LETRA 87
9 Rebī’ ul-Ewwel 1330
Justifikimi dhe Diskutimi i Fatkeqësisë
Kur ai, paqe pastë mbi të, i urdhëroi ata që t’i sillnin një fletë të bardhë dhe filxhan boje, ai në të vërtetë nuk kishte për qëllim të shkruante ndonjë gjë të veçantë; ai thjesht donte t’i sprovonte ata, kjo është e gjitha. Prandaj, Allahu e udhëzoi el-Farūkun nga të tërë sahabët, t’i ndalonte ata nga sjellja e tyre tek ai. Një kundërvënie e tillë, atëherë, duket të konsiderohet në pajtim me vullnetin e Zotit të tij të Madhëruar e të radhitet me fuqitë e tija shpirtërore të dhuntisura nga lart, Allahu qoftë i kënaqur me të. Ky është argumenti i shumë personaliteteve të shquara.
Mirëpo, pohimi i tij “...nuk do të rrëshqisni kurrë” e hedh poshtë një argument të tillë nëse i përmbahemi parimit të ndershmërisë, sepse ai është një urdhër plotësues që do të thotë:
“Nëse më sillni fletën e bardhë dhe filxhanin me bojë, dhe nëse ju shkruaj diçka, atëherë nuk do të rrëshqisni kurrë pas meje.”
Shihet qartë se të interpretohet një urdhër i tillë si tregues sprovimi është një lloj gënjeshtre flagrante nga e cila profetët janë të mbrojtur, sidomos kur sjellja e fletës dhe filxhanit me bojë është më me vend për atë që merr urdhrin sesa të justifikuarit e tillë; prandaj, lipset një tjetër alibi.
E gjitha që mund të thuhet është se kjo çështje nuk përbën ftesë për një parti, që kushdo që refuzon të mund të fajësohet, por është një çështje konsultimi. Ata e konsultonin atë, paqe pastë mbi të, në disa çështje. Dhe ‘Umeri e dinte se thellë në zemrën e tij ai ishte i suksesshëm në të zgjedhurit e asaj që ishte më e mirë për interesin e muslimanëve, dhe se ishte vetë i frymëzuar nga Allahu Fuqiplotë.
Ai thjesht dëshiroi të mos e linte Profetin të rëndohej me dhimbjen që sillte shkrimi në gjendje sëmundjeje dhe agonie, dhe ai, paqe pastë mbi të, mendoi se do të ishte më mirë që të mos e sillte fletën dhe filxhanin. Ai mund të jetë druajtur gjithashtu se Profeti mund të shkruante gjëra të cilat do të ishin krejt të pamundura për t’u zbatuar nga njerëzit, duke i bërë ata meritues të dënimit, ngase gjëra të tilla do të ishin tekste për të cilat parimi i ixhtihād-it është i pamundur.
Ose, ai mund të jetë frikësuar se hipokritët mund të hidhnin dyshim mbi vërtetësinë e një shkrimi të tillë për shkak të formulimit të tij nën ndikimin e sëmundjes, duke u bërë kështu shkak trazie; prandaj, ai tha:
“Na mjafton Libri i Allahut”, në mbështjetje të ajetit të Fuqiplotit: "Ne s’kemi lënë (pa shkruar) asgjë në Libër" (6:38), e gjithashtu "Sot përsosa për ju fenë tuaj." (5:3), nga interesi i tij, paqe pastë mbi të, që ky ummet të mos rrëshqiste pas përsosjes së fesë për të nga Allahu dhe plotësimit të mirësive të Tija mbi të.
Kjo ishte përgjigja e tyre. Fjala e tij “...nuk do të rrëshqisni kurrë” tregon vendosmëri dhe qëndrim të sigurtë. Përpjekja për të sjellë siguri ndaj shmangies, kurdo që të jetë e mundur e pa asnjë dyshim, është domosdoshmëri. Zhgënjimi i tij me ta dhe të thënit atyre të iknin prej tij sepse nuk e kishin zbatuar urdhrin e tij është një provë tjetër se çështja ishte thjesht një reagim ndaj konsultimit.
Prandaj, nëse ju thoni se ajo ishte domosdoshmëri, atëherë Profeti, paqe pastë mbi të, nuk do ta kishte tërhequr atë thjesht pse ata s’iu bindën, mu ashtu siç nuk hoqi dorë së predikuari megjithë kundërvënien e të pafeve...; nëse ju i thoni të gjitha këto, atëherë ne do të përgjigjeshim se do të ishte kështu po të ishte zbatuar urdhri, sepse kjo tregon që shkrimi i asaj çështjeje nuk ishte i detyrueshëm për Profetin, paqe pastë mbi të.
Kjo, sigurisht, nuk implikon se ata nuk duhet t’ia kishin sjellë atij fletën dhe filxhanin e bojës kur ai i urdhëroi, duke u shpjeguar atyre se dobitë e tij do të përfshinin mbrojtjen nga rrëshqitja dhe një burim udhërrëfimi të vazhdueshëm. Pika kryesore është se ata që e morën urdhrin duhet t’i ishin bindur atij, sidomos kur dobia ishte për marrësin e urdhrit, dhe kjo është arsyeja për pohimin, e jo për zbatimin e tij.
Megjithatë, është gjithashtu e mundur që të ketë qenë edhe e detyrueshme për të, dhe një obligim i tillë u hoq për shkak të pabindjes së tyre dhe thënies se ai po fliste përçart, sepse fati i një shkrese të tillë u reduktua më pas në grindje, siç e pohuat me urtësi ju vetë.
Është po ashtu e mundur që dikush mund të thotë se ‘Umeri, Allahu qoftë i kënaqur me të, nuk e mori kuptimin e pohimit të Profetit të nënkuptonte se një shkresë e tillë do të sillte mbrojtje për çdo pjesëtar të ummetit nga rrëshqitja, aq sa asnjeri prej tyre të mos devijonte aspak. Përkundrazi, ai e mori: “...ju nuk do të rrëshqisni kurrë” të nënkuptonte “ju nuk do të pajtoheni që të ecni të gjithë në rrugë të shtrembër, e as nuk do e kaplojë devijimi ndonjërin prej jush pas një shkrese të tillë.” Përkundrazi, ai, Allahu qoftë i kënaqur me të, ishte i bindur se ata nuk do të pranonin kurrë të shkelnin në rrugë të shtrembër. Ja përse ai nuk pa ndonjë arsye që Profeti të shkruante gjë tjetër, duke menduar se qëllimi i Profetit ishte thjesht një përkujdesje shtesë në këtë çështje, pasi ai njihej mirë si një njeri plot mirësi e dhembshuri.
Kjo përbën krejt atë që është thënë për të gjetur një shfajsim për atë veprim. Kushdo që e heton atë do të jetë i sigurt se ai është larg nga të qenurit i arsyeshëm, për faktin e thjeshtë se pohimi i tij, paqe pastë mbi të, “... nuk do të rrëshqisni kurrë” tregon se çështja kërkonte vëmendjen e duhur, siç thamë, dhe zhgënjimi i tij me ta është provë se ata u bënë neglizhentë ndaj njërit prej obligimeve të tyre. Prandaj, është më me vend të thuhet se një incident i tillë ndodhi kur ata, me të vërtetë u sollën në kundërshtim me zakonin e tyre, pikërisht si shkarja e tyre e mëparshme, dhe ai përbën një gabim i cili nuk është aspak tipik për ta, dhe ne nuk e dimë se sa e saktë është kjo ngjarje në të vërtetë. Allahu është udhëzuesi për në Rrugë të Drejtë, Wesselamu Aleikum.
Sinqerisht,
S