Këtu dëshirojmë që t’i përmendim shkurtimisht gjendjet e sahabeve gjatë kohës sa ishte në jetë i Dërguari (s.a.v.). Ne do t’i paraqesim ndërgjegjes së çdo lexuesi se si e kanë përshkruar veten sahabet.

 


Shembulli 1:

 

“Ibn Ebi Mulajkatu ka thënë: “Jam takuar me 30 sahabe të të Dërguarit (s.a.v.). Të gjithë kishin frikë se kishin mos ishin kapluar nga dyfytyrësia. Asnjëri prej tyre nuk mund të thoshte: “Unë jam në shkallën e besimit të Xhebrailit (a.s.) dhe Mikailit (a.s.)”

(Sahihi Buhari; Libri i frikës së besimtarit që të mos shkojë huq vepra e tij).

 

Shembulli 2:

 

I Dërguari (s.a.v.) ndodhej në një udhëtim bashkë me sahabet dhe u paraqit një fërkim në mes Muhaxhirëve dhe Ensarëve. Të dytë i thirrën për ndihmë fiset e tyre. Kur e pa këtë i Dërguari (s.a.v.) tha:

 

“A jeni kthyer në shoqërinë e kohës së xhahilijetit?” Të dy grupet mundoheshin që ta paraqitnin veten të drejtë dhe i Dërguari (s.a.v.) i dëgjoi ata dhe në fund i pajtoi. Prej Ensarëve, Abdullah ibn Ubejji, tha: ‘Lëreni tani fjalosjen. Kur të kthehemi në Medine, i ndershmi do të jetë mbi të poshtrin’. Kur e dëgjoi këtë Ymeri, shkoi te i Dërguari (s.a.v.) dhe tha: “Ja Resulullah! Më jep leje t’ia pres kokën atij!” Resulullahu (s.a.v.) tha: “Mos e prek atë! Nuk dua që njerëzit të thonë ‘Muhamedi po i vret sahabet e tij’”

(Sahihi Buhari; Libri i virtyteve të Kuranit, kapitulli i sures Munafikun)

 

Në këtë ngjarje na bëhet e qartë se gjatë paraqitjes së një fërkimi në mes atyre që kanë emigruar nga Mekeja dhe banorëve të qetë të Medinës përnjëherë harrohen lidhjet nga feja që i kanë në mes veti. Si do të veprojë një popull mbas vdekjes së të Dërguari (s.a.v.) që përpara prezencës së tij i kthehet ligjeve të kohës së xhahilijetit?

 

Shembuj të tillë mund të gjenden edhe në shumë libra të historisë. Në të gjitha librat burimore historike është rrëfyer në mënyrë të qartë sesi kanë vepruar Ensarët dhe Muhaxhirët në lidhje me ngjarjen e kalifatit mbas vdekjes së të Dërguarit (s.a.v.). Xhenazja e të Dërguarit (s.a.v.) nuk ishte varrosur ende, ndërsa Muhaxhirët dhe Ensarët e diskutonin në mes veti çështjen e kalifatit.

 

Ensarët e donin për vete kalifatin por këtë e vërejtën Muhaxhirët në krye me Ebu Bekrin, Ymerin dhe Ebu Ubejden, dhe shumë pak kishte mbetur që të shpërthejë edhe lufta në mes tyre. Edhe në mesin e Ensarëve kishte mospajtime në lidhje me këtë. Një pjesë e tyre dëshironin që t’i japin betimin vetëm Hz Aliut (a.s.), ndërsa në mesin e Muhaxhirëve kishte një unitet të plotë. Por, duke përdorur dredhitë,

 

Ymeri e qiti përpara Ebu Bekrin dhe Ebu Ubejden dhe propozoi që njëri prej atyre të caktohet si kalif. Ai e dinte se në fund edhe vetë do të merrte hisen e vet në kalifat. Përkundër këtyre zhvillimeve, Ehli Bejti (a.s.) dhe miqtë e tyre ishin duke u marrë me xhenazen e të Dërguarit (s.a.v.). Se kjo ishte me të vërtetë kështu, këtë na e vërtetojnë dy historian autentik: Muhamed ibn Xherir et Tabari dhe Ibn’ul Esiri. Sikur që mund të vërejmë, ashtu si u kthyen në zakonet e xhahiljetit gjatë kohës sa ishte në jetë i Dërguari (s.a.v.) ashtu njëjtë vepruan edhe mbas vdekjes së tij. Athua i Dërguari (s.a.v.) nuk e njihte popullin e vet?

 

Nëse i ka njohur sahabet përreth tij, atëherë si mund të mendojmë se i Dërguari (s.a.v.) ua kishte lënë atyre zgjedhjen e kalifit?

Nëse një pejgamber nuk i njeh moralet e sahabeve përreth tij, atëherë duhet që të dyshojmë për atë se çka ua ka dhënë atyre. Ne nuk e pranojmë se pejgamberi ynë ka mundur të gabojë dhe atë e mbajmë të pastër prej një kalifati të tillë. Sipas thënieve të disa dijetarëve, nëse ka pasur në atë kohë mynafik, atëherë pse nuk ka urdhëruar i Dërguari (s.a.v.) vrasjen e tyre? Në këtë mënyrë, do të mund t’i parandalonte fitnet që do të shfaqeshin në vonë.

 

Ne nuk e përkrahim këtë mendim. Zaten, i Dërguari (s.a.v.) përmbahej nga vrasja e sahabeve, sikur që e përmendëm edhe më lart. Sipas neve, kjo ka një anë më të rëndësishme. Sikur të kishte dashur i Dërguari (s.a.v.) që t’i vriste mynafikët nga mesi i sahabeve, padyshim që këtë ka mundur ta bëjë, ai kishte mundësi dhe fuqi për një gjë të tillë. Por, duhet që të kemi parasysh se numri i atyre që duhej që të vriteshin do të ishte shumë më i madh sesa i atyre që do të mbeteshin, prandaj duhet ta pranojmë vendimin e të Dërguarit (s.a.v.).

Së dyti, ai nuk kishte ardhur që të kërkojë llogari prej njerëzve. Detyra e tij ishte vetëm komunikimi i shpalljes ndaj njerëzve. Kush do, e pranon dhe e meriton xhenetin, dhe kush do, e mohon dhe e meriton xhehenemin.

 

Sikur që mund të vërejmë nga këtu, 30 sahabe kishin frikë se mos imanet e tyre nuk janë të drejta. Ky numër e tejkalon numrin e mynafikëve që janë përmendur në histori dhe të cilët janë të njohur. Në bazë të kësaj, duhet që të pranojmë se në mesin e sahabeve ka pasur më shumë mynafik sesa që është ditur.

 

 

 Shembulli 3:

 

Njëri prej sahabeve e kishte lënduar njërin prej Ehli Bejtit (a.s) dhe i Dërguari (s.a.v.) i tha atij: “Kush dëshiron që ta shpaguajë këtë mundim që ia kanë bërë të afërmve të mijë?” Said ibn Muazi, njëri prej sahabeve, tha:

“O Resulullah! Betohem në Allahu se unë do ta bëjë këtë. Nëse është prej fisit Evs, unë do ta vras atë. Por, nëse është prej fisit Hazrexh, ju më jepni urdhër dhe ne do ta zbatojmë atë”. Kur e dëgjoi këtë i pari i Hazrexhit, Sad bin Ubade, të cilin e njihnin si njeri të butë, u qua në këmbë dhe në një gjendje të zemëruar tha: “Ke thënë të pavërtetën! Betohem në fenë e Allahut se ti nuk mund ta vrasësh atë dhe se nuk je gjendje ta bësh këtë”.

Atëherë u qua njëri prej sahabeve, Usejd ibn el-Hudajri, dhe duke iu drejtuar Said bin Ubades, tha: “Ke thënë të pavërtetën! Betohem në fenë e Allahut se ne do ta vrasim atë! Ti je mynafik dhe je duke i mbrojtur mynafikët”. Në këtë mënyrë fiset e Evsit dhe të Hazrexhit filluan që të grinden në mes veti dhe i Dërguari (s.a.v.) u mundua që t’i qetësojë nga mimberi.

(Sahihi Buhari, Libri Shehadetit, kapitulli i hadithit të parë)

 

 

Këtu nuk duhet që të harrojmë se Hazrexhi dhe Evsi, të cilët u kthyen kah adetet e xhahilijetit përpara të Dërguarit (s.a.v.), përbënin një përqindje të madhe të sahabeve. Sa mund të presim besnikëri mbas vdekjes së të Dërguarit (s.a.v.) prej një shoqërie që e marrin guximin për t’u grindur përpara tij?

Sa mundet me qenë e logjikshme që i Dërguari (s.a.v.) ua ka besuar tefsirin apo mbledhjen e Kuranit? I Dërguari (s.a.v.) është shembulli i mendjes, apo thënë ndryshe, ai është vetë mendja e përkryer. Si mundet i Dërguari (s.a.v.) t’ua lë një populli të tillë amanetin më të rëndësishëm?

 

 

Shembulli 4:

 

Hz Aliu (a.s) ia dërgoi të Dërguarit (s.a.v.) disa shufra të arit dhe ai i shpërndau në mesin e disa personave. Ensarët dhe Kurejshët nuk ishin të kënaqur me këtë ndarje dhe u zemëruan në mes veti. I Dërguari (s.a.v.) iu drejtua atyre dhe tha:

“Qëllimi im ishte zbutja e zemrave të tyre”.

Njëri prej sahabeve i tha: “O Muhamed! Ke frikë nga Allahu!”

I Dërguari (s.a.v.) tha: “Nëse unë e kundërshtoj Allahun, kush do të tregojë bindje ndaj Tij? Allahu më ka besuar për tërë njerëzimin, si është e mundur që ju të mos më pranoni?”

(Sahihi Buhari, Libri i Tevhidit)

 

 

Kërkojmë mbrojtje nga Allahu prej njerëzve që të dërguarit të tyre i drejtohen me “O Muhamed!” Asnjë myslimani nuk i hije që të pres ndonjë të mirë prej të tillëve. Këta janë vetë sherri. Me rëndësi është që shumicën e sahabeve e përbënin Ensarët dhe Kurejshët. Dhe, këta dy grupe nuk ishin të kënaqur me veprimet e të Dërguarit (s.a.v.) dhe këtë e shprehnin haptas.

 

Zaten Kurejshët e ditën mirë për ta mbrojtur interesin e tyre kundrejt Ensarëve, mbas vdekjes së të Dërguarit (s.a.v.). Çështjen e kalifatit e kthyen në një mbretëri dhe vrapuan mbas interesave të kësaj bote. Në lidhje ma kalifatin, grupi i Kurejshëve i ka thënë grupit të Ensarëve:

 

I Dërguari ynë është prej Kurejshëve dhe askush nuk ka të drejtë që të debatojë me Kurejshët në lidhje me kalifatin! Por, Ehli Bejti (a.s) i të Dërguarit (s.a.v.) ishte më i afërmi ndaj tij prej mesit të Kurejshëve. Atëherë, ku mbeti kjo e drejtë e afërsisë?

Pra, sikur që po shohim, sahabet më të zgjedhur ishin prej Kurejshëve dhe goditjen më të madhe për Islamin ia kanë shkaktuar mynafikët e Kurejshëve. Informatat për saktësinë e këtyre fjalëve që jeni duke i lexuar mund t’i gjeni në të gjitha librat burimore.

 

Shembulli 5:

 

Njëri prej sahabeve me emrin Musajjab e takoi Bera ibn Azibin dhe i tha: “Të lumtë për ty! Ke qenë prezent në bisedat e të Dërguarit (s.a.v.) dhe ia ke dhënë betimin nën atë dru”. Bera i tha: “O djali i vëllait tim! A e di ti se çka kemi bërë ne mbas të dërguarit?”

(Sahihi buhari, Libri Magazi, Kaptina e Hudejbijes).

 

 

Bera nuk mund të krenohej me faktin se ishte prej sahabeve të zgjedhur dhe se ia kishte dhënë betimin të Dërguarit (s.a.v.) nën dru. Sa i përket shkakut, ajo ka të bëjë me qëndrimin e sahabeve mbas të Dërguarit (s.a.v.).

Padyshim, që sahabet kishin ardhur në gjendje jo të lakmueshme, ashtu që Bera ka bërë me dije haptas për këtë. Për shkak të paraqitjes së kësaj gjendjeje nuk ishin të kënaqur edhe sahabet më të zgjedhura të të Dërguarit (s.a.v.). Sa mundet me e qenë e drejtë lënia e Kuranit si amanet njerëzve që kishin ardhur në këtë gjendje?

 

 

 Shembulli 6:

 

Rrëfen Xhabir ibn Abdullah el-Ensari, njëri prej sahabeve të mëdhenj: “Ishim duke e falur bashkërisht namazin e Xhumasë me Resulullahun (s.a.v.). Në atë moment mbërriti karvani nga Siria që ishte duke sjellë mallra ushqimore. Kur e panë këtë sahabet, e lanë në këmbë të Dërguarin (s.a.v.) duke e falur namazin, përveç dymbëdhjetë prej tyre, dhe të gjithë shkuan te vendi i karvanit”.

(Sahihi Buhari, Libri i Xhumas, xhuzi një dhe tre).

 

Le ta paramendojnë lexuesit tanë këtë pamje trishtuese. I dërguari i fundit është duke e falur namazin e Xhumas ndërsa ata sahabe të vlefshëm e të drejtë e lënë në këmbë të dërguarin bashkë me dymbëdhjetë të tjerë kur vjen puna te malli i kësaj bote. Për hir të Allahut! Sikur të kishin rastin njerëzit e ditëve të sodit për ta falur namazin mbas të Dërguarit (s.a.v.), a nuk i kishin lënë të gjitha punët e kësaj bote?

 

Ai që nuk do ta kishte bërë këtë, do të ishte sigurisht prej mynafikëve apo prej jobesimtarëve. Si mund të lë amanet Kuranin atyre që e lënë në këmbë të Dërguarin (s.a.v.)? Ata që ia përshkruajnë këtë të Dërguarit (s.a.v.) nuk paskan asnjë lidhje me fenë e tyre. Ai që ka besim, edhe po t’ia presin kokën në atë moment nuk do të ishte ndarë nga i Dërguari (s.a.v.), edhe po t’ia jepnin pasurinë e tërë botës.

Besimtarët e vërtetë asnjëherë nuk e ndërrojnë ahiretin me mallin e kësaj bote. Besimtarët e vërtetë nuk ndahen nga i Dërguari (s.a.v.) edhe nëse fundi i tyre është vdekja.

 

 

Shembulli 7:

 

“Njëri prej sahabeve rrëfen: “Në luftën e Uhudit, i Dërguari (s.a.v.) urdhëroi që të mbrohet gryka e fushëbetejës me pesëdhjetë shigjetar ashtu që të sigurohet mbrojtja prej sulmit nga shpina. Ai urdhëroi që këta shigjetar të mos luajnë nga vendi pa marrë parasysh rezultatin përfundimtar të luftës. Por, kur jobesimtarët filluan që të ikin, shigjetarët i lëshuan vendet e tyre dhe shkuan mbas presë së luftës. Kur e vërejtën jobesimtarët se gryka është e pambrojtur, sulmuan nga mbrapa dhe i shpërndanë sahabet. Përreth të Dërguarit (s.a.v.) mbetën vetëm dymbëdhjetë persona”.

(Sahihi Buhari, Libri i Xhihadit dhe Sijerit)

 

 

Sikur që na bëhet e qartë edhe nga këto rrëfime, shigjetarët që e përfaqësonin strategjinë më të rëndësishme të luftës, për të mos mbetur të privuar nga malli i kësaj bote, nuk e përfillën urdhrin e të Dërguarit (s.a.v.). Njëkohësisht, këta pesëdhjetë persona ishin shkaktarë të thyerjes së dhëmbit të bekuar të Dërguarit (s.a.v.).

Sikur të mos kishin lëvizur nga vendi, jobesimtarët nuk do të mund t’i shpërndanin myslimanët. Sa turp për myslimanët që në vend se të qëndrojnë me të dërguarin e tyre, edhe më të shquarit prej tyre e kanë lënë krye në vete të Dërguarin (s.a.v.). Sipas rrëfimeve të historianit Taberi, edhe kalifi i tretë Osman bin Affani kishte ikur nga lufta dhe vetëm ditën e tretë u paraqit në mesin e njerëzve. Ndërsa, disa kishin ikur deri në Medine.

 

Kalifi i dytë dhe Talha, që gjoja ishin përgëzuar me xhenet, kur dëgjuan se i Dërguari (s.a.v.) ishte vrarë, u tërhoqën nga lufta. Përkundër të gjitha këtyre gjendjeve të hidhura, a është e mundur për të lënë amanet Kuranin njerëzve të tillë? Në lidhje me këtë, Allahu i Madhëruar në Kuran thotë:

 

Allahu përmbushi premtimin e vet ndaj jush, ngase me vullnetin e Tij i korrët ata me shpata deri kur u dobësuat dhe u përçatë ndërmjet vete, në çështjen e vendit që u pat caktuar Pejgamberi dhe pasi vërejtët atë që e dëshironit prenë e luftës, e atëherë kundërshtuat urdhrin e Pejgamberit. Pati prej jush që e deshën këtë jetë (ata u ngutën pas presë) e pati prej jush që e deshën botën tjetër. Pastaj, për t’ju sprovuar u zmbrapsi juve nga ata. Po Allahu u fali juve; Allahu është dhurues i madh ndaj besimtarëve” (Ali Imran, 152).

 

Allahu, përmes mëshirës së tij të gjerë i fali myslimanët mbas kësaj ngjarjeje. Allahu nuk i fali myslimanët me kusht që të mos e përsërisin edhe një herë gabimin e njëjtë por Allahu na bën neve me dije se ata janë sprovuar që të mos bien edhe njëherë në një gjendje të njëjtë. Dhe, mu në këtë mënyrë myslimanët e kanë bërë gabimin e njëjtë. Lufta e Hunjenit u zhvillua në vitin e tetë të Hixhrit dhe sipas historisë myslimanët kishin marrë pjesë edhe në shumë luftëra tjera.

 

Por, edhe në këtë luftë, mijëra sahabe ishin shpërndarë dhe kishin ikur nga lufta. Mbas këtij dezertimi Allahu nuk shpalli asnjë ajet për faljen e tyre! Dëshirojmë që të përsërisim edhe një herë: Ne këtu nuk dëshirojmë që t’i gjykojmë apo kritikojmë ata njerëz për ngjarjet që janë shfaqur dhe në të cilat kanë marrë pjesë para qindra vitesh.

 

Ne vetëm dëshirojmë që të japim informata për gjendjen e sahabeve në atë kohë. Së fundi, sipas pikëpamjes synnite, të gjitha këto sqarime që jemi duke i bërë na për fenë Islame janë përcjellë nga ana e sahabeve. Sigurisht që duhet të dimë se prej kujt e kemi mësuar Islamin dhe se kjo duhet të jetë prej çështjeve më të rëndësishme. Në të kundërtën, në të ardhmen, nuk do të kemi asnjë zgjidhje tjetër veçse ta ulim kokën kundrejt kampanjave të rrejshme që do të zhvillohen kundër Islamit. Sepse, gjendja e sahabeve në librat sahih nuk është aspak e qartë. Dhe, do të jetë e natyrshme që disa njerëz të mendojnë keq për Islamin duke u bazuar në pikëpamjet dhe kuptimet e transmetuara të sahabeve.

 

 

Nuk mund të kalojmë pa e përmendur edhe rrëfimin e një sahabeje në lidhje me luftën e Hunejnit. Ai thotë: “Myslimanët filluan që të ikin dhe unë isha njëri prej tyre. Në mesin e tyre e pashë Ymer ibn Hattabin dhe i thashë: ‘Çka po ndodhë kështu me njerëzit?’ Ymeri më tha: ‘Ky është urdhri i Allahut...’” (Sahihi Buhari, Libri i Magazit).

 

Çfarë pune ka Ymeri në mesin e atyre që iknin nga lufta, që në botën synnite lavdërohet aq shumë dhe njihet si burri më i fortë i Islamit? Allahu është duke i përgëzuar me Xhehenem ata që janë duke ikur nga lufta ndërsa në çka bazohet Ymeri kur thotë se ky është urdhri i Allahut? Sigurisht, duke u bazuar në atë diturinë e shquar të tij (!) e ka folur këtë. Mbasi që vetë ka ikur, atëherë sigurisht këtë e ka urdhëruar Allahu. Përndryshe, a mund ikë një Ymer aq trim, aq i vlefshëm dhe aq i drejtë?

 

Shembulli 8:

 

Kur ishte duke u bërë marrëveshja e Hudejbijes, Ymeri iu drejtua të Dërguarit (s.a.v.) në një gjendje të zemëruar: “A nuk je ti i Dërguari i Allahut i vërtetë?” Mbasi që përfundoi marrëveshja, i Dërguari (s.a.v.) iu drejtua sahabeve dhe tha: “Tani, qohuni të gjithë, preni flokët tuaja dhe preni kurbanët!” Njëri prej sahabeve që e rrëfente këtë ngjarje tha: “Betohem në Allah se i Dërguari e përsëriti këtë urdhër tri herë sepse asnjëri preje sahabeve nuk iu bindën urdhrit të tij”

(Sahihi Buhari, Libri i Kushteve)

 

 

Këtu dua që të shkruajë shkurtimisht në lidhje me marrëveshjen e Hudjbijes dhe në bazë rrjedhës së ngjarjes çdonjëri do të kuptojë se sa të rënda ishin këto fjalë. Marrëveshja e Hudejbijes ishte njëra nga marrëveshjer më të rëndësishme që është arritur në mes të të Dërguarit (s.a.v.) dhe jobesimtarëve. Sipas kësaj marrëveshjeje besimtarët do të mund ta vizitonin Qaben në Meke gjatë kohës së haxhit.

Njëkohësisht, do të arrihej edhe mbrojtja e besimtarëve që jetonin në Meke. I Dërguari (s.a.v.) e kishte bërë këtë marrëveshje vetëm për mbrojtjen e besimtarëve që ndodheshin në Meke dhe disa preje sahabeve (duke përfshirë këtu edhe Ymerin) nuk mundën ta kuptonin këtë. Jobesimtarët kishin kundërshtuar që në marrëveshje të shkruhet se është arritur marrëveshja në mes tyre dhe një të dërguari por ata kërkonin që të shkruhen vetëm emrat a tyre.

 

Ata thoshin se nëse pranojmë që të shkruhet Resulullah afër emrit tënd, pra që të pranojmë ty si të dërguar të Allahut, atëherë nuk do të kishim fare nevojë që ta nënshkruajnë këtë marrëveshje!”. Për këtë arsye, në marrëveshje është shkruar vetëm Muhamed, i biri i Abdullahut. Ja pra, për këtë dhe për disa arsye tjera sahabet u nervozuan dhe nuk e dëgjuan fjalën e tij.

 

Shembulli 9:

 

Para se ndërrojë jetë I Dërguari (s.a.v.), ishte i shtrirë në shtrat i sëmurë dhe një grup i njerëzve gjendej në dhomën e tij – në mesin e  të cilëve ishte edhe Ymer bin Hattabi. Ai i tha atyre: “Dua që të lë me shkrim diçka juve ashtu që të mos e humbni rrugën mbas meje. Më sillni një kalem dhe një copë nga lëkura”. Ata që ndodheshin aty u ndanë në dy grupe dhe filluan që ta kundërshtojnë njëri tjetrin. Ata që ishin me Ehli Bejtin ishin për me ia sjellë atë që kërkonte i Dërguari (s.a.v.) ndërsa në emër të grupit tjetër që e kundërshtonte këtë, Ymeri tha: “I Dërguari është shumë i sëmurë, ne e kemi Kuranin dhe ajo na mjafton neve”. Ehli Bejti (a.s) insistonte që të plotësohej dëshira e të Dërguarit (s.a.v.) mirëpo grupi i Ymerit e kundërshtonte këtë dhe zërat shtoheshin gjithnjë e më shumë. I Dërguari (s.a.v.) u shqetësua dhe tha: “Më leni të qetë dhe dilni jashtë”

(Sahihi Buhari, Kapitulli Përmbajtja ndaj librit dhe synetit)

 

 

Nëse sahabet nuk e dinë se Kurani e ka ndaluar grindjen në prezencën e të Dërguarit (s.a.v.) dhe se e ka kushtëzuar që të pranohet atë që thotë i Dërguari (s.a.v.), atëherë cilën dituri të drejtë ne mund të presim prej këtyre sahabeve? Çka duhet thënë për veprimin kaq të padrejtë të Ymerit, i cili njihet si më drejti në mesin e sahabeve? Në rrëfimin që përmendet në Sahihi Muslim thuhet se Ymeri ka thënë se i Dërguari (s.a.v.) është duke folur përçartë! Ose, i Dërguari (s.a.v.) nuk po din më se çka po flet! Pra, sahabet që e kanë marrë në dorë udhëheqjen e ymmetit, nuk janë duke e njohur edhe të Dërguarin e tyre dhe këtë janë duke e shfaqur haptas, madje po i thonë se e ka humbur mendjen! Mendja e shëndoshë dhe logjika nuk mund të pranojnë se mund të presim ndonjë të mirë prej një grupi të tillë.

 

Për këtë arsye, i Dërguari (s.a.v.) nuk e ka lënë krye në vete ymmetin. Atyre ua ka lënë Kuranin dhe Ehli Bejtin që përderisa të mbahen për këta, kurrë nuk do të largohen nga rruga e drejtë. Kurani bazohet në një burim të vetëm dhe tefsiri e tevili [1] i tij mund të bëhet vetëm nga një grup. Në të kundërtën, sikur që është edhe rasti i ditëve të sodit, çdo tefsir është në kundërshtim me tefsirin tjetër. Sikur të kishte lënë Allahu Kuranin në dorën e njerëzve të tillë të dyshimtë e xhahil, nuk do të kishte kërkuar llogari në ditën e Kiametit prej atyre që e kanë humbur rrugën e drejtë. Allahu na ka lënë amanet Kuranin dhe Ehli Bejtin përmes të Dërguarit (s.a.v.) dhe na ka bërë me dije që të kërkojmë të gjitha llojet e diturive prej tyre.

 



[1] Tevil e ka kuptimin e kthimit të një gjëje në rrënjë (esencë); shpjegimi i kuptimit të vërtetë dhe esencial; ai që e bën tevilin e një gjëje, ai shkon kah rrënja e asaj gjëje; shndërrimi i një thënieje nga kuptimi i jashtëm (zahir) në hakikaktin e tij. Kuptimin e tevilit mund të kuptojmë nga një hadith sahih, ku thotë: “”Kurani ka një kuptim të jashtëm (zahir) dhe një të brendshëm (batin). Kuptimi i brendshëm përmban një kuptim tjetrë të brendshëm dhe kështu vazhdon deri te kuptimi i shtatë i brendshëm”

 

 

Shembulli 10:

 

Disa ditë para se të ndërroi jetë i Dërguari, e kishte caktuar një të ri, Usame bin Zejdin, si komandant të një ushtrie dhe në mesin e ushtrisë ishin përfshirë të gjitha sahabet më të shquara. Nën komandën e Usames ishin Ebu Bekri, Ymeri, Talha, Zubejri dhe Ebu Ubejde ibn Xherrahi. Ushtrisë iu dha urdhri që të lëviz në drejtim të Sirisë por një pjesë e madhe e sahabeve e shfaqën pakënaqësinë ndaj komandimit të Usamens dhe e kundërshtuan urdhrin e të Dërguarit (s.a.v.). Tubimi i kësaj ushtrie ishte urdhëruar që të bëhet jashtë Medinës, por një pjesë e madhe e sahabeve u kthyen në Medine. Kur e dëgjoi këtë i Dërguari (s.a.v.) u tha sahabeve: “”Ju e keni kundërshtuar edhe Zejdin, babanë e Usames. Betohem në Allah se të dytë janë të aftë për të komanduar”. (Buhari, Libri i Magazit)

 

Sipas rrëfimeve të disa historianëve, për ata që janë larguar nga ushtria e Usames, i Dërguari (s.a.v.) ka thënë: “Mallkimi i Allahut qoftë mbi ata që janë larguar nga ushtria e Usames!” Sepse, I Dërguari (s.a.v.) e dinte shumë mirë arsyen e largimit të tyre nga ushtria e Usames.

Lajmëtarët e sahabeve që ishin larguar nga ushtria e Usames vazhdimisht ua përcillnin lajmet për gjendjen e sëmundjes së të Dërguarit (s.a.v.). Këta nuk mendonin për lajmin e vdekjes së të Dërguarit por ata mendonin për mbretërinë që do të shkojë prej dorës së tyre.

 

Sepse, për sahabe të tillë, kalifati nuk kishte të bëjë me vullnetin e Allahut, për ata kjo ishte vetëm një pozitë botërore. Për këtë arsye, pa e menduar fare frikën e ahiretit, ata e kërkuan pasurinë e kësaj bote. Të gjitha amanetet e të Dërguarit (s.a.v.)i nëpërkëmbën, e përvetësuan kalifatin dhe pastaj e ndanë në mes veti.

 

Shembulli 11:

 

Njëri prej sahabeve të shquar, Enes ibn Maliku, rrëfen: “Unë nuk po shoh se ka mbetur diçka nga gjendja e të Dërguarit (s.a.v.) përderisa ishte në jetë!” Njëri që e dëgjonte atë, tha: “A është fjala për namazin?” Enesi tha: “A nuk e keni humbur esencën e namazit?”

(Sahihi Buhari, Kapitulli i humbjes së namazit)

 

Sikur që po e shohim nga librat Sahih është humbur edhe esenca e namazit. Shtylla e fesë, namazi, ishte ndërruar nga ana e sahabeve; atëherë si mund t’u besohet Kurani të tillëve? Madje, duke i njohur mirë sahabet i Dërguari (s.a.v.), sa mundet me qenë afër mendjes mbështetja ndaj tyre nga ana e jonë?

 

Duke ditur i Dërguari (s.a.v.) se mbas tij sahabet do t’i ndërrojnë shumë gjërat, nuk është e drejtë as që të mendojmë se mund t’u besohet atyre amaneti më i rëndësishëm. Përshkrimi i një dobësi të tillë të Dërguarit (s.a.v.) nuk i ka hije asnjë myslimani. Bile, mendimi i një gjëje të tillë është shëmtirës.

 

 

Shembulli 12:

 

 

Njëri prej sahabeve, Ebu Derda, rrëfen: “Betohem në Allah! Prej gjendjes së vjetër të ymmetit të Muhamedit ka mbetur vetëm falja e përbashkët”

(Buhari, Libri Merita e namazit të sabahut)

 

Prej këtij rrëfimi mund të kuptojmë se nuk kishte mbetur asgjë prej një ymmeti të madh veçse falja e përbashkët e namazit dhe asnjë unitet apo bashkim tjetër. Këtë gjendja nuk e kanë shkaktuar askush tjetër përveç sahabeve. Nëse ia përshkruajmë këtë Hebrenjve apo të Krishterëve, atëherë kjo do të ishte dobësi edhe më e madhe për sahabet. Elementi kryesor i dobësisë së ymmetit ishin sahabet. Sepse, vetë e kishin marrë në dorë kalifatin dhe udhëheqjen e myslimanëve.

Ata kanë bërë ndërhyrje të tilla që Ehli Bejti nuk e ka pranuar asnjëherë ndonjë gjë të tillë dhe përfundimet e tyre mund t’i vërejmë në librat e historisë. Nipat e të Dërguarit (s.a.v.), që ishin drita e syve të tij, vriteshin përpara syve të ymmetit dhe ligjet themelore të Islamit nëpërkëmbeshin duke i zhdukur vlerat e larta të të Dërguarit (s.a.v.). Athua ia ka lënë një ymmeti të tillë si amanet librin e Allahut?

 

Shembulli 13:

 

Njëri prej sahabeve, Ebu Said el Hudri, rrëfen: “Gjatë festave të Kurban dhe Fitr Bajramit, i Dërguari (s.a.v.) së pari e falte namazin me xhemat dhe pastaj e mbante hytben. Kjo u ndërrua me ardhjen e Mervanit në Medine si udhëheqës (vali). Në ditën e bajramit Mervani u afrua afër mimberit për mbajtur hytben dhe e tërhoqa për këmishës së tij, duke u munduar që ta parandaloj. Por, ai e tërhoqi këmishën prej dorës time dhe i foli popullit para namazit. I thashë atij: “Betohem në Allah se e ke ndërruar synnetin”. Mervani tha: “O Ebu Said, ka shkuar ai synnet që ti e ke ditur”. Pastaj, vazhdoi: “Populli nuk po na pret për të na dëgjuar mbas namazit, prandaj po e lexoj tani këtë hytbe!”

(Sahihi Buhari, Kapitulli i daljes në vendin ku falet namazi pa mimber)

 

Kush është Mervani? Ai është djali i Hakemit, të cilin i Dërguari e dëboi nga Medina dhe i ndaloi që të kthehet edhe njëherë në këtë qytet. Mirë, po kush e kishte siguruar kthimin e Mervanit si vali të Medines? Së pari, këtë e kishte bërë kalifi i tretë Osman bin Affani dhe më vonë kushëriri i tij Muavije bin Sufjani. Sepse, Mervani kishte marrë leje për të hyrë në Medine gjatë kohës së kalifit Osman.

 

Sepse, vetë ishte prej Emevitëve dh kështu ishte kushëriri i Osmanit. Në këtë gjendje, a mund të flasim për ndonjë urdhër të të Dërguarit? Çka ka qenë shkaku i ndërrimit të synnetit nga ana e Mervanit? Sipas urdhrit të Muavijes nëpër xhamia ishte vendosur synneti i mallkimit të Hz Aliut (a.s.). Shumica e njerëzve nuk dëshironin që të bëheshin pjesë e kësaj vepre të shëmtuar dhe sapo e kryenin namazin shpërndaheshin nëpër shtëpitë e tyre. Për këtë arsye Mervani e mbante hytben e mallkimit para namazit dhe e bënte ortak popullin pa dëshirën e tyre në këtë mallkim.

 

Në një hadith që është i njohur si sahih thuhet: “Kush e ka sharë Aliun, më ka sharrë mua. Dhe, kush më ka sharë mua, padyshim e ka sharrë Allahun”. Sa mund të jetë vlera e një populli që e abuzon Allahun dhe të Dërguarin (s.a.v.)? Si mund të pranojmë se i Dërguari (s.a.v.) i ka besuar një populli të tillë? A nuk i frikohen Allahut ata që ia përshkruajnë besimin një populli të tillë? Kur i shikojmë faqet e historisë do të lexojmë se Huxhr ibn Udejji, një sahabe i devotshëm dhe asket (zahid), ishte vrarë bashkë me shokët e tij. Pse? Sepse, Huxhri dhe shokët e tij ishin kundër mallkimit të Hz Aliut (a.s.) dhe për këtë arsye janë vrarë në mënyrë të pamëshirshme. Po, kush ishin at që e kishin vrarë atë dhe shokët e tij.

 

Në librat e historisë mund të lexojmë se këtë urdhër e kishte dhënë Muavija. E nëse Muavija ka dhënë urdhër që të vritet Huxhri dhe shokët e tij, a është bërë me këtë zhdukja e vlerës së sahabes? Hz Aliu ishte prej Ehli Bejtit ndërsa Huxhri dhe shokët e tij ishin prej sahabeve. Ai na ka bërë me dije se abuzimi i Imam Aliut (a.s.) do të thotë abuzimi i Allahut. Për derdhjen e gjakut të një besimtari në mënyrë të padrejtë Allahu na ka thënë në Kuran: “Vendi i tyre i përhershëm do të jetë xhehenemi”. Gjaku i Huxhrit dhe i shokëve të tij është derdhur në mënyrë të padrejtë nga ana e Muavijes dhe ndihmësve të tij.

 

Nga kjo ngjarje mund të kuptojmë se janë zbatuar standarde të dyfishta ndaj sahabeve. Përderisa Muavija lartësohet nga ana synnite si një sahabe e shquar, në anën tjetër nuk është parë e udhës që të thuhet ndonjë fjalë e drejtë për Huxhrin dhe shokët e tij. Edhe pse është treguar qartë në librat e historisë, prapëseprapë nuk mund të preket shenjtëria e Muavijes.

Nga kjo na del se të gjitha sahabet janë të drejtë; edhe ai që është vrarë, edhe ai që ka vrarë; edhe pse janë të qarta urdhrat e Allahut në lidhje me këtë gjendje. Madje, edhe pse është i qartë hadithi sahih i të Dërguarit (s.a.v.), prapëseprapë sahabeja është sahabe? Athua deri kur me këtë logjikë joracionale? Ata që dëshirojnë për të hulumtuar vërtetësinë e këtyre ngjarjeve historike, ashtu që po i shkruajmë ne, mund t’i drejtohen dy librave burimore të historisë: Historia e autorit Taberi dhe El Kamil Fit-Tarih. 

 

 

Shembulli 14:

 

I Dërguari (s.a.v.) kishte thënë sahabeve: “Unë do t’ju pres te burimi i Kevtherit dhe do të më afrohet një grup i njerëzve të njohur. Përnjëherë, do të largohen prej meje dhe do të shkojnë në një drejtim tjetër, dhe unë do të them: ‘O Zot! Këta janë sahabet e mijë’. Mua do të vijë një zë: ‘O Muhamed, ti nuk e di se çka kanë bërë ata mbas teje’. Atëherë, unë do t’u them: ‘Larg qofshin prej meje ata që kanë bërë ndryshime mbas meje’”.

 

Ky rrëfim është përcjellë në Sahihi Muslim dhe në Musned, librin e Imamit të mez-hebit hanbelit, Ahmed ibn Hanbelit.  Edhe Sujuti e përcjellë prej këtyre dyve në librin e tij Xhami us-Sagir. Ne jemi të mendimit se me këtë hadith është dëshmuar mjaft për karakterin e vërtetë të sahabeve. Edhe sahabet janë njerëz sikur na dhe mund të gabojnë ose kryejnë mëkate. Ky nuk është një përshkrim që vlen për të gjithë sahabet, ndoshta do të mund të vlejë për shumicën. Prej gjithë kësaj që kemi përcjellë prej rrëfimeve nga librat sahih mund ta nxjerrim këtë përfundim: Gjatë kohës së të Dërguarit (s.a.v.) ose mbas ndërrimit të jetës së tij, shumica e sahabeve kanë bërë gabime të ndryshme dhe madje mëkate të pafalshme.

 

Sahabet nuk e kanë dashur njëri tjetër sikur që na mësojnë neve që t’i duam ata. Sahabet e kanë kundërshtuar njëri tjetrin, kanë vrarë njëri tjetrin dhe kanë mashtruar njëri tjetrin. Ky është një realitet dhe është përcjellë deri te na përmes librave më burimore. Sipas kësaj që thamë na del se në përgjithësi, sahabet nuk ishin të drejtë dhe të dhënë mbas të vërtetës. Në përgjithësi, sahabet nuk ishin të pafajshëm dhe pa mëkate. Mbasi që u bë e qartë gjendja atëherë, ata nuk kanë qenë një ymmet i aftë për t’u kujdesur për Kuranin, që ka enë amaneti më me vlerë.

Kjo detyrë, sipas pikëpamjes së ymmetit, kishte një rëndësi jetësore. Dhe peshën e kësaj rëndësie sahabet nuk kanë mundur që ta bartin. Këtë nuk ka mundur ta dijë askush më mirë se i Dërguari (s.a.v.). Për këtë arsye, i Dërguari (s.a.v.) ia ka dhënë këtë amanet Ehli Bejtit (a.s.) të tij të pastër. Kjo nuk ka të bëjë aspak me dëshirën personale të të Dërguarit (s.a.v.). Sepse, Allahu i Lartësuar e kishte pastruar Ehli Bejtin (a.s.) prej të gjitha papastërtive dhe këtë mund ta lexojmë në Librin e shenjtë. Për këtë do të flasim më vonë dhe do ta shtjellojmë më gjerësisht.

Shpresojmë se ia kemi arritur qëllimit me ndihmën e Allahut dhe se e kemi shpalosur të vërtetën. Ne besojmë se ia kemi prezantuar çdo mendjeje të shëndoshë në mënyrë të duhur grupin e sahabeve. Qëllimi ynë ishte ndriçimi i personave të errëta që fshihen mbrapa emrit të sahabes. Sepse, jemi të mendimit se sahabet kanë ndikuar në formimin e faktorëve të ndryshëm në jetën e myslimanëve.

 

Të gjitha shpjegimet janë bazuar vetëm në librat burimore dhe e dimë që për zotëruesit e dijes do të jenë të padyshimta. Ne nuk kemi asgjë për të thënë kundër mendimeve personale të ndonjërit por, nuk pranojmë që të heshtim përpara këtyre temave të tilla që kanë fuqi që të ndikojnë në jetët tona. Shpresojmë që Bashkësia Islame të tregohet më e ndjeshme në këtë drejtim. Jemi duke jetuar në shekullin e teknologjisë. Nëse nuk i ndriçojnë mendjet e njerëzve në këtë kohë, më vonë do të paguajnë më shtrenjtë këtë llogari.

 

Këto tema që mund të kenë ndikim në jetën e njeriut duhet që të fliten më haptas, përndryshe do të jenë shkaqe të paraqitjes së humbjeve të mëdha. Njerëzit duhet të kuptojnë se janë mashtruar me përralla. Deri më sot, në Turqi nuk janë prezantuar në gjuhën turke më shumë tefsire dhe tevile të Kuranit prej Imamëve të Ehli Bejtit, e të cilët i kanë marrë dituritë drejtpërdrejtë, pa ndonjë ndërmjetësues tjetër, prej të Dërguarit (s.a.v.). Me ndihmën e Allahut, ne i kemi hyrë kësaj pune të bekuar.

 

Ne kemi pritur që këtë ta bëjnë para neve autoritetet e Bashkësisë Islame. Por, ne jemi të lumtur që kjo punë ka rënë në hisen tonë dhe për këtë e falënderojmë Allahun. Paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të Dërguarin Muhamedin (s.a.v.) dhe mbi Ehli Bejtin e tij të pastër. Mëshira dhe mirëqenia e Allahut qoftë mbi të gjitha ata që e duan të vërtetën dhe drejtësinë. Mallkimi më i fuqishëm qoftë mbi të gjitha ata që luftojnë kundër të vërtetës dhe drejtësisë dhe që janë duke luftuar ende. Falënderimi i takon vetëm Allahut, Zotit të botëve.