LETRA 65

5 Sefer 1330

 

 

Kërkesa për Hadīthe të Lidhura me Trashëgiminë

 

Ju lutem, na e tregoni hadīthin e trashëgimisë siç e transmetojnë sunnitë, Wesselam.

 

Sinqerisht,

S

 

LETRA 66

5 Sefer 1330

 

 

‘Alīu është Trashëgimtari i Profetit (s)

 

Nuk ka asnjë dyshim se i Dërguari i Allahut, paqe pastë mbi të dhe pasardhësit e tij, i ka lënë ‘Alīut një trashëgimi dijeje e urtie sa ajo që u ka lejuar Fuqiploti profetëve të Tij e wasi-ve për të trashëguar, saqë i Dërguari i Allahut (s) tha:

“Unë jam qyteti i diturisë e ‘Alīu është porta e tij; ndaj, ai që kërkon dije le të vijë nga porta.”

(Ne e kemi cituar këtë hadīth dhe ata të dy që i paraprijnë, në Letrën 48. Drejtojuni aty hadītheve 9, 10 e 11 dhe mos i anashkaloni komentet tona.)

 

       Ai, paqe pastë mbi të dhe pasardhjen e tij, ka thënë:

“Unë jam depoja e urtisë, dhe ‘Alīu është dera e saj... ‘Alīu është hyrja e dijes sime, ai që shpjegon pas meje Mesazhin me të cilin jam dërguar; dashuria për të tregon besim të sinqertë, urrejtja ndaj tij është hipokrizi.” Sipas Zejd ibn Ebū ‘Aufit, ai iu drejtua ‘Alīut kështu: “Ti je vëllai dhe trashëgimtari im”;

(Ne e kemi cituar hadīthin në fjalë në Letrën 32) me ç’rast ‘Alīu pyeti:

“Dhe çfarë do të më lësh trashëgimi?” Ai, paqe pastë mbi të e familjen e tij, u përgjigj: “Gjithë çka linin trashëgimi profetët para meje.” Në një hadīth tjetër, ai, sipas Burejdes, tha: “Trashëguesi i dijes sime është ‘Alīu.”

(Drejtojuni kësaj në Letrën 48.)

 

Drejtojuni hadīthit në ditën e paralajmërimit. Gjatë jetës së Profetit (s), ‘Alīu e kishte zakon të thonte:

“Për Allah, unë jam vëllai, zëvendësi e kushëriri i tij, dhe trashëguesi i dijes së tij; ndaj, kush është më i denjë se unë për të tëra këto?”

(Ky pohim konfirmohet shprehimisht si i ‘Alīut. Ai citohet nga Hākimi në Mustedrek f. 126, vëll. III, në një hadīth sahīh sipas kritereve të Bukhārīut e Muslimi. Dhehebīu, në Telkhīs ul-Mustedrek, ka pranuar të njëjtën.)

 

       Njëherë e pyetën ‘Alīun:

“Si e trashëgove ti kushëririn (s) e jo xhaxhain tënd?”

Ai u përgjigj: “I Dërguari i Allahut, paqe pastë mbi të e familjen e tij, i mblodhi pasardhësit e ‘Abdul-Muttelibit që ishin disa syresh, dhe secili prej tyre kishte një uri që do i shihte edhe trungjet e pemëve si të ngrënshme dhe do pinte edhe ujin e  papijshëm, e ai u përgatiti një copë bukë sa një simite; megjithatë, ata hëngrën të gjithë gjersa u ngopën, ndërsa ushqimi dukej sikur s’ishte prekur. Atëherë ai, bekime pastë mi të e familjen e tij, tha: ‘O pasardhës të ‘Abdul-Muttelibit! Jam dërguar te ju në veçanti dhe të gjithë njerëzit në përgjithësi; cili prej jush zotohet të bëhet vëllai, waliu e wasiu im?’ Asnjëri nuk u ngrit, atëherë unë u ngrita, ndonëse më i riu mes tyre, por ai (s) më tha të ulem. Ai e përsëriti pyetjen e tij dy herë, dhe çdo herë unë isha i vetmi që u ngrit e çdo herë ai më tha të ulesha. Herën e tretë, ai shtrëngoi duart me mua; ja si e trashëgova unë kushëririn e jo xhaxhain tim’.” 

(Ky hadīth qëndron mbi truall të fortë dhe është i gjatë. Ai është cituar nga el-Dijā’ el-Mekdisī në Mukhtāra dhe nga Ibn Xherīri në Tehthīb ul-Edher. Ai është hadīthi 6155 në f. 408, të vëll. VI të Kenz ul-‘Ummāl-it. Ai po ashtu citohet edhe nga Nesā‘īu në f. 18 të Khasā’is ‘Alī, dhe transmetohet nga Ibn Ebī’l-Hadīdi prej Tarīkh-ut të Taberīut afër fundit të komentit të hytbes kāsi’e, f. 255, vëll. III, i Sherh Nehxhul-Belāgës. Drejtojuni gjithashtu f. 159, vëll. I i Musned-it të Ahmedit ku do e gjeni të njëjtin hadīth ta përcjellë këtë kuptim.)

 

       Sipas Mustedrek-ut të Hākimit, dhe Telkhīs-it të Dhehebīut, të cilët ia konfirmojnë që të dy vërtetësinë, Kathem ibn el-‘Abbāsi u pyet njëherë:

“Si e trashëgoi ‘Alīu të Dërguarin e Allahut (s), para jush?”

Ai u përgjigj: “Kjo falë të qenit e tij i pari nga ne që e ndoqi dhe që u shoqërua me të më tepër se cilido prej nesh.”

(Ai ndodhet në f. 125 të vëll. III. Ai citohet gjithashtu nga Ibn Ebī Shejbe, dhe është hadīthi 6084 në faqe 400, vëll. Vi i Kenz ul-‘Ummāl-it.)

 

       Dihej mirë se ‘Alīu, dhe jo xhaxhai i tij el-‘Abbās apo cilido pasardhës i Hashimit, ishte trashëguesi i të Dërguarit të Allahut (s). Ata e pranuan këtë si një fakt të kryer, ndonëse ishin njoftuar për arsyen që kjo trashëgimi u kufizua vetëm tek ‘Alīu, i cili ishte kushëriri i Profetit, e jo te ‘Abbāsi, xhaxhai i tij, apo cilido xhaxha ose kushëri tjetër i Profetit, paqe pastë mbi të e familjen e tij. Për këtë arsye, ata herë pyesnin ‘Alīun e herë Kathemin dhe ky u përgjigjej si më lart, në një mënyrë kënaqëse për të kuptuarit e atij që pyeste. Me fjalë të tjera, përgjigja është se Allahu, i Lartësuari e i Gjithdijshmi, u hodhi një shikim njerëzve në tokë e zgjodhi prej tyre Muhammedin (s) dhe e ngriti atë në shkallën e Profetit, pastaj ai vështroi sërish dhe zgjodhi ‘Alīun, dhe e frymëzoi të Dërguarin e Tij (s) ta merrte si trashëgimtar e khalīf.

 

       Në faqen 125, vëll. III i Mustedrek-ut, Hākimi, pasi citon Kathemin që pohon të mësipërmen, thotë: “Kadiu Suprem Ebū’l- Hasan Muhammed ibn Sālih el-Hāshimi, më tha se ai e dëgjoi kadi Ebū ‘Umerin duke thënë:

‘E dëgjova kadi Ismā‘īl ibn Is‘hākun, pasi u informua mbi pohimin e Kathemit, të thonte se një njeri e trashëgon një tjetër ose me lidhje gjaku ose me besnikëri të sinqertë, dhe burrat e dijes nuk e diskutojnë faktin se [nën kushte normale] një kushëri nuk bëhet trashëguesi ndërkohë që xhaxhai [babai i tij] është ende gjallë.’ Sipas një konsensusi të tillë, ‘Alīu e trashëgoi dijen e Profetit (s), e jo ata.”

 

Ç’është e vërteta, historianët janë mutewātir në raportimin e një fakti të tillë, veçanërisht përmes burimeve të Pasardhjes së pastruar, dhe mjafton për ne si provë Testamenti dhe tekstet e tij të qarta, Wesselam.   

 

Sinqerisht,

Sh