zinxhiri i transmetimit mbërrinte tek i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!).

 

Imamët e Ehli Bejtit e kanë deklaruar qartë këtë. Për shembull: Është transmetuar nga Ebu Xhafer (Paqja qoftë mbi të!) se ka thënë:

 

“O Xhabir! Vërtet, sikur ne t‟ju flisnim juve sipas mendimit tonë, do të ishim të shkatërruar. Por, ne ju flasim juve me hadithe që i kemi ruajtur nga i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), ashtu siç ruajnë njerëzit arin dhe argjendin e tyre.”

(Xhamiul Ehadijthush Shijah, 1: 14)

 

Transmetohet nga Daud ibn Ebu Jezijd El Ahuel, nga Ebu Abdullahu (Paqja qoftë mbi të!), i cili ka thënë:

 

“E kam dëgjuar atë të thotë: „Nëse i japim fetva njerëzve me mendimin dhe prirjen tonë, do të shkatërroheshim, por ato janë trashëgimi e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Ato janë zanafilla e diturisë, të cilën ne e trashëgojmë në mënyrë zinxhirore, pa u shkëputur asnjë hallkë e saj, nga më i madhi tek pasuesit e tjerë të mëdhenj. E depozitojmë atë, ashtu siç e depozitojnë njerëzit arin dhe argjendin e tyre.‟” (Ibid)

 

Është transmetuar nga Hisham ibn Salim, Hamad ibn Othman, e të tjerë, të cilët kanë thënë:

 

“Kemi dëgjuar Ebu Abdullahun të thotë: „Hadithi im është hadithi i babait tim dhe hadithi i babait tim është hadithi i gjyshit tim. Hadithi i gjyshit tim është hadithi i Hysejnit. Hadithi i Hysejnit është hadithi i Hasanit. Hadithi i Hasanit është hadithi i Prijësit të besimtarëve dhe hadithi i Prijësit të besimtarëve është hadithi i të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Hadithi i të Dërguarit të Allahut është thënia e Allahut të Lavdishëm e të Lartësuar.‟” (Ibid)

 

Është transmetuar nga Xhabiri, i cili ka thënë:

 

“I thashë Ebu Xhaferit (Paqja qoftë mbi të!): „Nëse më thua mua një hadith, a t‟ia dedikoj zinxhirin e transmetimit vetes sime?‟ Tha: „Më ka folur mua babai im, nga gjyshi im, i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), nga Xhebraili (Paqja qoftë mbi të!), nga Allahu i Lavdishëm dhe i Lartësuar. Gjithçka që të bisedoj ty, është me këtë zinxhir transmetimi.‟ Pastaj tha: „O Xhabir! Vërtet, një hadith i vetëm që merr nga një besnik, është më i mirë se kjo botë dhe çfarë ka në të.‟” (Ibid,13)

 

 

Nga të gjitha hadithet e mëparshme dalim në përfundimin:

 

1- I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) i mësoi Ali ibn Ebu Talibit (Paqja qoftë mbi të!) të gjitha dijet, njohuritë, rregullat dhe ligjet fetare dalëngadalë gjatë gjithë periudhës së profetësisë së tij e kjo në përputhje me një program të hollësishëm e të studiuar. Ai u përpoq me gjithçka për arsimimin dhe edukimin e tij. Me anë të kësaj mënyre, ai u siguroi myslimanëve të gjitha nevojat për dijen, duke i ruajtur të gjitha këto dije e njohuri fetare në një vend të sigurt.  

 

2- Imam Ali ibn Ebu Talibi (Paqja qoftë mbi të!), si rezultat i dhuntisë së tij, aftësisë së tij, i lutjes së të Dërguarit të Allahut, i përpjekjes dhe seriozitetit të tij, i mësoi të gjitha dijet dhe njohuritë fetare nga i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Ai i nguliti në kujtesë ato dhe nuk harroi asgjë prej tyre. Kjo është arsyeja që ai u bë depozita e dijeve profetike.

 

 3- Ali ibn Ebu Talibi (Paqja qoftë mbi të!) i nguliste në mendje dijet profetike me anë të dy mënyrave:

 

a) I nguliste ato në kujtesë gojarisht.

 

b) I shkruante ato me urdhër nga i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) në libra, të cilët mbetën për të gjithë Ehli Bejtin (Paqja qoftë mbi ta!), pra për imamët pas tij.

 

4- Kështu pra, imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) i vendosi dijet e tij, me anë të këtyre dy mënyrave, nën kompetencën e imamit që erdhi pas tij dhe e këshilloi atë që t‟i vendoste këto dije me të njëjtën metodë nën kompetencat e imamit që do të vinte më pas.

 

 5- Kur i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) i përvetësoi dijet dhe e zbatoi këtë plan, qëllimi i tij ishte regjistrimi dhe ruajtja e dijeve të sakta islame në një vend të sigurt, larg ngjarjeve që mund të ndodhnin.

 

6- Me transmetimin e haditheve të dy të çmuarave, të anijes, të dashurisë ndaj të afërmve, se Aliu është me Kur‟anin dhe Kur‟ani është me Aliun, ajetin e  pastrimit, e të tjera, u përgatit terreni që i Dërguari fisnik t‟i pastronte Ehli Bejtin (t‟i quante të pastër) për njerëzit, me cilësinë e tyre si burim i rëndësishëm dhe i besueshëm në shkallën më të lartë të besueshmërisë. I Dërguari (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) i këshilloi njerëzit në raste të ndryshme dhe me fraza të llojllojshme që t‟i merrnin dijet dhe dituritë për të cilat kanë nevojë përmes Ehli Bejtit.

 

Sikur myslimanët ta kishin pranuar referimin tek imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) dhe tek Ehli Bejti, pas ndërrimit jetë të Profetit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), ose të paktën t‟i përmbaheshin pasardhësve të Profetit për marrjen e dijeve, atëherë, të vërtetat, njohuritë e sakta e të gjalla të Islamit do të ishin në duart e tyre, do të  mbeteshin të ruajtura nga mosmarrëveshjet dhe ndarjet në medh‟hebe.

 

Nga përfitmi i tyre nga këto dije, do ta kishin ndriçuar këtë botë, njerëzit do të anonin kah ata dhe do të shihnim se gjendja e myslimanëve do të ishte ndryshe nga ajo që shohim sot. Por kjo nuk ka ndodhur. Kjo për arsye se myslimanët u larguan dalëngadalë nga Ehli Bejti.

 

Ata nuk përfituan mirë nga ky burim i pasur dhe i besueshëm në mësimin e dispozitave dhe të dijeve fetare. Për të përmbushur nevojat e tyre për dije, u ndanë sa andej e sa këndej. Në disa raste, kanë rënë në kthetrat e tradhëtarëve të fesë dhe të falsifikatorëve të haditheve. Kjo është një prej goditjeve më të dhimbshme, me të cilën është goditur Islami i pastër.

 

Natyrisht, kjo intrigë nuk ka ndodhur në mënyrë të menjëhershme, por ka ndodhur në mënyrë të ngadaltë. Kështu që në fillim të Islamit dhe pas vdekjes së të Dërguarit fisnik, myslimanët i referoheshin imam Aliut në sigurimin e nevojave të tyre për dije dhe përfitonin prej mendimeve të tij në fetva e gjykim. Umer ibn Khattab këshillohej vazhdimisht me imam Aliun (Paqja qoftë mbi të!) në zgjidhjen e ngërçeve fetare dhe përfitonte prej mendimeve të tij. Për shembull: Ibn Abbasi ka thënë:

 

“Nëse na rrëfente një besnik nga Aliu me puritanizëm (qëndrim i prerë ndaj rregullave dhe drejtësisë), nuk e kthenim atë.”

(Tabakat Ibn Sa‟ad, 2: 338)

 

Është transmetuar nga Ebu Hurejra, i cili ka thënë:

“Ka thënë Umer ibn Khattabi: „Aliu është gjykuesi më i mirë i yni.‟” (I njëjti burim, 349)

 

Është transmetuar nga Said ibn El Musejjibi, i cili ka thënë: “Umeri i kërkonte mbrojtje Allahut për një ngërç kur nuk ishte babai i Hasanit.” (Ibid)

 

Është transmetuar nga Udhejne El Abdij, i cili ka thënë:

“Vajta tek Umeri dhe e pyeta atë se prej ku do ta bëj umren? Më tha shko tek Aliu dhe pyete atë.” (Dhakhairul Ukba, 79)

 

Është transetuar nga Aishja, e cila u pyet për mes‟hin mbi meste (çorape), e ajo tha:

“Shko tek Aliu dhe pyete atë.” (Ibid)

 

Është transmetuar nga Ebu Said El Khuderij, i cili e ka dëgjuar Umerin t‟i thotë Aliut, (ndërkohë që e pyeti atë për diçka dhe iu përgjigj atij):

“Kërkoj mbrojtjen e Allahut, nëse jetoj një ditë pa ty, o babai i Hasanit.” (Ibid,82)

 

Gjatë udhëheqjes të khalifave interesi ka qenë më i madh në këshillimin tek Ali ibn Ebu Talibi (Paqja qoftë mbi të!). Sahabët e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!): Ebu Bekri, Ibn Abbasi, Ebu Said El Khuderij, Selman El Farisij, Ebu Dherr El Gaffarij, përfitonin nga mendimet e imam Aliut (Paqja qoftë mbi të!) në çështjet juridike (fikhijeh) dhe ato gjykuese.

 

Ata e kuptonin pozitën e tij në dije dhe nuk refuzonin t‟i referoheshin atij. Në atë periudhë, në të cilën hilafeti islam akoma nuk ishte shndërruar në qeverisje mbretërore, gjendej një numër i madh sahabësh të të Dërguarit të Allahut që e dinin pozitën në dijet, virtytet dhe njohuritë personale të Ali ibn Ebu Talibit. Ata e përmendnin disa herë atë që kishin dëgjuar prej të Dërguarit të Allahut, me të cilën ai i këshillonte ndjekësit e tij që të përfitonin nga dijet e Aliut.

 

Për më tepër, situata e atëhershme nuk e lejonte mohimin e të gjitha virtyteve, njohurive vetjake dhe pozitën në dije të Ali ibn Ebu Talibit. Gjithashtu, klima e atëhershme nuk e lejonte neglizhimin e të gjitha këshillave të të Dërguarit të Allahut, as nxjerrjen e imam Aliut nga fronti politik, shoqëror e këshillues në mënyrë të menjëhershme.

 

Për këto shkaqe, këshillimi tek ai, deri diku, merrej në konsideratë, pavarësisht largimit të tij prej frontit politik dhe sahabët përfitonin nga dijet e tij në njëfarë mënyre Kur hilafeti islam u shndërrua në udhëheqje mbretërore, filluan fatkeqësitë e dhimbshme, për shkak të largimit të myslimanëve nga dijet e Ehli Bejtit.

 

Për këtë arsye, çështja e Shpalljes, përkujdesja ndaj ligjeve dhe bazave islame, domosdoshmëria e mbështetjes tek burimet e dijeve islame dhe njohja e tyre nuk ishin të rëndësishme për ato udhëheqje dhe nuk donin t‟ia dinin për këtë. Duke filluar nga kjo periudhë, Ehli Bejti u anashkalua dalëngadalë.

 

Mundet që ky anashkalim të ketë filluar nga Shami (Damasku i sotëm) e të jetë shtrirë në të gjitha vendet. Ashtu siç u tha edhe më parë, sikur t‟i jepnin rëndësi e të tregonin interes në referimin tek Ehli Bejti, në mënyrë të përgjithshme, fytyra e botës islame do të shndërrohej e do të ishte ndryshe nga kjo botë që ekziston sot. Le të shpresojmë që bota islame të kthehet tek vetja e saj, të kthehet te rruga që i caktoi i Dërguari i Allahut, t‟i referohet Ehli Bejtit në çdo dije dhe t‟i japë fund përçarjes.