LETRA 91
19 Rebī’ul-Ewwel 1330
1. Justifikimi i Sjelljes së Tyre ndaj Ushtrisë së ‘Usāmes,
2. Asnjë Hadīth s’i Mallkon Dredhuesit e Mobilizimit.
1) Po, i Dërguari i Allahut (s) i shtyu ata të nxitonin për të marrë pjesë në fushatën e ‘Usāmes, duke i urdhëruar ata të niseshin, siç e përmendët ju, dhe theksuar urdhrin e tij gjersa i tha ‘Usāmes të pushtonte Ubnen në mëngjes, pa e lejuar të priste gjer në mbrëmje duke e porositur të nisej, dhe duke e theksuar urdhrin e tij përsëri duke i thënë të nxitonte. Por ai, paqe pastë mbi të, sipas të gjitha raportimeve, ra i sëmurë dhe filloi të merrte frymë me zor, aq sa ata filluan të merakoseshin e të ndiheshin shumë të shqetësuar për ta lënë në atë gjendje. Ata qëndruan në Xhurf duke pritur lajme mbi shëndetin e tij nga frika për jetën e tij dhe dashuria e tyre ndaj tij. Ata, pra, janë të justifikuar që pritën, dhe nuk duhen fajësuar.
Sa i përket diskutimit nga ata të caktimit të ‘Usāmes nga Profeti (s) pas vdekjes së tij, megjithë atë që mbanin mend nga pohimet dhe theksimi i tij me fjalë e vepra, të cilat i dinin mirë, ai s’ishte asgjë më shumë se kundërshtimi i tyre për moshën e tij të re, të qenurit e tij një djalosh mes burrave të pjekur dhe të vjetër. Këtyre natyrisht iu duk shumë e vështirë të merrnin urdhra nga të rinjtë, dhe për nga natyra u ndjenë të pakënaqur ndaj nënshtrimit të gjykimit të tyre. Mospëlqimi i tyre ndaj caktimit të tij s’ishte bidat por thjesht pasojë e natyrës njerëzore; ndaj merreni parasysh këtë.
Sa i përket kërkesës së tyre pas vdekjes së të Dërguarit për ta shkarkuar ‘Usāmen, kjo përligjet nga disa dijetarë midis atyre të cilët prisnin që Siddīku të pajtohej me ta. Këta persona menduan se një vendim i tillë, sipas pikëpamjes së tyre, do t’i shërbente interesit publik. Megjithatë, për hir të së vërtetës, unë personalisht nuk mund ta arsyetoj kërkesën e tyre për ta shkarkuar atë pasi e kishin parë se sa i zemëruar kishte qenë Profeti (s) kur ia kishin kërkuar këtë, dhe dalja e tij, me zjarrmi, me kokën e lidhur dhe i mbështjellë në çarçaf për ta dënuar një mendim të tillë në hytben nga minberi i tij. Ata e dinin se një incident i tillë ishte vërtetë një precedent historik; kështu, motivin e tyre të vërtetë s’e di askush përveç Allahut.
Sa i përket vendosmërisë së tyre për ta anulluar fushatën, dhe presionit të tyre ndaj Siddīkut për ta bërë këtë, megjithëse e kishin parë theksin që kishte vënë Profeti mbi dërgimin e saj, shqetësimin e tij për nisjen e menjëhershme, si dhe pohimet e përsëritura me këtë qëllim, ajo s’është veçse [nga] kujdesi i tyre që kryeqendra e Islamit të mos sulmohej nga politeistët përreth kur të zbrazej nga forca mbrojtëse, dhe kur ushtria të ishte larg saj, sidomos ngaqë hipokrizia nxori krye porsa vdiq Profeti (s), dhe shpresat e çifutëve dhe kristianëve u ringjallën, një grup arabësh mohuan fenë ndërsa të tjerët refuzuan të jepnin zekatin. Sahabët e Profetit, pra, i folën zotëriut tonë es-Siddīk dhe i kërkuan t’ia ndalonte nisjen ‘Usāmes, por ai refuzoi dhe tha:
“Më mirë të ma shqyejnë shpendët mishin sesa ta filloj sundimin tim duke shkelur urdhrin e të Dërguarit të Allahut (s).”
Ja çfarë kanë thënë tanët për Siddīkun. Sa u përket të tjerëve, ata nuk duhen fajësuar pse u përpoqën ta ndalonin fushatën ngaqë synimi i tyre s’ishte gjë tjetër veçse një shqetësim i natyrshëm për sigurinë e dīnit.
Sa i përket pyetjes përse Ebū Bekri, ‘Umeri, dhe të tjerët që u mobilizuan në regjiment, mbetën prapa kur u nis ‘Usāma, kjo ishte thjesht për të hedhur themelet e forta të qeverisë islame, për të mbështetur ligjin e Muhammedit (s), dhe për të ruajtur khalīfatin, që ishte mbrojtësi i vetëm i besimit dhe i besimtarëve.
2) Sa për atë që keni cituar nga el-Milel we’n-Nihel i Shehristānīt, ne e pamë të transmetuar pa emrin e transmetuesit. Si Halebīu, ashtu dhe Sejjid Dehlānīu, kanë thënë në librat e tyre të sīres se në të vërtetë nuk ka patur aspak një hadīth të tillë në atë kuptim. Nëse ju, Allahu ju ruajtë, jeni në gjendje të tregoni hadīth nga sunnitë në mbështetje të tij, atëherë më çoni tek ai, Wesselam.
Sinqerisht,
S